Dr. Bujar Leskaj: Vlora dhe dosjet e zeza të Sigurimit të Shtetit

367
Sigal

Konkluzionet që arrin Sigurimi i Shtetit: Aktiviteti i Sadik Premtes është i një  agjenti dhe provokatori në shërbim të ruso-sllavëve

Rreth dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten, përgatitur nga Enver Memishaj

 

Në këtë libër, studiuesi Enver Memishaj, boton  dosjen e Sigurimit të Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, për Sadik Premten, ish- nënkryetar i GK të “Të Rinjve” dhe njeri nga themeluesit e Partisë Komuniste.

(Arkivi MPB, Sigurimi i Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, Fashikulli Sadik Premtja nr. Regjistrit 2960/21)

Libri është vazhdim i veprës së këtij autori “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, botuar  në vitin 2016, me dokumente, dëshmi e studime, ku është botuar edhe përmbledhja e dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten. Por botimi i plotë i kësaj dosje hedh dritë të plotë mbi aktivitetin antikombëtar të Sigurimit të Shtetit.

“Sadik Premtja, siç na thotë autori i këtij libri, ishte  produkt i ëndrrës së vegjëlisë shqiptare për një jetë më të mirë, pa bejlerë e agallarë, por edhe e një populli që lufton për liri e demokraci. Ai ka patur një jetë pritash, pusish e atentatesh të gatuara mafiozisht nga sivëllezërit e tij të idealit”.

Partia Komuniste Shqiptare në emër të fillimit nga e para të historisë, legjitimoi edhe përdorimin e dhunës si mjeti më efikas për të arritur sa më shpejt qëllimin dhe që, në vend sa t’i zgjidhnin problemet së bashku me njerëzit, i përdorën ata thjesht si objekte që duhet t’i nënshtroheshin politikës së partisë.

Historia e diktaturës komuniste në Shqipëri që fillon më 8 nëntor 1941, është dramatikisht e mbushur me gabime e krimet e mëndjeve të sunduara nga ideologjia staliniste, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj atyre që i pengonin në rrugën e tyre.

Libri që paraqet para lexuesve z. Enver Memishaj ka si synim të hedhë më shumë dritë mbi përndjekjen e dhunshme që iu bë Sadik Premtes, njerit prej kundërshtarëve të Enver Hoxhës, e njësoj si ky gjithë kundërshtarëve të asaj partie terroriste.

Po për çfarë ndiqeshin dhe eliminoheshin edhe anëtarët e Partisë Komuniste? Gogo Nushi, udhëheqësi i lartë i kësaj partie na thotë se: Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i zhduknim”

(Libri “Politikë Antikombëtare e Enver Hoxhës” Plenumi II i KQPKSH,Berat 23 -27 nëntor 1944, Tiranë 1996, f. 86)

Kështu shumë komunistë, ndër ta Anastas Lula, Sadik Premte etj., u vunë në grykën e pushkës së shokëve të tyre. Mynyr Xhindin, thotë Hysni Kapo, në plenumin e Beratit, e vramë për hiç gjë!!!

Sadik Premtja u shpëtoi atentateve të shokëve të tij dhe u arratis në Francë, por edhe atje ish shokët e tij do ta ndiqnin këmba- këmbës dhe do t’i bënin atentat, por që për fatin e tij të mirë shpëtoi, ashtu si edhe në Shqipëri, dhe vdiq në prill të vitit 1991.

Sadik Premte në radhë të parë ishte një “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha”.

(Dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë prof. dr. Sali Berisha nr.

1494 datë 22. 5. 1996, që dekoron Sadik Premten “Martir i Demokracisë”.)

