Flet ish i dënuari politik/ Gjet Kadeli: Ja revolta e Spaçit në kujtesën time. Si e ngritëm flamurin pa yll në burgun më famkeq komunistt, i cili për 27 vjet masakroi dhe ekzekutoi qindra patriot

227
  • Flet ish i dënuari politik, Gjet Kadeli: Ja Revolta e Spaçit në kujtesën time.
  • -Si ngritëm flamurin pa yll në burgun më famëkeq komunist
  • -Burgu i Spaçit, i cili për 27 vjetë me rradhë “edukoi” nëpërmjet kërbaçit qindra patriotë
  • Burgu i Spaçit ishte me një kapacitet prej 700 vendesh
  • – Në ora 23.30….disa orë pas fillimit të revoltës Radio-Vatikani do të transmetonte në hapësirë se në borën 26 vjeçare në Shqipëri çelën lulet e para
Sigal

Nga: Aleksandër Ndoja

-Revolta diskutohet dhe sot. Si nisi protesta, ngritja e flamurit pa yll dhe ekzekutimi i të burgosurve?! Cila ishte jehona nëpër botë dhe frika e pushtetit komunist. Gjendja e sotme e godinave ku për ironi tre familje banojnë në qelitë e dikurshme. Por edhe katër varret në mes të oborrit, në mes të cilëve edhe varri i një të afërmi të diktatorit. Gjet Kadeli, ish-i dënuar në burgun e tmerrshëm të Spaçit rrëfen gjithë historinë e një burgu, që bëri historinë.

Kundërshtarët e shpallur të rregjimit të kohës, kishin arritur në shifra rekord. Ingranazhet e diktaturës, kishin punuar me kapacitet të plotë në prodhimin e kundërshtarëve, aq sa në vitin 1964 do të ndërtohej një nga burgjet më të tmerrshëm të kohës, me një kapacitet prej 700 vendesh. Burgu i Spaçit, i cili për 27 vjetë me rradhë “edukoi” nëpërmjet kërbaçit dhe tuneleve të panumërta nga ku dolën qindra mijëra tonelata mineral bakri, do të shënonte rekordin në zgjedhjen e bërë nga ideatorët e ndërtimit të burgjeve.

Vetëm pak metra katrorë bazamenti i ndërtimit të burgut dhe nga katër anët faqe malesh të larta, aq sa me sy të lirë, kur hedh vështrimin lart majat e maleve duket sikur takohen. Dhe kur shmangesh në të majtë të urës së Repsit, rruga e ngushtë që gjarpëron në lugina dhe faqe malesh të ofron ndjesinë e një vendi ku do të takosh dhimbjen njerëzore. Dhe pse je në një vend që natyra e krijuar ndoshta vetëm për kafshë të egra, në kodrina të thepisura të shfaqen ndërtesa disa katëshe të betonuara në parametra të fortifikatave. Ndoshta, ideatorët dhe konstruktorët e kanë menduar diktaturën të përjetshme dhe po aq të përjetshem burgjet për kundërshtarët politikë.

Disa ndërtesa janë shëndërruar në gërmadha, e ndërsa të tjerat, që janë në këmbë në këto 10 vjetë nuk kanë dyer e as dritare. Urrejtja posdiktaturë për diktaturën edhe atje mes malesh të larta ka qenë në efikasitet të plotë. Ndonëse të burgosurit nuk do ta donin kurrë ta kujtonin atë vend, një muze pikërisht aty do të duhej si në shumë vende ish-komuniste të lindjes, do t’i shërbente shumë historisë. E ndërsa ndërtesat të ofrojnë pamje gërmadhash, gjithshka aty shëndrrohet në imagjinatë. Ndërtesat janë sëbashku, të dënuar dhe të lirë, fajtorë dhe të pafajshëm, viktima dhe xhelatë. Në fakt të gjithë të dënuar. Të gjithë  hynin qindra metra nëntokë për të nxjerrë prej andej mineralin. Të burgosurit pas punës ktheheshin në kapanone, ndërsa ata që ishin të lirë përshkonin kilometra të tëra për t’u kthyer në familje. E ndërsa ata që ishin të lirë nuk guxonin të kundërshtonin politikën pasi përfundonin si bashkëvuajtësit e tyre në galeri, të burgosurit e kishin këtë të drejtë pasi nuk kishin çfarë të humbisnin. Dhe të burgosurit në çdo kohë ishin mbi 600 të tillë, me mijëra familje vuanin peshën e persekucionit.

