Elida Buçpapaj: Kalvari i Kujtim Spahivoglit, pas Festivalit të 11-të, si bashkëpunëtor ne Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin

548
Sigal

Bisedë me Luljeta Minarolli Hana mbesën e Kujtim Spahivoglit:        

-Sipas një shkrimi të botuar me të dhëna nga Dosja e tij del se zanafilla e kalvarit mban datën e gushtit 1972, pra përpara Festivalit të 11-të, me një karakteristikë të nxirë që gjendej në degën e kuadrit të Komitetit të Partisë të Tiranës firmosur nga sekretari i partisë i organizatës bazë me inicialet S.B. A e keni parasysh se kush e drejtonte atë kohë Komitetin e Partisë të Tiranës, kush është S.B., a kujtoni diçka nga viti 1972, që ka lidhje me dajën tuaj, aktorin dhe regjisorin e shquar Kujtim Spahivogli?

Luljeta Minarolli: Ndoshta këto të dhëna kanë dalë tashti, pasi janë hapur dosjet. Kujtimin mund ta kenë survejuar, por ai në asnjë rast nuk ishte armik. Çdo gjë mund të jetë e vërtetë, por ishte nën rrogoz, sepse deri në 1972 nuk ishte ndjerë asgjë. Në prill të 1972 lindi Ani, familja ishte shumë e lumtur. Unë shkoja shpesh sepse kishte ardhur një vajzë e vogël në shtëpi. Çdo gjë ecte normalisht.  Në vjeshtën e vonë të 1973 filloi lufta kundër liberalizmit. Që aty nisin edhe mbledhjet në Institutin e Arteve kundër Kujtimit dhe përfundojnë në Plenumin e 4, kur Enver Hoxha e quan mbartës të liberalizmit. Datat nuk i di me saktësi.

-Pas Festivalit të 11-të nisi kalvari për Kujtim Spahivoglin, pasi e shohin si bashkëpunëtor me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në një mbledhje të organizatës bazë të partisë të Institutit të Lartë të Arteve të firmosur nga sekretari me inicialet Xh.S., propozohet që Kujtim Spahivogli, të shkarkohet nga detyra e shefit të katedrës dhe propozohet t’i jepet vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit e të dërgohet dy vjet për riedukim në një teatër në rrethe, por Komiteti i Partisë i Tiranës, vendosi që ai të shkonte për riedukim si punëtor bonifikimi në Fier. A e kujton atë periudhë, pasi që keni qenë tepër e re. Kush ishte në krye të Komitetit të Partisë asaj kohe?  Kujtim Spahivoglit i ishte përgatitur largimi prej një viti më parë.

Luljeta Minarolli: Të gjitha këto dihen janë të shkruara dhe të rishkruara, në një intervistë një ish-student, thotë se Kujtimi ishte naiv. Jo, kjo nuk është fare e vërtetë. Kujtimi ishte i drejtë, i ndershëm, i njihte të poshtrit, i përbuzte hapur, madje edhe me fjalë, por nuk mendonte se do bëhej pre e tyre. E konsideronte veten te paprekshëm, shumë i talentuar, shumë i përkushtuar profesionalisht, kishte vetëm suksese, ishte anëtar partie, politikisht i përfocuar, pra nuk mund ta ngiste asnjeri.

Gjithmonë besonte se do vinte dita që ai do rikthehej. Besonte në madhështinë e vet. Një herë më tha: “Të gjithë këta, një ditë do të krenohen që më kanë pasur “të njohur”.
Dhe u vërtetua profecia e tij..

-Nga një intervistë e bashkëshortes Vllasova Musta mësohet se ajo shkoi në KQPPSH-së të kërkonte ndihmë për Kujtimin, por Sevo Tarifa, sekretari i Enver Hoxhës e priti me këmbët e para dhe i tha se Kujtimin e priste arrestimi. Gjyshja juaj që kishte dhënë aq shumë për lëvizjen antifashiste a trokiti në ndonjë derë?

Luljeta Minarolli: Po, është e vërtetë. Ky ishte opinion i përgjithshëm se  “Kujtimin do ta burgosin!”. Edhe ndodhte atëherë! Sevo Tarifa e njihte mirë familjen e Kujtimit. Kishte punuar me gjyshen gjatë luftës.
Gjyshja, grua e zgjuar, aktiviste, e fortë, sikur u shastis nga e gjithë kjo, rrinte me një stol ulur tek dera e shtëpisë në rrugën “Hoxha Tahsin” dhe ndoshta me heshtjen e saj, bluante atë që kishte ndodhur. Kurrë nuk e kisha dëgjuar të fliste për atë që ndodhi, veç për ankesa ekonomike.

-Sa zgjati periudha e riedukimit e Kujtimit, vetëm si punëtor bonifikimi në Fier punoi apo punoi edhe tjetër kund? Gjatë kohës të dënimit a vinte në Tirane të takohej me vajzën, nënën dhe ju?

Luljeta Minarolli:  Kur e dënuan për “liberalizëm”, “faji” i Kujtimit ishte se nuk kishte plotësuar regjistrat. Dënimi ishte të vihej në dispozicion të Teatrit Popullor. Kur vajti të marrë në Komitet fletën e punës, i thanë se nuk ka vend në Teatrin Popullor, por do të shkosh në dispozicion të Teatrit te Fierit. As atje nuk e pranuan dhe i thanë do shkosh për riedukim, në shkresë shkruhej për pesë vjet.