Për këtë arsye, prof. Sonila Boçi thotë me të drejtë: Më shumë se një histori personale, studimi i figurës së Sadik Premtes, Anastas Lulës dhe të gjithë anëtarëve të Grupit Komunist të “Të Rinjve”, që u përjashtuan nga radhët e PKSH-së, do të na jepte një përgjigje për një sërë pyetje mbi mënyrën se si u ndërtua kjo parti që në lindjen e saj. Zbatimi i parimit stalinist se partia forcohet duke u spastruar, ishte një nga motot që iu imponua PKSH-së nga të dërguarit jugosllav, Miladin Popoviç

dhe Dushan Mugosha…

Historiografia shqiptare i ka një “borxh” Sadik Premtes, pasi ende nuk i ka kushtuar vëmendjen e

duhur figurës së tij… Ende ka nevojë për vështrim më të thellë në jetën e njeriut që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e PKSH/PPSH, në emër të idealizmit dhe një të majte më evropiane”.

(Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi, gazeta Tema Tiranë dt. 5.3.2017, f. 5)

Dosja e Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten që botohet e në këtë libër është një dokument historik, është pjesë e historisë sonë, për një periudhë të errët historike nën të cilën vuajti populli ynë. Prandaj libri që na paraqet z. Memishaj, është një dritare më shumë në drejtim të njohjes së këtij personazhi të historisë sonë. Libra të këtij lloji vijnë si detyrim dhe mision që rezoluta e Këshillit të Evropës dhe e Kuvendit të Shqipërisë për “Domosdoshmërinë e dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare, komuniste“, vë përpara intelektualëve, studiuesve dhehistorianëve.

(Rezolutë nr. 1481, viti 2006 e Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës; “gjykimi moral dhe dënimi i krimeve të kryera, luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj”.

Rezolutë, më 30 tetor 2006 Kuvëndit i Republikës së Shqipërisë. “Kuvëndi i Shqipërisë fton akademikët, historianët dhe ekspertët e pa varur, që t’ i intensifikojnë kërkimet e tyre për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të historisë së Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste”.)

Është detyrë e shtetit demokratik të botojë libra  të këtij lloji me dokumente historike, por edhe e çdo studiuesi siç po bën z. Memishaj, nëpërmjet të cilave populli të njohë e të mësojë se, sistemi komunist që ngriti Enver Hoxha, ishte diktaturë dhe terror mbi popullin shqiptar.

Dosja e Sigurimit është gjithashtu,  libri i njohjes, i njohjes nga të rinjtë, nga ata që vijnë pas nesh, por edhe nga të gjithë shqiptarët që provuan dhe jetuan atë kohë, e megjithatë nuk e njihnin si duhet armën më të dashur të partisë së Enver Hoxhës, dhe që për popullin ishte arma mizore që ushtroi dhunë dhe terror, pra ky është libri i njohjes të atij sistemi diktatorial.

Kush studion diktaturën komuniste në Shqipëri, duhet të njohë historinë e armës terroriste, mafioze

të emërtuar Sigurimi i Shtetit. Kush do të mësojë se si banda terroriste e Enver Hoxhës ndiqte, persekutonte, censuronte, ndërpriste e kontrollonte korespodencën e mohonte të drejtat elementare njerëzore, duhet të njihet me dosje të tilla të Sigurimit të Shtetit. Jo vetëm studiuesit dhe historianët, por çdo njeri, nuk mund të gjykojë e vlerësojë atë sistem çnjerëzor, pa njohur dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Kështu, kjo dosje është pjesë e historisë kriminale të Sigurimit të Shtetit, dhe na vjen në ndihmë për popullin, e veçanërisht për të rinjtë, të mësojnë se si ka punuar Sigurimi i Shtetit. Ka ardhur koha që të botohen të gjitha historitë e degëve të Sigurimit të Shtetit për çdo rreth, që vetë oficerët e Sigurimit i hartuan ato në vitet ’70, nën siglën “Tepër Sekret”, që gjenden në arkivin e Ministrisë së

Punëve të Brendshme, pasi vetë ata, hartuesit e këtyre historikëve, konfirmojnë krimet e kryera. Po ashtu, duhen botuar dosjet e zbulimit, si dhe të kundërzbulimit. Nëpërmjet këtyre botimeve do të kuptohet në thellësi diktatura komuniste, do të kuptohet hipokrizia e regjimit të ngritur në sistem, që ndryshe propagandonte dhe ndryshe vepronte nën rrogoz, me sistemin policor politik.

Të rinjtë duhet të mësojnë për atë botë absurde që vuajtën shqiptarët. Pra ky libër ofron një dritare të

qartë dhe të dobishme mbi vështirësitë që u detyruan të përballen shqiptarët gjatë sundimit komunist 1944 – 1990. Dosja që përmblidhet në këtë libër do t’u shërbejë edhe studiuesve për të studiuar metodat e punës së Sigurimit, personalitetet, karakteret, botën njerëzore, idetë, bindjet e njeriut që nuk ndryshojnë edhe kur jetojnë në një botë demokratike si Franca, veçanërisht mësojmë mendimet dhe idetë, kontraditat e mendimeve të emigrantëve politikë shqiptarë.

Kështu, Nexhat Peshkëpia, një prej udhëheqësve të Ballit Kombëtar e përshkruan gjendjen e popullit shqiptar në vitet ’53 me këto fjalë: “Populli Shqiptar – tha ai – sot është duke ngordhur për bukë dhe për liri, për hir të një lufte tmerrësisht vëlla-vrasëse, të imponuar nga të huajt dhe që populli i ynë nuk ia ka ndjerë aspak nevojën. Pastaj vazhdoi ay, çfarë konkuista shoqërore janë bërë në Shqipëri. Sot shteti detyron katundarin të dorëzojë drithin dhe ullirin në depot e shtetit duke e numëruar kokërr për kokërr, dhe kush nuk e dorëzon ndëshkohet me dënimet më të rënda. Populli

s’ka parë kurrë një skllavëri të tillë. Ai don të shpëtojë nga kjo gjendje pa u interesuar as pak se cili mund të jetë çliruesi i tijë”. (Informacion i vitit 1953.)

E kundërta ndodh me Sadik Premtaj. Është interesant se ky njeri vdiq komunist dhe në asnjë rrethanë, ai nuk mundi të shihte dhe të kuptonte realitetin, si gjatë luftës, ashtu edhe pas çlirimit të Shqipërisë. Ai ëndërronte për përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri dhe ëndërroi deri në fund të jetës, që në Shqipëri të vendosej përsëri diktatura komuniste, por tashmë jo sipas Enver Hoxhës, por sisps Sadik Premtes!!!

Sadiku thotë se, unë jam komunist i vërtetë, dhe se ata në Shqipëri, janë terroristë dhe kanë devijuar

nga komunizmi. Enver Hoxha dhe shokët e tij kanë tradhëtuar komunizmin, sepse sipas tij, “Demokracia është një kuptim relativ. Duhet që klasa punëtore të jetë e lidhur me sindikatat e saj pa asnjë frymë politike, kështu sindikata vetë të interesohet për mbrojtjen e interesave të punëtorisë dhe të ketë në dorë grevat dhe luftën sociale, pa nji thump politik, asnjë drejtim partie, kundra kapitalizmit. Kështu ishte përpara luftës në Francë, dhe kështu duhet të jetë sot. Tito ka bërë çdo gjë për të themeluar socializmin në Jugosllavi. Ideologjia e tij është një socializëm independent dhe jo të jetë i shtypur. Ka liruar shumë të burgosur prej burgu, sepse kështu e kishte parashikuar prej kohe, nuk u rrejt ose u shit me oksidentin, por bani tregëti të lirë dhe do të përmirësojë

gjendjen e popullit”.(Marrë nga raporti i Francës datë 19. 3. 1952)

Kështu pra, Sadik Premtja, si ideolog mbetet një utopist. Pasi përvoja 100 -vjeçare në Rusi dhe afro 50 -vjeçare në Evropën Lindore, tregoi se komunizmi nuk mund të ekzistojë pa luftën e klasave, pa burgjet politike dhe kampet e internimeve. Po ashtu edhe shpresat e Sadik Premtes për një

lëvizje nga brenda, për të përmbysur bandën mafioze të Enver Hoxhës me anë të Bedri Spahiut, Dali Ndreut, Kristo Themelkos etj., ish- anëtarë të GK “Të Rinjëve”, mbeten utopi, pasi diktaturat nuk mund të përmbysen me format që shpresonte Premtja.

