Flet Prof. As. Jorgji Hanxhari: Ja disa episode të jetuara në Gorishtin e naftëtarëve, ku shefi i policisë më mbajti peng. Përplasjet me Kryetarin e Degës së Brendshme të Fierit dhe letra dërguar ministrit

280
Sigal

 

  • -Ja disa episode, të ndodhura e të jetuara, gjatë kohës që isha Drejtor në Gorisht dhe që më kanë lënë mbresa të pashlyera në ndërgjegjen time
  • -Nuk harrohen inxhinierët Mustafa Mustafaj, Luftar Kuçova, Lavdosh Luari nga prodhimi Ballsh, Tomorr Shkurti , Aleksandër Moçi, Dhori Gjogu, Kujtim Sulçe, Jani Guxo dhe Stefan Nakuçi
  • -Riorganizimi i ndërmarrjes së Gorishtit dhe disa episode të tjera nga puna në Gorisht
  • -Si u përplasa me Kryetarin e Degës Brendshme të Fierit
  • – Nuk harroj mbështetjen e Enver Halilit, dhe reagimin e  Pali Miskës, sekretar i Parë i Fierit
  • – Letër Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai: Kur këta njerëz veprojnë kështu me mua, që jam një kuadër i Partisë merret me mend se si veprojnë me ata që janë njerëz të thjeshtë
  • – Ndarja e shtëpive në Ndërmarrje, ishte një nga punët më të vështira dhe më të sikletshme
  • – Inxhinier Ben Grabova, i mohonin banesë të rregullt, me pretekstin se është nga familje e deklasuar

Albert Z. ZHOLI

-Në komunizëm thuhej “Nafta çan bllokadën”, por nga ana tjetër shumë naftëtarë u shpallën armiq të popullit, apo u dënuan padrejtësisht. Në atë sistem çdo naftëtar jetonte me frikë pasi nga çasti në çast mund t’i ngjitej etiketa “Sabotator”. Shumë inxinierë të talentuar u morën në qafë dhe pse kishin punuar me devotshmëri. Megjithatë në sektorin e naftës kishte dhe ditë të bukura, ditë mbushur me aktivitete ku miqësua shpalosej  me ngjyrat më të bukura. Për të gjitha këto kohë Prof. Jorgji përcjell nga memoria e tij shumë ngjarje interesante…

-Në vitet 1970 ishin vite kur nafta apo më mirë prodhimi i naftës mori hov. Tashmë ishin përgatitur shumë kuadro, të cilët kanë lënë gjurmë në sektorin e naftës dhe vazhdojnë ende të kontribuojnë me dijet e tyre. Si ishte situata në këto vite?

