Enrieta Sina:Gëzuar 7 e 8 Marsin – Mësues, nëna dhe motra

1480
Sigal

Po trokasin bukur festat tradicionale të 7 e 8 Marsit. I kemi parë ndër shumë vite të lidhura njëra me tjetrën, me të njëjtën madhështi, bukuri, dashuri dhe respekt duke kërkuar të jemi gjithnjë e më shumë pranë tyre, me të djeshmen dhe të sotmen tonë. Në 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Një ëndërr për dije që po bëhej realitet. Mësues dhe drejtor i parë i kësaj shkolle ishte Pandeli Sotiri. Deri atëherë dhënia e mësimeve shqip bëhej privatisht për shkak të pushtimit osman. Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vite. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Ishte kontributi i tyre i padiskutueshëm që si atdhetarë e veprimtarë të shquar bënë gjithçka për gjuhën shqipe. Ishin ata iniciatorë të krijimit të teksteve shkollore, të krijimit të bazës material për mësimdhënie, duke edukuar ndër nxënësit patriotizmin dhe Atdhedashurinë. E kush nga ne në këtë ditë nuk kujton me nostalgji mësuesen e klasës së parë? Unë e kam akoma të ngrohtë dorën e mësueses time në shkollën Nr.2 në Vlorë, Leonora Baldatori. Fluturoja për të shkuar në shkollë, për t’u ulur në bankë, për t’u takuar me shokët e shoqet, por mbi të gjitha për të dëgjuar zërin e asaj mësueseje që s’kam për ta harruar kurrë. Mësuesja ishte shoqe me mamanë time dhe vonë mësova se dhe ime më, me mësuese Paqyzenë kish kontribuar në shkollën Nr. 1 si mësuese për gratë që ishin analfabeti, duke u mësuar shkrim e këndim. Prej asaj nëne linda dhe unë fëmija i pestë, një pasdite të premte janari. Nga kursi që bënte me gratë,  largohet për të më lindur në shtëpinë e lindjes të qytetit…Dhe kujdesi për librin të tregohej në familje nuk ishte rastësi. Ai kujdes na ngjiti në shkallët e dijes. Çdokush nga ne, ka kujtime të bukura nga bankat e shkollës. Një nostalgji që të ndjek gjithë jetën. Sa bukur është të rritesh duke mësuar. Për njeriun nuk ka thesar më të madh se sa një mendje që di. L. Da Vinçi ka thënë: “Të fitosh njohuri është punë e dobishme për mendjen e njeriut, sepse vetvetiu largohen gjërat e padobishme dhe mbeten të mirat. Dihet që asgjë nuk mund ta dashurojmë ose ta urrejmë, po nuk ditëm më parë se ç’është”. Thënia se e ardhmja është në duart e mësuesit të shkollës është aktuale për çdo brez e në çdo kohë dhe se sikur të pushonte jeta arsimore, bota do të binte në barbarizëm. Studimi realisht ka qenë për mua mjeti më i mirë për të luftuar çdo pengesë në jetë, çdo vuajtje. Pas një–dy orë në ditë që studioja harroja gjithçka të dhimbshme. Festa e 7 marsit troket në çdo shtëpi dhe  nga pragjet e tyre këtë ditë, fëmijët, nxënësit, studentët dalin me fytyra të çelura si lulet që mbajnë ndër duar për t’ua dhuruar mësuesve të tyre…Ne e shqiptojmë me nderim emrin e mësuesit, i cili pas emrit të prindit është më fisniku, më i dashuri. Dhe ky zë krenarie kalon ndër breza si një gjerdan i artë diturie .I kam ende të freskëta kujtimet e mia si mësuese në fshatin Kuç të Vlorës, kur isha vetëm 19 vjeç. I mora dhe unë urimet nga fëmijët e fshatit, nxënësit e mi, me tufat e luleve që mbanin për të  m’i dhuruar dhe sot akoma nuk harrohem prej tyre. Sa