Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve/ Fëmijët janë aroma e jetës. Intervistë me Margarita Xhepa, Luftar Paja, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Eliona Thomaraj e Elizabeta Susaj

314
Sigal

 

 Fëmijët janë aroma e jetës, për ta duhet të kujdesemi çdo ditë

Intervistoi:  Albert Z. ZHOLI

 

Puna me fëmijët nuk duhet bërë me fushata. Me ata duhet punuar çdo ditë, pasi ata janë e ardhmja. Në të kundërt, do të rrisim një brez mediokër. Ky është apeli që artistët hedhin në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershor. Të pyetur posaçërisht nga “Telegraf” se çfarë sinjifikon për ta kjo ditë, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Eliona Thomaraj dhe Elizabeta Susaj pohojnë se nëse nuk kujdesemi për ta, për edukimin, për shkollimin për mirërritjen e tyre, pa dhunë dhe keqtrajtime të çfarëdo lloji, ne kontribuojmë në rritjen e një brezi, që nuk do të jetë i denjë për ardhmërinë e vet. Një apel ky që hidhet pikërisht në ditën kur më shumë se kurrë vendet e botës kujtohen se fëmijët e të gjitha moshave duhet të jenë të lumtur dhe ta jetojnë me dinjitet fëmijërinë e tyre.

 Historia

1 Qershori është dita ndërkombëtare e mbrojtjes së fëmijëve, ku vëmendja e prindërve, shtetit dhe shoqërisë drejtohet tek fëmijët në drejtim të respektimit të të drejtave të tyre dhe rritjes të mirëqenies. Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre. Vetë ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Përveçse një ditë festive, 1 Qershori është edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur. UNICEF që prej 1950, punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej 1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk u garantohet  shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca  Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Organizatat e Kombeve të Bashkuara, kanë rekomanduar edhe ditë të tjera, të cilat lidhen me fëmijët si: Dita Universale e Fëmijëve, e kremtuar në 20 Nëntor, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve, e kremtuar në 12 qershor nga ILO, Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë, e kremtuar në 12 shkurt nga UNODA, etj, si dhe të tjera ditë të kremtuara nga OJF të ndryshme që marrin në mbrojtje fëmijët.

Margarita Xhepa, “Artiste e Popullit”:

Janë aroma e jetës, për ta duhet të kujdesemi çdo ditë

“1 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në mbarë botën. Kjo ditë u kushtohet fëmijëve dhe kudo shohim aktivitete të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën e fëmijëve dhe realizojnë festime, të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre. Kjo ditë i lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin se ata me buzëqeshjen e tyre të ëmbël, u gëzohen jetës, kujdesit dhe arritjeve. Por jo të gjithë fëmijët janë të gëzuar. Jo kudo është kjo aromë feste. Mes fëmijëve në shumë shtete ka dhe që nuk janë të lumtur, si nga ana ekonomike, po ashtu dhe me prindër të divorcuar, apo të patrajtuar mirë. Ka akoma më keq, që fëmijët shfrytëzohen të lypin në moshë të vogël. Pra, kjo ditë gëzimi, duhet të jetë edhe një ditë apeli, një ditë kujdesi. Një ditë apeli që fëmijët të gëzojnë, të rritet kujdesi për ta, të rritet mirëqenia, të rritet dhe të nxitet dashuria për librin. E kemi fëmijën në zemër si një diell të vogël që shkëlqen dhe orë e çast na kujton që ka dritë edhe aty ku na i mbyll sytë errësira e problemeve të punës, shtëpisë, familjes. Fëmijë të Shqipërisë dhe mbarë botës: Drita e pafajshme që keni në shpirt ju ndriçoftë si ylli polar përtej çdo pasigurie, me të cilën do të tentojë t’ju trembë e ardhmja në jetë! Rruga juaj e jetës të jetë plot ngjyra ylberi si qilim i bukur rrezatues. Fëmijët janë aroma e jetës, lulja më e bukur e jetës, ndaj për çdo ditë duhet të kujdesemi për ta”.