Në vitin 1972 ndërmarrja u përforcua me inxhinierë, teknikë të mesëm dhe me punëtorë të kualifikuar dhe me përvojë, nga vendburimet më të vjetra, si nga N.N.N.Marinëz, N.N.N.Q.Stalin dhe N.N.N.Patos, por bashkë me të mirët, erdhën edhe ca parazitë dhe hileqarë, të cilët i hoqën qafe ata që i kishin! Në këtë kuadër, u zëvendësua edhe Drejtori Astrit Cako me Robert Kokonozin. Ndërmarja u zmadhua, pasi iu bashkuan edhe Kantieri i Ndërtimit, që deri atëhere ishte i varur nga Ndërrmarja e Ndërtim-Montimit Patos, Reparti Elektrik-Telefonik, që varej nga Ndërmarja Elektrike Patos, si dhe Parku i Transportit Peshkëpi, që varej nga Parku i Transportit Patos. Administrata e Ndërmarjes u zhvendos në Peshkëpi, në disa baranga që u bënë enkas dhe shpejt e shpejt. Administrata u zgjerua me dy nëndrejtorë, u krijuan edhe Dega e Ndërtim-Transportit dhe ajo Elektromekanike. Kryeinxhinier vazhdoi i ndjeri Inxh Vasil Manxhari, edhe pse drejtori i ri nuk para e kishte qejf dhe priste rastin që ta lëvizte! Edhe unë vazhdova të jem përsëri Kryetar i Degës Teknike. U krijua Byroja Teknologjike e zgjeruar, u krijua Sektori i Intensifikimit, që merrej me kryerjen e punimeve intensifikuese dhe izoluese dhe me përvetësimin e puseve të rinj. Pikërisht në atë kohë erdhën edhe inxhinierë të tjerë, si Mustafa Mustafaj, inxhinier shumë i aftë dhe miku im, nga Prodhimi Patos, si dhe Luftar Kuçova nga Kuçova, Lavdosh Luari nga prodhimi Ballsh, Tomorr Shkurti erdhi nga Prodhimi Patos dhe u emërua Kryegjeolog, inxhinierët e rinj Aleksandër Moçi, Dhori Gjogu, Kujtim Sulçe, Jani Guxo dhe Stefan Nakuçi, që sapo kishin përfunduar studimet e larta. Drejtor Roberti ishte edhe gjuetar, ndaj solli me vete edhe një “ekip” gjuetarësh, disa prej të cilëve, vetëm për këtë u shquan në Gorisht! Shpimi i puseve të rinj dhe shtimi i objekteve të reja, solli edhe shpyllëzimin e territorit, ku kishte shumë lepuj. Ende pa u zhdukur, ata i gjuaje edhe me gurë, madje inxhinier Stefan Nakuçi i kapte edhe me vrap, ndaj ia ngjitën nofkën “këmbëlepur” Stefanit! Ndërsa, ekipi i gjuetarëve bënte kërdinë me çiftet e tyre! Kur bënte kohë e keqe, veçanërisht, kur binte dëborë, ishim në alarm të gjithë, mbasi ngrinin tubacionet dhe nafta lëvizte me vështirësi, ndaj ndiznim zjarre në pika të ndryshme. Në një nga këto raste, unë isha me të ndjerin Velo Zyka, në grupin 11, në mëngjes pa gdhirë mirë, pasi ishim shtrirë disa orë në fjetoret e punëtorëve që ishin në punë, kur terreni ishte i veshur me të bardha, neve pastronim dëborën me duar, për të hapur vendin ku do të ndiznim zjarrin.

-Si do t’i përcjellësh këto episode?

