Flet Aleksandër Dragoti pasardhës veterani: Lufta nuk mund të mohohet, në gjithë botën dëshmorët nderohen

635
Sigal

Albert Z. Zholi

Çdo vit, më 5 Maj nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj, ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Cili është mendimi i Dragotit për dëshmorët?

ALEKSANDËR DRAGOTI, djali i Asaf Dragotit, ish-Komandant i Brigadës së VIII Sulmuese

“Lufta nuk mund të mohohet, në gjithë botën dëshmorët nderohen”

 “Kur vjen 5 Maji, edhe emri i babait tim, Asaf Dragoti bëhet më i madh, më i bukur, më i nderuar, pasi e nderon gjithë pjesa patriotike e popullit tonë. Dita e dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur t’i mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule ishin ata, lule është vetë natyra në këtë ditë. Unë kam qenë pjesë e luftës në Qarkorin e Rinisë së Vlorës në zonën e Peshkëpisë. Kur dëgjoj sesi e mohojnë këtë luftë, habitem. Ishte një luftë që bota e respekton, që bota e nderon. Ishte një luftë që ne duhet t’ua përcjellim të shkruar brezave. Kudo në botë, ata që kanë qenë pjesë e Luftës Nacional-Çlirimtare ndihen të respektuar, krenarë dhe të nderuar. Ajo luftë na dha lirinë dhe na radhiti ndër vendet triumfuese. Madje, duke pasur parasysh popullsinë e Shqipërisë mund të themi me plot gojën se lufta jonë ishte e njëjtë me atë të vendeve me popullsi të madhe. Këtë e bënë prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, ndaj ne duhet t’i kujtojmë dhe respektojmë ata. Kudo në botë nderohen dëshmorët, madje shumë më shumë se tek ne. Heronjtë japin jetën për atdheun ne duhet ti nderojmë dhe respektojmë ata. 5 Maji mbetet një ditë historike, një ditë ndër më të bukurat të historisë së Shqipërisë. Por duhet të kemi parasysh se në vitet 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë “Meksi”, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve. Vetëm në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji i ri “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Vetëm pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109, “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve, që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para luftës. Kurse në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës dhe të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Ndërkaq, pas viteve ’90, statusi i Dëshmorit të Atdheut pësoi ndryshime. Po si përkujtohet në Shqipëri sot dita e 5 Majit dhe në tërësi, Fare pa lavdi. E vakët. Heronjtë duhen nderuar”.