Dr. Niko Ferra: Ja si Konsulli anglez, Iden që takoi Sheh Karbunarën para Kongresit të Lushnjes, dhe prapaskena e vizitës

18
Sigal

Më 21 janar 1920, diplomati anglez Morton Frederik Iden ishte me forcat që siguruan Kongresin e Lushnjës

Në nëntor të vitit 1919, në Teqenë e Karbunarës, mbërriti një vizitor krejt i veçantë. Veshur allafrënga, i krehur bukur, me një gjuhë të pakuptueshme për vendasit, ai gjithsesi nuk donte të tërhiqte vëmendjen. I ardhur nga Evropa, ishte konsulli anglez Morton Frederik Iden dhe shoqërohej nga shqiptari Mahmud Bidri, njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Në Teqe ai u takua me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe Nënprefektin e Lushnjës Veli Vasjari. Vizitori u komunikoi qëllimin e atij udhëtimi të çuditshëm. Ai kishte mësuar se në qarqet e patriotëve shqiptar qe hedhur ideja e mbajtjes së një mbledhjeje të gjerë. Fakti që shoqërohej nga njeriu i Aqif Pashës, fliste vetë. Konsulli nuk e përmendi Karbunarën, as Lushnjën si vendi i kuvendit të ardhshëm, pasi flitej për Krujën, Tiranën, Elbasanin etj… Nga Myzeqarët ai donte fjalën e pranimit, kudo e kurdo që të bëhej, pra mbështetje dhe, natyrisht, kontribut. Ai dinte shumë, kur përmendi se independenca e Shqipërisë ishte në rrezik.

TAKIMI

Bashkëbiseduesit e vlerësuan vizitorin dhe problemin, ndaj pas 5 ditësh, po aty, u bë një takim shumë i gjerë, ku ishte edhe Ideni. Mbledhja zgjodhi një komitet, formuloi një thirrje për patriotët në të gjithë Shqipërinë dhe caktoi njerëzit që do të shpërndanin postën, gjithsej 9 vetë. Pas këtij vendimi, Ideni kaloi në Peqin, Tiranë, Mat e Shkodër, me rojet personale Taullah Sinani, që ishte njeri i ditur dhe i pushkës, Muç Bani e Idriz Çela. Kur ishte duke udhëtuar për në Shkodër bashkë me Preng Pashën, në Fushë-Krujë konsulli u plagos, por ai e fshehu këtë fakt. Me anë të letrave Komiteti vuri në dijeni patriotët për domosdoshmërinë e mbajtjes së Kongresit. Përgjigjet nuk vonuan dhe ato ishin pozitive. Atëherë Komiteti u rimblodh, duhej caktuar vendi i mbajtjes së kuvendit. Mendimin që ai të mblidhej në Lushnjë e dha Vasil Tromara nga Korça dhe ashtu u vendos. Në emër të vendasve, Shehu e quajti nder që Kongresi të mbahej këtu, por ai kërkoi 10 ditë kohë për ca përgatitje sa më të plota. Mbledhja përfundimtare e Komitetit Organizator u bë nën mbrojtjen e xhandarmërisë së Lushnjës, pasi komandanti i saj, kapiten Meleq Frashëri ishte me ta. Ndërkohë Komiteti organizoj forcat të shumta mbrojtëse vullnetare nga Karbunara, Kolonja, Darsia, Divjaka, Libofsha etj.  Kryetari i shtabit për mbrojtjen e Kongresit u zgjodh Llazar Bozo, që ishte edhe delegat. Delegatët e parë erdhën më 18 janar 1920. Ata priteshin nga grupi përkatës dhe strehoheshin në shtëpitë e caktuara të cilat merrnin furnizimin me ushqime enkas. Mjaft prej tyre qëndruan në shtëpinë e Teki Libohovës, e cila u dogj nga nazistët në 18 tetor 1944.

KONGRESI I LUSHNJËS

Siç e dimë tashmë, Kongresi Kombëtar i Lushnjës i çeli punimet më 21 janar 1920. Sipas të dhënave gjatë tërë atyre ditëve, konsulli anglez Iden ka qëndruar në Lushnjë. Ai takohej çdo ditë me oficerët italianë, kurse netëve  qëndronte në Teqenë e Karbunarës, bisedonte me delegatët, të cilët i njohu të gjithë personalisht. Për mbrojtjen e tij përgjigjeshin 3 vetë të caktuar nga shtabi: Muç Bani, Ram Dervishi dhe Sil Keqi. Sipas dëshmive, një natë ai ishte ftuar në shtëpi nga Zija Mullaj, figurë e njohur e kohës. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) tu thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për tu shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate gjeti në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Ai shkoi tek koloneli italian dhe i tha “se tërë kodrat përreth qytetit ishin plot luftëtarë, prandaj i thuaj gjeneral Piaçentinit të tërheqë forcat nga Kolonja se do të turpërohet”. Pas aktit të Shpalljes së Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës qe fati i Shqipërisë së lirë dhe Shtetit Shqiptar… Vetvetiu rritet edhe interesimi ynë për konsullin Iden, këtë vizitor disi misterioz të Teqesë së Karbunarës.

* (Mbështetur në dorëshkrimin e Ahmet Shehut, i cili në atë kohë ishte prezent i kësaj ngjarje. Sot ky dorëshkrim ruhet në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës).