Dragua Shehu: 50 vjet nga vdekja e inxhinierit Kinez, Pen Kui Ven

745
Sigal

Në Prongji pas 25 Vitesh

Pas 25 vjetësh, rasti e solli të shkoja edhe një herë, në fshatin Prongji në Komunën ku babai im, Reshat Shehu punoj 2 vjet kryetar i saj, së bashku me familjen e tij, nënën tonë Fitnetin dhe 6 fëmijët e tyre.

Një muaj mbasi kishte vdekur babai në Tiranë, në gusht të vitit 1969u nisa me shërbim nga ndërmarrja Gjeofizike e Tiranës, për në Fushë-Bardhë, së bashku me specialist kinezë e shqiptar për të kontrolluar Fosforitet e këtij rajoni, mbi përmbajtjen Radioaktive (për uran dhe element të tjerë) Ishte një ekspeditë tepër sekrete në atë kohë, me specialist të zgjedhur politikisht po dhe të aftë si specialist. Sa mora djathtas, në Urën e Kardhiqit, u drejtuam xhadesë për në këtë krahinë, si pa kuptuar më kapën emocionet e rastit. Kujtoja adoleshencën, emocionet ishin të natyrshme. Beja krahasimin, ato që mbaja mend dhe ç’po shikoja tani. Rruga dhe objektet që shikoja më dukeshin, si tjetër gjë dhe fshati dhe objektet të zvogëluara. Kjo dhe për faktin që kujtimet e së kaluarës lidheshin me Babanë që nuk jetonte më. I freskët mu kujtua arrestimi i tij në vitin 1942 nga karabinierët italianë kur babanë e çuan të arrestuar në Gjirokastër se në shtëpinë tonë strehoheshin ilegalë si Bedri Spahiu, Tahir Kadareja, Haki Toska, Shefqet Peçi etj. Këtu në Prongji filloi dhe aktivizimi i Reshatit me LANÇI-in.

Në Fushë-Bardhë u ndamë në grupe, unë zgjodha për të punuar në e malin e Prongjisë, shoku im Llambi Langora që e kishim kryetar ekipi e dinte historinë e familjes sonë në Prongji. Aty në Fushë-Bardhë kishim qendrën e Ekspeditës ku dhe flinim, do të punonim rreth 15 ditë sa të mbaronim së kontrolluara gjithë fosforitet. Kryeinxhinier ishte po shoku im Anastas Dodona. (Të dy shokët që përmenda, mbajnëtitullin profesor dhe, me këtë rast, ju uroj shëndet e mirësi në familje) Në ekipin e Prongjisë sipas specializimit do të punoja me specialistin kinez, Pen Kui Ven, si gjithmonë dhe me mikun tim të vjetër Uan Shi Bao, përkthyes nga rusishtja, i ardhur që në vitin 1961, me grupin e parë të kinezëve për radiometrin,së bashku ma aparaturat përkatëse dhe disa makina të vogla për transport. Uani kish studiuar për mjek në ish-BS, po për nevoja pune kish përfunduar përkthyes. Me Uanin qëndrova 14 vjet, bashkë. Ndaj meje nuk kish asnjë ndrojtje ose nuk mbante asnjë sekret , ndonëse isha sekretar i Byrosë Partisë në Ndërmarrjen Gjeofizike. Uan Shi Bao e njohu Këtu në Shqipëri Penin, i cili erdhi në Tiranë me grupin e tretë të specialistëve kinezë, në fund të korrikut 1969, me që ishte më i ri në moshë, 29 vjeç e trup vogël i thërriste shqip “çuni”kurse unë i thirrja: “Tunxe” shok. Në mëngjes u futëm në fshat, zbritëm në qendër ku kish qenë Komuna, tani ishte Lokaliteti. Kryetari na priti me përzemërsi, na ftoi për kafe me qenë se isha me dy të huaj. U prezantuam dhe i thash Kryetarit sa duhet të dinte…Pashë, aty afër, shtëpinë e Emin Zogut ku banonte Babai dhe ne fëmijët. Gjatë ditëve të qëndrimit kërkuam dhe një punëtor shoqërues. Punëtori që na shoqëronte, ishte 3-4 vjet më i madh nga unë, mbante mend mire Reshatin, Mamanë dhe ne si emra. Çdo ditë linim “xinfunë” me shoferin në krye të fshatit, te Baxhua e Kooperativës dhe ne ngjiteshim në majë të malit, në pyllin e dendur nga mali i Delvinës, pylli fillonte me gështenja, lart bredha dhe pisha shumë të larta, që shtresa fosfatike favorizonte shumë pyllëzimin. Një ditë ishte koha e vrenjtur, Uan Shi Baon e lamë në” shtëpi“ në makinë i thosha: Lexo citatet…Po “Drago”, ato do lexoj…! Ai lexonte dhe Çehovin, Tolstoin etj. Uani nuk ecte dot mirë, sidomos në rrugë të thepisura dhe malore. Atij i thosha:”-Teknika dhe Miqësia shqiptaro- kineze s’kanë nevojë për përkthyes, kur radiometri do të takonte anomali ne do e kuptonim me Penin. Uani jo vetëm që ishte dystaban, por dhe nga sytë nuk shikonte mire, syzet i kishte me numër të lartë. Pas dy ore shkuam në vendin e caktuar, pamë busullën dhe hartën dhe filluam matjet me Radiometër dhe bëmë regjistrimet, ndërkohë filluan ca pika shiu, çdo gjë u errësua dhe menjëherë gjëmime të fuqishme, në moment u kujtova të ç’kyçja aparatin (Radiometrin) dhe të tre, u futëm rrëzë trungut të një ahut të madh. Në këtë kohë mendja më shkoi te rrufetë, e kuptoi dhe Peni dhe punëtori. Pema me atë lartësi ishte “Rrufepritëse”. Ne u larguam në moment, pastaj u futëm në një shkurre, pa kaluar 5 minuta, në ahun ku qëndronim ne, shkarkoi një rrufe e fuqishme, pema mori flakë dhe nga afshi dhe presioni u shtrimë për tokë pa ndjenja ! Pas pak hapa sytë, zjarri po më verbonte, ne nuk dinim ku ishim? Penin e tunda nga këmba, pastaj u përmend, punëtori tha: “-Shpëtuam “ Shkreptimat vazhdonin… Penit i kërkova busullën, të orientoheshim… E kishte lënë te trungu që u dogj?! Harta dhe çdo gjë ishte lagur, radiometri doli jashtë përdorimit. Ndodheshim në mes pyllit dhe nuk shikonim asgjë, edhe punëtori nuk na nxori nga situata, por ‘mos kini frikë se shpëtuam’- thoshte.Uan Shi Bao dhe Kryetari i Lokalitetit dhe i Kooperativës dhanë alarmin në fshat dhe në Gjirokastër me telefon. Në darkë vonë shiu po pushonte, po na merrte dhe uria. Peni në çantë kishte pak djathë të njomë, që ia dhanë në baxho, po që ishte mbushur me ujë, megjithatë atij s’i shkonte mëndja për të, e kishte humbur fare toruan!

