Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari/ Të dielën, ora 11.00 në Berat, Shoqata “Dëshmorët e Atdheut” organizojnë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies

1164
Sigal

Në 20 –vjetorin e rënies së dëshmorit Arben Zylyftari

 Fatmira    Mustafaj

Heronjtë e ndërtojne piedestalin gjatë jetës së tyre, koha u ngre mbi të përmendoren. Piedestalin e trimërisë e ndërtoi vetë jeta e shkurter prej 37- vitesh e dëshmorit Arben Zylyftari, piedestalin e veprave që kanë lënë mbresë të pashlyeshme në memorien e shokëve të tij, kolegëve, që nuk iu ndanë për asnjë moment, të familjarëve që çdo vit përcjellin këtë datë dhimbjeje e krenarie me lotë e brengë. Arbeni në veprimarinë e tij në çdo hap që hidhte karakterizohej nga maturia, përkushtimi,  përgjegjëshmëria ndaj detyrës, profesionalizmi, të gërshetuara këto për të krijuar besimin tek qytetarët, njerëzit  e thjeshtë në ato ditë të turbullta tek policia e shtetit, se ajo është garancia e qetësisë dhe e jetëve njerëzore. Dashuria për çdo krijesë njerëzore që të mos rrezikohej, e mbante oficerin e lartë pa gjumë, të mendohej dhe të gjendej pranë çdo ngjarjeje për të dhënë zgjidhjen. Kjo bëri që Arben Zylyftari të admirohej dhe të mbështetej fort nga banorët e çdo rrethi ku ai shkoi me detyrë. Në ato momente koha kërkonte njerëz që t’i dilnin për zot vendit, Shqipërisë, e cila doli e sfilitur nga ndërrimi i sistemeve, Shqipërisë ku varfëria iu ul këmbëkryq, pasi edhe atë pak pasuri që trashëgoi, e rropën hienat që erdhën në pushtet në vitet ‘92 dhe grupet kriminale që ngritën kokën në mjegullnajën postkomuniste. Por edhe ajo kohë lindi njerëz të tillë për ti dalë për zot  vendit . Trashëgimia trimërore e familjes Zylyftari, kësaj familjeje brez pas brezi, rreshtuar gjithmonë në forcat progresiste  ndjeu për detyrë, se jeta ka vlerë vetëm kur i shërben Atdheut! Shqipëria mbi të gjitha!  Nderi e kërkon të sakrifikosh për vatanin që ta gëzojnë lirinë brezat që vijnë.

Ky perceptim trimëror kishin krijuar psikologjinë, ndërgjegjen dhe karakterin e Arbenit. Koloneli i ditur, i ndershëm, që nuk e njihte kompromisin në luftë kundër krimit, por edhe trim, u bë tmerr i kriminelëve që tmerronin popullin e zonave të rretheve  Korçë, Vlorë , Lezhë. Për kolonelin ishin të qarta fjalët e shkrimtarit të madh rus M.Gorki: “Zemra ime ka kënduar gjithnjë vetëm një himn: Rroftë njeriu!”. I çliruar  komplet nga uni i tij, shpirti i tij që nostalgjik për të parë gjithçka gjithnjë e më të bukur (Gëte) duke i kërkuar gjithçka vetes e asgjë të tjerëve qe gjithmonë në përballje me të keqen. Si i tillë krijoi dashuri dhe besim tek kolegët, çdo ditë lartësohej piedestali i tij, pasi  njerëzit çmohen nga lartësia e shpirtit, nga  gjerësia e mendjes dhe bukuria e veprës. Historia botërore përmend emra të mëdhenj, njerëz të mëdhenj, por dhe historia e Shqipërisë, në çaste të vështira lindi njerëz të mëdhenj, shpirtra të mëdhenj të cilët janë si retë: mbledhin që të derdhen, prandaj mbeti i madh në historinë e Shqipërisë së vogël, por të pamposhtur figura e heroit Arben Zylyftarit. 37- vite jetë për këdo janë pak, por për njerëz të tillë që mendimi rrok horizonte, dhe përjetimi vë në lëvizje çdo qelizë, ku shpirti dridhet nga çdo dhembje njerëzore, ku ndërgjegjja të ngre peshë në këmbë dhe arsyeja të ve para përgjegjësisë së detyrës e lartëson heroin Arben Zylyftari. 37-vite jetë të mbushura me energji, dëshira e pasione rinore, u poqën para kohe.  Kur vendi vuan, kur njerëzve u vidhet edhe buka e gojës kur familjes i vritet fëmija para derës, kur vëllait i rrëmbehet motra për t’u shitur rrugëve të botës, kur bandat kriminale bëjnë ligjin, gjunjëzojnë shtetin, godasin shtetin, heroi bëri bilancin e  37- viteve dhe para syve si në ekran, i kalon shembulli i gjyshit të tij Sulejman Spathara, dëshmori i kombit, patriot i shquar në krahinën e Skraparit.

Babai i tij Shuaip Zylyftari, luftëtari i orëve të para kundër pushtuesit nazifashist në çetën e Skraparit dhe më vonë në Brigadën X. Nëna e tij Refija dhe familja e saj që dhanë kontribute të çmuara në Luftën Antifashiste. Pyetja para tij: Ç’duhet të bëj ? -e ka përgjigjen brenda: -Atje me shokët në përleshje sy më sy, trup më trup,  për jetë a vdekje kundër së keqes.  37- vite plot ëndërra të fuqishme që pushtojnë  qiejt, ëndërra që projektojnë të ardhmen që troket. Heronj  të tillë e lënë pas kohën e tyre dhe bëhen të pakapshëm nga mendimi dhe shoqëria e kohës. Vizioni i së ardhmes për ta është i qartë: Shqipëria evropiane, një shoqëri e emacipuar, e begatë, ku pesha e individit është  përgjegjësi e shtetit dhe e vetë shoqërisë. Kjo ishte ëndrra e Arben Zylyftarit prandaj i doli të keqes përballë.  37 -vite jetë që nuk ndërtuan balancë midis vetjakes dhe asaj që ishte e përgjithshme.  E dyta triumfonte gjithmonë. Dashuria për familjen, fëmijët, e arta dashuri i kishte lënë hapësira të mëdha të  saj në mendjen dhe zemrën e dëshmorit. E arta  dashuri familjare kishte falur hapësira të mëdha të shpirtit detyrës së komisarit, drejtorit të policisë, i cili kishte për detyrë të mbronte të gjitha dashuritë njerëzore që familjet të flinin të qeta, që dashuritë të mos prekeshin, prandaj sot fëmijët e tij janë krenarë për babanë, gruaja për bashkëshortin, vëllezërit për vëllanë e tyre.  37- vite të prera në mes janë përgjegjësi për të gjithë ne. Gjaku i kolonel Arben Zylyftarit dhe i dhjetra të rënëve për këtë vend, na kanë lënë amanet Atdhenë, Shqipërinë. Ky amanet duhet të trondisë gjithësecilin, që nga qeveritari më i lartë, deri tek më i thjeshti shqiptar.

Para nesh drejtohet pyetja: Ç’po bëj unë për këtë vend? Dhe Jo, ç’bën vendi për mua. Ky ishte lejtmotivi i jetës së heroit.  37- vite e një jete të pazakontë në përleshje me vështirësitë e kohës, me kurthet e kohës, ku burri maturohet, mendimi thellohet dhe merr vendime të mëdha: Duhet  shkuar atje ku cënohet nga kriminelët liria e të tjerëve. Të mbrosh lirinë, kërkohet sakrifica sublime. Atë bëri dëshmori Arben Zylyftari, prandaj ne sot mundohemi ti bëjmë nder heroit, por emri i tij na bën nder të gjithëve ne. Emri dhe vepra e tij lartësojnë historinë e një kombi. Ai u bë një nga gurët kilometrikë që ndau dy  periudha të tranzicionit shqiptar: Atë të mungesës së shtetit të organizuar mirë, nga periudha ku shteti, çdo ditë forcohet, prandaj mbetet i pavdekshëm emri dhe vepra etij.