Zakonisht vinte në Tiranë çdo dy javë, por ndonjëherë edhe çdo javë. Vinte tek ne, sillte rrobat që ia lante mami. Mami shkonte merrte edhe Anin e ia çonte në shtëpi. Kur Ani u u bë 7-8 vjeç, daja e merrte vetë.
Pasi kreu “riedukimin” për 5 vjet dhe nuk kishte ndonjë shenjë që do ta rehabilitonin, Kujtimi e kuptoi se do ta linin përgjithmonëë atje, braktisi punën dhe u kthye në Tiranë. Gjithmonë besonte se do ta rikthenin ne Teatër.

-Kam lexuar shumë për Kujtimin, kudo kam vënë re se atë e deshi i madh dhe i vogël. Kolegët, artdashësit, punëtoret kur ishte i dënuar – si e shpjegon gjithë këtë simpati e respekt për të, si një “mit”?

Luljeta Minarolli: Kujtimi ishte kolos si artist dhe shumë njerëzor në jetën e përditshme. Atë e gjeje me mekanikë, punëtorë, njerëz të thjeshtë dhe po ta shihje nuk e mendoje që ky është ai njeriu i madh. Kur punonte për “t’u riedukuar”, njerëzit e thjeshtë me të cilët rrinte e pyesnin: “Pse të kanë dënuar ty Kujtimo, ti je rob zoti”. Dhe daja merrte shume gëzim nga dashuria e këtyre njerëzve që kanë qenë miqtë e vërtetë të tij.

-Në vitin 2014 u përurua një relief me fytyrën e Kujtimit, punuar nga Mumtaz Dhrami, vendosur në afërsi të urës së Mbrostarit, buzë rrugës për Fier. Me këtë rast, një banor i zonës, dikur punëtor me të si hekurkthyes, që kishte hapur një lokal, shtroi një drekë të madhe për të gjithë të pranishmit, duke quajtur Kujtimin mikun e tij të madh.

-Prej 1978 deri 1983, Kujtimi u kthye në Tiranë, por ishte pa punë. Ku rrinte? Gjyshja jetonte? E kujton atë kohë? Si mund të lihej pa punë një artist sikur ai?
Luljeta Minarolli:  Ajo ishte koha kur ai ishte pranë nesh më shumë se kurrë. Jetonte me gjyshen në shtepinë në rrugën “Hoxha Tahsin”. Kujtimi pati shumë miq e shokë që nuk iu ndanë për asnjë çast. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Ferdinand Radi. Aq e madhe ishte dashuria sa edhe vajzës të parë, Ferdinandi ia vuri emrin Andeta, sikur e ka emrin edhe vajza e Kujtimit dhe Vllasovës, që unë e kam si motrën time.

Kujtimi gjente qetësi në familjen e tij. Vinte tek ne me dy pasta në dorë, aq kishte mundësi, dhe kur ngrihej për të ikur thoshte se po i çonte tek Nandi. Një gjest mirënjohjeje e një njeriu që jetonte vetëm me pensionin e së ëmës. Sado përpiqej familja ime t’i jepte diçka, por nuk mund të mbahej gjatë. Ai kishte dhe shumë miq që përpiqeshin ta ndihmonin, por ishte shumë krenar, nuk pranonte. Një herë ishim tek një pastiçeri tek Pazari i Ri. Kujtimi kishte marrë diçka për të pirë. Një dashamirës, i thotë banakieres: “Mos i merr lekë Kujtimit, e ka nga unë”, daja u kthye dhe i tha se “Kujtim Spahivogli, nuk i shtrin dorën askuj”. Edhe kur vinte tek ne në kohën e drekës, mami shtonte edhe një pjatë, kurrë nuk pranonte që mund të mos kishte ngrënë:  “Kam ngrënë, por po e marr që mos ta prish qejfin”.

Dy vitet e fundit i kaloi i metodist ne shtëpinë e kulturës në fshatin e Bërzhitës në rrethin e Tiranës. 15 vjet tortura, largimi nga teatri dhe instituti i arteve, dënimi si punëtor në fshatrat e Fierit, shkatërrimi i familjes deri sa dha frymën e fundit në moshën 55 -vjeçare duke mos pasur asnjë faj. E kujton atë ditë korriku te vitit 1987?

Luljeta Minarolli: Mami im në tetor të vitit 1985 u operua dhe e diagnostikua me kancer. Atë ditë, ndërkohë që prisnim të dilte mami nga salla e operacionit, Kujtimi nuk po dukej. U shqetësuam. Pas operacionit unë vajta në shtëpi, duhej të përgatitesha të rrija natën me mamin. Ndërkohë bije zilja e telefonit dhe një zë më thotë: “Familja e Kujtim Spahivoglit? Flasim nga spitali, Kujtimit i ka rënë infarkt.” U nis në spital dhe daja tjetër.

Ditën që ndërroi jetë Kujtimi, unë isha me nxënësit tek liqeni në kamp veror, organizoheshin në atë kohë. Atje vijnë një grup aktorësh dhe më thonë se duhet të vish, Kujtimi është shumë keq. Nuk di si më kishin gjetur, por mbaj mend vetëm Xhemil Taganin. Kur erdhëm tek ish- kinema “Partizani”, ata më thanë se duhej të shkoja të vishesha në shtëpi. E kuptova që nuk jetonte më. Një vit e gjysmë më parë kisha humbur mamin, në moshën 52- vjeçare.

Kur shkuam tek shtëpia e dajës, në fund të Tiranës së Re, sapo ishte larguar mjeku që kishte konstatuar vdekjen. Kujtimi dergjej në tokë dhe në dorë mbante ilaçet e zemrës.

E kishte gjetur ashtu Ani, vajza 15- vjeçare. Ai nuk iku, e vrau regjimi. Ishte shumë krenar për të shprehur dhimbjen, por zemra nuk ia duroi. Dhe ishte vetem 55- vjeç.