Drita Çomo: Nako Spiru i kërkoi 5 ditë Enverit, por ai s’pranoi

571
Sigal

Nako kërkoi 5 ditë kohë nga Enver Hoxha për të përgatitur mbrojtjen, por ai nuk pranoi

Duke u rritur në një ambient politik, për moshën e re ajo është mjaft e zgjuar për të kuptuar mizoritë e rregjimit komunist. Jeta e saj .”Po vij tek ti. Vajza jote e vogël. Kam 18-vjet që vi. Rrugë pa fund, qytete, njerëz. Dhe diku përtej tyre- ti. Përtej të gjithave.” -Është  një skenë rrënqethëse që edhe guri  çahet nga shiu, ndërsa vajza e vogël rritet mes brengës për babain dhe kupton se kështu e ka ngritur që në fillim sistemin diktatorial Enver Hoxha.

Në një copë letër Drita shkruan:

Titulli “Ata që luftuan”. “ Kërkoj 5 ditë kohë,- tha anëtari i byrosë politike (Nako Spiro).- Këto janë akuza kaq të rënda, kërkoj 5 ditë kohë që të përgatitem për t’u mbrojtur. …që…t’i hedh poshtë.” Zëri i tij nervoz dhe i lodhur, befas u bë prapë i fortë dhe tingëllonjës. “Si është e mundur të mos i jepen komunistit 5 ditë kohë për të mbrojtur veten, për të hequr baltën nga vetja?”

Po ja që ishte e mundur. Nuk i dhanë asnjë ditë. Atëhere ishte fillimi. Kishte vetëm tre vjet që kishte mbaruar lufta dhe në bardhësinë e ëndrrave të tyre akoma nuk kishin hyrë shumë gjëra…

Kjo ishte tragjedia e parë dhe më e dhimbshmja nga të gjitha, ndoshta nga  që ishte e para ose ndoshta nga njeriu që u sakrifikua ishte ndër një më të ndershmit, më të zotët dhe më të denjët për të jetuar ndër tërë ata që e sakrifikuan.

Mbledhja mbaroi vonë. Në makinë ai deshi të shikojë orën dhe vuri re se ajo kishte mbetur 8 pa dy minuta. Mbetja e orës duhej të kish ndodhur atëhere kur ai kishte përplasur grushtin në tavolinë dhe kish bërtitur “ Si është e mundur…” Tridhjetë vjet më vonë,  futur në portofolin e tij të vjetër, prej lëkure, ajo orë do të tregonte gjithnjë 8 pa dy minuta.

Iu përftua ndiesia se koha kishte ndalur. Jo, koha ecte, po për atë…

Në librin  “Titistët” të  Enver Hoxhës në faqen 347-354  lexojmë:  “ Aty nga mesi i nëntorit ne e thirrëm Nakon ( ishim unë, Koçi Xoxe, Pandi Kristo) dhe e vumë në dijeni për akuzat e Zllatiçit në lidhje me “antijugosllavizmin” dhe  për  “ rolin e tij në ekonomi”. ..Afër mesditës trokiti dera dhe hyri Nako Spiro. Ishte i tronditur, i rënë e i këputur në çdo pikëpamje.  -Desha t’ju lutem edhe njëherë,-më tha,-kuptoni situatën time të rëndë. Influenconi të më jepen 5 ditë kohë.- Dëgjo Nako,-i thashë,-ne bashkë kemi kaluar kohë dhe momente nga më të vështirat… –Prandaj erdha, më jepni kohë të përgatitem! Atë ,- i thashë,-nuk e vendos unë, e vendosi Byroja. Dëgjo Nako, pse të duhen 5 ditë? Ne jemi mes shokësh, gjërat t’i themi ashtu siç janë! -Më duhet kohë që t’i përgatit, t’i rikujtoj e t’i rreshtoj të gjitha. Atë ,-i thashë nuk varet nga unë dhe ti ishe vetë në mbledhje. Veç jo gjithçka do të mbarojë sonte. Do të përpiqem tha dhe iku. Por, tamam,  kur mendoja…hapet dera dhe me vrull hyn brenda Koçi Xoxe:- “Të kam thënë,-thirri ai,- ai është armik i poshtër. Ia hoqi vetes dhe mbaroi si qentë. Tani vërtetoi se ka qenë armik e shkuar armikut! –“Kush?-pyeta ,- Si  është  puna? – Nako Spiro vrau veten.  Mbaroi ashtu si e meritonte!

U likuidua tragjikisht më 20 nëntor 1947, vetëm nga intrigat. Më vonë armiq dolën edhe K. Xoxe, P.Kristo etj. Nako Spiro, u rehabilitua, kur u prishëm me Jugosllavinë 1948, si rrjedhojë edhe Liri Belishova. Intrigat dhe shtrembërimi i veprimtarisë së komunistëve i përgatiste dhe i rrotullonte, sipas interesave të tij. Që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, Enveri, për të eliminuar kundërshtarët e vijës politike të tij, improvizonte skena makabre si në rastin e pushkatimit të Ramize Gjebresë , me pretendimin e një imoraliteti të pështirë improvizuar nga gjyqet partizane. Në një kohë kur masa ndaj Zaho Kokës ishte ulja në detyrë nga Komisar në zëvendës komisar brigade, Ramizeja  propagandonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën  (e ëma ishte kosovare) dhe binte ndesh me politikën projugosllave të Enverit dhe e zhduku fizikisht duke i dhënë dënimin  kapital, me pushkatim.