Ja një incident në Degën e Brendshme të Fierit… Nga fundi i korrikut 1985, ditë e diel, në një nga vajtjet e mia në Tiranë, ku kisha shtëpinë dhe një herë në javë ose në dhjetë ditë, shkoja për t’u ndërruar e për t’u larë, në kthim më ndodhi një ngjarje vërtet tronditëse dhe e paprecedent. Ishte koha kur kishte mungesë për karburant për automjetet, edhe pse neve ishim ata që e nxirrnim naftën nga nëntoka. Në Tiranë nuk u furnizua makina ime, një BÇ kineze dhe gjatë rrugës për në kthim, shpresonim të kërkonim në Fier, tek kolegët e mij të ndërmarrjeve simotra. Aq keq ishte, sa që shoferi i hodhi ujë serbatorit në burimin e Vaikanit, me qëllim që të ngrihej niveli i benzinës në serbator deri tek tubi i daljes së saj për në karburator dhe mezi arritëm deri në qendër të Fierit, për t’u drejtuar tek shtëpia e drejtorit të Marinzës, që të më huazonte një tollon benzine. Pikërisht afër Postës së qytetit, kur ishte ora rreth 20.00 e mbrëmjes, na del përpara patrulla me tre policë të alarmuar dhe pasi ndalojmë, pa na pyetur fare, më urdhërojnë mua që të dal nga makina dhe të futeshin ata, duke na dhënë urdhër rrufe, që të ndiqnim dikë, që po largohej me autobus. Të ndodhur para kësaj situate të pamundur, u mundova edhe unë edhe shoferi, që t’i u shpjegonim se nuk kemi fare benzinë dhe u futëm në Fier vetëm për të siguruar benzinë. Ata, nuk pritën që të sqaroheshin, por na urdhëruan të shkojmë në Degën e Brendëshme, si të pabindur ndaj policisë në situatë emergjente, duke harruar detyrën për ndjekjen e personave keqbërës. Raportuan tek shefat e tyre për të ‘’pabindurit’’dhe na mori në ruajtje oficeri i rojes. Unë lajmërova tim vëlla, Vasilin, i cili ishte Kryesekretar i Gjykatës së Fierit, që erdhi menjëherë aty dhe pothuajse në të njëjtën kohë me Kryetarin e Degës, B. N, një mëndjemadh nga Kuçi, i cili urdhëroi që të na çonin në qeli të veçanta mua dhe shoferin. Kur im vëlla iu drejtua duke i thënë se unë isha anËtar i Plenumit të Partisë të Vlorës dhe Drejtor i Ndërmarjes së Nxjerrjes së Naftës në Gorisht dhe po më pret puna atje, ai me arrogancë u përgjigj se “ia heq teserën e Partisë me dorën time’’. Pasi na futi atje dhe na la me roje të armatosur të dyve, la shefin e policisë në Degë dhe vetë u zhduk sa që, më vonë, kur vëllai im e bëri problem në Komitetin e Partisë të Fierit dhe Vlorës dhe duhej të jepte urdhër për të na liruar, nuk po e gjente as shefi i policisë, mbasi vetë Shefi nuk kishte kompetencë për të na liruar. Vetëm nga ora 04.00 e mëngjesit, Shefi i Policisë, mori guximin që, me inisiativën e tij, mbasi Kryetari i Degës nuk po gjëndej, të na lirojë, me kusht që në orën 07.00 të paraqitemi përsëri atje. Veç kësaj, refuzoi të lirojë edhe shoferin. Në këto kushte, unë refuzova të dal, derisa u detyrua që të lirojë edhe shoferin. Gjatë kësaj kohe, kishin matur edhe nivelin e karburantit të makinës, ku kishte asistuar edhe im vëlla, nga frika se mos e manipulonin dhe u vërtetua që nuk kishte benzinë serbatori. Pasi fjetëm nja dy orë në shtëpinë e vëllait tim, në orën 7.00 u paraqitëm në Degë, ku u takuam përsëri me Shefin e Policisë, ndërsa Kryetari nuk u pa gjëkundi. Shefi, pas shumë lëkundjesh, duke dashur të mbante peng shoferin dhe makinën, si e pa që unë refuzova të largohesha, më në fund, na la të lirë dhe u larguam. Unë menjëherë vura në dijeni Sekretarin e Parë të Vlorës, Enver Halili, i cili komunikoi edhe me Pali Miskën, që ishte sekretar i Parë i Fierit dhe u bë një problem i madh. Ndërkohë, unë i shkruajta një letër Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, ku ia përshkruajta hollësisht ngjarjen, duke konkluduar se ‘’kur këta njerëz veprojnë kështu me mua, që jam një kuadër i Partisë dhe që jam i zoti të mbroj veten, merret me mend se si veprojnë me ata që janë njerëz të thjeshtë dhe nuk i kanë mundësitë të mbrohen’’. Kryetari e mori vesh që unë e kisha bërë problem tek Ministri i tij, ndaj bëri të pamundurën që të kontaktonte me mua dhe të më kërkonte falje. Futi edhe zëvendës drejtorin e Përgjithshëm të Naftës, M.Malaj, për të më bindur, por unë nuk pranova. Kështu që, pas disa ditësh, u bë ballafaqimi në zyrën e Sekretarit të Parë të Vlorës, me prezencën e Ministrit H.Isaj, E.Halilit, Kryetarit të Degës dhe unë. Pasi fola unë, ku e përshkrova me hollësi tërë ngjarjen, Kryetari i Degës më kërkoi falje, me përulësi, por unë refuzova ta fal. Ministri i foli kaq ashpër sa që mendova që jo Kryetar Dege nuk do të jetë më, por as polic i thjeshtë. Mirëpo, ai vazhdoi të jetë në atë post edhe për shumë kohë dhe pas kësaj, e emëroi Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Brendshme. Me sa kuptohet, këta njerëz i duheshin rregjimit dhe me një gabim kaq të ‘’vogël’’, nuk mund ta hidhnin poshtë një kuadër të tillë të devotshëm ndaj tij.

