Enver Memishaj: Nuredin Bej Vlora, flamur i nacionalizmit shqiptar

420
Sigal

Me rastin e 28 nëntorit 2021

 

Burra e patriot si Nuredin bej Vlora (1889– 1964) dhe të gjithë ata që mbrojtën çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris 1919 – 1920, duhen nderuar e kujtuar me nderim, në festën kombtare, çdo 28 Nëntor.

 

Është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet.

                                                                                  Prof. dr. Lavdosh Ahmetaj

 

 

Nuredin Bej Vlora: Patriot i shquar, veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, luftëtar i vendosur për mbrojtjen e

Pavarësisë Kombëtare dhe lirinë e vendit të tij deri në vitin 1944, kur dhe u detyrua të lërë atdheun e tij për të cilin kishte punuar e sakrifikuar gjithë jetën e veçanërisht kishte harxhuar pasurinë e tij të madhe.

Një ndër themeluesit e Organizatës Nacionaliste Balli Kombëtar në vitin 1939, dhe anëtar i Komitetit Qëndror të kësaj organizate.

 

 “Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”,- shprehej ai. Në gjithë veprimtarinë atdhetare, Nuredin bej Vlorës, i është gjendur pranë gjatë gjithë jetës, bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Nuk la trashwgimtarë, por thoshte se pasurinë e tij të shumtë do t`ia linte Vlorës.

*        *       *

Nuredin bej Vlora është personalitet i shquar i familjes së njohur Vlora dhe ka lindur po këtu më 25 shkurt 1889. Ishte diplomuar në Paris, me kulturë të gjerë, njohës i shumw gjuhëve tw huaja, intelektual me vizion perëndimor. U dallua si veprimtar i shquar për çështjen e atdheut, por edhe kur qe puna për të marrë pushkën për interesat e atdheut, ai u ndodh në vijën e parë dhe në udhëheqje për të mbrojtur Pavarësinë Kombëtare. Në maj të vitit 1914, ai u ndodh në Kurvelesh në ballë të luftimeve kundër bandave gjakatare greke. “Z. Ibrahim Abdullahu, Kryekatundar i Vlorës, edhe z. Nuredin Vlora, Muharrem Kokoshi, Mustafa Bimo Kanina, në ballë të vetwdashësve u sulën në luftë për të nderuar dhe naltësuar atdheun e tyre”. 1)

Kur bandat antishqiptare të Haxhi Qamilit, mbytën Shqipërinë në gjak dhe shkelën flamurin kombëtar, burra si Nuredin Beu rrëmbyen pushkët për t`i dalë zot Atdheut. Më 12 qershor 1914, rreth 245 luftëtarë vlonjatë nën komandën e Nuredin bej Vlorës dhe Seit Qemalit, u ndodhën në ballin e luftës në kodrat e Fierit e të Lushnjës gjer në fshatin Karbunarë ku e ndaluan furinë e barbarëve. Në këto luftime të ashpra ra trimërisht Tafil Oshtima, u plagosën 29 vlonjatë e midis tyre edhe kryeshkronjësi i gazetës “Populli”, zoti Seit Qemali, që u plagos në të dy duart. Në këtë luftë mori pjesë edhe një pinjoll tjetër i familjes Vlora, Safa Vlora në atë kohë 14 vjeç. Në përpjekje për të çliruar Beratin nga rebelët antikombëtarw, Nuredin bej Vlora ka luftuar së bashku me major Ahmet Lepenicën dhe Bexhet Asllanin.  2)

Në Amerikë dhe në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas krizës së brendshme të Fedaratës “Vatra”, me inisiativën e Sevasti Dakos – Qirjazi, më 22 janar 1917, në Uorçerster të SHBA, u themelua Partia Kombëtare dhe Politike, me devizën: “Qëndron për qëllimin e

shenjtë: Shpëtimin e Shqipërisë”. Partia botoi gazetën “Albania”, në shqip, ku herë pas here botoheshin edhe artikuj anglisht. Programi i Partisë u botua në datën 28.2.1918. Kuvendi i parë i saj u mbajt 12-15 maj 1918 dhe Kryetari Nderi i Partisë u miratua Nuredin bej Vlora, kryetar ekzekutiv ishte Sevasti Dako (Qiriazi), bashkëshortja e Kristo Dakos, sekretar Dhimitër Bala nga Vunoi i Vlorës.

