Dhimitër Shtëmbari: Ushtaraku Ilmi Qazimi, njeriu kryevepër

1089
Sigal

Është karakteri që e bën njeriun kryevepër

Ushtarakut të lartë Ilmi Qazimi i kujtonin teserën e PPSH-së, por i harronin tërë ato diploma të siguruara vetëm me rezultatin “Shkëlqyer!”

Nga Dhimitër Shtëmbari

Ka ndodhur në qershorin e vitit 1996. Ndërsa tre qytetarë kalonin para një lokali ku shiteshin qofte në qytetin e Shkodrës, i pari i qe drejtuar të dytit:

– Këtë qoftexhiun më bëhet se diku e kam parë… Kam përshtypjen se duhet të ketë mbaruar me mua Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”.

I dyti, që tashmë i pat ngulur sytë drejt atij që vazhdonte të shiste, shton më tej:

– Po, po, kam përshtypjen se me këtë njeri kam qenë bashkëstudent  në Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë.

I treti pat vënë buzën në gaz dhe u qe përgjigjur dy të parëve:

– Pse, vërtet nuk e njihni këtë shitës?!

Dhe, duke u kthyer plotësisht nga ata, pat shtuar:

– Ju thoni se mund të ketë qenë student në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, ndërsa unë ju them me bindje, se pikërisht ky shitës që shikoni këtu, ka qenë për pak kohë edhe pedagog në atë Akademi.

Pat qëndruar një çast dhe kishte vazhduar:

– Ky është Ilmi Qazimi, që ka mbaruar edhe Shkollën e Diplomacisë në Tiranë dhe që, për mjaft vite, ka qenë komisar i Shkollave Ushtarake të Kuadrove Rezervistë të Ushtrisë në Zall – Herr gjatë viteve 1976-1985, dhe komisar Brigade Ushtarake në Vaun e Dejës në Shkodër gjatë periudhës 1985-1990.

– Dhe ka përfunduar shitës qoftesh?! – pat shprehur habinë i pari.

– E po, kjo është “reforma” në Ushtrinë e Berishës! – ia pat kthyer tjetri.

Po cili është Ilmi Qazimi?

Ilmi Qazimi është lindur më 10 qershor të vitit 1945, në fshatin Çepan të ish rrethit të Skraparit në gjirin e një familjeje me taban të shëndoshë atdhetar. Pra, këto ditë feston 75- vjetorin e lindjes. Arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar e mori në vendlindje. Arsimin e mesëm e mbaroi në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, ku doli me nota të shkëlqyera. Edhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, e mbaroi me nota maksimale. Por shkollimi i tij nuk do të mbaronte këtu. Ai do të përfundonte po me nota të shkëlqyera edhe Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Madje, i përzgjedhur nga nomenklatura e lartë ushtarake, për pak kohë do të ishte pedagog në këtë institucion të lartë ushtarak. Sakaq, do të vazhdonte dy vjet edhe Shkollën e Diplomacisë. Me rezultate të larta do të kryente studimet edhe në Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, në Tiranë.

Me hapa të shpejta në rrugën e ngjitjes

Nisur nga rezultatet e larta në studimet e kryera, djaloshi nga Çepani emërohet në vitin 1967 komandant toge zbulimi në Korpusin Ushtarak të Korçës. Ndërsa në vazhdim, komandant kompanie zbulimi në Korçë, shef shtabi batalioni zbulimi po në Korçë, instruktor në Drejtorinë e Zbulimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Gjatë viteve 1968 – 1969 ka shërbyer në Tiranë si shef i taktikës së zbulimit në Shkollën e Forcave të Vetmbrojtjes Popullore. Tashmë i kompletuar edhe me përvojë, nomenklatura e lartë e PPSH-së e emëroi së pari, komisar të Detashmentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Zall – Herr, një vit më vonë, komisar të Regjimentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare po në Zall – Herr, kurse për një periudhë prej 9 –vjetësh, (1976 – 1985) ka shërbyer si komisar i Shkollave Ushtarake të Kuadrove Rezervistë të Ushtrisë në Zall – Herr. Le të kujtojmë se këtu ai do të ishte në ballë të më shumë se njëmijë ushtarëve e të më shumë se njëqint oficerëve.

Vitet e fundit, ky oficer i lartë, i kaloi në Vaun e Dejës, ku shërbeu si komisar i Brigadës Ushtarake  deri më 1 qershor të vitit 1995, ditë kur lirohet për shkak të “reformës” që kryhej në Ushtri!

I përpiktë në zbatimin e rregulloreve ushtarake, Ilmiu do të drejtonte edhe përmes shembullit vetjak.

Dhe…ish komisari përfundoi roje në Polici private!

Kur u lirua nga shërbimi ushtarak, Ilmi Qazimi ishte vetëm pesëdhjetë vjeç! Ndërkohë i duhej të ushqente katër fëmijë, që ndiqnin shkollat.

Pa humbur kohë, ndërsa ishte me banim në Shkodër, punësohet pranë një pronari që merrej me tregtimin e qofteve.

– Nuk qe e lehtë për mua të punoja qoftexhi, ca më shumë në Shkodër, ku ndihej një histeri ndaj ish komunistëve, – tregon ish ushtaraku i lartë Ilmi Qazimi.

– Gjithësesi, më duhej të punoja me korrektësi të madhe, si ndaj pronarit, ashtu edhe ndaj klientëve.

