Fotot e “mahnitshme” të fotografit grek, Nikos Economopoulos nuk kanë lidhje me vitet 1980

681
Sigal

KUR  FOTOGRAFITË LEXOHEN SI TRAKT POLITIK

Petrit Brokaj

Gëzimi habitet që në disa foto shikon statujat e Stalinit, Leninit, Enver Hoxhës

– Ku është çudia dhe e papritura, kur shfaqen në një fotografi dy çuna duke u kacavjerrë në muret e stadiumit

Që të kesh shije të ndryshme për të ndier një foto ose një pikturë, për të zgjedhur një libër ose për të pëlqyer një pjesë muzikore, për të ushtruar një lloj sporti e për të zgjedhur një mënyrë të veshuri, këtu, natyrisht, ndikon mes të tjerash, formimi kulturor, shijet estetike, botëkuptimi personale, natyra psikologjike e njërit dhe tjetrit etj. Mirëpo, ndonjëherë të ndodh që, të mos kuptosh  qëllimet  e ndonjërit se, përse  kërkon të të tërheq vëmendjen me atë që, ai vet çuditet, mahnitet, trulloset duke të kthyer vite pas dhe duke të bërë të dyshosh se, ai, ndofta, as vet s’mban mënd çfarë ka qenë e ku ka qenë, ç’është bërë e pse është bërë, aq më tepër në një shoqëri shumë të organizuar dhe shumë të kontrolluar ….

Çudia

Këto ditë, një miku im më çuditi, kur më tha duke qeshur se, në prag të viteve ‘90, paska patur një revoltë në stadiumin “Flamurtari”, madje janë shpërndarë edhe trakte kundër regjimit(…!) Dhe, kjo paska ndodhur në atë kohë, kur unë kam qenë sekretar i Kom. Partisë të Rrethit, kur mbuloja edhe sektorin e sporteve. Kur e pyeta se, nga e dinte këtë gënjeshtër, ai më tha se, e kishte lexuar te një artikulli, shkruar nga Gëzim Llojdia në Gazetën “TELEGRAF”. Këtë gazetë, unë  e marr pothuajse çdo ditë sepse, aty gjej një pjesë të mendimeve dhe shijeve të mia social-kulturore, pluralizëm pikëpamjesh e informacion që më tërheq. Mund të jetë e vetmja gazetë që ka numrin më të madh të artikullshkruesve. Megjithatë, në përgjithësi, nuk lexoj ato shkrime, autor të të cilëve janë, ose njerëz jo kompetent, ose që e kanë shpërfaqur veten shërbëtor partiak për të dëshmuar besnikëri në dëm të të tjerëve. Duket, kjo ka qënë ajo që, unë nuk e kam lexuar artikullin “Shqipëri e viteve ’90 dhe fotografitë e Nikos Economopoulos” të autorit vlonjat, Gëzim Llojdia, botuar më dt. 10 janar 2020.

Fotot e mahnitshme të fotografit grek, Nikos Economopoulos që kanë mahnitur Gëzim  Llojdian, për të cilat ja çfarë shkruan:

“Ndër fotografitë e qytetit të Vlorës nga Nikos Economopoulos janë dhe pamjet nga brenda dhe jashtë një ndeshje futbolli në stadiumin”Flamurtari” të qytetit. Duket hapur edhe revolta e sportdashësve e shprehur me gjeste(në video mund të shikosh gjeste, por jo në foto..P.B) apo gishta tregues……. Siç dëshmohet(kush e dëshmon?), në prag të viteve ‘90, ka pasur një revolt në stadiumin e këtij qyteti, por edhe të disa qyteteve të tjerë. Madje janë shpërndarë edhe trakte kundër regjimit në këtë stadium, tregojnë pjesëmarrësit e asaj dite.(këtë e mësove pas 30 vitesh, apo të duhet për të ilustruar gënjeshtrat?!..)”

 Dhe, më pas, vazhdon edhe me gënjeshtra:

“Tifozët shikojnë një ndeshje futbolli. Kjo u jep mundësi njerëzve që të mblidhen lirshëm dhe të shprehin ndjenjat kundër qeverisë. 1990! Kështu etiketohet një foto, ku një gisht I ngritur lart është shprehje e fuqishme revolte(hajde, çfarë simboli na sjell për të shprehur “revoltën e fuqishme”…, sikur ky gisht të kishte forcën e pikës së Arkimedit!..)”

