Fran Gjoka: Tolerancë zero ndaj dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike

506
Sigal

 

 Skandali i rëndë që përfshiu këto ditë ngjarja me minorenen, ka shokuar dhe irrituar gjithë opinionin publik, ku dënojnë rëndë këtë ngjarje të trishtë dhe revolton jo vetëm ata që e dëgjuan, por mbarë komunitetin prindëror. Shërbimi Social, si institucion në vete, të ketë në përparësi që çdo punonjës i shtetit shqiptar që merr përsipër një detyrë kaq fisnike, të kalojnë paraprakisht në test shumë të rreptë. Çdo edukator apo punonjës të tjerë të shërbimit social. Kjo duhet shoqëruar edhe me përmirësimin e sistemit ligjor duke u siguruar të drejta të plota fëmijëve jetimë, apo me probleme të ndryshme.Vetëm kështu sigurojmë standardet e duhura europiane.

Lind pyetja: Cilët janë elementet e dhunës dhe detajet e format e shfaqjes së saj me fëmijët dhe të rriturit?

Dhuna është fenomen sa social, aq edhe socialpsikologjik. Si formë e ushtrimit të forcës për të dëmtuar dikë tjetër emocionalisht , psikologjikisht dhe fizikisht, ajo, fatkeqësisht është e pranishme ende në shoqërinë shqiptare në tërësi, në shkollë dhe në institucionet e tjera të edukimit,  e pse jo, edhe në nivelet e ndryshme të shtetit  dhe më gjërë.

Ne kemi një mision  fisnik dhe detyrim edhe moral që këtë dukuri negative të një shoqërie me demokraci ende të brishtë,  ta njohim në shumëanshmërinë e saj, ta analizojmë në thellësi, duke u munduar që të gjejmë burimin, të përcaktojmë pasojat dhe mbi këtë bazë të marrim masa për ta parandalur atë. Së paku të ulim ndjeshëm intensitetin dhe pasojat.

Fatëkeqësisht, dhuna është  e pranishme  në mjaft raste në komunitet, në institucione të shtetit  dhe në kompani e firma private, në rrugët  dhe në rrugicat e vogla në thellësi të pallateve, në familje. Aq më e papranueshme është ajo edhe në shkollë.

Meqë ju flisni për  elementë të dhunës dhe më gjërë, a mund të na tregoni më në detaje diçka për perceptimin tuaj për dhunën dhe për format e saj të shfaqjes ?

Shpesh herë perceptimi për dhunën është i kufizuar. Dhuna më së shumti perceptohet si e tillë vetëm në rastet e ushtrimit të forcës fizike të një individi apo grupi social ndaj një individi ose grupi tjetër social, që në raste ekstreme ka kosto të lartë  që shprehet edhe me humbje jetësh , për shkaqe të pamotivuara, që në media përdoret rëndom termi “për arsye banale”.

 

Në pamjen e saj të vërtetë dhuna shfaqet në formën e dhunës institucionale, sociale, seksuale, emocionale e psikologjike në tërësi, fizike dhe fizike ekstreme etj. Asnjë nga institucionet nuk është realisht i imunizuar nga format e dhunës. Natyrisht në mjedise e institucione të ndryshmë ajo ka dinamikë të ndryshme. Vetëm për të krijuar një perceptim më të plotë për elemetët dhe format e dhunës në tërësi le t’i referohemi disa rasteve ku ajo shfaqet, si rregull, në mjedisin tonë social e kulturor, pa iu referuar rasteve të politikës, ku dhuna ”qarkullon” me shumicë”. Natyrisht kjo formë e saj nuk është objekt i kësaj interviste, pavarësisht se ajo gjeneron dhunë në komunitet, në institucione dhe në strukturat e tjera të pushtetit lokal.

Për shembull raste të dhunës shfaqen vertikalisht në të gjithë piramidën e shtetit. Më e theksuar është ajo në ato institucione ku  përkeqësohen marrëdhëniet, ku fryma e grupit rëndohet si pasojë e përpjekjeve të drejtuesve për të shfrytëzuar pushtetin deri në abuzim të tij, më qëllim “që të disiplinohet “ puna në institucion apo në ndërmarrje.