-Në atë sistem nuk kishte pallate private. Pallatet ishin shtetërore dhe i ndante shteti apo ndërrmarrja. Si drejtues besoj se keni qenë një ndër ata që keni bërë këtë punë të vështirë, pra të ndani shtëpitë. Si i kujtoni këto momente?

Ndarja e shtëpive në Ndërmarrje, ishte një nga punët më të vështira dhe më të sikletshme, mbasi kishte të bënte me një nga problemet më jetike për çdo njeri. Dhe çdo njeriu, halli i tij i dukej më i madhi nga gjithë të tjerët. Gjatë kohës që isha drejtor në Gorisht, qëlloi që ndamë shtëpi për punonjësit dy herë. Herën e parë unë nuk mora pjesë direkt, mbasi sapo kisha marrë detyrën dhe nuk desha të prononcohesha, mbasi kjo ishte një çështje delikate dhe pakënaqësitë ishin të paevitueshme, sado i drejtë të tregoheshe, ndaj detyrën e Kryetarit të Komisionit, që i takonte Drejtorit, ia ngarkova Kryeinxhinierit, Simonit, i cili kishte rreth 12 vjet në ndërmarrje dhe i njihte mirë problemet e punonjësve. Ndërsa herën e dytë, ndamë shtëpitë në Pallatin katër katësh, në lagjen Varosh, shumë të mirë dhe shumë të lakmuar edhe nga disa nëpunës të institucioneve shtetërore dhe partiake të Vlorës, i lakmueshëm gjithashtu edhe si pozicion. Këtu iu dhashë zgjerim në hyrje 2+1, Lazes dhe Ganiut, punonjës dhe shefa sektorësh nga më të vjetrit në ndërmarrje dhe njëkohësisht komshinjtë e mi për pesë vjet, në lagjen Lirim, ndërkohë që u strehuan edhe disa nga patriotët e mi, naftëtarë të vjetër, të lënë në harresë, edhe pse ishin punonjës shëmbullorë, si Leonidha Bifsha, Llazar Ruçi e Koço Xhuveli, që banonin në një dhomë, si dhe inxhinierin Petro Karo nga Himara. Sa për kujtesë, në atë kohë, insistova dhe i dhashë një hyrje nga më të mirat, ku banon edhe sot, shokut tim inxhinier Ben Grabova, të cilit i mohonin banesë të rregullt, me pretekstin se është nga familje e deklasuar. Për këtë, ndihem krenar, mbasi arrita jo vetëm që t’i jap shtëpi të mirë, që e lakmonin dhe tentuan ta merrnin figura të asaj kohe në Vlorë, por kjo u bë shkak edhe për të pastruar të kaluarën e familjes, duke patur edhe ndihmën e Sihat Tozajt. Duke u kthyer pak pas në ngjarje, theksoj se gjatë kohës që erdhi ime shoqe në Vlorë dhe ne banuam ca ditë në hotel Sazani, kur unë mungoja, për arsye të punës, ajo rrinte në shtëpinë e Benit, një shtëpi e vjetër para hotel Sazanit, në shoqërinë e mamasë dhe motrës së Benit. Edhe kur banuam në kabinën e plazhit, kur unë mungoja, ime shoqe rrinte atje, derisa kthehesha unë. Ndaj ne u ishim dhe u jemi tepër mirënjohës përjetë atyre prindërve të urtë e të mirë, por shumë të vuajtur nga persekutimi i rregjimit, mbasi babanë e Benit e kishin shpallur kulak, për naivitetin e tij dhe punonte me kazëm edhe pse ishte në moshë të shtyrë. Dhe nuk kishte se si të mos bëja të pamundurën, për t’i dhënë  shtëpi Benit, i cili pikërisht se nuk kishte shtëpi të përshtatshme, u martua pak me vonesë, për atë kohë.