krenari kur mëson rritjet cilësore të dijeve prej atyre që shumë vite më parë u ke mësuar abetare…Mësuese! Sa bukur tingëllon kjo fjalë! Të japësh mësim është art. Me këtë art në gojë mësuesit të zgjojnë kureshtjen për të ditur më shumë nga klasa e parë deri në marrjen e doktoraturave pas Universiteteve. Është një ngjitje që kërkon shumë vullnet dhe hapat për këtë ngjitje, mos harro asnjëherë, t’i ka mësuar t’i hedhësh mësuesi. Gëzuar Festën e 7 Marsit mësues kudo ku jini në Shqipërinë tonë të bukur! Por, vetëm një ditë më vonë, trokasim në tryezat tona familjare për një tjetër gëzim të pakrahasueshëm: Festën e 8 Marsit! Gëzuar festën
nënë! Edhe në këtë ditë feste rrëfenjat janë të ndryshme. Por, ne bëjmë urimet tona të përzemërta për më tepër lumturi në jetën e tyre. Duket se mimoza është përdorur si lulja simbol e Festës së Gruas nga italianët. Në vitin 1946, Unioni i Grave Italiane përgatitej për 8 Marsin e pasluftës. Kërkohej një lule që të simbolizonte këtë ditë. Ishin vetë gratë ato që zgjodhën lulet e verdha, të buta dhe gjithë aromë të mimozës për festën e tyre. Prandaj dhe mes nesh buqetat e lulet e mimozave për nënat janë të pranishme kurdoherë. Mbeti kjo datë e trashëguar në jetën tonë si dita e nënës. Dita e asaj pa të cilën bota nuk do të kishte të ardhme. E dimë mirë që ndjenjat dhe zakonet që përbëjnë lumturinë tonë të përgjithshme formohen në familje dhe ne na i ka ushqyer me qumështin e gjirit nëna, e ëmbla, e dhembshura, e dashura, krenaria e jetës sonë. Nënë! Fjala më e bukur në botë! Gjithçka që bën një nënë nuk ka
të krahasuar me asnjë vepër në jetë. “Sillu me prindërit ashtu si do të dëshiroje që fëmijët e tu të silleshin me ty”, LEOPARDI. Kupto që në çdo situatë një nënë di ta falë, sepse e tillë është ajo, për këtë ka ardhur në botë, por ti duhet ta duash shumë sepse sakrifica e saj për fëmijët është sublime. Nëna të rrit dhe nuk lodhet duke kërkuar të mësojë qëllimin e jetës që fëmijët e saj t’i kushtojnë çdo përpjekje e mendim. Nëna të qëndron pranë dhe të mëson të jesh njeri. Të mëson se si ambicia nuk pajtohet kurrë me mirësinë, të mëson të duash dhe të mos urresh, të mos bësh asnjëherë diçka të keqe, sepse e keqja edhe nëse është e fshehtë për të tjerët s’do të jetë e tillë në ndërgjegjen tënde. Ajo bën gjithçka që t’i lumturojë fëmijët, sepse e di mirë se njeriu atje ku jeton, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Në çdo moshë, ne kujtojmë ditët e fëmijërisë si ditët më të lumtura ndofta sepse ato janë ushqyer më vështrimet e ngrohta të nënave tona të mrekullueshme. Nënat janë fisnike në ndjenja, shikoje këtë brenda vetes tënde dhe do të shikosh vetëm emrin “Nënë!”. Nënat mësojnë se si fëmijët ë tyre të bëhen të mirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të turpërohen kurrë. Vlerësoni dhe uroni zemrat fisnike të nënave, me këtë forcë do të largoni nga vetja çdo pengesë e ligësi. Forca më e madhe qëndron në një zemër të pafajshme dhe kjo është zemra e ngrohtë, e dashur, e palodhur e nënës! Gëzuar pra festat e 7 e 8 Marsit! Gëzuar Festën e mësuesit! Gëzuar Festën e 8 Marsit nënat e motrat tona të dashura! Qofshi përherë të lumtura!

SONY DSC