Frank Shkreli: Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në diasporë

71

                  GJUHA SHQIPE DHE KULTURA SHQIPTARE NË DIASPORË

                                                         Frank Shkreli

Ditën e shtunë me 12 shtator, organizata “Albanian American dual Language and Culture” (Dy-Gjuhësia dhe Kultura Shqiptaro-Amerikane)  dhe Shkolla “Cildren of the eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), organizuan seminarin e tretë shkencor mbi “Metoda arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë” – këtë herë në “zoom”. Seminari organizohet nga Drita Gjongecaj.

Ky seminar për shkak të situatës pandemike këte vit është organizuar online. Vitin e parë u realizua në mjediset e Vatrës dhe vjet në konsullatën e Kosovës.  Qëllimi është bashkërendimi i përpjekjeve dhe zgjerimi i tyre në funksion të mësimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë tonë.  Produkti i këtij seminari është i printuar në një një libër ku ndodhen te gjitha referencat dhe prezantimet e kaluara. Shpresohet që kjo përpjekje do shëndërrohet në traditë.

 

Më poshtë mund të lexoni një përshëndetje timen në seminarin mbi misionin e ruajtjes së kulturës dhe të gjuhës shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara:

“Mirëmengjesi – përshëndes të gjithë pjesëmarrësit –veçanërisht organizatorët e këtij seminari me drejtuesen zonjën Drita Gjongecaj.  Falënderoj për ftesën kolegën Marjana Bulku.  E ndjej veten të nderuar dhe të privilegjuar të jem me ju sot!

Me kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë seminar për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës shqiptare në botë, e veçanërisht këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore.

E pranova ftesën edhe për të shprehur respektin tim për organizatorët e këtij seminari si dhe mësueset dhe mësuesit – të cilët as virusi nuk i ndal, as nuk i frikëson që të vazhdojnë misionin e tyre fisnik, – për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në komunitetin  shqiptaro-amerikan. Ju lumtë!

Jam i bindur se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka dy-gjuhësia, sidomos në botën e sotme të komunikimit nëpërmjet internetit.  Amerika, megjithëse i prin botës në shumë fusha të zhvillimit, nga pikëpamja e mësimit të gjuhëve të huaja dhe të dy-gjuhësisë, fatkeqësisht, është mbrapa gjithë botës.

Në këtë mjedis janë rritur e po rriten edhe fëmijët tanë, sidomos ata që kanë lindur këtu, por edhe ata që kanë ardhur në Amerikë në një moshë të re.  Jemi si një pikë uji në një oqean të madh, që të përpin.

Misioni i juaj fisnik është që të shpëtoni sa më shumë nga këto pika uji, që të mos i përpijë krejtësisht ky oqean i madh, e aq tërheqës, që e quajmë Amerikë.

Brezi i juaj, – flas për valën e emigrimit pas shembjes së komunizmit,  është shumë me fat.  Fëmijët tuaj janë edhe më me fat, që komuniteti ka individë që posedojnë dijen, mundësitë dhe aftësitë si dhe vullnetin e mirë për t’i organizuar dhe për t’i mësuar, në gjuhën dhe kulturën e tyre të origjinës.

Jo se duam të krijojmë në Amerikë, republikën tonë shqiptare, por gjuha dhe kultura janë të rëndësishme sepse sa më gjatë që të jetojmë larg gjuhës, traditave dhe kulturës tonë, aq më shpejt do të humbet edhe gjuha edhe traditat, e si rrjedhim dhe përfundimisht – edhe lidhjet me Atdheun.

Për fat të keq, këtë fakt e dimë shumë mirë ne të brezit të vjetër në këtë vend.

Një fat tjetër i mirë për brezin e sotëm, është fakti se mundësitë për të vizituar Atdheun janë të shumta dhe pa pengesa, që për ne të brezit të vjetër ishte e ndaluar.  Kjo për brezin e sotëm duhet të shërbejë edhe si një nxitje tjetër për të mësuar shqipen në diasporë.

Një ëndërr e parealizuar e intelektualëve më të dalluar shqiptaro-amerikanë të dekadave të shkuara ishte themelimi i një katedre për studime dhe kulturë shqiptare pranë një universiteti të njohur këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk u realizua gjatë jetës së tyre, por ama ndodhi këtë vit, kur u hap, më në fund, Katedra e Albanologjisë në Universitetin më të vjetër katolik në Amerikë, “De Paul” në Çikago, që sot drejtohet nga Dr. Gazmend Kapllani.

Një shkrim i imi duke njoftuar lajmin e mirë, me titull: “Historike-Themelohet e para Katedër Albanologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sipas disa botuesve ishte lexuar më shumë se pothuaj çdo shkrim tjetër imi, gjë që mund të jetë një tregues, sadopak, i interesimit për ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës dhe të kulturës shqipe në diasporë, jo vetëm në nivelin e një katedre albanologjike, por edhe në nivelin e shkollave shqipe, në përgjithësi.

Prandaj uroj në këtë 3-vjetor të seminarit Shkencor -Arsimor që kjo nismë e juaja të vazhdojë dhe të bëhet pjesë e përhershme e jetës dhe aktivitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan, për dekadat e ardhëshme.

