Dukuri të kryengritjes së Malësisë së Madhe-1911

1240
Sigal

Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të viteve 1910-1912, përmbajnë vlera të artit ushtarak orgjinal shqiptar.

Dukuri të kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Fillimi i kryengritjes

Kryengritja filloi në fillimin e pranverës të vitit 1911 kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli dhe Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat. Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdornin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë. Në të njëjtën kohë xhonturqit hapën fjalë në të katër anët, se malësorët kryengritës ishin veglat e krajlit të Malit të Zi, domethënë të një shteti të krishterë. Për të nxitur konfliktin ndërmjet shqiptarëve, autoritetet osmane u shpërndanë myslimanëve të qytetit dhe të rajoneve përreth 4.000 armë. Por popullsia myslimane e priti me shpërfillje këtë propagandë. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë luftuan kundër malësorëve. Edhe këta nuk i shqetësonte përkatësia fetare e Malit të Zi, por synimet e tij tashmë të njohura ndaj trevave shqiptare dhe vetë qytetit të Shkodrës. Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3.000 luftëtarë. Më 28 mars kryengritësit morën qytezën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quajtur Shipshanik, që ndodhej në krye të saj. Më 30 mars 400 malësorë sulmuan Koplikun, por u tërhoqën për mungesë armësh e municionesh.

Ndërsa në fund të marsit u zhvillua në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë. Kjo kryengritje u zhvillua vetëm në zonën e Malësisë së Madhe, në kuadrin e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912. Kryengritja përfshiu dy momente të rëndësishme të veprimeve luftarake. Në momentin e parë nisi faza e nismës, e sulmeve dhe momenti i luftimeve mbrojtëse. Momenti i nismës nuk vazhdoi gjatë, nuk i kapërcyen kufijtë e zonës ku shpërthyen kryengritjet dhe brenda disa mujave, kryengritësit u gjendën përballë forcave të shumta turke të ardhura nga Rumelia, Anadolli e pjesë të tjera të Perandorisë Osmane. Me gjithë qëndresën dhe këmbënguljen shumë të madhe që treguan kryengritësit, në fund u thyen.

Kryengritja pati karakter më masiv

Kryengritja e Malësisë së Madhe shpërtheu në fund të marsit dhe vazhdoi deri në korrik 1911. Në të morën pjesë të gjitha forcat e mundshme luftarake të Malësisë së Madhe, rreth 4.000 luftëtarë. Momenti i nismës ishte 24 marsi e që vazhdoi deri më 10 prill. Gjatë kësaj periudhe kryengritësit në fillim në çeta dhe më vonë të bashkuar në dy grupe, të Hotit e Grudës dhe të Kastratit e Shkrelit mësymë përkatësisht në drejtimet Hot-Tuz dhe Kastrat-Koplik. Duke sulmuar befasisht, me veprime të shpejta, kryengritësit brenda tre-katër ditëve të para çliruan krejt Malësinë e Madhe, duke përfshirë Tuzin, Fushën e Krajës, Fushën e Koplikut dhe Vermoshin. Gjatë gjithë muajt prill, si rezultat i ardhjes të forcave të shumta turke, afërsisht 30.000 veta, kryengritësit kaluan në mbrojtje. Në muajt prill-maj deri nga mesi i qershorit u zhvilluan një varg luftimesh të përgjakshme kundra katër divizioneve turke që zhvilluan mësymjen bashkëqendrore. Kryengritësit luftuan me një vendosmëri dhe energji të rrallë, e thuajse i gozhduan në vend forcat turke, duke i zbrapsur shumë herë e në shumë drejtime, sulmet e tyre me gjithë epërsinë e madhe që ata kishin 7-8 herë, më shumë se e kryengritësve. Nga mesi i muajit korrik luftimet morën karakter pozicional, ndërsa më tej erdhën duke rënë derisa në fillim të gushtit në bazë të një marrëveshje dypalëshe u bë armëpushimi.

Strategjia e kryengritjes

Detyrat strategjike kjo kryengritje i zgjidhi dhe i plotësoi duke u mbështetur në forcat e popullit shqiptar dhe në përputhje me mundësitë e rrethanat konkrete të zonës. Metoda bazë ishte kryengritje masive, shpërthim të luftës dhe veprimeve luftarake në të gjithë krahinën. Plani strategjik i kryengritjes përshkohej nga ideja e çlirimit dhe mbështetej në zhvillimin e veprimeve masive luftarake, në vijimësi, duke shfrytëzuar luftën për një kohë të gjatë, të zhvillohej mësymja që të arrihej dëmtimi i rëndë i taborëve ushtarak turke dhe pastaj të detyroheshin ato të kapitullonin dhe të largoheshin nga zona dhe prej Shqipërisë. Njësia bazë e formacioneve ishin çetat patriotike, të cilat me thirrjen për t’u hedhur në kryengritje u bashkuan dhe krijuan grupe të mëdha me efektiv nga 2.000-3.000 luftëtarë, Grupimet, kryengritësve ishin formacione luftarake vullnetare të përkohshme dhe nuk kishin strukturë ushtarake të rregullt. Gjatë veprimeve luftarake ruajtën kompaktësinë, realizuan mirë bashkëveprimin me njeri-tjetrin etj. Problemin e armatosjes dhe të furnizimit me ushqim të kryengritësve, udhëheqësit kryengritës e mbështetën kryesisht në popull. U bënë dhe disa përpjekje për blerjen dhe marrjen e armëve, por ato qenë fare të parëndësishme kundrejt nevojave që kishin kryengritësit. Tipar dalluese i kryengritjes ishte lufta për kapjen dhe zotërimin e nyjeve dhe pozitave më të forta, nga mbrojtja e të cilave varej mbarëvajtje e saj.

Një nga çështjet e strategjisë së kryengritjeve ishte edhe sigurimi i udhëheqjes dhe drejtuesve ushtarak të kryengritjeve. Gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe për udhëheqjen e luftës u formuan një grup ose këshill drejtues prej krerëve të krahinave përkatëse në krye të të cilave u vunë patriotët dhe luftëtarët e shquar Ded Gjon Luli, Gjek Marash Gjeloshi, Zenel Shabani, Prend Marashi, Dedë Nikaj, Mehmet Shpendi, etj. Drejtimi i çetave e grupeve luftarake realizohej nga krerët malësorë dhe prijsat popullorë me cilësi të larta morale, me autoritet e përvojë luftarake të pasuar dhe nga aftësi ushtarake.

Taktika e luftimeve

Taktika, si nga forma dhe përmbajtja ishte orgjinale e mbështetur kryesisht në tabanin kombëtar dhe në përvojën luftarake shekullore. Taktika e kësaj kryengritje arriti zhvillimin më të madh në krahasim me të gjitha format e përdorura më parë në luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Në kompleksitetin e veprimtarisë luftarake në këtë kryengritje u shfaqën forma të larmishme luftimi mësymës dhe mbrojtës. Luftimi mësymës u zhvillua thujase gjatë gjithë periudhës së kryengritjes. Tipari i përgjithshëm i mësymjes ishte se ato fillonin nga rajone fshatare e zona malore dhe drejtoheshin mbi forcat turke në qytete dhe zona të ulta. Si rregull, pas dhënies së sinjalit ose lajmërimit disa çeta dhe grupe niseshin për luftë. Në rrugë e sipër ato bashkoheshin, ndanin e përcaktonin detyrat, i afroheshin objektivit dhe pastaj në kordinim me njera-tjetrën hidheshin në sulm. Pas kësaj në ndihmë të tyre shkonin edhe vullnetarë të tjerë të rrethinës së qytetit ose çeta e grupe krahinash të afërta. Si rrjedhojë e shpejtësisë, befasisë, shtimit gradual të forcave dhe sulmeve të shpeshta ato në shumë raste i detyruan forcat turke të tërhiqen.

Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të mëdha 1910-1912, për nga fuqia dhe mjeshtëria shënoi shkallën më të lartë të organizimit dhe të zhvillimit të veprimeve luftarake në krahasim me etapa e mëparshme. Këto kryengritje përmbajnë vlera të artit ushtarak orgjinal shqiptar, dukuri dhe karakteristika që herë pas here ja vlen që t’u shkohet në thellësi të elementeve cilësorë të tyre.