Pastaj, Gëzimi habitet që në disa foto shikon statujat e Stalinit, Leninit, Enver Hoxhës dhe të tjerë. (Po, pse, kë do shikoje ti dhe unë në atë kohë, statujën e Sali Berishës, Lul Bashës, Fatos Nanos, Edi Ramës dhe të tjerë? )

Duke qenë se, jam jo vetëm dëshmitar i asaj kohe, por edhe ai që ndiqte nga afër, mes të tjerash edhe ecurinë e sporteve të Rrethit, mendova se, nuk duhet ta lë të kaloj si lajm kjo gënjeshtër që, ndonëse kanë kaluar 30 vite, autori, nuk dihet për ç’dobi, ka prirjen ta besoj e ta shpërndaj si një ngjarje reale. Është e vërtetë se, pas viteve 1991,92 e më pas, stadiumet u kthyen në arena mitingjesh e anti-mintingjesh të Partive të ndryshme, por në të njëjtën kohë edhe të rrënimit të sporteve. Por, ajo që thotë Gëzim Llojdia në shkrimin e tij, s’ka ndodhur asnjëherë në stadiumin “Flamurtari” para vitit 1990. Nuk ka ndodhur të paktën për dy arsye: E para, jo vetëm se ne kemi qën vet në stadium, por në atë periudhë, Flamurtari ishte në shkëlqimin e tij të paparë dhe stadiumi mbushej e stërmbushej jo vetëm nga vlonjatët, por edhe me tifozë nga Rrethet e tjerë, sepse skuadra e Futbollit ishte bërë si gëzim I jetë së tyre. Ndeshjet e “Flamurtarit” ktheheshin në festa emocionuese jo vetëm brenda qytetit tonë, por kudo ku kishte vlonjatë e tifozë të tij. Në ditën e ndeshjes, stadiumi buçiste nga brohoritjet dhe ovacionet për portierin Arapi, për kapitenin e skuadrës, Çipin, për Rrapo Tahon, Iliadhin, Petro Rucin, Memushin, Vasil Rucin, Gjondedën, Kushtën, Ferkon, Paçon, Sadedinin, Daullen,etj. E, kujt I shkonte mëndja që, atë ditë të futeshe në stadium për revolta e shpërndarje traktesh?..

E dyta, ishte koha që, PPSH nuk kish filluar të bënte lëshime për akte politike që cënonin sistemin dhe qeverinë, aq më tepër, kur nuk dije se, kë kishe të ulur në krahun tënd… Kush kish guxim të bënte veprime të tilla, jo vetëm në këto mjedise të hapura, ku vigjilenca e kontrolli I strukturave të posaçme ishin në pikat më të larta e të sofistikuara, por edhe në mjedise më të ngushta. Aaa, n.q.se flitet për revolta sportive duke sharë ndonjë arbitër apo lojtar të veçantë, kjo është tjetër gjë. Kjo, madje ka ndodhur edhe jashtë stadiumit, ku është dashur edhe ndërhyrja e policisë. Por këto ishin dhe kaloheshin si veprime tifozësh, por asnjëherë me karakter politik..

Që të mos i biem në qaf fotografit grek …

Gjatë xhiros së tij nëpër Ballkan, në albumin fotografik të Economopoulos ka edhe foto të tjera me pamje nga Shqipëria, madje edhe pas 27 vitesh nga vetë-rrëzimi i sistemit socialist. Të gjitha bardhë e zi. Personalisht, nuk mund të flas për mjeshtërinë e këtij fotografi grek, as për faktin pse, Gëzimi për të shfaqur mendimet e tij për atë kohë, zgjedh pikërisht ato dy foto, të shkrepura qëllimisht apo rastësisht në stadiumin e Vlorës. Ndonëse, nuk vë në diskutim vërtetësinë e pamjeve, nuk mund të mos kundërshtojë cinizmin e Gëzimit me të cilën ai vazhdon të gjykojë edhe pas tridhjetë vjetësh një periudhë, gabimet e së cilës nuk kanë arritur ti korrigjojnë qeveritë postkomuniste, që, jo vetëm kurrizin, por edhe kokën ia kanë ulur shqiptarit. Personalisht, fotot e zgjedhura për ti interpretuar politikisht, n.q.se Econopoulos i ka shkrepur me paramendim, nuk meritojnë vëmendje sepse, artistikisht nuk më lënë asnjë shije estetike dhe emocionalisht të mërzitin me zymtësinë e pamjeve trishtuese dhe teprimin e ngjyrës bardhezi (flas për shijet e mia). E bëj këtë vlerësim për atë, se, çfarë ka zgjedhur ai të publikojë nga vendi im, si dhe tendenca e Gëzimit për përgjithësim. Nuk mund të shprehem n.q.se ai ka fotografuar për qejf të vet, si një turist që i kanë tërhequr vëmendjen detaje të veçanta. Këtu nuk ka koment. Sa herë shkoj në Gjermani, më kanë rënë në sy njerëz të droguar që flenë në trotuar, mbështjellë me një batanije dhe me qenin në gjoks. Kjo, është një pamje e vërtetë, por nuk mund t’a komentosh se, kështu është jeta e njerëzve në atë vend dhe ata janë mjerim i Qeverisë. Do të ishte një gënjeshtër e madhe dhe një keqdashje e përbuzur. Prandaj, nuk e kuptoj se, ku është çudia dhe e papritura, kur shfaqen në një fotografi dy çuna duke u kacavjerrë në muret e stadiumit që Gëzimit I bëjnë kaq shumë përshtypje? Ndoshta, ai nuk i ka patur mundësitë që të vinte ndonjëherë në stadium e të vinte re se, për të parë “Flamurtarin” e asaj kohe, bëheshin sakrifica edhe më të mëdha duke ardhur me biçikleta edhe nga qytetet e afërta të Vlorës. Sa herë ndodhte kështu. Mirëpo, fatkeqësisht, Gëzimi I shikon fotot e fotografit grek si “ilaç” për të lehtësuar të vjellat e tij ndaj një kohe që, me sa duket I duhen edhe gënjeshtrat për ta nxirë. Nuk e ka për herë të parë. As nga naiviteti.