Kjo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në Konferencën e Paqes në Paris, ku falë përpjekjeve të patriotëve shqiptarë mundën ta shpëtojnë nga copëtimi këtë Shqipëri që gëzojmë ne sot. Në këto përpjekje ka meritën e madhe edhe Nuredin bej Vlora. Është kjo arsyeja që në shumë raste, ashtu si edhe në shkurt të vitit 1918, gazeta “Albania”, botonte në faqen e parë artikullin: “Tri fytyra të shkëlqyera, për shpëtimin e Shqipërisë: Ismail Qemali, Sevasti Dako (Qiriazi), i shkëlqyeri atdhetar Nuredin bej Vlora dhe fotografitë e tyre. 3)

Pra Nuredin bej Vlora vihej në një radhw me Ismail Qemalin, dhe cilësohej: “i shkëlqyeri atdhetar” Po kështu më datën 23.5.1918, kjo gazetë në faqen e parë botonte fotografinë e Nuredin bej Vlorës, hipur nënjë kalë të bardhë.

“Kuvendi i Partisë më 12 mars 1919, votoi me zëra të përgjithshme dhe emëroi delegat të Partisë Kombëtare dhe Politike, në Konferencën e Paqes, shkëlqesinë e tij Nuredin bej Vlora… dhe i lutet ta pranojë… Shkwlqesia e tij ka influencë në qarqet politike të Uashingtonit … Nuk mund të kemi tjetër shqiptar në Amerikë dhe në Shqipëri të pajisur me kualitete të bukura dhe të larta, siç është kryetari i nderit të Partisë sonë Nuredin bej Vlora… E themi pa frikë se ky luan i Shqipërisë, i cili në kohën e rrezikut, nuk është kursyer për jetën e tij, dhe tani kur pritet të gjykohet fati jonë nuk do të kursehet aspak”, shkruan gazeta “Albania.

Ismail Qemali kishte planifikuar një vizitë në Amerikë, më datën 16 qershor të vitit 1918, i ftuar nga Partia. Kjo ditë u shpall dita e Ismail Qemalit, dhe u mblodhën ndihma financiare që ai do t`i përdorte si shpenzime gjatë kohës që do të qëndronte në Paris, si delegat i Partisë Politike. Me këtë rast, Nuredin bej Vlora bën një deklaratë me anë të së cilës lartëson figurën e Ismail Qemalit dhe kërkon ndihma. 4)

Përkushtimi ndaj çështjes kombëtare ishte qëllim i jetës i Nuredin Bej Vlorës dhe ai nuk u ndal në asnjë moment për të luftuar e punuar për këtë qëllim. Nuredin Beu e lartësoi emrin e tij përmes kësaj veprimtarie, që siç shprehej ai, duhej edhe të derdhej gjak për të mirën dhe shpëtimin e Shqipërisë. Sjellja e tij fisnike, si një ushtar në rradhë për çështjen e lirisë dhe Pavarësisë Kombëtare, u bë e njohur për të gjithë veprimtarët e tjerë duke i dhënë besim të veçantë çdo akti të tij publik.

Më 3 tetor 1918, ai iu bën thirrje shqiptarëve të Amerikës për të formuar një regjiment ushtarak për të luftuar në Shqipëri, në krye të të cilit do të ishte ai vetë.

Nuredin Beu u përpoq të argumentonte nevojën e pranimit të idesë së tij për ngritjen e regjimentit ushtarak të përbërë nga shqiptarë patriot. Regjimentin ai e shikon të domosdoshëm sidomos në kushtet e atëhershme nëpër të cilat po kalonte politika botërore. Siç e dimë, sot e gjithë bota është në luftë, çdo shtet përpiqet që me gjak të fitojë të drejtat e shkelura, shkruan ai.5)

Trimërinë Nuredin beu e kishte treguar herët, që në vitin 1914, kur luftoi kundër bandave greke, kur udhëhoqi trimat e Vlorës në luftë me rebelët antishqiptar të Haxhi Qamilit. Tani zëri i atdheut e thërriste

përsëri dhe ai s`mund të rrinte duarkryq. “Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”, shprehej ai. 6)

Shtypi i emigracionit shqiptar shkruan se pa derdhur gjak, zëri politik i shqiptarëve në kohën e paqes nuk do tw dëgjohej dhe as do të ketë të drejta të plota të kombit shqiptar.