Aty para vitit 2000, kthehet familjarisht në Tiranë, ku do t’i duhej të gjente punë, sepse fëmijët tashmë vazhdonin studimet e larta në Universitet. Teksa interesohej tek ndonjë i njohur, dëgjonte t’i thuhej: “Po ju e dini, more Ilmi, se kush jeni! E kush ju pranon nëpër zyra?!”

Por Ilmiu ishte Ilmiu; tepër i aftë për të punuar nëpunës i lartë në Ministri, se nuk i mungonin njohuritë dhe aftësitë, por ishte i zoti të punonte edhe në punë të rëndomta. Sepse, sido që ta hedhësh njeriun e zotë, ai kudoherë bie në këmbë. “Për njeriun, pamja e jashtme është një skicë”, -ka thënë Shekspiri, -është karakteri që e bën njeriun kryevepër.

Dhe e gjejmë ish komisarin roje në Polici private në firma zhavori, betoni dhe ndërtimi! I kujtonin teserën e PPSH-së, por i harronin tërë ato diploma të siguruara vetëm me rezultatin “Shkëlqyer”. Vetëm kur u mor vesh, se Ilmiu njihte me gojë e me shkrim gjuhët anglisht e rusisht e morën në punë më të fisme: roje pranë ambasadës kanadeze e asaj holandeze!

Por fisi Qazimi i Çepanit, edhe në këto kohë të vrazhda për personazhin e shkrimit tonë, do të bënte emër: nipi i Ilmiut, Pëllumbi, do të gradohej Gjeneral dhe do të komandohej  Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

I “sëmurë” mbas veprimtarisë publicistike dhe letraro – artistike

ish ushtaraku i lartë Ilmi Qazimi, ka një veprimtari të hershme, të gjërë e të larmishme publicistike e letraro – artistike. Shkrimin e parë e boton në gazetën “Pionieri” në nëntor të vitit 1959, kur ishte nxënës i klasës së shtatë. Dhe që atëherë ka botuar qindra e, ndoshta, mijëra shkrime në shumë organe shtypi, që do të përbënin një listë të gjatë po t”i përmendnim të gjitha. Krahas punës, Ilmi Qazimi do të merrej edhe me veprimtari të mirëfilltë letrare. Mbas vitit 2000, ai do të botonte vëllimet poetike “Ftesë në të verdhë”, “I bukuri Çepan”, “Mirëmbrëma, Shqipëri!”, “Dielli thur ëndrra, hëna pikturon” e të tjera.

Ndërkohë, boton monografitë “Latif Fodulli”, “Qemal Koxhaj”, “Çepani” – një libër voluminoz kushtuar fshatit Çepan, që është, si të thuash, një lloj enciklopedie kushtuar këtij fshati.

Vëllim interesant është edhe ai me titull “Çokollata në ashensor”, ku përfshihen mjaft përjetime kanadeze. Me shumë interes është edhe vëllimi tjetër me titull “Tomorri në zemër”, që është një album poetik e fotografik.

Paralelisht me krijimtarinë e vet, Ilmiu ka realizuar edhe disa përkthime nga gjuha angleze. Kështu, ai ka përkthyer “Tregime nga lufta e popullit vietnamez”, “Poezi nga autorë amerikanë”, sikurse ka përkthyer pjesë nga libri i autorit kroat Vladimir Brnardiç “Shqiptarët në ushtrinë e Napoleon Bonopartit”, pjesë nga libri “Psikologji e arteve” etj.

Ushtaraku Ilmi Qazimi ka marrë disa çmime letrare, ndër të cilat spikat Çmimi “Pena e artë” dhënë nga gazeta “Tradita”, datë 05.12.2001.

I nderuar nga shokët, i vlerësuar nga nomenklaturat

I rreshtuar me dinjitet krah figurave të shquara të Skraparit, Ilmi Qazimi vazhdon të jetë aktiv në shërbim të vendlindjes e të bashkisë së Çorovodës. Që prej shkurtit të vitit 2012 e në vijim, ai është botues dhe kryeredaktor i gazetës mujore historike – kulturore “Çepani”, organ i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani”, kryetar i së cilës është po ai vetë. I respektuar mes shokëve dhe i vlerësuar nga organe shtetërore, organizata e shoqata të ndryshme, Ilmiu gëzon disa cilësime, dekorata e çmime.Ai është dekoruar me Urdhrin “Shërbimi Ushtarak” i klasit të tretë, me Urdhrin “Ylli i kuq” i klasit të dytë”, me “Certifikata për punë të dalluar  në parada e në aksione ushtrie” etj. Ndërkohë, është shpallur Anëtar Nderi i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Tomorri”, “Nxënës i shekullit” i shkollës së Çepanit.

“Nderi i Komunës së Çepanit” dhe, si pasardhës veterani, i është dhënë titulli më i lartë: “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Popullit Shqiptar”.

Bashkëshortët e nderuar Ilmi e Violeta Qazimi janë prindër shëmbullorë të dy vajzave të shkëlqyera, Ilvës e Anitës dhe i dy djemve të mrekullueshëm, Sokolit e Olsit, të katër me arsim të lartë dhe që të katër me nga dy e më shumë gjuhë të huaja. Më 10 qershor (2020) Ilmi Qazimi feston 75 -vjetorin e lindjes. Ndihet i ri, i palodhur dhe me plot energji. Dhe nuk është për t’u çuditur: Te ky ish ushtarak i lartë nuk merren në konsideratë vitet e jetës, por jeta e viteve.