Bashkëkohësit, por edhe bashkëvuajtësit kur sjellin në kujtesë grimca nga kalvari i mundimit, të flasin edhe për marrëdhënie shpesh të acarta mes policëve dhe të burgosurve. Një i ri nga Fani, pasi gjithë natën lihet i lidhur në oborr, të nesërmen e gjejnë të vdekur. Por edhe pse me qindra gra, fëmijë dhe të afërm të burgosurve për vite të tëra ishin të detyruar të përshkonin rrugën pambarim shpesh në këmbë për tek burgu, tortura për ta nuk kishte të sosur. Shpesh ishin të detyruar që të afërmit t’i shikonin në distance, por pa mundur t’i takonin. Faktet ofrojnë atë se Mirdita dhe mirditasit nuk janë ndjerë asnjëherë mirë kur e mendonin se në territorin e tyre ndodhej një “Spaç” që identifikohej me tmerrin. Malet e egra, por minerali në përmasa të pallogaritshme ishte shkaku që Mirdita të bëhej bartëse e një dhimbje të tillë. Ndonëse raprezalja ishte e madhe, në ato pak metra katrorë do të merrte udhë dhe kundërshtim i hapur deri në revoltë masive që koha do ta pagëzonte me emrin Revolta e Spaçit, 1973 por vetëm një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor i firmosur nga Ramiz Alia në vitin 1991, do të bënte që qindrat e të burgosurve të kapërcenin portën e ndaluar për 26 vjetë, të përshkonin me këmbë apo me makina rrugën e gjatë mes malesh duke vështruar pas me frikën se mos xhelati po i ndiqte ende.

Revolta e Spaçit dhe ngritja e flamurit

   – Në ora 23.30….disa orë pas fillimit të revoltës Radio-Vatikani do të transmetonte në hapësirë se në borën 26 vjeçare në Shqipëri çelën lulet e para. Po në fakt çfarë ishte ajo ngjarje, që tronditi seriozisht pushtetin në pranverën e vitit 1973?

-Në orën 05.30 në mëngjes ikën nga birucat Pal Zefi nga Shijaku pasi ishte i dënuar 30 ditë dhe qëndronte i izoluar, dhe kishte kaluar afatin ligjor nga 30 ditë, në 31 ditë. Operativi i kampit ishte oficer roje dhe ky ishte shkaku i të gjithë pasojave të asaj dite. Ai iku nga biruca dhe erdhi këtu në kamp. U lajmërua menjëherë oficeri i rojes nga polici i brendshëm. Oficeri i rojes u fut në kamp me disa policë. Në këtë kohë turni i parë i të burgosurve po përgatitej të shkonte në punë. Pal Zefi kishte këtu edhe të vëllain të burgosur. Oficeri i rojes erdhi me e marrë me forcë Palin me e ridërgua në birucë, pasi ai nuk pranonte të shkonte vullnetarisht. Ata përdorën edhe dhunë ndaj Palit. Në këtë kohë të burgosurit e tjerë kanë ndërhyrë me e shpëtuar Palin, pasi po dhunohej nga policët në prani të tyre. I pari që ka ndërhyrë ka qenë Pavllo Popa, me banim në Vrakë në Shkodër, me origjinë malazeze. Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe të burgosur të tjerë dhe Palin e kanë shpëtuar nga biruca. Policët dhe operativët dolën të rrahur nga kampi, pasi të burgosurit ishin shumë dhe të vendosur. Kjo ishte hera e parë që ndodhte një rast i tillë si rezultat i mllefit të akumuluar ndaj rregjimit. Më pas në kamp vjen GJ.Z, ish operativ në këtë kamp, por në këtë kohë ishte shef i sigurimit të Mirditës. Futet brenda me disa policë dhe e marrin Pal Zefin lart. Menjëherë rifilloi reagimi.

Në ora 21 këtu poshtë ndizet një zjarr i madh. Unë isha i shtrirë në krevat pasi isha me temperaturë të lartë. Zjarri u bë aq i madh sa më ndriçoi në dhomë. Zjarri që u ndez nga të burgosurit ishte fillimi politik i veprimeve në kamp. Një i burgosur 64 vjeçar me emrin Jemin Gjoka nga Kukësi dhe Dod Bardhi dhe 2-3 të tjerë po shkatërronin stendat prej druri të emulacionit socialist dhe po i hidhnin në zjarr. Unë ngrihem nga krevati dhe për 15 minuta ngrohem te zjarri. Më pas largohem nga zjarri dhe ngjitem tek shkallët e tarracës. Vjen Bedri Çoku dhe më pyet a je mirë me shëndet, -i them jam mirë se paskesh pas nevojë me u nxehur në zjarr. Më vendos dorën në supe duke më thënë se për këtë ngjarje do ta marrë vesh edhe babai jot në Amerikë.

  I them se do ta marrë vesh edhe babai im në Amerikë, por këto janë veprime ordinere, ndërsa ne jemi të dënuar politikë dhe kësaj revolte duhet t’i japim karakter politik. Po si, më thotë Bedriu..??

Po ja ne duhet me patjetër të ngrejmë flamurin pa yll. Po ku ta marrim..e bëjmë vetë i them..i them shko të biblioteka na merr një beze të kuqe. Nëse nuk ka, do të prishim një jorgan të kuq që ma kishte sjellë nëna ato ditë. Në fakt Bedri Çoku e solli bezen e kuqe. I them të lajmërojë Mersin Vlashin për të skicuar shkabën dykrenare pasi nuk dilte boja për ta mbushur atë. Mersini ishte nga Lisi i Matit i dënuar dy herë dhe ka bërë 36 vjetë burg. Kemi ngjitur flamurin në një shkop me thumba që i ngulnim me takat e pandoflave. Pastaj në trekëndëshin e korridorit të tretë kemi vendosur flamurin, por shtiza ishte e shkurtër. Menjëherë Bedri Çoku ka bërë thirrje të brohorasim për flamurin. Aty janë dëgjuar urra-të nga të gjthë të burgosurit në shesh.

