Dr.Nude Bardhi: Bluzat e bardha të ishullit të Sazanit. Ja emrat ndër vite

1284
Sigal

Emrat e Mjekëve dhe infermierëve që kontribuan në sistemin shëndetësor. Krijimi i Spitalit dhe Komandës së Forcave të Mbrojtjes të Ishullit

Dr. Ndue Bardhi, Doktor i Shkencave Mjekësorë*

Ishulli i Sazanit është i vetmi ishull i vendit tonë. Për vetë pozicionin gjeografik të favorshëm në hyrje të gjirit të bukur të Vlorës është konsideruar si një zonë e rëndësishme strategjike dhe ushtarake në politikat e mbrojtjes të vendit tonë për shumë vite me radhë, sidomos gjatë viteve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që prej viteve ’50 deri në Mars të vitit të mbrapsht 1997 kohë, kur ndodhi shkatërrimi total i të gjithë strukturave ushtarake dhe civile të këtij rajoni

. Aktualisht e gjithë zona territoriale tokësore dhe ujore e ishullit ka mbetur vetëm një zonë turistike e cila po ndiqet me interes të veçantë, për shkak të bukurive të rralla natyrore, si edhe të kaluarës historike të të gjitha kohërave të shkuara, kryesisht, të një periudhe të njohur 50-vjeçare të viteve të fundit, 1950-1997 vite gjatë të cilëve ishulli u popullua nga një numër i konsiderueshëm banorësh ushtarake dhe civile, të ardhur jo vetëm nga rrethi i Vlorës por dhe nga krahina të ndryshme të vendit tonë, në funksion të detyrave ushtarake dhe ekonomike të kohës që ato kryenin.

Në konceptin e zonës ushtarake të veçantë, gjatë viteve që përmendëm më sipër, gjejmë se në këtë vend, kanë qenë të dislokuara reparte ushtarake të llojeve të armëve, të specialistëve dhe të shërbimeve të ndryshme, në vartësi të strategjive, të politikave dhe aleancave ushtarake të kohës. Ndërsa, në konceptin demografik, juridik dhe atë civil, Sazani, ka qenë për shumë vite me rrallë, sidomos, gjatë viteve 1950-1997, një zonë apo territor i banuar nga një popullatë ushtarake ( oficerë , nënoficerë, ushtarë) dhe një popullatë civile, kryesisht nga familjet e kuadrot ushtarake por edhe të civilëve të tjerë, të institucioneve civile , të administratës, të arsimit, tregtisë, ekonomisë ndihmëse etj. Në vitet 1950 -1975 dhe pas vitit 1983, forcat e ndryshme ushtarake të dislokuara në hapësirën territoriale tokësore të ishullit, kanë qenë kryesisht forca këmbësorie, të organizuara në kuadrin e një njësie ushtarake, deri në rangun e brigadës ushtarake.

Repartet e tjera të llojeve dhe të specialiteteve të ndryshme, të armëve e shërbimeve, pavarësisht si kanë qenë të vendosura në tërësinë territoriale dhe ujore të ishullit, ato nuk kanë pasur vartësi ushtarake direkt nga Komanda e Ishullit, në lidhje me detyrat e tyre luftarake, por nga komandat e tyre madhore, të vendosura në territorin e rretheve të Vlorës, Fierit, si dhe në Tiranë, sipas rrethanave dhe organizimeve të kohës, të cilat ndryshonin shpesh herë, për arsye të ndryshme ushtarake, politike dhe juridike.

Në këtë mënyrë, të gjitha llojet e reparteve të vendosura në ishull, pavarësisht nga detyra që kryenin apo të vartësive që kishin, duke qenë banorë real të tërësisë territoriale, tokësore dhe ujore të ishullit, bashkëjetonin dhe bashkëvepronin në jetën e përditshme, duke krijuar në vetvete një organizim unik ushtarak të përcaktuar si “Garnizon Ushtarak”. Pa hyrë në detaje të termave ushtarake, i përmendëm faktet e mësipërme, me të vetmin qëllim, që të kuptohet sa më mirë se, organizimi dhe sigurimi i shërbimit shëndetësor i realizuar në jetë nga mjekët ushtarakë apo civilë, që kanë ushtruar profesionin e tyre në këtë zonë, ka ndryshuar disa herë në periudha të ndryshme kohore, në vartësi të ndryshimeve dhe zhvillimeve politike – ushtarake të kohës, gjatë viteve 1950-1997.

Në kushte dhe rrethana të ndryshme të organizimeve të ndodhura në vite, të cilat i përmendëm shkurtimisht më lart, në ishullin e Sazanit kanë punuar dhe shërbyer një numër i konsiderueshëm i kuadrove të shëndetësisë shqiptare, si mjekë, farmacistë, ndihmës mjekë, infermierë, ushtarakë dhe civilë, të cilët kanë punuar me devotshmëri të lartë, me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e tyre profesionale, duke sakrifikuar një periudhë kohore të konsiderueshme të jetës së tyre në një moshë relativisht të re, në mbrojtje të shëndetit të banorëve të ishullit , ushtarake dhe civil, për shumë vite me radhë, sipas rastit. Shumë vite më parë, sidomos gjatë viteve 1950-1960 forcat ushtarake kryesisht ato të këmbësorisë kanë qenë në numër relativisht të vogël deri në rangun e një kompanie, po ashtu edhe popullata civile përfaqësonte një numër të vogël të familjeve dhe të administratës civile, një numër variabël, me tendencë për t’u rritur gjatë disa viteve më vonë, sidomos në periudhën kohore të viteve 1975-1983.

Mjekët që kanë punuar në ishullin e Sazanit

Në bazë të dokumenteve të ndryshme, por dhe të kujtimeve të banorëve ushtarakë dhe civilë, që kanë punuar dhe jetuar në një ishull, gjejmë emrat e shumë personave që kanë punuar në ishull si mjekë, farmacistë, ndihmës mjekë, infermierë, ushtarakë dhe civilë, të cilët po i përmendim më poshtë në respekt dhe nderim të punës së tyre, në këtë rajon të vështirë në vite.

Gjatë viteve 1953-1955, në ishull kanë punuar dr. Hasan Shehu dhe dr. Beqir Agalliu; në vitet 1956-1958, ka punuar dr. Veli Toto; në vitet 1959-1960, dr. Bajram Dauti; në vitet 1961-1965 ka punuar dr Kristaq Rroko dhe dr. Demir Keço; në vitet 1965-1968 Dr Nasi Xhuveli; në vitet 1969-1975 , dr. Koço Korini, ndërsa në vitet 1975-1983, dr. Ndue Bardhi. Deri në fundin e vitit 1975, pavarësisht nga strukturat ushtarake të dislokuara dhe numrit të banorëve të ishullit, sigurimi shëndetësor ka qenë i bazuar në një organike të dyfishtë ushtarake-civile në shkallë infermierie.

Meqenëse ishulli në vetvete përfaqësonte një zonë të banuar elektorale, të veçantë, me identitetin dhe të fshatit Sazan, atëherë, shërbimi shëndetësorë i popullatës civile mbulohej me anë të shërbimit ambulator të siguruar nga pushteti lokal i Vlorës, me anë të një organike të thjeshtë me disa mami dhe infermierë. Këto, nuk kishin asnjë lloj vartësie administrative dhe ligjore me strukturën shëndetësore ushtarake të ishullit, por që me siguri bashkëpunonin me mjekët ushtarakë të zonës, të cilët drejtonin njësinë mjekësore ushtarake të ishullit, të organizuar deri në shkallën e infermierisë, për disa vite me radhë, deri në fundin e vitit 1975, kur me ndryshimet e mëdha të strukturave ushtarake të ishullit, shërbimi shëndetësor civil ambulator dhe ai ushtarak në shkallë infermierie u unifikuan në një shërbim të vetëm dhe u krijua ”Spitali i Ishullit të Sazanit”, i cili funksionoi me një organike shëndetësore modeste me mjekë, farmacistë dhe infermierë, deri ne vitin 1997.

Spitali i Ishullit të Sazanit

Konkretisht, në fund të vitit 1975 dhe në fillimet e vitit 1976 me riorganizimin e forcave ushtarake të ishullit, u krijua një strukturë e re ushtarake, me të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve, në rangun e një Grupimi të madh ushtarak dhe autonom, në vartësi direkt të Ministrisë së Mbrojtjes. Me ndryshimin dhe riorganizimin e ndodhur në strukturën ushtarake dhe krijimin e Komandës së Forcave të Mbrojtjes të Ishullit, për pasojë ndodhën ndryshime dhe përmirësime në strukturën e personelit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, u krijua organika e re me personel shëndetësor, në shkallën e një spitali të vogël ushtarak, në vartësi direkt të Komandës të Ishullit dhe të Drejtorisë së Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në këtë mënyrë, u krijuan kushtet që shërbimi shëndetësor t’i realizonte detyrat e tij bazuar në strukturën e re organike të Spitalit të Ishullit të Sazan, me një kapacitet shtrimi 20 shtretër dhe në raste të veçanta epidemie edhe më shumë, si dhe me një personel shëndetësor të lartë dhe të mesëm të kualifikuar, me 12-15 veta, emra të cilëve do t’i përmendim më poshtë. Personeli shëndetësor i ishullit të Sazanit mori përsipër detyrën e rëndësishme të sigurimit shëndetësorë real të të gjithë efektivave ushtarake dhe të popullatës civile të cilët u shtuan në numër në mënyrë të konsiderueshme, në krahasim me atë të disa viteve më parë.

Mjeku i emëruar gjatë kësaj kohe në ishull krahas detyrës së mjekut të përgjithshëm, kryente në të njëjtën kohë edhe detyrën e Shefit të Shëndetësisë dhe të Spitalit, funksione të cilat e ngarkonin me përgjegjësi të mëdha profesionale dhe organizative për ruajtjen e shëndetit të popullsisë civile dhe ushtarake të ishullit. Gjatë vitit 1981 në ishull u caktua për të punuar si mjekë, dr. Antoneta Gashi, e cila e ushtroi profesionin e saj si mjeke patologe e përgjithshme, në ambulancë dhe maternitetin e spitalit, por edhe në rolin e mjekes pediatre në shërbim të shëndetit të nënave dhe fëmijëve të ishullit për disa vite me radhë deri në vitin 1985, kur ajo u largua nga ishulli duke u transferuar për të punuar në shërbimin ambulator pediatrie të qytetit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë deri në ditët tona.

Në të njëjtën kohë, sidomos gjatë viteve 1976-1983, por edhe për disa vite më vonë, kanë punuar një numër i konsiderueshëm i personelit të mesëm shëndetësor, civil dhe ushtarak, si ndihmës mjekë, infermierë etj. Kujtojmë se në spitalin e ishullit kanë punuar infermieret, Pranvera Bylyku, Luljeta Shirka dhe Drita Muça; laborantja e laboratorit klinik, Liljana Lagji; ndihmës mjeku dentist (oficer), Shkëlqim Duzha, dhe më vonë ndihmës mjeku dentist (civil), Ndue Tusha; farmacistet, Shqiponja Hoxha dhe Miranda Harizi, si dhe shumë infermierë të tjerë që si ushtarë kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak të kohës, të cilëve u kërkoj ndjesë për mungesën e emrave të tyre, për arsye se, tashmë kanë kaluar shumë kohë dhe nuk mund të mbahen mend detaje të emërtimeve të organikës së spitalit. Materniteti ishte pjesë përbërëse e reparteve të spitalit, i vendosur në katin e 2-të të godinës kryesore të tij, në të cilin kishte afërsisht 40 lindje në vit, kryesisht nga gratë shtatzënë me një parashikim normal të aktivitetit të lindjes.

Të gjithë kujtojnë me respekt punën e palodhshme të mamive Hëna Brahasani, Vangjeli Osmani dhe gjatë viteve të fundit të Tefta Agos, të cilat krahas asistencës së tyre mjekësore ndaj grave gjatë shtatzënisë dhe në lindjen e fëmijëve, kryenin dhe detyrën e rëndësishme të vaksinimit të popullatës civile dhe ushtarake, kryesisht të fëmijëve në çerdhen, kopshtin dhe shkollën e ishullit të Sazanit.

Është e rëndësishme të përmendim se, të gjitha repartet ushtarake të ishullit, sidomos, gjatë periudhës kohore 1975-1983, nuk kishin në organikat e tyre asnjë lloj personeli shëndetësor me arsim të lartë ose të mesëm, me përjashtim të anijes polumbare të marinës detare, në të cilën ka punuar për shumë vite me radhë një ndihmës mjek ushtarak, ndihmës mjeku i anijes polumbare, Dionis Nikollari, i cili krahas detyrës së tij funksionale kryesore të sigurimit shëndetësor të polumbarëve gjatë zhytjeve në thellësi, kryente me një profesionalizëm të admirueshëm edhe detyrat e tjera të profilaksisë dhe sigurimit shëndetësorë real të efektivëve ushtarakë të regjimentit të anijeve, të vendosur në portin ushtarak të Sazanit, si dhe të popullatës civile të vendosur në afërsi të bazës ushtarake detare të quajtur, “lagjja e marinës”.

