Dorëshkrimi i fundit i Prof. Dr. Agron Fico/ Lufta e Vlorës në letërsinë gojore. Austro-Hungaria mbronte tezën se Shkodra duhej t’i mbetej Shqipërisë dhe kushtet e konsullit rus

425
Sigal

Ndërsa  Austro-Hungaria mbronte tezën se Shkodra duhej t’i mbetej Shqipërisë, konsulli rus e pranonte këtë me kusht

LUFTA E VLORËS NË LETËRSINË GOJORE

 

 Prof. Dr. Agron F. Fico, H. C.

Tiranë, 16 maj 2020

 

Termi folklor u përdor për herë të parë në vitin 1846 në revistën e Londrës “Athenaeum”. Folklore vjen nga  folk (fouk) – ‘popull’ dhe lore (lor) – ‘dituri’; pra ‘dituri popullore’. Me zhvillimin dhe përparimin e studimeve të kulturës popullore dhe të vetë lëvizjes folklorike, në vende të ndryshme dhe nga studiues të ndryshëm u përdorën emërtime të tjera krahas termit folklor. Në vitet ’30 të shekullit XX-të dijetarët e shquar amerikanë të Universitetit të famshëm të Harvardi, Milman Parry dhe Albert B. Lord  hodhën themelet e teorisë moderne të folkloristikës dhe e cilësuan atë me termin “letërsi gojore”. Profesor Albert B. Lordi shkruan: “The term ‘oral’ emphasizes… the singer sings orally, composes  orally,  and transmits orally to others… “Termi “gojore”, thekson se… këngëtari  këndon  gojarisht, kompozon  gojarisht, dhe po gojarisht e përcjell tek të tjerët. (“THE SINGER OF TALES”, New York, 1965, p. 5.). Ky term, njëherazi edhe koncept i ri, u bë fjalë-kyçe në punën madhore të dy shkencëtarëve për regjistrimin, botimin dhe studimin e eposit heroik të sllavëve të jugut.

Është një punë tepër e vlyer e profesor Albert Lordit që, në një ekspeditë kërkimore në shumë fshatra të Shqipërisë së Veriut, në vitin 1937 mblodhi me dhjetëra e dhjetëra këngë të Eposit heroik shqiptar, këngë historike etj.

        FATI I VLORËS NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE

Disa muaj më parë studiuesi i njohur Dr. Fejzi Domni më dërgoi një libër me titullin “Coptimi i Shqipnis”  në të cilin gjenden tre kapituj, secili sa një libër i veçantë. Në këtë libër trajtohen këto çështje madhore: Konferenca e parë e Londrës (dhjetor 1912 – gusht 1913); Konferenca e dytë e Londrës (1915-1916). Në këtë libër gjendet një material i pasur dokumentash e faktesh, në të cilat shihen qartë se si Shqipëria ishte vënë në tryezën e therjes dhe të coptimit. Është tronditëse për lexuesin kur ndeshet me diskutime dhe vendime në kurriz të vendit tonë sikur të ishte në thertoren e bagëtive. Ja një ilustrim: Ndërsa  Austro-Hungaria mbronte tezën  se Shkodra duhej t’i mbetej Shqipërisë, konsulli rus e pranonte këtë me kusht që Gjakova, Prizreni dhe Peja t’i mbeteshin Serbisë etj. Ajo që është interesante dhe tronditëse është “oreksi” i Italisë. Në tre nene që i referoheshin Shqipërisë, neni i gjashtë i saj kërkonte  që “Italia të merrte sovranitetin e plotë për Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një tokë shtrirjeje të mjaftueshme  për sigurinë dhe mbrojtjen e këtyre territoreve.” (Dr. Fejzi Domni: “Coptimi i Shqipnis”, kapitulli i parë, f. 13). Vlora strategjike, Vlora e bukur, mbeti peng i oreksit të Italisë edhe  në Konferencën e dytë të Ambasadorëve (1915-1916); në rezolutën e  Konferencës  thuhej  se “Mandati i Italisë  përmban një territor në kufijtë e 1913-ës.” (Cit. f. 7).

                            LUFTA E VLORËS   

(29 maj – 3 nëntor 1920)

Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Vlonjatët rrëmbyen armët kundër pushimit fashist italian. U organizuan çetat e luftëtarëve vullnetarë, krerët e të cilave u mblodhën në malin e Beunit. Pjesëmarrësit njëzëri vendosën të luftonin pushimin italian gjer në çlirimin e plotë të Vlorës. Nga kuvendi i Beunit iu dërgua një ultimatum Gjeneralit Piaçentini, komandant i forcave pushtuese italiane, i cili u përgjigj me fodullëk banal.

