Frank Shkreli: Dalip Greca ndërroi jetë – Humbje e madhe për gazetarinë shqiptare në diasporë dhe në Atdhe

240
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

IN MEMORIAM

Gazetari i njohur Dalip Greca

Një mik e koleg i dashur dhe i nderuar për mua dhe të gjithë ata që e kanë njohur, u nda papritmas nga kjo jetë. Gazetari i njohur Dalip Greca ndërroi jetë. Lajmi na tronditi dhe na mjeroi. Një zi me plot dhimbje mbuloi familjen Greca, pikëlloi kolegë, miq e dashamirë të shumtë të tij: këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Mik i çmueshëm dhe i përzemërt!  Humbëm një mbështetës të papërtueshëm të aktiviteteve kulturore këtu në Amerikë, por mbi të gjitha u thye një shtyllë e fortë e gazetarisë shqiptare në mërgim dhe në mbarë botën shqiptare. Më pak se një vit më parë, familja, miq, shokë e dashamirë të Dalipit – mbi 100-veta – të ftuar nga Vatra historike e shqiptarëve të Amerikës organizoi një darkë në nder të Editorit të Diellit dhe punëtorit të palodhshëm të Vatrës, për të celebruar daljen e tij shumë të merituar në pension.

Foto nga darka e daljes së Dalipit në pension, korrikun e vitit që kaloi, me kolegun dhe mikun tonë të përbashkët, studiuesin Idriz Lamaj, Dalip Greca dhe autori.

Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën ‘Dielli’, ndërsa ndikimi i tij në Vatër dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në orgnizatën më të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan do të mbetet trashëgimi e tij, sidomos ndihma e tij në ringjalljen e gazetës historike ‘Dielli’. Puna e gazetarëve atdhetarë si Dalipi, nuk njohin bjerrje. Puna e tij për ringjalljen e gazetës ‘Dielli’ në veçanti dhe të ‘Vatrës’ në përgjithësi shihet dhe pranohet tanimë edhe nga disa kritikë, si diçka me rëndësi në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të interesave të shqiptarëve dhe të Kombit, të cilit Dalipi ia kushtoi jetën, mundin dhe djersën e tij.

Foto nga darka e daljes në pension të Dalipit, korrik, 2021, duke festuar me disa miq e kolegë të Dalipit

Nderimi në darkën e daljes së Dalipit në pension ishte një mirënjohje e vogël kundrejt punës së madhe dhe vlerave të çmueshme, që Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi për 12 vjet në gazetën ‘Dielli’, në veçanti dhe në veprimtarinë e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra,’ në përgjithësi, duke u përpjekur t’i kthente ato në misionin origjinal të tyre, të përcaktuar nga themeluesit Fan Noli e Faik Konica. Dalip Greca e kishte në gjak gazetarinë. E kishte pasion dhe e merrte me shumë seriozitet punën e gazetarit dhe të editorit. Me një rast i thashë:- More Dalip, mos kemi zgjedhur profesionin e gabuar, se me gazetari as në Amerikë, nuk pasurohemi dot? Buzëqeshi pak dhe më tha: Jam gazetar për pothuaj 40-vjet dhe nuk jam penduar fare. Dalipi ishte nga ata gazetarë të përkushtuar ndaj profesionit të tij – siç thonë se janë mjekët dhe infermierët të përkushtuar për shpëtimin e jetës së pacientëve –. Ashtu ishte Dalip Greca i përkushtuar ndaj profesionit të tij,  nëpërmjet gazetarisë së lire: si një mjet për të zbuluar të vërtetën në shërbim të të mirës së përbashkët. Për këtë, ne që e kemi njohur, jemi të gjithë dëshmitarë dhe krenarë me punën e tij të gazetarit dhe editorit. Ai ishte aq i pasionuar pas gazetarisë, saqë edhe pas pensionimit, Dalipi nuk u largua nga ‘Dielli’, nuk i tha lamtumirë, por premtoi se edhe në pension do të vazhdonte të kontribonte me artikuj, analiza, komente dhe shkrime të tjera. Fatkeqësisht, shkuarja e tij në amshim, ia ndërpreu këtë kontribut të mëtejshëm, të premtuar për gazetën ‘Dielli’ pas daljes në pension! Një humbje e madhe kjo për të gjithë lexuesit e gazetës më të vjetër në botë, gjithnjë në ekzistencë. Besoj se siç ka thënë paraardhësi i tij, i Madhi Faik Konica, me rastin e botimit të 1-vjetorit të gazetës ‘Dielli’: “Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjëherë. Rri mbi gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbarojë gjer atje…” Jam i sigurtë se Dalip Greca në udhëtimin e tij të parakohshëm për në amshim, shikon pas dhe krenohet me veten e tij për arritjet dhe sukseset, për trashëgiminë gazetareske dhe letrare, që ka lënë pas: trashëgimi për familjen e tij të nderuar dhe të dashur, por edhe për shoqërinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Dhe i thotë vetes: Job Well Done! Punë e kryer shumë mirë! Rolin e editorit të Diellit, Dalip Greca e kishte marrë me shumë seriozitet, dinjitet dhe përgjegjësi dhe krenari për ta drejtuar gazetën ‘Dielli’ në një frymë përbashkuese, por mbi të gjitha, në interes të Vatrës, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në veçanti, me aq sa kishte mundësi në mbrojtje të interesave dhe vlerave kombëtare të shqiptarëve, si një pasqyrë të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë.

Takimi im i parë me Dalip Grecën ishte një intervistë kur ai punonte si editor i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria, mars 2005. Ç’prej atëherë kemi mbetur miq e kolegë. Të falënderoj për miqësinë Dalip!

Ishte meritë e Dalip Grecës, që me një diplomaci dhe urtësinë që e karakterizonte atë si person dhe punën e tij. Si pasojë, ai mundi të menaxhonte me aftësi, për 12 vjet, pritshmëritë e individëve dhe të grupeve të ndryshme brenda dhe jashtë ‘Vatrës’, duke pajtuar kërkesat dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër me ato të emigrantëve të rinj në këtë vend. Është gjithashtu meritë e Dalipit që gazetën ‘Dielli’ e ngriti nga një gazetë e komunitetit, në një forum diskutimi të subjekteve të ndryshme me rëndësi dhe karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Nga ky këndvështrim, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të thella Dalip Grecës, i cili për gjithë periudhën, që shërbeu si editor i ‘Diellit’ ai, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë përjashtim, gjithmonë ka botuar të gjitha shkrimet e mia modeste, që i kam dërguar gazetës ‘Dielli’. Për këtë i jam, përjetësisht, mirënjohës! Kalimi në amshim i Dalipit dhe zbrazëtia që le pas do të ndihet për një kohë të gjatë në komunitetin shqiptaro-amerikan. ‘ Mungesa e tij natyrisht do të jetë shumë më e rëndë dhe më e thellë për familjen e tij dhe për farefisin këtu në mërgim dhe në Atdhe. Familjes së ngushtë bujare dhe të nderuar të Dalipit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe farefisit më të gjerë Greca kudo qofshin ata, u paraqes me zemër dhe mendje të pikëlluar, për dhimbtimet e mia më të thella, duke marrë pjesë në zinë e tyre në këtë moment të vështirë për humbjen e fortë të dashurit të tyre, Dalipit, me ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe me ndiesi miqësije vëllazërore!