Dalip Greca: Rrëfimi i Ndrec Gjergjit, ja si DASH i ofroi mbështetje Leka Zogut, nëse hiqte dorë nga Kosova

1066
Sigal

Rrëfimi i Ndrec Gjergjit: Departamenti Amerikan i Shtetit i ofroi mbështetje Mbretit Leka nëse hiqte dorë nga Kosova

DALIP GRECA

Ndrec  Gjergji (Nikolla) është një ndër përfaqësuesit  më besnikë  të mbretërorëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i fundmi i brezit të vet. Jeta e tij në Shqipëri kishte kaluar përmes përballjes së vështirë me diktaturën komuniste, ishte 11 vjeç kur e internuan në kampin e vdekjes në Tepelenë, ndërkohë që 9 pjestarë të familjes u ekzekutuan, ndër ta, edhe babai i tij…

Ishte fare i ri, 25 vjeçar, kur e votuan për të udhëhequr degën e Legalistëve në Bruksel, por ai me modesti, nuk e pranoi pozicionin e kryetarit, duke mbetur sekretar i Legalistëve. Për shumë vite ishte pjesë e Komitetit Qendror të Lëvizjes së Legalitetit, ndërkohë që për gati dy dekada, mbajti postin e sekretarit administrativ. Kur Mbreti Leka vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ndreca ishte badigardi i tij besnik.  Ishte i pranishëm kur departamenti i shtetit e kontaktoi më 1990 dhe i ofroi mbështetje për ta dërguar në Shqipëri Mbretin Leka, nëse hiqte dorë nga Kosova.  Dëshmia për vdekjen e Mbretit Zog, rrëfimi për çastet e mbrame të heroit  të 7 prillit gjeneral Abaz Kupit dhe ngjarje të tjera të diasporës shqiptare.  Rrëfimi për të parën here -si Ndreca shpëtoi bashkatdhetarin dibran të kërcënuar nga vjedhësi afrikano-amerikan, të cilin e asgjësoi dhe pas 12 ditësh përfitoi pafajsinë dhe se si i asgjësoi dy grabitës të rrezikshëm, që e sulmuan atë, vetë i shtatë, në shtëpinë e një bashkatdhetari. Gazeta “The New York Times” për Ndrec Gjergjin, – trim e besnik. Ndiqeni rrëfimin që ai dha për gazetën “Dielli”.

11 vjeç në kampin e internimit në Tepelenë

Ndrec Gjergji u lind në fshatin Mali i Bardhë të Kurbinit, Shqipëri në prill 1935. Dera e Nikollë Ndreut shquhej për qëndrim kombëtar përgjatë të gjithë historisë, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në kohët e reja, familja Ndreu- Qypi u lidh ngushtësisht me Monarkistët, që kur Mbreti Zog u kërkoi fiseve të Kurbinit, që të dërgonin djemtë për t’i shkolluar në kurset speciale të përgatitjes për ushtarakë. Gjyshi i Ndrecës, dërgoi, Gjon Nikollë Qypin, axhën e Ndrecës. Që në atë moment iu dha besa mbretit, besë që e vijon edhe sot. Axha i Ndrecës doli nga shkolla ushtarake me gradën nëntoger, më pas u gradua kapiten. Gjatë Luftës së II Botërore familja u përpoq që të ruante asnjanësinë, me përjashtim të axhës Gjon, që u rreshtua me nacionalistët dhe shkoi të luftonte në Kosovë, në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, ku ishte radhitur në radhët e batalionit”Scanderbeg”.  Ai mbeti i vrarë në luftime në rrethinat e Pejës gjatë vitit 1944, atje u varros dhe sot nuk i dihet varri.

Megjithë asnjanësinë e tyre gjatë luftës, fisi i Ndrecës shihej me dyshim nga sunduesit e rinj komunistë.  Ata mbetën qysh në krye të herës të vëzhguar e të dyshuar nga pushtetarët e rinj. Kur luftëtarët, ata që thirreshin nga Sigurimi “diversantët”,  trokitën në derën Nikollëve  për  besë e bukë, nuk u refuzuan.  Komunistët u kërkuan që t’i dorëzonin, por ata nuk i prenë në besë dhe pranuan pasojat që erdhën pas konfliktimit me pushtetin.  Në vitin 1949, Gjergj Nikolla me pesë djem të shtëpisë Qypi, braktis shtëpinë dhe u ngjitën në mal, për t’mos u kthyer më aty. Krijohet kështu çeta antikomuniste e përbërë nga pjesëtarë të një fisi:  Gjergj Nikolla, Bardhok Ndreu, Ndue Lala, Zef Gjergji, Pal Lala, Pjeter Lala dhe Marka Gjoni. Masa e parë që mori sigurimi ishte internimi i pjestarëve të tjerë të familjes, rreth 16 vetë.  Fillisht në Berat, e më pas në Tepelenë.

Ndëshkimi ishte i pamëshirshëm: Babai i Ndrecës mbeti i vrarë nga forcat e ndjekjes;  axha po ashtu, gjyshi Nikollë Ndreu, vdiq në burgun e Tiranës. Ndreca fëmijë, nisi të endej së bashku me familjen,  nëpër kampet e internimit; në fillim në Berat, pastaj në Tepelenë. Ishte vetëm 11 vjeç, por vuajtjet e atij kampi shfarosës, ai nuk mund t’i shlyejë  nga kujtesa as sot në moshën 86 vjeçare.  Gratë dhe burrat shkonin në mal dhe ngarkoheshin me dru, ndërsa fëmijët e pambrojtur, i korrte kosa e vdekjes,  nga jeta mizerabël dhe ushqimi i pamjaftushëm, dhe së shumti bollgur me krimba. Më 1951 e liruan nga kampi i Tepelenës, sipas një aministie  të qeverisë komuniste për fëmijët  nën 14 vjeç. U kthye sërish në Malin e Bardhë,  së bashku me vëllanë e vogël, Lekën, dhe kushëririn Kolë.  U strehuan tek pjesa e mbetur e familjes.

***

Pjestarët e familjes Qypi të vrarë nga diktatura komuniste:

Gjergj Nikolla, vrarë më, 5 maj 1952

Prend Gjergji, vrarë më, 24 korrik 1948

Zef Gjergji, vrarë më, 20 qershor 1951

Marka Gjoni, vrarë më, 20 qershor 1951

Kolë Gjoni, vrarë më, 10 nëntor 1951

Jak Mark Lala, vrarë më, 10 nëntor 1951

Pjetër Llesh Lala, vrarë më, 5 maj 1952

Mark Preng Ndreca, vrarë më, tetor 1947

Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 -vjeçare në burgun e Tiranës.

Arratisja në Maqedoni

Ndërsa regjimi komunist ashpërsonte masat represive ndaj familjeve antikomuniste, këyre nuk u kishte mbetur gjë tjetër, veçse arratisja. U hartua plani dhe Ndreca u gjend në një grup prej 12 vetash, që udhëhiqej nga Ibrahim Bami, kundërshtar i komunistëve, ndërkohë që shtigjeve  u printe Pjetër Nikolla, që ishte njohës i mirë i terrenit. Ai u jepte kurajo. Ndreca sapo i kishte mbushur 16 vjeç, por ndjehej njësoj si të rriturit, plot kurajo. U dorëzuan në postën më të afërt në kufirin maqedon.  Për 3 ditë qëndruan në Gostivar. Më pas i transferuan në Shkup, ku qëndruan tri javë. Pas intervistave të gjata, u pranuan si refugjatë politikë,  dhe si të atillë i trajtuan. Pas 3 javësh kërkuan që të shkonin në Prizren, ku ishte vendosur kushëriri, Bardhok Ndreu Qypi, që ishte arratisur një vit para tyre. Ua dhanë lejen. Ndreca u lejua që të vazhdonte shkollën në Prizren.  E mbaroi me rezultate të mira arsimin 8- vjeçar. Ai kujton jetën e vështirë nën vëzhgimin e organeve policore jugosllave.  Kur paraqitën kërkesën për të shkuar në Perëndim, i transferuan në kampin e Gerovës, ku kushtetet e jetesës ishin tepër të vështira. Ish -Jugosllavia merrte fonde të mëdha nga Perëndimi për refugjatët politikë, natyrisht që pjesën më të madhe i përfitonte shteti, ndërsa refugjatëve u jepej sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Ndreca qëndroi dy vjet në kampin e Gerovës. Bashkë me të ishte edhe kushëriri Bardhoku, me të cilin nuk u nda, ishin bashkë edhe në Paris, në Bruksel, e New York, bashkë deri në fund të jetës. Nga Gerova udhëtuan drejt Parisit në fillim të vitit 1956.  Jeta e refugjatit politik në Paris ishte tepër e vështirë.  Duke qenë të pakualifikuar, i dërgonin në punë të rëndomta që kërkonin lodhje fizike. Ndreca filloi punë në një fabrikë të madhe druri, ku punonin më shumë se 400 punëtorë.  Qeratë e banesave ishin tepër të larta për buxhetin e varfër të refugjatëve si Ndreca e Bradhoku. Ndreca kujton se dhe racizmi ishte shumë i theksuar ato kohë në Francë, veçanërisht në Paris. Të huajt në përgjithësi nuk shiheshin me sy të mirë. Nuk kishin besim t’u jepnin banesa me qira. Në këto kushte, vendosën ta lëshonin Parisin dhe të udhëtonin drejt Brukselit, në Belgjikë.

Në Bruksel zgjidhet sekretar i degës më të madhe të Legalistëve

Me strukturat e Organizatës së Lëvizjes së Legalitetit,  Ndreca ra në kontakt sapo shkoi në Francë.  Ai u përfshi në radhët e Legalistëve qysh në krye të herës. Organizata kishte në krye Hajdar  Tonuzin, një legalist besnik,  me të cilin Ndreca do të ribashkohej në ShBA dhe do të punonin bashkë për shumë vite. Kur shkoi në Bruksel,  u vu në kontakte me degën e Lëvizjes së Legalitetit, e cila ishte ndër më të fuqishmet e kohës. Dega e Brukselit drejtohej nga kryetari Ibrahim Bami dhe sekretar, Rexhep Kumbarçe. Ndër ngjarjet që përjetoi në Bruksel, Ndreca kujton përjetimin e dhimbshëm të vdekjes së Mbretit Zog, më 9 qershor 1961. Legalistët e Brukselit  pajtuan një autobus  dhe udhëtuan drejt Parisit. Ishte një humbje e madhe,  jo vetëm për Legalistët. Ndrec Gjergji kujton homazhet në sallën e madhe të spitalit, ku ishte vendosur trupi i pajetë i Mbretit,  sallë që e kishte vënë në dispozicion spitali “Foche”, ku ai kishte mbyllur sytë. Shërbimet funerale kishin nisur me 10 prill. Shqiptarët parakalonin kryeulët para arkivolit me xhama dhe lotonin.  Më 11 prill, në orën 13.00 nisi ceremonia e varrimit. Arkivoli mbahej mbi supet e shqiptarëve,  ai ishte mbuluar me Flamurin kombëtar, ndërsa mbi stemën Mbretërore, lexoheshin qartazi me germa të arta,  fjalët që Mbreti i kishte pasur aq për zemër: “Atdheu mbi të gjitha”.  Me një kortezh madhështor, trupi i pajetë u përcoll në varrezat “Thiais Parisien”. Aty do të qëndronin eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve deri më 17 nëntor 2012, kur me vendim të Qeverisë Berisha, do të ktheheshin në Shqipëri.

Pas vdekjes së Mbretit nisi riorganizimi i degëve të Legalitetit, për të siguruar vazhdimësinë. Shumë shpejt Ndreca ra në sy për seriozitetin e kryerjes së detyrave që i ngarkoheshin, dhe në zgjedhjet e reja, ai e pa veten në krye të të zgjedhurve, duke siguruar vota më shumë se çdo kandidat  tjetër. Në fakt ishte kandidati më i preferuar, që i plotësonte të gjithë kushtet; ishte i ri, vinte nga një familje që jo vetëm ishte përballur  me shtetin komunist, por edhe ishte përgjakur me të. Babai ishte vrarë në rrethim të pazakontë nga forcat e ndjekjes dhe ushtria, gjyshi i dënuar me burgim të përjetshëm,  kishte vdekur  në  burgun e Tiranës, axha i vrarë. Ai kujton se ishin 80 delegatë që votuan dhe emri i Ndrecës qëndroi në krye të të propozuarve për drejtimin e degës. Ishte viti 1961. Ishte 25 vjeç. Iu duk herët për të marrë drejtimin e degës dhe u kërkoi delegatëve të bënin paktin e mirëkuptimit:  Kryetari të mos përcaktohej nga numri i votave që kishte marrë, por të vendosej me mirëkuptim, nga kryesia e zgjedhur. Dhe ashtu u bë. Ndreca i kërkoi Vehap Shehut, një antikomunist i njohur prej Lume, që me vota ishte renditur i dyti, që ai ta merrte postin e kryetarit, pasi vetë ai ishte i ri dhe pa përvojë;  pranë tij do të mësonte më shumë. Në kryesinë e degës ishte përfshirë edhe studenti Idriz Basha, ai pranoi detyrën e zv/kryetarit të degës. Në postin e sekretarit të degës, Ndreca punoi pa u lodhur.

Ndreca me aktivitetin e tij kishte fituar admirim edhe në strukturat e larta të Lëvizjes së Legalitetit.  Në Bruksel, pas riorganizimit të degës, kishte shkuar nga Nju Jorku, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes së Legalitetit, Dr.Nuçi Kota. Ai ishte njohur me punën shumë të mirë të Ndrecës dhe kur ishte kthyer në qendër e kishte propozuar anëtar të Komitetit Qendror.

Sigurimi i shtetit shqiptar është përpjekur që të depërtojë përmes agjentëve të kamufluar në radhët e Legalitetit. Një ndër ata ishte edhe Isuf (Cufe) Mullaj, historitë e të cilit, Sigurimi i ka “shitur” si heroizëm të rrallë. Në fakt Cufja ka shkuar në Bruksel para Ndrecës. Madje ishte sekretar i degës, që kryesohej nga Ibrahim Bami. Edhe në vitin 1961, kur Ndreca u zgjodh sekretar, Cufja ishte pjesë e kryesisë. Përveç Cufes, Sigurimi kishte depërtuar në radhët e degës së Brukselit edhe me agjentin tjetër, Anton Konomi, edhe ai kishte arritur të anëtarësohej në radhët e Legalitetitt.  Cufe Mullaj tregohej aktiv,  përpiqej të binte në sy për gjithçka, jo vetëm në veprimtaritë e degës, por edhe në ato të Qendrës,  kur ai u bë pjesë e Komitetit Qendror të Organizatës Lëvizja e Legalitetit.  Në festat e Flamurit apo aktivitetet e tjera, merrte përsipër detyra. Kur i jepej rasti e shante Enver Hoxhën më shumë se kushdo, për t’u hequr si antikomunist e për të fituar më shumë besim.  Cufja tregohej i gatshëm për të ndihmuar anëtarët e degës, duke iu gjendur pranë në çdo rast, tregohej i gatshëm kur mbarteshin nga njera shtëpi në tjetrën, ai pa u lodhur ngarkonte, shkarkonte orenditë, në raste gëzimesh apo fatkeqësish, paraqitej për ndihmë. Në këtë mënyrë, kishte bërë për vete simpatizues të shumtë, por dikur ra në sy, dhe do të kishte përfunduar keq, nëse nuk do ta kishte kuptuar kurthin që iu ngrit. Gjithsesi, Ndreca  kishte ikur nga Brukseli, kur Cufja me ndihmën e Sigurimit, arriti të kthehej në Shqipëri më 7 nëntor 1964. Atë kohë Ndreca ndodhej në Nju Jork, kishte emigruar në SHBA në mes të vitit 1963, me garanci të Kishës dhe Komitetit  “Shqipëria e Lirë”.