Këtë kuvend luftarak në Beun, populli e skaliti në këngë dhe emrin e la edhe   si toponim historik:

Në Beun çetat u mblodhë,

Dhe për luftën kuvëndojnë,

Breshkaqenët t‘i dëbojnë,

Piacentinin ta dërrmojnë.

O Beun, o mal i lartë,

Nder mbete për vlonjatë.

(Arkivi Instituti i Folklorit, dosja A.F.Fico)

Zemërimi popullor shpëtheu fuqishëm në një luftë plot heroizëm e gjer trup me trup dhe bëma të rralla, siç ishte akti i Selam Musait që hodhi sharkun mbi telat me gjemba dhe mbeti dëshmor i lirisë.

Lufta e Vlorës dëshmoi se populli shqiptar është një racë e pathyeshme, e panënshtruar, përballë armiqve të jashtëm ngado që vijnë, nga deti, nga ajri, nga toka.

Lufta e Vlorës e 1920-ës mori një karakter mbarë kombëtar. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërgoi vullnetarë, dërgoi edhe bandën muzikore të shoqatës “Vatra”, që drejtohej nga muzikanti Thanas Nasi. Në Konferencën e Parë të Paqes në Paris (1919-1920) shqiptarët patën përkrahjen energjike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udrou Uillson (1856-1924) i cili siç na thotë Fan Noli i kishte thënë se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do të përdor për të mirën e Shqipërisë”. Kundërshtimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Udrou Uillson (Woodrow Wilson), i kompromisit të fshehtë anglo-franko-italian (janar 1920) zgjoi ndjenjat kombëtare te shqiptarët. Mesazhi i Uillsonit erdhi në çastin e përshtatshëm për atdhetarët shqiptarë, që organizuan Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës me anë të të cilave u arrit të sigurohej dhe konsolidohej qenia jonë kombëtare. Në Itali italianët organizuan demonstrata kundër pushtimit italian dhe punëtorët në port sabotonin  dërgimin e materialeve ushtarake në frontin e luftës në Vlorë     

            LUFTA E VLORËS NË LETËRSINË GOJORE

   Historia mbetet histori dhe dëshmohet me fakte, dokumenta dhe dëshmimtarë. Por Lufta e Vlorës e 1920-ës dëshmohet edhe nga një  pasuri e pafundme këngësh popullore, të njohura si këngët historike për Luftën e Vlorës. Kënga popullore është sa fakt historik aq edhe fakt poetik. Ky ndryshim ka rëndësi të mbahet parasysh në studimet kushtuar këtij eposi epik historik. Gati mbi gjysmë shekulli më parë kam botuar një studim të gjatë në revistën “Nëntori” me titull “Këngët popullore të Vlorës”. (“Nëntori”, 1960, nr. 8, f. 158-166). Në maj të vitit 1967 mora pjesë në një ekspeditë kërkimore në disa fshatra të Lumit të Vlorës. Ekipi me punonjës shkencorë të Institutit të Folklorit përbëhej nga muzikologu Mexhit Daiu, Agron Fico, tekniku Met Shkëmbi dhe shoferi. Qëllimi ishte pasurimi i arkivit të Institutit, edhe pse nga bashkëpunëtorët e jashtëm kishim mjaft materiale të mbledhura me kujdes. Ajo që njihet me termin “Lumi i Vlorës” është vatra e atdhetarizmit, lirisë dhe trimërisë. Atje gjendet një folklor i pasur i të gjitha gjinive dhe llojeve, por mbizotëron epika. Ngjarjet e viteve 1847-48, kundërshtimi dhe lufta kundër Tanzimatit (reformave centralizuese të Sulltanit) kanë prodhuar mijëra vargje dhe këngë për heronjtë e këtyre betejave, si Gjon Leka, Tafil Buzi etj., por Lufta kundër pushtimit fashist dhe nazist, si në të gjithë Shqipërinë, këtu mori një vend të gjerë dhe krijoi një epike të re popullore. Ekspedita punoi në disa fshatra: Brataj, Tërbaç, Kallarat, Bolenë, Kuç, Ramicë etj. dhe grumbulloi një material të pasur edhe me këngë kushtuar Luftës së Vlorës, që iu shtuan Arkivit të Insitutit të Folklorit. Nga Ramica u ngjitëm në Beunin historik, ku regjistruam në stane melodi baritore. Kjo ishte një sprovë e parë e suksesshme. Ai vend i bukur dhe historik u bë shtabi i një epopeje të madhe – Luftës së Vlorës. Kjo letërsi gojore për Luftën e Vlorës i bën jehonë atij ballafaqimi heroik luftarak midis forcave  shqiptare me ato pushtuese italiane. Trimëria shqiptare, qëndresa përballë një ushtrie të shumtë dhe të armatosur gjer në dhëmbë, u dëgjua edhe në Europë:

Evropa shkruajnë e thonë…

Shqiptarët po luftojnë/ me një mbret 40 milionë./ Po me se luftojnë, vallë?/ Me sëpata, me hanxharë./ Dyfekët lidhur me gjalmë/ fishekët në xhep i mbajnë. (Arkivi Instituti i Folklorit, dosja A.F.Fico). Në pak vargje një komunikatë e saktë ushtarake: raporti numerik i forcave, lloji i armatimit. Kjo shkurtësi është veçori e letërsisë gjojore historike në krahasim me atë epike legjendare. Luftëtarët e lirisë kanë dy karakteristika: zjarrin atdhetar e burrëror dhe synimin e qartë dhe të drejtë: “Qasu shokë të këndojmë/ se sot a nesër do të shkojmë/ e Vlorën do ta çlirojmë.” (Po aty, f. 17). Janë të shumta, janë të bukura, këto këngë, të skalitur me gjuhën e gjakut të luftëtarëve-rapsodë, ose të bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo i bën këto vargje gojore, por edhe melodi, kaq emocionuese; dhe ndjen krenari që je pjesë e kësaj historie. Betejat janë të ashpëra, por dyfeku i trimave e vullnetarëve të Labërisë ishte më i fortë se mitrolozat dhe topat e armikut:

“Obobo se ç’ qenka Kota,

Mmbushur mitroloza e topa,

Lufton Kanani nga Shkoza.

Dhe një trimi, me emrin Kanan Maze, që plagoset rëndë në fytyrë, i thuren vargjet:

Kanan t’u prish bukuria,

 Le të rrojë Shqipëria…

Është bërë legjendare figura e Selam Musa Salarisë. “Simbas traditës së Labërisë, shkruan zoti Zabit Ahmetaj, komandantët prinin vetë në ballë, prandaj edhe ky, Selam Musai, në krye të 300 djemve, niset nga Drashovica drejt Babicës, duke thurrur: Përpara trima, yxhym/ t’i kapim me dorë të gjallë pipinot”… Ç’u nise nga Drashovica/ O Selam Labi, o lule/ me 300 e ca komita/ me një djalë nga Nivica/ bashkë me  Dule  Dalanë/ e zure topin nga gryka. (Z. Ahmetaj). Ky qëndrim i prushtë atdhetar dhe burrëror i këtyre luftëtarëve frymëzohej nga një traditë e fuqishme historike e të parëve tanë: Osmëni ia hipi kalit/ bëri posht’ buzës së malit/ seç i foli xheneralit: /Breshkaman i breshkamanit! Dil steresë e jo limanit/ të shoh’sh të zot’ e vatanit/ Djemtë e Ismail Qemalit/ të Skënder bej faqebardhit. (Arkivi Instituti i Folklorit, dosja A.F.Fico, f. 22). Kjo ese është vetëm si hyrje e një studimi më të gjerë. Tashmë letërsia gojore e periudhës së Luftës së Vlorës meriton të studiohet mbi një bazë të re, bosht filozofik perëndimor. Kam vënë re se në disa raste shkrimet për eposin historik të kësaj periudhe janë tepër të politizuar. Ky është ndikim i estikës sovjetike, ose siç njihej ‘estetika marksiste-leniniste’. Është një gjë e gëzueshme që ky njëqind-vjetor i kësaj epopeje heroike e gjen Vlorën  qytet modern, plot ndryshime dhe me një të ardhme akoma më të bukur.

(VO: Këto dy shkrime Prof. Dr. Agron F. Fico e solli në redaksinë e gazetës disa orë përpara se të ndërronte jetë. Në këto dy shkrime ai tregon së pari respektin e madh që kishte për SHBA që i cilësonte mbretëri e demokracisë dhe mbështetësen e madhe të shqiptarëve dhe shkrimi i dytë për luftën e Vlorës që tregon patriotizmin e tij dhe respektin për historinë e popullit tonë. Këto dy shkrime ai i kishte shumë për zemër ndaj redaksia jonë i përcjell ashtu si ai kishte dëshirë, në shenjë nderimi dhe respekti).