-Si vepruan policët e burgut?

Policia e pa që në kamp u ngrit flamuri, ndërkohë aty kishin mbërritur Kasem Kaçi drejtor i Policisë së Republikës dhe Sulë Manoku, drejtor i përgjithshëm i burgjeve. Ata dhanë urdhër që rojet e brendshme të dalin nga burgu. Kjo situatë vazhdoi gjithë natën. Të nesërmen kanë ardhur forcat ushtarake të Burrelit. Ata kanë ardhur me 27 makina, 26 të mbushura me ushtarë dhe një me lëndë kimike helmuese. Ditën e tretë vjen një grup policësh me mbi 100 veta duke kënduar” “Jemi boksierë dhe sampista”. Të gjithë të burgosurit janë lidhur me hekura dy e nga dy.

Shahin Skura, komisar i burgut ka lexuar listën e kurbanëve të kësaj revolte. Nga këto, 80 veta kemi marrë ridënime, ndërsa 4 janë ekzekutuar me gjyq të menjëhershëm. Situatën nën kontroll e kishte marrë vetë Feçor Shehu, në atë kohë Zv/ministër i Brendshëm. Ndonëse ishin planifikuar të vriteshin 3 persona me anë të një gjyqi special që u zhvillua atë natë, Hajri Pashaj bashkëfshatar i Feçor Shehut, iu shtua listës së pushkatuarve, ndonëse nuk kishte qenë prototip i protestës. Shkak për t’u futur në listën e të pushkatuarve ishte se Hajriu iu drejtua ashpër Feçor Shehut duke i thënë se një ditë do të përgjigjesh për këtë masakër. Megjithëse ky konfrontim përfundoi në favor të pushtetit, themelet e tij u tronditën jo pak. Më vonë do të shënoheshin revolta të tjera më të vogla, por dhe shteti do të përgjigjej me pushkatime të tjera duke mbajtur gjallë klimën e terrorit.

  • Mendoni se shumë të burgosur janë varrosur pa adresë, pa ditur se ku?
  • Ende ka varre të pamarra nga familjarët.

Në kodrën përballë ndodhet një varr i pahapur, anash tij varre të hapura nga familjarët, për të marrë eshtrat e për t’i kthyer në vendin nga u nisën të gjallë, por me pranga në duar.

Ndërsa te varrezat e Shpalit, jashtë rrethimit të varrezave ndodhen edhe tre varre të tjerë. Ndonëse për të gjallët dënimi ka marrë fund, 4 të vdekur varret e të cilëve dihen, ende nuk e kanë marrë “lajmin” se janë të lirë dhe përsëri vazhdojnë të vuajnë dënimin si të ishte viti 1985. Një ish-gardian burgu konfidencialisht sqaron se i vdekuri përballë burgut është një gjirokastrit dhe burime të sigurta thonë se ishte një i afërm i diktatorit Enver Hoxha. Por sa ishte gjallë kurrë nuk e pranoi se ishte i afërm i tij. Dhe nëse ndokush e pyeste se çfarë e keni komandantin, ai përgjigjej prerë dhe ashpër: “asgjëkafshë”-asgjëkafshë…

Ndërsa tre të tjerë që gjenden në Shpal, mendohet të jenë nga Tropoja. Njëri është identifikuar nga familja me mbiemër Goca dhe pritet që varri i tij të merret dhe të çohet në Tropojë. Burimi sqaron se çdo të vdekuri në varr i futej një shishe e mbyllur hermetikisht, brenda së cilës futej një letër ku me bojë “tush” i shkruhej emri dhe adresa. Në të gjitha varret e hapura pas 90-tës, është gjetur një shishe e tillë. Këta ishin të vdekur në mënyrë natyrale nga sëmundje, ndërsa 4 të pushkatuarit e revoltës Pal Zefi nga Shijaku, Skënder Daja nga Fieri, Dervish Bejko nga Devolli, Hajri Pashaj nga Mallakastra, ekzekutimi i tyre është bërë jashtë territorit të burgut, varret e atyre askush nuk i di deri më sot me gjithë insistimet e herëpashershme të familjarëve.

Burgu i Spaçit

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak

Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja.

Kohët e fundit ka pasur plane që Burgu i Spaçit të kthehej në një muzeum, por deri më sot, asnjë hap i mëtejshëm nuk është bërë në këtë drejtim.

Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore në Spacc, rrethi i Mirditës, në qarkun e LezhësShqipëri  Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “656/DT 05.12.2007“.

Ky burg është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës. Ka qenë një kompleks minierash ku punonin jo vetëm të dënuarit. Aktualisht është në një gjendje tërësisht të shkatërruar. Ka një arkitekture tipike te periudhës komuniste me forma të rregullta.

Intervista është zhvilluar më datën 5 tetor 2001.