-Por ka pasur raste që je penduar dhe je ndjerë keq në ndarjet e shtëpive?

Më ka ardhur shumë keq për një rast, të cilin e dogja dhe nuk i dhashë shtëpi, por jo për fajin tim. Një axhustator, punëtor i mirë, E.Dh., i martuar me një infermiere të spitalit të Vlorës, kishte bërë kërkesë për shtëpi dhe ishte një kandidat i fortë për të marrë. Gjatë kohës që po shqyrtoheshin kërkesat, E.Dh. i thotë shoferit tim, të ndjerit Ilir, që të më thoshte mua që t’i jepja shtëpi dhe ai do të më paguante 30 mijë lekë. Iliri i thotë që të mos m’a thotë këtë, mbasi “ Jorgji nuk është i tillë dhe po i thashë, do të të djegë fare.’’. Megjithatë, ai këmbënguli dhe Iliri i tha “..paç veten në qafë.” Dhe kështu ndodhi me të vërtetë, megjithë lutjet e Ilirit që të mos e digjia. Pra, ai u dogj dhe në mbledhjen e fundit, me tërë kërkuesit, ai nuk u ndje fare dhe kur unë i thashë “ ti, Mondi, e ke të qartë përse nuk more.”, ai u përgjigj “po.” Ndërkaq, kur unë ika nga Drejtor, ia lashë porosi shoqërore pasardhësit tim, të ndjerit Lavdosh Bejko, i cili i dha shtëpi me rastin më të parë. Edhe pse më erdhi shumë keq, nuk u pendova kurrë, mbasi nëse do të kisha vepruar ndryshe, publiku do të mendonte se më ka dhënë lekë, ndaj mori shtëpi. Dhe pasojat, për kredibilitetin dhe ndershmërinë time, në opinionin e ndërmarjes dhe më gjerë, për të tilla veprime, do të ishin katastrofike. Në krahinat e Labërisë, në përgjithësi njerëzit janë mikpritës. Ndaj, edhe zona e fshatrave të Gorrishtit, nuk bënin përjashtim dhe punonjësit më ftonin nëpër shtëpitë e tyre, sa herë që kishin raste gëzimesh e festash të ndryshme dhe duhet thënë se më respektonin shumë. Drejtorët që ishin para meje, pothuajse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e pinin rakinë dhe i përgjigjeshin ritmit të dollive, karakteristike për këto zona. Por, unë rakinë dhe pijet alkoolike në përgjithësi, nuk i pëlqeja, madje as nuk mund t’i kapërceja dot. Por, atje ku shkoja, në fillim e keqkuptonin dhe e merrnin për mungesë përfilljeje, gjë që shkaktoi edhe disa keqkuptime. Por, unë ua shpjegoja me durim që kjo nuk është aspak mospërfillje, por kështu jam unë, nuk mund ta pi alkoolin, por unë i siguroja se, sa herë që dikush do të ngrejë dolli çfarëdo, unë do ta shoqëroj, duke pirë aq sa mundem dhe duke bërë urimin përkatës, ndërsa sa për mezetë, ato do t’i konsumoj pa lënë asgjë në pjatë. Kështu e morrën vesh të gjithë dhe nuk pata më asnjë keqkuptim në të tilla raste

Nesër do lexoni:

  • Ju tregoj marrëdhëniet e mia me Besnik Bekteshin dhe Enver Halilin
  • I ndjeri Eriko Veizi, pasi doli nga burgu, më tregoi gjithë torturat fizike dhe shpirtërore

-Enriko Veizi: E quajta veten ‘’agjent’’, pa qënë aspak i tillë, por të tillë më donin ‘’ustallarët’’, që të ‘’qepnin’’ akuzën ndaj meje

– Meqë kisha shkuar në Itali, pak kohë para se të më arrestonin, mendova që të shkruaja se isha bërë ‘’agjent’’ i Italisë.