 Luftar PajaAJA,“Artist i Popullit”:

Fëmijët, pus i thellë, ku prindërit hedhin monedhat e dëshirave.

“Një ditë e rrallë, një ditë që të sjell para syve përgjegjësitë tona. Sot i shohim fëmijët më të lumtur, më të bukur, më të ditur, më me vizion, më të edukuar me librin. Kur kujtoj fëmijërinë time dhe e krahasoj me sot, kaloj një pesimizëm. Nuk i gëzuam lodrat, por varfërinë. Ndaj sot ndihem mijëra herë më i lumtur që fëmijët e mi, mbesat e nipërit e mi, sot janë të lumtur të gëzuar dhe ma mbushin zemrën me hare dhe gëzim. Fëmijët janë dritarja nga ku hyn ajër i freskët në jetën tonë. T’i nisësh në shkollë, qoftë edhe t’i përshëndetësh ata, është një përgjegjësi e madhe. Fëmijët janë qielli i lartë i urimeve dhe njëkohësisht “pusi i thellë”, ku prindërit hedhin monedhat e dëshirave, që presin t’u plotësohen me rritjen e tyre. Jeta nis me zhurmën e hareshme të fëmijëve, me fytyrën e foshnjës së sapolindur, që nëna e mban në duar me kuriozitetin e madh në i ngjan asaj, apo të atit. Dhe jeta vazhdon e rritet në duart tona me shpejtësinë, që shtrihet mbi tokë agimi i një dite pranvere. Ndaj uroj që gjithë fëmijët në botë ta kenë gjithë jetën pranverë si dita e 1 Qershorit, e cila është dita më e madhe e kujdesit për ta. Gëzuar fëmijë, festën tuaj. Sa më të lumtur ju, po aq të lumtur dhe ne gjyshërit tuaj”.

Luan Zhegu, “Mjeshtër i Madh”:

Në këtë ditë, edhe ne duam të bëhemi fëmijë.

“Në këtë ditë, edhe ne duam të bëhemi si fëmijë, të hedhim tej petkun e babait, gjyshit dhe të bëhemi si ata, të gëzojmë si ata, të kalojmë çaste fëminore si ata. Ka nevojë njeriu të dalë nga vetvetja një ditë në emër të dashurisë dhe lumturisë për fëmijët. Kur i shohim të gëzuar edhe neve na kaplon një ndjenjë gëzimi dhe lumturie e paditur. Vjen në mënyrë organike për të gëzuar fëmijët mbesat dhe nipërit. Jo më kot, kjo festë është në ditëndarjen pranverë-verë, pasi kështu si këto dy stina duhet të jetë jeta e fëmijëve. Ne nuk e shohim, por e ndiejmë jetën e re që zhvillohet mes nesh si një oazë, ku freskohemi mes shkretëtirës, që na than, mes vështirësive të përditshme, por që na jep shtysë të përballojmë sfidat. Kjo shtysë është ai, fëmija ynë, ata fëmijët tanë, nipërit e mbesat që me hapat e pasigurt, me dhëmbin që sapo i ka dalë, na tërheq aty ku lumturia nuk njeh skaje e ku lodhja nuk ekziston më, por të hiqet si me magnet. Nuk mund t’i mbledhim dot belbëzimet e tyre, deri në fjalët e para, por tani, pas vitesh, na kujtohet që ka qenë melodia më e ëmbël për veshët tanë. Dhe koha rrëshqet e fëmijët rriten, që me gëzimin dhe me buzëqeshjen e tyre na shtojnë ditët e gëzimit me atë lehtësi që përhapen përqafimet e ylbereve me ujëvarat e furishme. Fëmijët janë kënga e jetës, melodia më e bukur e shpirtit. Do doja që në këtë ditë të gjithë fëmijët në botë të ishin të gëzuar. Të ishin të lumtur, por ka dhe probleme me fëmijët në botë, madje shumë. Ndaj kjo ditë, le të jetë një ditë kthese që bota e qytetëruar të shikojë dhe të zgjidhë problemet e fëmijëve në botë”.

