Fatmir Minguli: Mjeshtri i fonderive të Durrësit, Xhelal Haxhiu

790
Sigal

Të shkruash për mjeshtrat e industrisë mekanike të qytetit të Durrësit nuk është një gjë e lehtë. Kjo jo vetëm se janë shumë mjeshtra të kësaj industrie por edhe se specialitetet e tyre kanë qenë shumë të ndryshme me njera-tjetrën. Por në rastin e portretizimit të mjeshtrit metalurg Xhelal Haxhiu, mund të shtoj dhe një specifikë tjetër, atë të vendit të tij të punës që ka qenë që nga fillimi deri në fund, Uzina Mekanike Bujqësore -UMB- në Durrës. Kjo lidhet me edhe me një fakt tjetër sepse ka të bëjë me hartimin apo botimin e një historiku të industrisë mekanike të rrethit të Durrësit që daton çuditërisht që nga vitet 1920 e që vazhdon në mënyrat e saj edhe sot. Të flasësh për mjeshtrin e fonderisë Xhelal Haxhiu duhet të flasësh së pari për origjinën e tij si për çdo njeri që i bëhet portretizimi i figurës dhe punës së tij.

Xhelal Iliaz Haxhi vjen me origjinë nga Paramithia, pikërisht nga fshati Karbunarë, pranë   Paramithisë. Shtëpia e tyre ka qenë me emër dhe sot ajo është shndruar në shkollë. Këtë të dhënë na e jep i biri i tij Qemal Haxhi ose siç e thërrasin durrsakët ‘’Qemal çami’’. Në shtëpinë ë tyre, aty në Karbunarë kanë kaluar anglezët, amerikanët e të tjerë, kuptohet gjatë luftës së dytë botërore. Kjo sepse shtëpia e Haxhillarëve që kishte për zot Tofik Qemalin, stërgjyshin e Qemalit të sotëm, dhe ishte  i pari i fisit, mik me doktorin e Margëlliçit dhe mik me shumë shqiptarë andej e këndej kufirit politik të Shqipërisë me Greqinë. Familja e Haxhillerëve u vendos së pari në barakat pranë markatës së vjetër në Durrës, pranë postës dhe më vonë i sistemuan te Kodra e Kokomanëve duke u larguar nga Çezma e Ferrës. Xhelal Haxhi që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare hyri në punë në Uzinën Mekanike Bujqësore deri sa doli në pension. Ky është një rast i rrallë për mjeshtrat e vërtetë sepse për punën e tyre, për mjeshtrinë ë tyre kushdo  ia kishte nevojën.  Kur përmend në këtë shkrim portretik, fonditorin Xhelal Haxhi mendja më shkon te shokët e tij mjeshtra të specialiteteve të ndryshme që kanë punuar një jetë të tërë në këtë Uzinë me emër në ato kohë. Të tillë janë Zyhdi Ruli, Sel Deliallisi, Foto Xani, Harrilla Koljaka, Xhaferr Kulla, Polikron Pina, Fadil Kalaja, Aleks Pulexhi, Thoma Sallaku, Qemal Xhiba, Musa Ahmeti, Met Mema, etj. Por duke u ndalur te mjeshtri Xhelal Haxhiu, dua të theksoj disa nga vetitë e punës së tij mjeshtrore të cilave u kushtonin vëmendjen edhe inxhinerët metalurg të fonderisë.  Ai ishte një njohës i hollë i derdhje së metaleve me ngjyra, qe si të thuash i pari i atij sektori që u hap  në Uzinën Mekanike Bujqësore dhe që më vonë u pasua me derdhjen e gizës e më vonë dhe të çelikut. Dihet se Uzina Mekanike Bujqësore në Durrës ishte e para në historinë e mekanikës shqiptare, e që mbas saj filluan të krijoheshin ofiçina dhe uzina të tjera në Tiranë dhe në Durrës. Në kuadrin e përgatitjeve për të botuar një ‘’Historik të mekanikës në Durrës’’, një grup autorësh durrsakë janë angazhuar të bëjnë hulumtime të shumta duke filluar që nga viti 1920. E çuditshme, por e vërtetë kur merr informacion nga interneti se deri në vitin 1941, para fillimit të luftës, në Durrës ekzistonin gjashtë ofiçina mekanike të kompletuara.

