Dorshkrimet e Fadil Gjolekës; Si punonim ditë e natë për ndërtimin e Kombinatit të Autotraktorëve, letrat anonime dhe shkatërrimi Fq.17-18

251
Sigal

 

  • -Si punonim ditë e natë për ndërtimin e Kombinatit të Autotraktorëve
  • -Kombinati i Autotraktorëve ishte më moderni për kohën në Ballkan.
  • -Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Spiro Koleka rrinin ditë e natë dhe ndiqnin punimet.
  • -Letrat anonime në atë kohë të merrnin në qafë.
  • – Kur ndërtonim hidrocentralin e Vaut të Dejës Mehmet Shehu i quajti heronj shoferët.
  • -Në hidrocentralin e Vaut të Dejës kishte 5 mijë punëtorë.
  • -Si më mori në qafë Fletë -Rrufe-falënderimi i në tërmetin e Peshkopisë 1967.

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

Histori e rrallë. Gjithmonë spiunët dhe lufta e klasave në komunizëm ishin problem në shumë familje. Fadil Gjoleka dhe vëllai i tij dhe pse kishin mbaruar shkollën e lartë për ekonomi, punuan tërë jetën shofera. Letrat anonime si lanë rehat derisa u deformonin biografinë vetëm e vetëm që t’i shihnin të mposhur këta paraadhës të luftëtarëve të mëdhenj të fisit Gjoleka. Fadili punoi në punët nga më të vështirat vetëm për arsye biografie dhe pse në atë sistem e ashtuquajtura biografi e tij ishte më e pastra, më e lavdishmja. Por odiseja e persekutimit të kësaj familje vazhdon dhe sot, pasi ata disponojnë të gjitha tapitë e pasurive, por më kot. Askush si merr në konsideratë ato. Sot Fadili  vazhdon ecejaket në Agjensinë e kthimit të pronave, kur pronat e tij i shijojnë jo pronarët e vërtetë. Ai është me origjinë nga Kuçi i famshëm i Kurveleshit. Nga Kuçi, ku ka dalë stërgjyshi tij Zenel Gjoleka, gjyshi i babait. Babai i tij është vrarë në vitin 1937. Babai kishte ikur shpejt nga Kuçi, dhe duke qenë oficer milicie shkuam në Delvinë, Vlorë, Sarandë, Tiranë, etj. Babai është vrarë në Delvinë, ku asnjëherë se morëm vesh se pse. Pra ai ishte vrarë pa filluar lufta, ndaj dhe ne u larguan nga Delvina dhe erdhëm në Tiranë.

Ardhja në Tiranë

Në fillim të vitit 1940 kur kishte filluar lufta erdhëm në Tiranë. Isha fëmijë rreth 10 vjeç, dhe unë fillova të shisja gjëra të ndryshme ushtarëve italianë, por edhe njerëzve të tjerë. Atëhere në atë kohë po ndërtoheshin nga italianët pallatet e Moskatit tek rrethrrotullimi i përmendores së Ëillsonit. Ky ishte mbiemri i arkitektit italian që kishte projektuar këto pallate në Tiranën e Re. Ishin ndërtimet e para që bëheshin.

Shisja pije alkoolike që m’i jepte nëj i afërm i joni. Pija kryesore ishte konjaku dhe vermuti, por edhe fërneti. U afrova shumë tek ndërtimi i pallateve dhe aty vinin kryesisht ndërtuesit italianë, që pinin alkool. U vendosëm tek pjesa e pallateve të Moskatit që ishin të pandërtuara. Në krah të djtahtë kur ikim poshtë aty morëm një shtëpi me baltë. Më vonë kaluam tek fusha e aviacionit.

Shkollimi

Fill mbas çlirimit unë kam bërë shkollën e mesme. Ndërsa më vonë duke qenë në punë kam mbaruar ekonomikun natën, ose “Part time” si i thonë sot. Fillimisht kam punuar si shofer në Parkun e Mallrave, që quhej atëhere. Në këtë park punova tre vjet, pastaj shkova dhe punova me Kryqin e Kuq që ishte në atë kohë. Pikërisht në këtë kohë, unë vazhdova ekonomikun natën.