Konkluzionet që arrin Sigurimi i Shtetit se “aktiviteti i Sadik Premtes prej agjenti dhe provokatori të ndyrë, kryesisht në shërbim të zbulimit jugosllav, atij Sovjetik dhe shërbimeve të tjera. Ka të dhëna nga emigrantët e Lindjes, se ai është edhe agjent i shërbimeve të policisë së Atlantikut. Nga detyrat që kryen në këtë kuadër, janë pjesëmarrja e tij në grupet trockiste, dhënia e informatave mbi vendin tonë, dhe njerëzit që njef dhe puna që bën, në radhët e emigracionit reaksionar dhe atij

Kosovar”, në pamjen e parë këto cilësime janë qesharake, por edhe me interes se tregojnë fare qartë nivelin e mjeruar intelektual të oficerëve të Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, me teoritë qesharake të poliagjentëve.

Emigracioni, përndjekja, vuajtja e të afërmve në Shqipëri, natyrisht që e lodhën Sadik Premten dhe në disa raste, është i detyruar të deklarojë se: “Ta kisha ditur, do t’i kisha pranuar të gjitha urdhërat e Partisë dhe sot me pozitë influente që do të kisha, do t’i vleja më shumë gjendjes së sotme dhe kauzës sime. Fatkeqësisht kam qenë i ri dhe më ka munguar eksperienca”.

Socialisti Vasil Gërmenji pasi përshkruan varfërinë dhe terrorin në Shqipëri, thotë qëllimin e jetës së tij: Dhe gjëja më me rëndësi është të evitojmë rikthimin e bejlerëve. (Letër e Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Kundër mendimeve të Sadik Premtes dhe Vasil  Gërmenjit, shprehet Ali Toto: “Unë jam besniku privat i Nuredin Vlorës këtu në Paris, i cili më ka thënë që, të mos merrem me partitë politike, por të kem durim e të pres; vetëm të jem kurdoherë anti komunist dhe t’i luftoj me të gjitha mjetet

e mija, të gjithë ata komunista, të cilët nën çfarëdo maske që të jenë fshehur, janë agjentë të Legatës. Kjo asht detyra ime kombtare”. (Informacion i vitit 1954)

Nga ana tjetër, grupi zogist i përbërë nga Nuçi Kota, Isuf Begeja, Sefedin Çollaku, përpiqet për bashkimin nëpërmjet komitetit “Lëvizjen Patriotike Shqiptare”, me kryetar Nuçi Kota, por gjen kundërshtar nga gjithë grupet e tjera.

Po ashtu, nga kjo dosje mësojmë edhe për jetën dhe vuajtjet e emigrantëve politikë shqiptarë nëpër botë. Vasil Gërmenji shkruan: Këtu veç punës me kazmë, për të huajt s’ka tjetër.(Letër Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Nga dosja e Sigurimit të Shtetit paraqitur në këtë libër, del e qartë se, Sadik Premtja po ashtu edhe

emigranët e tjerë politikë të njohur, dhe që zhvillonin  aktivitet propogandistik kundër regjimit në Shqipëri, ndiqeshin në çdo hap që hidhnin nëpër Evropë, ose Amerikë.

Të dhënat dhe informacionet Sigurimi i Shtetit i merrte nga bashkëpunëtorët e tij, të rekrutuar dhe të

paguar me paratë e shqiptarëve. Pra, ndërsa populli vuante, Sigurimi për mbajtjen e pushtetit me dhunë, paguante pa kursim, bile paguante edhe për të vrarë emigrantët shqiptarë, atje ku i kishte hedhur fati zi, siç përshkruhet në këtë libër atentati dështuar kundër Sadik Premtes.

Libri që ka përgatitur z. Memishaj është me vlerë si dokument historik, por edhe pse për këtë temë e për këto dokumente në të ardhmen, do të bjerë interesi e do të shkruhet pak, ose aspak.

Vlorë më, 15 prill 2021