Po kështu e përhapur është edhe dhuna  sociale, “viktimat” e së cilës janë kryesisht fëmijët  dhe adoleshentët e tërhequr nga jeta e grupit, që rrinë disi larg shokëve dhe shoqeve në shkollë dhe në mjedise të tjera shoqërore. Për arsye nga më të ndryshme ata nuk integrohen me mjedisin psikokulturor ku e kalojnë kohën dhe rriten. Jeta e vetmuar është tipar dallues i këtij grupimi. Fëmijë të kësaj natyre ndjehen keq psikologjikisht  dhe emocionalisht, ndjehen disi të huaj në vendin e tyre.

Po kështu të dukshme janë edhe rastet e dhunës fizike të shprehur në përdorimin e forcës së një individi ose grupi ndaj një individi dhe grupi tjetër social. Është e pranishme në komunitet, në familje ndaj fëmijëve dhe bashkëshorteve dhe individëve të tjerë të pambrojtur. Jo më pak e pranishme është dhuna fizike edhe në shkollë, në institucionin e vetëm të edukimit që jep arsim dhe edukatë në mënyrë të organizuar.

Me format e dhunës emocionale, që shprehen virtualisht, pothuajse jemi socializuar në një masë të caktuar të gjithë. Rëndom shohim ose jemi në rolin e atyre që e ushtrojnë këtë dhunë ku punojmë dhe jetojmë. Fjalët ofenduese që e dëmtojnë emocionalisht  bashkëshortin ose bashkëshorten, nxënësin, punonjësin, shokun e shoqen etj, na shoqërojnë në të shumtën e herës. Siç duket, një formë e tillë dhunë, kur krahasohet me dhunën që të dëmton fizikisht, ose që padrejtësisht e hedh punonjësin në rrugë, nuk ka ndonjë peshë të madhe në jetën e individit tek ne. Ndonëse në një shoqëri të lirë dhe me demokraci të zhvilluar edhe kjo dhunë është e papranueshme.

Dhunën institucionale e ushtrojnë drejtues me formim kulturor dhe profesional të cunguar, që inferioritetin e tyre intelektual përpiqen “ta kompensojnë” me forcën e pushtetit të përkohshëm që mund t’u jetë dhënë për çdo lloj kontributi, me përjashtim të atij profesional e kulturor në tërësi.

Elementët e dhunës fizike përdoren në familje ndaj fëmijëve dhe jo vetëm, nga baballarë dhe më rritur, që e përdorin alkoolin dendur dhe deri në atë masë sa kjo kategori bëhen vartës ndaj pijes. Sa më shumë alkool që ata përdorin, aq më të dhunshëm shfaqen në familje. Pjesë e grupimin të kësaj dhune janë edhe baballarët dhe bashkëshortët që mendojnë shpesh herë negativisht për sjelljen e fëmijëve dhe të grave të tyre. Niveli i ulët kulturor dhe formimi i pakët qytetar, diferencat e mëdha në disa raste mes çifteve dhe xhelozia, më së shumti si fenomen se sa si realitet, i bën një kategori burrash të dhunshëm. Në psikikën e tyre sundon forca dhe kultivimi i frikës, në vend të logjikës dhe të arsyes.

Ajo që e trazon shpirtin e qytetarve sot tek ne, është edhe varfëria, pamundësia e një grupi për të siguruar kushtet minimale të jetesës, si dhe problemet e mëdha që kanë me pronat, ku në mjaft raste vepron “Maliqi”dhe jo ligji, ku pronarët pa prona janë bërë e po bëhën padrejtësisht me prona. Në pamundësi për të gjetur zgjidhje nga strukturat përkatëse të shtetit dhe të shoqërisë, njerëzi dalin jashtë kontrollit, nuk i kontrollojnë emocionet e tyre. Në këto kushte sjellja agravon dhe bëhet, siç po ndodh pothuajse përditë, konfliktuale dhe me pasoja.

Dhunën seksuale e ushtrojnë kryesisht individët me deformime dhe çrregullime narciste të personalitetit. Ata janë kryesisht manjakë dhe shumë të rrezikshëm për shoqërinë.