Mos u çuditni nëqoftëse nga këto shkolla që ju drejtoni sot, vite më vonë, të dalë një shkrimtar ose shkrimtare, si Jeronim De Rada i Arbëreshëve, i cili do të unisonte traditat më të mirat e këtij komuniteti me ato të Atdheut të parëve tanë, si një trashëgimi brez pas brezi, që nuk do ta zhduknin as motet, as shekujt. Por, falë punës suaj të përkushtuar dhe të vazhdueshme – do të lulëzojë si një shenjë e një tradite të kaluar të lumnueshme, dhe të një të ardhmje më të ndritur, për shqiptarët, jo vetëm këtu në Amerikë, por kudo.

Siç e dini, Arbëreshët e Italisë edhe sot pas më shumë se  500-vjetësh, e kanë ruajtur gjuhën e të parëve, nën rrethana shumë të vështira — me shkolla shqipe dhe me katedrat e tyre kushtuar promovimit të gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.

Për këtë, shqiptarët, pa dallim, u janë mirënjohës Arbëreshve të Italisë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës, rrjedhimisht, edhe për rolin që ata kanë luajtur në historinë e Shqipërisë gjatë shekujve.

Ashtu edhe sot këtu në Amerikën tonë mikpritëse, u jemi mirënjohës dhe u falënderojmë të gjithë ju për mësimin e gjuhës shqipe dhe për promovimin e kulturës shqiptare brezave të rinjë në këtë vend mikpritës, ku kemi gjetur strehimin, lirinë dhe demokracinë.

Në një botë të huaj, –Ju,  si misionarë të Kombit, në këtë moment të histories,  u jemi përgjithmonë, mirënjohës!  U jemi mirënjohës mësueseve dhe mësuesëve si dhe veprimtarëve të shumtë të komunitetit për punën tuaj fisnike dhe atdhetare,  në baza vullnetare,  ndërkohë që ju urojmë shumë suksese në vitet dhe dekadat e ardhëshme.

Ashtuqë ëndërrat e dikurshme të intelektualëve të komunitetit shqiptaro-amerikan, si një dëshirë e parealizuar nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof. Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti e shumë të tjerë,  të realizohen më në fund  në saje të punës dhe të përkushtimit tuaj  në vitet dhe dekadat e ardhëshme,  jo për një, pasi një e kemi por për më shumë katedra të albanologjisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.

Nuk jam i sigurt se në çfarë niveli janë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkollave shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe cili është bashkëpunimi i ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë dhe Kosovës me këto shkolla. Por të gjithë e dimë se cili duhej të ishte bashkëpunimi. Roli i përfaqësive diplomatike shqiptare,  të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës,  jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por kudo në botë,  është  tepër jetik dhe i pazëvëndsueshëm në realizimin e objektivave të këtyre shkollave duke në mbështetje të misionit të tyre. Kemi pritur 50-vjet që dyert e diplomacisë shqiptare të hapeshin për ne. Tashti presim bashkëpunim.

Më vjen shumë mirë që në këtë seminar marrin pjesë përfaqësues të disa shkollave shqipe në diasporë.  Nëqoftëse më lejohet (do dëshiroja të bëj) një porosi: suksesi i juaj sot dhe në të ardhmen do varet shumë nga bashkëpunimi i ngushtë midis të gjitha shkollave shqipe në diasporë, në realizimin e objektivave tuaja të përbashkëta për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës shqiptare, në dhena të huaja.

Dua të përfundoj me një paragraf nga Ernest Koliqi – i cili së bashku me Martin Camajn  mund të kenë qenë njerëzit që kanë përhapur më së shumti gjuhën dhe kulturën shqipe në diasporë,  për shiptarë e për të huaj — e që besoj se përmbledh dhe vlerëson aq bukur punën dhe rolin tuaj në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në dhena të huaja – drejtuar lexuesve të revistës së tij “Shejzat” në numrin Korrik-Shtator 1969:

“Lexues i dashtun!

Kultura ashtë shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarve shqiptarë nuk dinë me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet.  Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë shka bluejnë mendet ma të ndritura të bashkgjakasëve, si e shohin dhe e paraqesin në pëlhura të tyne botën piktorët tanë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th. ai që kurrë s’kapë në dorë një libër shqip, nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuen mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të kombit, ai veç se ka emnin shqiptar, por sa për të tjera mund të njihet i huej në rrethin tonë.

Lexues i dashtun, ashtu si e ushqen trupin me bukë e bylmet, ushqeje shpirtin me libra e shfaqje të arteve shqiptare.  Në një skutë të shtëpisë s’ate, mos të mungojnë libri shqip edhe libri në gjuhë të huej që flet për Shqipni.  Në lexim të tyne, gjaku i yt ka me gufue plot hare, se në të ke me ndie frymën e atdheut të adhuruem.”

Besoj se Ernest Koliqi – të cilin kam pas nderin dhe privilegjin ta njoh – p;r mua njëri prej shkrimtarëve të preferuar shqiptarë, ndoshta i dyti mbas At Gjergj Fishtës  – do t’a miratonte shumë punën dhe veprimtarinë tuaj – duke thenë se në punën tuaj, njeriu “ndien frymën e atdheut të adhuruem”.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe u kërkoj ndjesë se e zgjata pak më shumë se ç’duhej.

Frank Shkreli