Çështja e numrit nuk kishte shumë rëndësi, por mbi të gjitha, kjo iniciativë arriti të tërhiqte vëmendjen politike europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 7)

Haxhi Murati, Çami, një nga patriotët më në zë të viteve 1918-1920, e vlerëson veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës në mbështetje të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Në një artikull, ai e paraqet Nuredinin si delegat të zgjedhur prej Partisë Kombëtare e Politike, në SHBA, i pëlqyer prej të gjithë oratorëve dhe përkrahësve të saj dhe që ai punon sipas fuqisë që ka dhe mënyrës që ai e pandeh për të mirë. 8)

Nuredin bej Vlora, është një nga përfaqësuesit kryesor që mbrojti çështjen shqiptare në Konferencwn e Paqes, që i filloi punimet më 18 janar 1919. Kjo Konferencë është nyje gordiane në politikën globale, e cila përcaktoi nëse pas saj do të kishte Shqipëri, apo ajo, do të ndahej ndërmjet fqinjëve grabitqarw ashtu siç ishte vendosur më 26 prill 1915, nga Anglia, Franca, Italia dhe Rusia.

Në këtë pikëpamje, është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet. 9)

Sapo u hap Konferenca e Paqes, Nuredin Beu, më 26 janar 1919, i drejton Presidentit të SHBA Udrou Uillson një thirrje, ku i shkruan: “Zoti President! Jepmëni leje t`ju drejtoj këtë thirrje për atdheun tim të vobekt, Shqipërinë, e cila ka nevojën e ndihmesës së SHBA. Vuajtjet tona kanë qënë shumë të këqia dhe të panumurta, më shumë se gjysma e vendit tonë u prish. Kjo u shoqërua me mijëra shqiptarë të vrarë, popullsi të përgjysmuar. Sot në Shqipëri nuk ka më shumë se një milion ndenjës…”10)

Kjo thirrje flet për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, për idetë e tij në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar dhe e bën atë një fytyrë të ndritur të historisë sonë. Në thirrjen që i bën Uillsonit, i mëshon faktit se për më shumë se dymijë vjet, stërgjyshërit e shqiptarëve kanë luftuar në shekuj për lirinë e tyre, por në Konferencën e Londrës të vitit 1913, provincat më të mira e pjellore, si në Veri dhe në Jug, iu dhanë Serbisë dhe Greqisë. Njëkohësisht gjer tani indipendenca e Shqipërisë është e njohur prej të gjithëve… Shqiptarët e Shqipërisë dhe mijëra të tjerë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, kërkojnë nga ju si President, të na mbroni në Konferencën e Paqes.

Diplomacia e tij, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e Uillsonit nuk është në fakt thjesht taktikë, por bindje e tij dhe e gjithë grupit që ai përfaqësonte: ai nxjerr me elegancë në pah se ne shqiptarët kemi shpresë, sepse tek ju do të gjejmë mbrojtësin më të madh të kombeve të vegjël, veçanërisht të Shqipërisë, e cila nuk ka ndonjë përkrahës tjetër në Paris. Në delegacionin e Partisë Politike shquante Parashqevi Qiriazi një grua e bukur, e kulturuar, folëse e shumë gjuhëve të huaja, e diplomuar në universitete me emër, e cila e zbuste shumë klimën e ashpër kundër kombit të shqipeve. Në shtypin e kohës është shkruar se ajo u mirëprit sapo vuri këmbë në Paris. Në mjediset e Ministrisë së Jashtme Franceze, diplomatja shqiptare u takua me anëtarët e komisionit të ngarkuar me çështjen shqiptare.

Duke përfaqësuar Partinë Politike, që e udhëhiqte Kristo Dako, ajo u dorëzoi atyre materiale dhe harta, që kishte përgatitur kjo parti, ku parashtroheshin kërkesat për çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë, si