Bashkim Albali “Mjeshtër i Madh”:

Nëse nuk i rrisim siç duhet, përgatisim një brez mediokër.

“Të gjithë flasin për fëmijët. Të gjithë jemi prindër. Edhe shoqëria, edhe shkolla, edhe politika, edhe shteti .Të gjithë në planin e parë mendojnë për fëmijët. Por harrojmë se puna me fëmijët nuk duhet bërë me fushata. Ata janë e ardhmja dhe kjo është më e rëndësishme. Duhet të kuptojmë, se nëse nuk kujdesemi për ta, për edukimin, për shkollimin për mirërritjen e tyre, pa dhunë dhe keqtrajtime të çfarëdo lloji, ne kontribuojmë në rritjen e një brezi, që nuk do të jetë i denjë për ardhmërinë e vet dhe vendin do ta drejtojnë njerëz mediokër. Me rastin e festës së 1 qershorit uroj gjithë fëmijët: Gëzuar .Të rriten të lumtur nën kujdesin e prindërve t’i dëgjojnë ata dhe të bëhen të mirë e të devotshëm për ta dhe për atdheun”.

ELIONA THOMARAJ, Regjisore, aktore: 

Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë i lumtur

“Fëmijët janë e ardhmja, për këtë arsye u mblodh një konferencë në Gjenevë më 1 qershor 1925 për mbrojtjen e fëmijëve kundra dhunës. Bota u ndërgjegjësua për mirëqenien e fëmijëve, sidomos atyre jetimë, që duheshin mbrojtur dhe u duhej siguruar e ardhmja e lumtur për të mos patur dallim midis fëmijëve, që rriteshin në familje nga prindërit. Në të njëjtën ditë, në Kinë u bënë pjesëmarrës në festimet e Anijes së Dragoit 200 fëmijë nga jetimorja. Dy vite më vonë kjo datë mori përmasa ndërkombëtare për të festuar fëmijë nga e gjithë bota. Fëmijët kanë nevojë për dashurinë tonë dhe mbi të gjitha, për mbrojtjen tonë kundër abuzimeve, apo përfitimeve kundrejt fëmijëve. Kjo ditë për të gjithë fëmijët është një festë, dita e tyre e personalizuar, por për prindërit është dita kur ngrihen të kërkojnë të drejtat e mohuara të fëmijëve dhe ide sesi mund të përmirësohet jeta e tyre. Në Shqipëri, kjo ditë festohet nga të gjithë fëmijët pa përjashtim, por edhe konsiderohet si një ditë e dedikuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e rritjes së fëmijëve në mënyrë të shëndetshme dhe të lirë, pa ua ndrydhur atyre ndjenjat ose nismat. Fëmijët janë e ardhmja dhe ne kemi në dorë të orientojmë të ardhmen e botës duke rritur fëmijë të shëndetshëm. Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë i lumtur”.

 Prof. Asoc. Elizabeta Susaj  :

Para fëmijëve, je para provimit më të madh në jetë.

“Çdo njeri bëhet më i mirë para sinqeritetit të fëmijëve, që reagojnë  në çdo çast dhe për çdo gjë. Mjafton të shikosh sytë e tyre dhe je para provimit më të madh në jetë. Çdo prind kërkon më të mirën për fëmijën e vet, por nuk duhet ekzagjeruar dashuria për ta. Në kohët e para, fëmijët kënaqeshin me pak lodra të sajuara, ndërsa tani prindërit e shoqëria duhet të bashkëpunojnë si t’i ruajnë fëmijët nga të ashtuquajturat lodra, që i çojnë drejt instinkteve jo të mira. Në këtë ditë të shënuar unë si nënë, gjyshe e kineaste u them prindërve: Dhurojuni fëmijëve sa më shumë libra dhe praninë e tyre të domosdoshme. Kushtojuni kohë dhe vëmendje fëmijëve, sepse që në moshë të vogël, ata marrin drejtimin në jetë”.