Kur mbarova Universitetin fillova punë në Ministrinë e Industrisë, në Drejtorinë Mekanike. Pas ca kohësh, kjo Drejtori u shkri dhe më çuan në Kombinatin e Autotraktorëve. Ky Kombinat sapo hidhte themelet… Në këto themele erdhi Spiro Koleka dhe shumë antarë të Byrosë Politike. Unë kisha disa ditë që isha aty. Në këtë Kombinat kishte ditë- natë punë. Revolucionarizimi i masave punonjëse bënte që njerëzit të punonin me vetmohim. Aty vinin të gjithë antarët e Byrosë Politike. Kërkesa e llogarisë ishte në maksimum. Vetë Mehmet Shehu kishte një lidhje të drejtpërdrejtë. Madje dua të them se në këtë Kombinat unë kam bërë këreksat, që i nevoiteshin Kombinatit për pjesë të ndryshme palës kineze. Punova me shumë ndërgjegje. Kishte shumë specialistë kinezë. Një miku im kinez kishte disa universitete. Mund të them se Kombinati ishte një vepër shumë e përparuar për kohën, madje mund të them se ishte ndër më modernët në Ballkan. Por ja jeta më dilte ters. Edhe aty pas disa vjetësh më hoqën.

Përse të hoqën?

Për arsye biografie. Më thanë se keni biografi të keqe. Ngrita supet. Se dija pse kisha biografi të keqe. Madje më thanë se ke katër pjestarë të fisit, familjes të pushkatuar nga pushteti popullor. Ngrita supet. Se besoja. Ishin ato letrat anonime, që s’të linin rehat. Njerëzit servila, zemërzinj, çfarë nuk bënin po të të shihnin mirë.

Pyesja veten cilët ishin këta katër të pushkatuar?

Kur më thirrën në kuadër, më thanë se ke katër të pushkatuar, babanë, xhaxhanë, dajon dhe një vëlla. Se besoja që flisnin seriozisht. Unë nga fisi të pushkatuar nga partia kam pasur vetëm një kushëri të parë të babait tim. Madje ky ishte Gjoleka i dytë, jo ai i madhi, historimadhi.

Kështu ika nga Kombinati. Kur ika unë drejtor erdhi Pilo Peristeri. E tregonin shumë njeri të mirë, punëtor dhe që nuk dënonte punëtorë.

Pas Kombinatit ngela pa punë.

Fiks ndenja dy vjet pa punë. Se dija pse, kur babanë dihej kur ishte vrarë, xhaxhanë e kisha gjallë, vëllanë gjallë se një kisha. Pra asnjë nga ato trillime nuk qëndronte. Por letrat anonime e bënin të vetën. Linin gjurmë. Sa të merrej vesh e vërteta gënjeshtra kishte bërë kërdinë. As ma zinte njeri me gojë Zenel Gjolekën. Askush. As më pyesnin mua fare, por merrnin për bazë, fjalët, intrigat, thashethemet. Pas dy vjetësh munda të siguroj një vend pune si shofer në Vaun e Dejës. Pra kishte filluar ndërtimi i këtij hidrocentarli të madh. Unë fillova punë aty si shofer.

Cfarë mbaj mend në ndërtimin e këtij hidrocentrali?

Po bëhej një punë kolosale. Punën më të madhe e kishin shoferat. Atëhere kishim marrë dhe ca makina të veçanta, “Lumverdha” quheshin, prodhim kinez. Punohej me tre turrne. Ditë dhe natë. S’kishte kurrë pushim. Ishte një hidrocentral modern. Aty njëherë në javë vinte vetë Mehmet Shehu. Ai kalonte repart më repart, sektor më sektor dhe pyeste dhe për imtësitë. Kur vinte ai dhe makinat dridheshin. Bënte mbledhje me të gjithë. Me shoferët ndalej gjatë. Na quante heronj.