Pas pak dëgjuam ca britma çobenësh, ca krisma armësh dhe qentë që lehnin nga shumë larg. Njerëzit e mire të Prongjisë, Kryetari i Lokalitetit dhe i kooperativës Uan Shi Bao dhe shumë të tjerë na pritën me mallëngjim. Mbasi erdhëm prapë në Prongji të pasnesërmen, kur mbaruam krejt detyrat do linim Fushë-Bardhën dhe do niseshim për Tiranë.

Dy kinezë të tjerë, Uani dhe unë u nisem dy- tri orë me përpara nga Llambi, do t’i tregoja Kalanë e Ali Pashes dhe shtëpinë tonë që për kohën ishte më e mira. Sa u futëm në Tepelenë Uani filloi nga shakatë dhe u thoshte :

 “-Kjo është kala që ka ndërtuar babai i Dragos…!” Ata me gishta po!… S’po u delte llogaria…! Në Tepelenë pushuam pak, pastaj u nisëm për në Ballsh ku do të hanim bashkërisht drekë. Me Llambin dhe kinezët e tjerë, shofer i “BÇ”ishte “Cen Djali” siç i thoshim ne Hysenit, një djalë shumë i mirë dhe i edukuar. Kur ne po prisnim në restorant një shofer “Skode”, na tha se makina BÇ ishte aksidentuar në dishezën e fshatit Fratar, për shkak se në mes të rrugës, dikush kishte derdhur vaj makine, “BÇ” kishte rrëshqitur, bëri dy tri salto, na thanë se ka të plagosur rëndë.

Ne u kthyem me njëherë mbrapsht për te vendi, pa bërë 5 km rrugë pamë përpara një kamion “IFA” që po ecte me shpejtësi, dhe shokët tanë kinezë që po qëndronin në karroceri. Llambi na e bëri me dorë të kthehemi. “ IFA” u drejtua nga spitali i Ballshit. Peni i shtrirë në duar të Kostaq Shahinit, një topograf i vjetër kurajoz e mbante Penin me trup të gjakosur dhe një këmbë të varur që i tundej si lavjerrës.

Në Spital vëmendja u drejtua te Peni që ishte në agoni,të tjerët kishin mjekime të vogla. Mbas tre ore erdhi me urgjencë Ambasadori i Kinës Gen Biao,që më vonë u bë Ministër i Mbrojtjes në Kinë, i shoqëruar nga zv. Ministri ynë. Pas pak, mjekët thane se Pen Kui Veni ndërroi jetë. Kishte humbur shumë gjak.

Të nesërmen ai u varros me ceremoni në varrezat publike të Sharrës në Tiranë, afërsisht 50 vjet më parë, ngjitur me bashkatdhetarin Çen Pao Y, që u vra në montimin e antenës në Dajt. Peni është varrosur në parcelën e parë, te porta në krahun e majtë rreshti i dytë. Nga ana tjetër kam Prindërit dhe pak më lartë edhe bashkëshorten, sa herë do shkoj… Së paku do kthej kokën andej nga Peni …që s’ka njeri ose do të vendos ndonjë karafil.

Kaq ishte jeta e Penit, 20 ditë qëndroi në Tiranë, gjithë kolektivi i Ndërmarrjes Gjeofizike u dëshpërua për inxhinierin 29 vjeçar.

Në vitin 1973, shkuam dy veta në Kinë për specializim, me porosi nga Ministria jonë do të shkonim ne shenjë respekti e nderimi te familja e Tij. Ambasada jonë në Pekin tha se familja e tij ndodhet shumë larg rreth 800 km. Dhe se ne në rrugë protokollare i kemi bërë të gjitha nderet që na takojnë.

Në gusht të këtij viti, Pen Kui Ven mbush 50 vjet nga vdekja. Unë si i vetmi që po e kujtoj në Shqipëri do t’i shkoj me një tufë lule.

Ambasada duhet të ketë dijeni për sa unë kam shkruar. S’ka shumë ditë që shkova te zyra e pastrimit të varrezave ku i tregova ngjarjen.

Kinezët, me sa i njoh unë ishin dhe janë njerëz shumë të mirë, të ndershëm, punëtorë, të edukuar, specialistë të nivelit të lartë dhe të dashur shumë me shqiptaret.

Pa u futur në politikë, mua s’më ka ardhur hiç mirë kur u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve.