Dashuria për atdheun po venitet,sot nuk ka më idealistë si dëshmorët. Flasin Odise Porodini, Kastriot Bezati, Bashkim Hysa, Astrit Miho, dhe Dragua Shehu

800
Sigal

FORUM/ Në ditën e 5 Maji, veteranët dhe pasardhësit: “Dashuria për atdheun po venitet, sot s’ka më idealistë si dëshmorët”

Sot në mbarë vendin përkujtohet Dita e Dëshmorëve. Çfarë ndodh në Shqipëri në këtë ditë? Flasin për “Telegraf”, veteranët dhe pasardhësit e tyre: Bashkim Hysa, Kastriot Bezati, Odise Porodini, Astrit Miho, Dragua Shehu  dhe Aleksandër Dragoti

Albert Z. ZHOLI

Çdo vit, më 5 Maj nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj, ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Dhe deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Vetëm pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109, “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve, që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para luftës. Kurse në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës dhe të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Ndërkaq, pas viteve ’90, statusi i Dëshmorit të Atdheut pësoi ndryshime. Po si përkujtohet në Shqipëri sot dita e 5 Majit dhe në tërësi, Lufta Antifashiste-Nacionalçlirimtare me të rënët e saj? Japin mendimin e tyre rreth kësaj çështje, të pyetur posaçërisht nga “Telegraf”, veteranë dhe pasardhës të tyre… Drejtojnë apelin publik që të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar gjithashtu me keqardhje se “sot zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës, si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti”…

 Nënkryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it, Elbasan

 

BASHKIM HYSA:

“5 Maji, sa më shumë që ecën

koha, aq më shumë lartësohet”

 “Dita e 5 majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. 75 vjet më parë, në datën 1 maj 1943, 100 nxënës të Normales braktisën bankat e shkollës dhe dolën malit për liri. Dhe më 1 Maj të këtij viti, u mbushën plot 75 vjet nga dita e daljes në mal të tyre, të cilët më pas u përfshinë në batalionet partizane të Dumresë, të Shpatit, të Çermenikës, në brigadat II, III dhe XVII Sulmuese. Bazuar në librin “Gjenerali legjendar” që i kushtohet veprimtarisë së Shefqet Peçit, 40 faqe i kushtohen pikërisht punës patriotike dhe revolucionare të këtij legjendari, kur ishte kujdestar në Normalen e Elbasanit dhe rolit të tij për mobilizimin dhe hedhjen e nxënësve të kësaj vatre revolucionare në luftë për çlirimin e vendit. Shefqeti kishte dhënë prova besnikërie dhe atdhetarie ndaj vendit dhe popullit. Si antizogist kishte provuar edhe burgun. Më pas, Hasan Bajraktari merr kontakt me të  dhe i kërkon emra të nxënësve të Normales që të anëtarësoheshin në rininë komunist të qytetit. Ai i rekomandon emrat: Jorgji Dilo, Beqir Dardha, Hasan Selenica, Meço Konomi, Mihallaq Gjinikasi, Bilal Parruca, Myqerem Fuga, Xhorxhi Robo, Dashnor Mamaqi. Merr pjesë gjithashtu në mbledhjen e Qarkorit të PKSH-së, ku i deleguar ishte sekretari politik i rinisë komuniste, Qemal Stafa. Ja diçka nga fjala e tij: “Takimi ynë është i çiltër dhe i pastër, por për shkak të luftës i fshehtë. Si shokë idealesh kjo fshehtësi mes nesh nuk ekziston më. Unë jam Qemal Stafa…”. Më 14 qershor 1942, Shefqet Peçin e arrestojnë në gjumë në ambientet e konviktit të Normales dhe e shoqërojnë në burgun e Gjirokastrës, ku Tahir Kolgjini, vegël e fashizmit kishte planifikuar pushkatimin e tij. Por ai i shpëtoi pushkatimit dhe kjo u dedikohet shokëve të Qarkorit të PKSH-s, Elbasan. Kontributi i Shefqet Peçit do të vijonte më tej me gjithë përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, si Komandant i Brigadës V Sulmuese partizane dhe si një nga figurat më të spikatura të LANÇ. Ka qenë pikërisht kjo ditë e 1 Majit, e cila shërbeu dhe si nismë për fitoren e madhe të 29 nëntorit 1944. Prandaj e kujtova 1 Majin, për të nxjerrë në pah 5 Majin. Kurse Qemal Stafa u bë frymëzimi i brezave për atdhetarizëm, dhe i tillë do të mbetet”.

 

Kastriot Bezati, historian

 “Të rënët, simbol frymëzimi

për luftëtarët e lirisë, por

edhe për brezat që vijnë”

“ Lufta Nacional-Çlirimtare, ishte heroike, e pashembullt. Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku sot ne krenohemi para gjithë botës për nderimin qe u bëjmë heronjve”. Deri më sot kam marrë shumë vlerësime, dekorata e urdhra të ndryshëm, por titulli i lartë nga  Organizata e Veteranëve të LANÇ, për mua është mbi gjithë vlerësimet e tjera, sepse simbolizon epopenë më të lavdishme të popullit tonë, LANÇ-in”.

 Odise Porodini

 Ish-veteran, Sekretar i Përgjithshëm

i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it

ODISE PORODINI:

 “Kush ka rënë për atdhe,

nuk ka vdekur, por ka le”

“Kur vjen 5 Maji, ne pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare mbushemi me krenari. Një krenari e ligjshme kjo, një krenari që na buron vetiu në gjithë qenien, për vetë faktin se prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë më të shtrenjtë në botë, për idealin më të madh jetësor: çlirimin e atdheut. Nuk thotë më kot kënga: “Kush ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”. Pa trimëritë e atyre dëshmorëve, pa luftën, sakrificat e panumërta të tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e brendshëm donin të na shisnin. Pra, kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon historinë e popullit tonë, habitesh sesi kanë luftuar përballë superfuqive ushtarake, përballë armiqve të armatosur deri në dhëmbë për të na shuar si komb dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë, ishin këta njerëz, këta idealistë, këta yje të pashuar, që vunë atdheun para jetës së tyre të re. Kushdo sot në këtë demokraci të pafre mund të flasë dhe të hedh baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, por askush nuk i rrëzon dot ato male. Guriçkat nuk e gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen… Dëshmorët, historia i ka shkruar në Panteonin e pavdekësisë, i ka shkruar në gjirin e shenjtë të Atdheut. Në çdo 5 maj si Komitet i Veteranëve shkojmë në Varrezat e Dëshmorëve. Vendosim mbi varret e tyre lule, se ata ishin vetë lule, lule nga më të bukurat të natyrës së virgjër shqiptare. Ulemi në gjunjë para tyre, para veprës së tyre, para kujtimit të tyre. Kujtesa historike po i lartëson këta njerëz që emrin “Shqipëri” e kthyen në shenjtëri. Sot zor se gjen djem të tillë idealistë, djem të tillë të sakrificës që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti. Vlerat njerëzore po shikojmë se zhbëhen dhe dashuria për atdheun po venitet, ndaj duke kujtuar 5 majin ne bëjmë dhe një apel: Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni si dëshmorët tanë. Dashurinë për atdheun e ka cilësuar më bukur Sami Frashëri: “Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë”.

Astrit Miho, pasardhës veterani

 Sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet 5 Maji”

“Si fis dhe familje kemi qenë shumë të lidhur me këtë luftë. Babai im Brahim Miho (në Brigadën VI, VIII, XIV e në fund XIX Sulmuese) ka qenë një ndër partizanët më aktiv në zonën e Gjirokastrës. Ndaj dita e 5 majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. Historia është histori dhe ajo shkruhet e përjetohet ashtu siç ka ndodhur, paçka se nuk i pëlqen njërit apo tjetrit politikan me pushtet. Për luftën duhet thënë me zë të lartë se ka hedhur themelet e një lirie dhe pavarësie reale e shpëtimtare për kombin. Vlerat e saj i shijuan të gjithë afërsisht, kurse të demokracisë që po zgjat si shumë, i gëzoi një grusht shumë i vogël, i cili aq më keq, nuk i meriton ato. Kjo duket çdo 5 maj, ku mes qindra vizitorëve që vijnë tek varrezat e dëshmorëve e përkulen me respekt para gjakut dhe sakrificave të atyre djelmoshave e vashave të reja që e këputën jetën në lule të rinisë, veteranët që bënë luftën dhe pasardhësit e tyre vijnë në këmbë. Kurse ata që e gjetën sofrën shtruar ngjiten pranë përjetësisë së tyre me makina tepër luksoze. E më kot marrin mundimin të thonë dy fjalë hipokrite për dëshmorët. Këta burra flokëbardhë, kush me republikë e kush mbështetur në bastun nga mungesa e fuqisë, nuk vijnë thjesht për nostalgji pranë bashkëmoshatarëve të tyre që prehen në kodrën legjendare të Saukut, por ndjejnë një obligim të madh për përhapjen e së vërtetës së madhe, se kush ishte Lufta NacionalÇlirimtare dhe për të mbajtur të ndezur tek brezi i ri ndjenjën e respektit të përjetshëm për të. Ndaj është domosdoshmëri që të investohet moralisht dhe materialisht, që monumentet, lapidarët e pllakat përkujtimore që simbolizojnë gjakun e derdhur në beteja, të rifreskohen, të meremetohen, të rikthehen në vendet që ishin, si shenjë e respektit për dinjitetin e kombit”.

Dragua Shehu, pasardhës veterani

“Të mos hidhet poshtë historia më e lavdishme të popullit tonë”

“Nga babai im, kam dëgjuar shumë për LANÇ-in pasi vetë isha i vogël. Gjatë saj, fillojnë edhe përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Ata u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacional-çlirimtar, miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku sot ne krenohemi para gjithë botës për nderimin qe u bëjmë heronjve. Kush hedh poshtë këtë luftë, hedh poshtë historinë më të lavdishme të popullit tonë”.

 

Ish-partizan i Brigadës së VI Sulmuese

 MERSIN MIXHA:

 “Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën,

deformime e shtrembërime bajate”

 Mersin Mixha, një rast i rrallë i luftës partizane. Është futur në radhët e saj qysh në moshën 13-vjeç dhe sot është një ndër veteranët e pakët të Brigadës së VI-të sulmuese, që është ende gjallë. Komandant i kësaj Brigade ishte Tahir Kadareja, Komisar Mustafa Matohiti, Zv/komisar Haki Toska, pra, ndër luftëtarët më legjendarë të luftës më heroike të popullit shqiptar. Kur e shikon dhe e takon, edhe pse po mbush 90 vjet, ai është tepër i mbajtur, por mbi të gjitha, me një memorie të çuditshme. I gjatë, me një fytyrë engjëllore, me sy depërtues, ai në bisedë të gozhdon kur flet për luftën Nacionalçlirimtare, pasi ngjarjet e jetës i ka në kujtesë si një shirit magnetofoni…

“Sa herë vjen 5 Maji bëhem më i ri, më i fortë dhe më i lidhur me atdheun. Ne që luftuam për këtë ditë, e përcjellim natyrshëm gëzimin për ditën e dëshmorëve, ditën e heronjve të luftës. Një ditë historike që na bën krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen. Deformime nga më të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Kam qenë pjesë e Brigës së VI në fillim si korrier. Për mua, Lufta Nacional-Çlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por ishte luftë dhe revolucion kundër qeverisë kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe revolucioni kundër kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje që binte ndesh me interesat kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kësaj lufte që në moshën 13 vjeç. Kam qenë pjesë e luftës së Cepos, në Kardhiq, ku është Plesati i sotëm në Gjirokastër. Kjo zonë ishte tepër e mbrojtur dhe si italianët dhe gjermanët kanë bërë çmos ta shtinin në dorë. Këtu do të veçoj luftimet e Divizioni 297, gjerman, që bëri çmos ta shtinte në dorë këtë kështjellë. Luftimet e tyre ishin shumë të përforcuara, por asnjëherë nuk mundi ta pushtojë Cepon, ndaj gjermanët e cilësuan këtë zonë “Stalingradi shqiptar”. Si rezultat i veprimeve taktiko-operative të këtyre brigadave, mobilizimit, sakrificave, që dhe pse u rrethuan nga të dyja anët, mundën të çajnë rrethimin, operacionet armike dështuan me turp. Në luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të pashuar. Ishin të gjithë të rinj, idealistë, me dëshirën për të shporrur pushtuesin nga Atdheu. Pa këtë luftë, Shqipëria do të copëtohej nga Greqia dhe Jugosllavia. Ndaj çdo 5 Maj, ne veteranët shkojmë tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët tanë, vëllezërit tanë, kujtojmë atë luftë heroike. Mund të them se i gjithë populli e respekton këtë luftë, veç atyre që ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot më tepër se kurrë është rritur respekti për këtë ditë simbol të kombit shqiptar”.