Kjo rrugë makabre për eliminimin  e  elitës intelektuale shqiptare u çimentua gjatë viteve. Gjatë sundimit të tij 45-vjeçar shpikte çdo vit armiq, karvani i viktimave ende ka mbetur i pastudiuar. Po ikën koha nuk mjaftojnë Muzetë bunker, Shtëpia me gjethe, por edhe viktimat, që janë të panumërt.

Përgatiti: Asije Hoxha

 

Biografia e Nako Spiru

U lind më 4 janar 1918 në qytetin e Durrësit, i biri i Perikliut dhe Kasianit të Ilia Papës. Mësimet e para i mori në shkollën plotore mashkullore në vendlindje në vitet 1926 – 1929, ndoqi mësimet e mesme në Institutin italian “Vëllezërit e Shën Gjon Pagëzorit” në Korfuz nga 1929 deri më 1937. Atje ra në kontakt me idetë dhe materialet komuniste dhe mblodhi ndihma për Partinë Komuniste Greke.

Në vendlindje ishte pjesë e një celule të Grupit Komunist të Korçës. Më 1937 nis studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Torinos. Në janar 1941 duke qenë përkohësisht në Kavajë, arrestohet për shpërndarje traktesh, duke ndenjtur dy muaj i burgosur. Pas 22 majit 1941 u largua nga Italia nëpërmjet Francës.

Kthehet në vendlindje dhe radhitet në ilegalitet me Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare. Më 23 nëntor 1941 u emërua sekretar organizativ dhe pas 5 majit 1942 president i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste. Në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste zuri vendin e Qemal Stafës.

Mori pjesë në Mbledhjen e Pezës si delegat i rinisë komuniste. Nga fundi i vitit 1942 u dënua me 3 vjet internim në Itali, por duke qenë i liruar me kusht doli në ilegalitet. Mori pjesë në mbledhjen e Labinotit në marsin e 1943. Më 1943 qe përfaqësues i rinisë universitare në mbledhjen e dytë të KANÇ-it në Labinot, ku u zgjodh anëtar i kryesisë i saj.

Në periudhën janar-prill 1944 ndodhej në Tiranë. Më 1944 – 47 qe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Më 1944 u emërua anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe delegat në Kongresin e Përmetit. Më 1944 – 1946 anëtar i Kryesisë së KANÇ-it. Më 1944 – 1945 qe anëtar i komisionit të posaçëm për krimet e luftës. Më 1944 – 1946 qe president i BRASH-it. Më 1945 qe sekretar i Sekretariatit të Frontit dhe më 1945 – 1947 anëtar i komitetit ekzekutiv të tij. Më 1946 u zgjodh deputet dhe sekretar i Presidumit të Kuvendit Popullor dhe iu dha portofoli i Ministrisë së Ekonomisë. Më 1947 ministër i Industrisë, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe kryetar i Këshillit Ekonomik.

Më 1946 me ofiqin e ministrit të Ekonomisë firmosi Konventën Ekonomike me Jugosllavinë me mëdyshje, dhe më pas e kundërshtoi planin e bashkimit ekonomik me Jugosllavinë.

Për qëndrimin e tij, më 18 nëntor, Byroja Politike e PKSH-së organizoi mbledhjen që kërkonte paraqitjen në bisedime për zgjatjet e Spirus në aktualizimin e pikave të Konventës. Spiru nuk u paraqit në mbledhje ngaqë “vrau veten ose vdiq” në zyrën e tij në Tiranë më 20 nëntor 1947, si shkak i ndërhyrjes së jugosllavëve.

Pas vdekjes

Nga data 24 dhjetor 1947 deri më 23 janar 1948 u shqyrtuan pozitat e Spirus si antijugosllav për qëndrimin e tij dhe përshëndetjen ndaj një referati të Mehmet Shehut, që u cilësua si “njeri i Spirus”. Referati implikoi edhe të shoqen e Spirus, Liri Belishovën, dhe Fadil Paçramin, që së bashku me Spirun e kishin konsideruar referatin e Shehut si «punë të mirë».

Nderime

Presidenti Alfred Moisiu i akordoi Nako Spirus dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Organizator, frymëzues dhe drejtuesi kryesor i Rinisë Antifashiste. Një ndër udhëheqësit më të shquar të LANÇ në Shqipëri. Luftëtar i vendosur për ruajtjen e pavarësisë së vendit pas luftës dhe në futjen e Shqipërisë në rrugën e progresit. Si intelektual i shquar, publicist i talentuar, që gjithë dijen e tij e vuri në shërbim të një të ardhmeje më të mirë.”.