Në fillim të vitit 1983 ndodhën përsëri ndryshime strukturore të rëndësishme forcave ushtarake të Sazanit dhe të gjirit të Vlorës. Repartet ushtarake të Sazanit, kryesisht, batalionet artmitralierë etj, u organizuan duke mbetur në rangun e një brigade ushtarake, por që kaloi në vartësi të Divizionit Ushtarak të Vlorës. Repartet e regjimentit detar të Sazanit u shkëputën nga komanda e Sazanit, duke krijuar njësinë ushtarake madhore detare të re, të quajtur “Baza Ushtarake Detare” (BUD-i) e Vlorës, komanda e së cilës u vendos në territorin e qytetit, në Vlorë. Pavarësisht ndryshimeve të ndodhura në strukturat ushtarake, të cilat u reflektuan kryesisht në rivendosjen e komandave të tyre madhore, disa nga të cilat u dislokuan në territorin e qytetit të Vlorës, vlen të theksohet se numri total i banorëve civil dhe ushtarakë të zonës së ishullit vazhduan që të mbeten në një numër të konsiderueshëm, relativisht të madh, pothuajse të njëjtë si më parë, para ndryshimit të ndodhur në vitin 1983.

Në këto kushte sigurimi real shëndetësor i ishullit u vazhdua të realizohej edhe për shumë vite me radhë kryesisht, nga personeli mjekësor dhe shëndetësor i spitalit të ishullit të Sazanit. Në fillim të vitit 1983 në detyrën e shefit të shëndetësisë të brigadës ushtarake të ishullit të Sazanit që kaloi në vartësi direkt të Komandës së Divizionit Ushtarak të Vlorës, u emërua mjeku ushtarak, dr. Metlli Deraj, ndërsa në funksionin e shefes së spitalit të ishullit të Sazanit u emërua mjekja civile dr. Zhuljeta Deraj. Të dy mjekët të cilët ishin njëkohësisht dhe bashkëshortë krahas detyrave drejtuese dhe organizative në shërbimin shëndetësor të ishullit, kanë kryer dhe detyrat e mjekut të përgjithshëm, të mjekut patolog si dhe mjekut pediatër, sipas rastit, deri në vitin 1990, kur u larguan nga ishulli dhe u tansferuan në Vlorë.

Aktualisht dr. Metlli Deraj mjek kardiolog dhe Dr. Zhuljeta Deraj mjeke pediatre neonate, vazhdojnë të punojnë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Në vitin 1990-1997 në ishullin e Sazanit kanë qenë të emëruara dy mjeke civile, dr. Flora Lera dhe Vasilika Doka, të cilat kanë punuar në ishullin e Sazanit dhe janë marrë me organizimin dhe sigurimin e shërbimit shëndetësorë në spitalin e ishullit, në ruajtje të shëndetit të forcave të ushtrisë, si dhe të popullatës civile që kishin mbetur në këtë rajon gjatë këtyre viteve.

Për shumë vite me radhë, në sigurimin e shërbimit shëndetësor të ishullit, kanë dhënë një ndihmesë të madhe mjekët kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak të Tiranës, të cilët me urdhër të instancave të larta të ushtrisë, sipas një grafiku të përcaktuar më parë, vinin në ishull, secili me nga një muaj ne vit, me qëllimin e vetëm, për zgjidhjen e problemeve të rënda dhe të mprehta të urgjencave kirurgjikale, që mund të ndodhnin në efektivat e ushtrisë dhe të popullatës civile të rajonit dhe të ishullit. Shumë kohë kanë kaluar dhe do të kalojnë, kohe të reja dhe moderne do të vijnë në të ardhmen, por besoj se brezat e ardhshëm të vendit tim, me siguri do të kujtojnë herë pas here emrat e “bluzave të bardha”, të këtyre mjekëve dhe infermierëve, ushtarakë dhe civile, nga zona e Vlorës dhe të gjitha krahinat e vendit tonë, që shërbyen për vite me radhë në ishullin e Sazanit, në këtë tokë të bekuar, me bukuri dhe pasuri të rralla natyrore dhe njerëzore.

*Ish-Shefi i Shëndetësisë të Ishullit të Sazanit, gjatë viteve 1975-1983