dhe Memorandume, sipas këndvështrimit të asaj partie. Ndërkohë kishte mbërritur në Paris dhe delegacioni i Qeverisë Shqiptare, që përbëhej prej Kryeministrit Turhan Pashë Përmeti, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Myfit Bej Libohova, Mustafa Kruja, Mehmet Konica dhe Dr. Mihal Turtulli. Është i njohur fakti se pjesa më e madhe e delegacionit të Qeverisë Shqiptare mbështesnin orientimin italian; ndërkohë që përfaqësuesit e kolonive shqiptare të Turqisë si Halil Pashë Gjirokastriti, Fuat bej Zëmblaku, Benedikt Blinishti; ata të Rumanisë si Pandeli Evangjeli dhe Dhimitër Berati; të Partisë Politike të përfaqësuar nga Parashqevi Qiriazi e Nuredin bej Vlora e shikonin si rrezik protektoratin italian. Ndërmjet delegacioneve shqiptare, siç dihet, pati mosmarrëveshje të shumta edhe kundër interesave kombëtare, por Nuredin Beu qëndroi dhe luftoi me atdhetarizëm, me inteligjencw, dhe me përkushtim për çështjen kombëtare. Kështu Mihal Grameno më 12 prill 1919, i raportonte Partisë: “Rasih Dinua, Pandeli Stalea, Mid`hat bej Frashëri, protestuan nga Lozana veprimet imperialiste të Italisë në Shqipëri. Nuredin Beu është këtu dhe punon bashkë me shokët besnikë të programit kombëtar”. 11)

Ndërsa vetë Nuredin Beu më 10 prill 1919, i shkruante Partisë: “Kemi shpresa të mëdha për çështjen tonë. Për mbrojtjen e të drejtave unë do të mbetëm në Paris”. 12)

Gjatë kësaj kohe delegacioni duhet të përballonte edhe shpenzime të shumta të fjetjes, ushqimit, transportit, higjenës, shpenzime me miqtë etj. Ka shumë dokumenta që flasin për varfërinë dhe vështirësitë e delegacinit në Paris, po citojmë vetëm një letër të Parashqevisë që shkruan: “Nga të hollat jam shumë liksht. I bëra telefon Nuredin Beut dhe më thotë të mos bëhem merak aspak, nesër në mëngjes vjen të më shoh, është gati të më huaj sa të dua”. 13)

Personalitetet si Nuredin bej Vlora, veç atdhetarisë, trimërisë dhe  inteligjencës, falën për Shqipërinë edhe pasurinë e tyre dhe këta atdhetarë të shquar duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht se pa paratë dhe pasurinë e tyre nuk mund të bëhej Shqipëria.

Le të shprehemi thjesht, në se nuk paguante Nuredin bej Vlora, me se do të udhëtonte Parashqevi Qiriazi, ku do të flinte, ku do të hante, shkurt ajo dhe gjithë të tjerët nuk kishin mundësi të mbronin të drejtat e Shqipërisë pa paratë dhe pasurinë e Nuredin bej Vlorës, të Fuat bej Dibrës (1886 – 1944) dhe burrave të tjerë të shquar si këta, prandaj e përsërisim këta burra sikur vetëm për këtë gjest duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht.  Në veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës, për çështjen tonë kombëtare, është gjendur gjatë gjithë jetës bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike dhe e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Kjo fisnike ka kontribuar për shkollën e vajzave në Korçë, pastaj është interesuar shumë për çështjen e Shqipërisë dhe ka bërë ç’është e mundur për t`i shtuar miqtë e Shqipërisë në SHBA.

 

*      *      *

Katër vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, më 1924, Faik Konica do të shprehej në gazetën “Dielli”, se shqiptarët pasi të kuptojnë kontributin e Uillsonit në Konferencën e Paqes në Paris, do t’i ndërtojnë një monument në Shqipërinë e tyre. Kjo ëndërr e Faik Konicës dhe e shumë atdhetarëve të tjerë, e sidomos e atyre të Amerikës u realzua në vitin 2012, kur Udrou Uillsonit iu ngrit nga qeveria shqiptare e prof. dr. Sali Berishës një shtatore madhështore në mes të Tiranës.

 

Kryetar i Bashkisë së Vlorës

Në dhjetor të vitit 1924, qeveria e Fan Nolit, e mundur nga forcat biellogardiste e sërbe të Ahmet Zogut, u tërhoq në Vlorë, duke thënë se do të luftonte deri në fund; por kur Mufit Bej Libohova me pasusit e tij

në krye të një fuqie vullnetare shqiptare hyri nga kufiri jugor me Greqinë, ata u arratisën në Itali. Në Gjirokastër Myfit Beu u prit nga popullata e qytetit. Shumë vise të Shqipërisë jugore dërguan përfaqësitë e tyre për të uruar kthimin e Ahmet Zogut në fuqi, ajo e Vlorës kryesohej nga Nuredin bej Vlora, dhe përbëhej nga: Ali Beqiri ,  Kristo Karbunara, Arshi Halili,  Nako Qirko, Alem Tragjasi, Selim Oshtima, Ibrahim Abdullahu, Sadik Shaska, Dalip Peshkëpia, Osmën Haxhiu, Elmas Xhaferi, Zaçe Xhelo.14)