Ky hidrocentral kishte plot 200 shoferë e pabesueshme. Kishte nga të gjitha llojet e makinave. Një makinë të prishej bëhej nami. Puna aty ishte primare. Atëhere u ngrit dhe pretendimi për disa makina private, pas vdekjes së Hrushovit. Mehmeti tha që makina private do të ketë kur punëtori të arrijë të marrë rrogë të mirë që e përballon makinën. Në hidrocentral kishte mbi 5 mijë punëtorë. E sigurtë kjo. Aty s’kishte qetësi. Zhurmë, zhurmë. Si s’u bëmë shurdh nga veshët nuk e di. Muaj të tërë pa fjetur gjumë nga zhurma. Vetëm më vonë u ambijetuam. Kishte katër sektorë të rëndësishëm. Shumë  punë bëheshin me forcë krahu, me barrominë dhe me vare. Ushqimi në krahasim me fshatrat përrreth ishte shumë i mirë. Aty punova tre vjet. Aty kam qenë me vëllanë tim të madh. Të dy shofera. Këtu punova tre vjet. Bëra ca lekë mos të qahem. Pas tre vjetësh vij shofer në Uzinën “Tirana”. Këtu dua të bëj një parantezë. Kur ngela pa punë dy vjet, unë gjeta punë në të zezë: pastroja zhavorr lumi në periferi. Pra ai zhavorr përdorej për ndërtim. Njëkohësisht kisha hapur fjalë që kam patentë shoferi, por ma kanë vjedhur. Pas një viti më thanë që është hapur një vend pune këtu për transport. Mora një skodë të vjetër dhe transportoja zhavorr. Prej këtej shkova në Peshkopi 1967  për rregullimin e pasojave të tërmetit që kishte rënë. Kjo më mori në qafë. Për punë të mirë atje më kishin vënë në qendër të Komitetit Ekzekutiv, një Fletë -Rrufe-falënderimi. Kaq deshën hafijet, spiunët. Filluan prap letrat anonime për katër të pushkatuarit.

Në këtë tërmet punova në fshatin Bllacë. O zot si ishte bërë fshati nuk dukej. U punua me vrull. Natë e ditë. Pasojat u zhdukën shumë shpejt. Aty vinte Adil Carcani. Ai ishte përgjegjës. Në çdo tre ditë ishte aty. Unë punoja nga 18 orë në ditë. Fshatarët më donin shumë. Për tre muaj u bëra hero. Ndaj më vunë Fletë-Rrufe-falënderimi.

Kur mbaroi tërmeti fillova punë si shofer në ndrëmarjen e Gjelbërimit. Këtu u lexua falënderimi im dhe këtu nisën prapë letrat anonime. Shefi i transportit të Gjelbërimit ishte një burrë i mirë. Ai më tha, more Fadil si e ke punën e biografisë. Në dokumenta të shoh që ke katër pjestarë të familjes të pushkatuar. Unë e sqaroj. S’kam ansjë i them. Për fatin tim, ky rrinte në një pallat me një oficer të Punëve të Brendshme që ishte nga Kuçi. Isa e quanin. Ky i thotë të vërtetën e biografisë time. Në këtë kohë Sekretari i Komitetit Ekzekutiv Adem Rada, por s’kishte ç’të bënte, më hoqën si shofer e më çuan punëtor të thjeshtë.

Po s’more asnjëherë iniciativën të vërtetoje si ishte realiteti?

Në këtë kohë nëna ime merr iniciativën dhe i bën një letër Mehmet Shehut. Ishte viti 1970. Nëna i shkruan se djemtë e mi kanë mbaruar shkollën e lartë, por kudo që shkojnë i heqin nga puna për biografi, që u thonë që keni katër të pushkatuar kur nuk është e vërtetë. Pra për biografi, kur babai i tyre, burri im Xhevdet Gjoleka është vrarë në 1937, më 22 qershor. Për këtë kanë shkruar dhe gazetat e asaj kohe. Akuzohen për vëllanë tim të pushkatuar, kur unë kam dy vëllezër, njëri ka vdekur, tjetri Fejzi Kalasa është në kontroll të shtetit. M’i akuzojnë për xhaxha të djemve të pushkatuar, kur babai i tyre ka qenë djalë i vetëm.