 

 

Shikoni, me përjashtime shumë të rralla, dhuna në të gjitha format e saj nuk ka efekte pozitive, pavarësisht se ku dhe ndaj kujt ushtrohet.  Imagjinoni një drejtues shkolle ose institucioni, i cili nuk di ose komunikon me të meta me punonjësit, që nuk ka aftësi t’i menaxhojë mirë punët, që në vend të logjikës, argumentit dhe  arsyes përdor mosarsyen, unin  dhe forcën e pushtetit provizor, që bie viktimë e deformacioneve që mund të marrë ose merr nga “shoqet dhe shokët”e saj, që i shikon nga lart dhe nga larg vartësit, mësuesit, kolegët dhe nxënësit, që … Çfarë ndodh në të tilla kushte ? Pa u ndjerë futet fryma e përçarjes, e frymës që nuk i shërben punës, kultivohet autoriteti i rremë dhe mungesa e mosbesimit mes individëve dhe palëve, ndërtohen marrëdhënie të ndera etj. E keqja është se kjo frymë dhe formë drejtimi, e shprehur në formën e dhunës institucionale, përcillet deri tek punonjësi më i thjeshtë deri tek vartësit më të largët dhe tek nxënësit. E gjitha kjo e dëmton punën dhe vetë personat  që “vishen me kostume “ të tilla  të përkohshme të autoritetit fallco dhe të dale tashmë nga moda.

Në shkollë dhunën ndaj nxënësve e përdorin mësuesit me formim të dobët, sidomos profesional. Në pamundësi për të komunikuar me adoleshentët me gjuhën e tyre, ndodh që mësues të veçantë bëjnë presion përmes notës tek nxënësit, i shohin ata me një farë përçmimin dhe në pozitat e njeriu që, sipas tyre, i di të gjitha, paçka se një grup nxënësish dhe studentësh mund të dinë më shumë se mësuesi ose pedagogu i tyre. Ku bëhet mësim me të meta, ku individë dhe grupe nxënësish nuk merren me punë gjatë mësimit, ata bëhen “shkaktarë “ të prishjes së mësimit. Në këto kushte për ta “disiplinuar” klasën vepron mësuesi autoritar, (jo me autoritet) dhe përmes dhunës “vendos “ qetësi, ose i duket atij se e arrin një gjë të tillë, paçka se pasojat mund të jenë aq të mëdha, sa ky lloj mësuesi nuk i parashikon. Fjala vjen një konflikt i pa menduar mund ta çojë shtrirjen e tij në familje, rrjedhimisht ai sjell shumë pasoja për të gjithë palët.

Në familje dhuna ndaj fëmijëve kultivon dhunë, e cila transmetohet, si rregull, edhe tek brezat pasardhës. Dhuna fizike, ndryshe nga arsyeja dhe komunikimi i hapur, kultivon frikë dhe ankth që e dëmtojnë shumë personalitetin dhe karakterin e fëmijëve  në formim e sipër.

Si përfundim: Në këto kushte aktuale, ç’mund të bëjmë?

Të gjithë kanë detyrime për mënjanimin e dhunës: shkolla, familja, shoqëri civile, institucionet, shteti dhe strukturat e tij, shoqat që veprojnë etj. Ne duhet të ndryshojmë pak e përditë mendimin se dhuna është mesjetare, se civilizimi dhe qytetaria nuk e pranojnë atë. Po ndryshuam mendimin do të krijojmë baza për t’u fokusuar më mirë në kultivimin e vlerave të një demokracie pa dhunë.

Mendoj se në mes këtyre institucioneve, shkolla dhe familja, kanë shumë përgjegjësi dhe detyrime, se ato duhet të veprojnë në mënyrë të kualifikuar dhe së bashku për ta arritur qëllimin për të cilin po flasim.

Gjykoj se ka ardhur koha që, krahas përmirësimeve në sistemin e punës së shkollës dhe të fakulteteve të mësuesisë, të hidhen hapat e para për trajnimin e prindërve, pasi ata kanë shumë të meta në njohjen e moshës, të mënyrës së sjelljes dhe të komunikimit sidomos me adoleshentët. Vetëm kështu shkallë – shkallë klima do të zbutet dhe shoqëria do të emancipohet. Për rrjedhojë edhe dhuna do të pakësohet dhe me kalimin e kohës do të shkojë drejt zhdukjes.