 

 

Në janar të vitit 1925, sapo Ahmet Zogu mori fuqinë në dorë, pushoi të gjithw nëpunësit që ishin anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të Avni Rustemit dhe për të qeverisur Vlorën, emëroi besnikët e tij: Nuredin bej Vlorës ia shpërbleu besnikërinë duke e emëruar kryetar të bashkisë. Kapiten Bilal Nivicën e emëroi rrethkomandant të xhandarmërisë dhe zëvëndës prefekt. Në tetor të atij viti, prefekt u emërua Qazim Bodinaku dhe rrethkomandant Dulejman Çela nga Burreli. Kryenëpunës i botores u emërua Ali Mborja, i pushuar nga puna nga qeveria e Fan Nolit. Drejtor të spitalit emëruan doktor Fariu, asamblist. Mbi të gjithë qëndronte në roje vigjilente krimineli pa principe prej Dibre, major Taf Kaziu me mercenarët e tij, i cili me pretekstin e çarmatimit ushtroi mbi popull dhunë dhe terror. 15)

Më 22 janar 1925, parlamenti e shpalli Shqipërinë Republikë. Në Vlorë, po këtë ditë “ora 10 në të katër çipat e qytetit u shpall me tellall proklamacioni i Republikës së Shqipërisë. Populli i entuziazmuar mbylli tregun tue zbukurue me flamur gjithë qytetin për tre ditë… Populli i madh e i vogël u mblodh para Bashkisë, kleri musliman dhe ortodoks u prezantuan në Bashki.

Të udhëhequr prej kryetarit të Bashkisë Nuredin bej Vlorës, zv/ prefektit Bilal Nivica bandës së Bashkisë tue patur pranë ushtarët me major Taf Kaziun në krye hynë në xhami ku bënë lutjet fetare në gjuhën amtare…  dhe prej aty shkuan në kishën ortodokse ku i priti Hirësia e Tij Peshkopi Kisi…

Populli shkoi pastaj në prefekturë ku mbajti fjalë Jani Minga i ngarkuar nga ana e prefektit. Ai i shfaqi popullit rëndësinë e ditës…”, shkruan shtypi i kohës. 16)

Ahmet Zogu, u mundua të bënte një politikë pajtimi me shqiptarët,  kryesisht me vlonjatët: kundërshtarët e tij, prandaj me njerëzit e tij përgatiti komisione përfaqësuese të popullit për ta uruar për emërimin si President i Republikës, prandaj “pardje i paraqiti urimet Kryetarit të  Republikës, komisioni i Vlorës nën kryesinë e Nuredin Beut, të birit të Ferit pashë Vlorës, i përbërë prej: Ali Beqiri, Dalip Peshkëpia, Selim Hoshtima, Arshi Halili, Elmas Xhaferi, Sadik Shaska, Alem Tragjasi, Kristo Karbunara, Osmën Haxhiu, Ibrahim Abdulla, Nako Qirko, Zaçe Xhelo Ata i dhuruan një kuti prej metali të vlefshëm që përmbante 6 koka, një gërshërë e një penë të florinjtë të stolisur me brilante. Djalit që i shpuri ju dha bakshish 10 lira stërlina”. 17)

“Shkëlqesia e Tij Kryetari i Republikës pranoi në audiencë përfaqësuesit  e prefekturës së Vlorës… Në emër të kësaj prefekture Nuredin bej Vlora i paraqiti Shkëlqesisë së Tij, urimet dhe bindjet e popullit besnik të prefekturës së Vlorës dhe iu lut të pranojë si kujtim një kuti me metal të vlefshëm …

Shkëlqesia e Tij, Kryetari pasi falënderoi komisionin për urimet dhe për dhuratën e paraqitur, u përmendi me respekt rëndësinë e posaçme që ka Vlora që është djepi i lirisë e indipedencës dhe i siguroi se gjithë dëshirat e Vlorës që janë për të mirën e atij qarku do të përpiqet t`i realizojë menjëherë dhe i porositi që t`i komunikojnë popullit vlonjat të falat vëllazërore të tij”.