Po le të kthehemi te portreti i mjeshtrit metalurg Xhelal Haxhiu.

Ishin vitet e para të formimit të reparteve të derdhjeve të metaleve, dhe historikisht ishin metalet me ngjyra ato që u derdhën të parat, dhe konkretisht bronzi dhe alumini. Ato ishin më të domosdoshmet sidomos për kushinetat rëshqitëse dhe për detaje të ndryshme prej alumini.  Xhelali, ishte nga ata të parë fonditorë që kishte mësuar autodidakt mbi derdhjen e metaleve me ngjyra. Dhe këtu  lind dhe pyetja’’ ku mësoi ky njeri të derdhë metelet me ngjyra kur ai ishte një proçes kompleks, që nga formimi i stafave me rërë dhe deri te pastrimi i detaleve të derdhura?’’  Fonderia e UMB -së nga viti në vit po fuqizohej deri sa të kthehej në një repart të madh për derdhjen e metaleve, jo vetëm të atyre me ngjyra por dhe të gizës dhe çelikut. Xhelali ishte gjithmonë në krye të specialistëve në çdo eksperimentim të derdhjeve të vështira si derdhjet e gizës sferoidale dhe të derdhjeve preçize për të cilat në UMB-në e Durrësit ishte ngritur një repart më vete i shoqëruar dhe me prodhimin e feriteve, aq të domosdoshme për industrinë elektronike. Xhelali respektohej nga inxhinerët metalurgë të cilët erdhën njeri pas tjetrit në këtë uzinë, si ing. Ahmet Rakipi, ing. Bujar Rexhepi, ing. Cvetko Tusha, etj dhe jo vetëm respektohej por dhe i merreshin mendime teknike. Në një kohë, gjatë viteve 1980, në Uzinën mekanike bujqësore  të Durrësit erdhi një ekip me inxhinerë metalurgë kinezë në kuadrin e shkëmbimit të eksperiencave të metalurgjisë. Ata në fakt ishin inxhinera që kishin mbaruar nga dy fakultete për metalurgjinë dhe dy prej tyre kishin mbaruar në universitete amerikane.Kuptohet që dituritë e tyre ishin shumë të përparuara por mënyra se si ata jepnin eksperiencën e tyre te puntorët shqiptarë, në repartin e fonderisë, linte për të dëshiruar. Mbaj mend se si një ditë Xhelali po dëgjonte me vëmendje porositë e tyre lidhur me prodhimet e reja, por ata nuk hynin asnjëherë në thelb të problemit. Ishte koha kur sapo kishte filluar prodhimi i detajeve me gizë me strukturë sferoidale, detaje me përgjegjësi të veçantë për sa i përket destinacionit të tyre.  Kur ata nuk po hynin në brendi të problemeve, Xhelali u mërzit dhe nuk duroi më por iu drejtua specialistëve kinezë:

  -Ju keni ardhë që nga Kina e largët të na mësoni se çfarë është rëra neve durrsakëve apo do na mësoni se si prodhohen detalet prej gize sferoidale?

Kinezët u revoltuan dhe bënë protestë në drejtorinë e uzinës. Kuptohet që u krijua një gjendje e nderë sepse Xhelali u tha dhe disa fjalë të tjera fyese.  Mbas një farë kohe gjërat u sqaruan dhe me të vërtetë kinezët ndruan kursin e dhënies së eksperiencës. Duhej ndërhyrja e një specilisti të thjeshtë por të guximshëm për të thënë një të vërtetë që nuk po e thonte askush. I tillë ishte mjeshtri Xhelal Haxhiu. Ai ishte mjeshtër jo vetëm për profesionin e metalurgut por ishte mjeshtër edhe në mardhëniet shoqërore. Ishte i pranishëm në konfliktet e zakonshme midis të rinjve jo vetëm në repartin e fonderisë. Ndërsa në mardhënie me inxhinerët metalurgë të repartit të fonderisë ai ishte mëse korrekt, asnjëherë nuk shiste mend dhe për këtë ai ka qenë shembull për shumë specialistë nga më të ndryshmit, si dhe ata të sektorit ekonomik dhe të financave.