Kur thash më sipër se Economopoulos ka tendenciozitet negative, ose është spontan në ato foto që paraqet për vendin tonë, kam parasysh veçanërisht një foto në kampin, ku janë vendosur përkohësisht vëllezërit tanë kosovar në Kukës, në kohën e luftës. Është fokusuar në atë mënyrë dhe ka shkëputur ca detaje që, do të mendoje sikur aty ndodheshe në kampet e ndyra të ISIS. Një pamje, sikur ata, të rritur e fëmijë, deri aty i kishin lënë të hynin dhe nuk i lejonin për të vazhduar më tej. Por, në fakt, a, mos, vërtetë kështu u pritën dhe qëndruan te ne kosovarët në kohën e luftës?(po ja nis këtë foto redaksisë)

GREECE. Greek border. Albanians trying to go to Greece. 1991.

Nikos Econopopoulos, pasi është bërë fotograf profesionist, dhe ka hyrë në kooperativën fotografike nd.komb. “Magnum Photos”, ka shkuar e ka fotografuar edhe në shumë vende të tjerë si; në Rumani, Turqi, Bullgari, Somali, Maqedoni e Veriut, Izrael, Palestinë, etj. Në përgjithësi, atë e tërheqin pamje të trishta, në të cilat lexon varfëri, gjendje shpirtërore të lënduar, fytyra të vuajtura, rrënime dhe, parapëlqen sidomos ngjyrën bardhë e zi. Si duket, kjo është përzgjedhja dhe stili i tij si fotograf, në kuptimin artistik. E keqja, ose e diskutueshmja, është fakti, kur ato i shfrytëzon për përgjithësime e shtrembërime të realitetit. Nuk them pse, Gëzimi pëlqen dhe flet për Economopoulos si fotograf. Por, më vjen keq që, në këtë shkrim, ai i shrytëzon fotografitë e Nikos (të rastit, ose të qëllimshme) për të bërë të vërtetë një gënjeshtër (“Tifozët shikojnë një ndeshje. …..kjo u jep mundësinë të shprehin ndjenjat kundër qeverisë!”… Thonë që shijet nuk diskutohen. Por komentet dhe interpretimet, ngjallin debat. Për Gëzimin, Economopoulos është fotografi I pëlqyer I tij. Për të tjerët nuk është kështu. P.sh. për mua, që, e zgjedh fotografinë për shijet estetike që më ngacmojnë,  më pëlqejnë më shumë mjeshtrit; Burt Glin, Bruce Gilden, Henri Cartier-Bresson, e sidomos braziliani Sebastiao Salgado. (n.q.se flasim për të huaj)

Studiuesi i artit fotografik, Qerim Vrioni përcakton me të drejtë se, “fotografia është një medium me zë të veçantë”. Kjo, sipas meje d.t.th. se, përdorimi i saj si dokument duhet të bëhet me shumë përgjegjësi.

Gëzimi nuk është I panjohur për mua. Ai ka qenë një bashkëpunëtor i rregullt i Gazetës “Zëri I Vlorës”, kur sapo kish mbaruar fakultetin.  Ndofta, tani po ia them për herë të parë se, në atë kohë, ai, për prirjet e tij gazetareske dhe rrethanat e tjera social-politike, ishte në listën e kuadrove rezervë për në sektorin e shtypit. Si atëhere edhe sot, kam mendimin se në shkrimet e tij gjen anë pozitive që duhet respektuar. Këtë e them jo vetëm si vlonjat. Nuk dua t’ia di fare për bindjet e tij politike. Por, gjithmonë do të më vij keq, n.q.se manipulimi politik do të sakrifikojë cilësitë pozitive të figurës së tij si vlonjat e si njeri i shkolluar.                                        Vlorë, 27 JANAR 2020