Pranë gjeneral Abaz Kupit, heroit të 7 prillit

Ndrec Gjergji, sëbashku me kushëririn e tij Bardhokun, pasi lanë Brukselin, u vendosën në Nju Jork, ku jetonin një pjesë e konsiderueshme e legalistëve. Ndërsa kushëriri, Bardhoku nisi punën si argjendpunues  në një argjendari, Ndreca  u punësua në Picerinë e Ramiz Danit, shoqëruesit besnik të Abaz Kupit, që nga lufta e deri sa mbylli sytë. Heroi i 7 prillit jetonte  pranë  Ramiz Danit,  së bashku me të birin, Rustemin.  Ndreca ndjehet me fat se sapo erdhi në Nju Jork, e derisa mbylli sytë Abaz Kupi, ai ka pasur  fatin që të ndodhej pranë tij dhe t’i shërbente në restorant. Shërbimi ndaj heroit të 7 prillit, i jepte një kënaqësi të veçantë. Kujton se Abazi kishte orarin e tij të veprimeve:  Nga ora 10 e mëngjesit dilte për një shëtitje 2 orëshe në parkun aty pranë, në ‘Kew Garden’. Ecte përgjatë parkut, ulej, ecte sërish derisa shkonte ora 12 e drekës. Në orën 12 fiks, kthehej në restorant. I ofrohej një gotë uiski, derisa i bëhej gati dreka. Pushonte në dhomën e tij për rreth 2 orë dhe pasdite, dilte  sërish për një shëtitje në park. Njerëzit që e rrethonin, përpiqeshin t’i shërbenin me dashuri dhe të mos i mungonte asgjë.  Për 24 orë ishte i rrethuar nga njerëz që e donin dhe respektonin. Asgjë nuk i mungonte. Edhe vetë zonja e tij, Havaja, po të ishte pranë tij, nuk do të mund t’ia bënte atë shërbim, – arsyeton Ndreca.

Ai kujton se në biseda mes miqsh, Abaz Kupi, fliste me hidhërim për gjendjen e popullit shqiptar nën diktaturën e Enver Hoxhës. Natyrisht kishte atje dhe familjen, gruan, vajzat dhe djalin, Bardhin, që vuanin në kampet e internimit dhe burgje. Ka pasur raste që edhe shpërthente: “Çfarë ka bërë Havaja ime, që e mbajnë në kampet e internimit? Po vajzat? Po djali?… ai regjim me dhunë jeton dhe nga dhuna do të bjerë, do të hajë veten”.  Abaz Kupi besonte se një ditë regjimi komunist në Shqipëri do të binte, por ishte plotësisht i bindur se ai vetë, nuk do t’ia arrinte, kishte bindjen se komunizmi në Shqipëri do të binte si strategji ndërkombëtare.

Kohën  pranë Abaz Kupit,  Ndreca e kujton me nostalgji.  Ai sjell ndërmend edhe fundin e heroit. Sëmundja iu shfaq aty nga fundi i dhjetorit 1975. Qëndroi për dy javë në spital në Long Island. Kishte dhimbje të forta dhe po humbte kontrollin.  Ekzaminimi i mjekëve arriti në përfundim se gjendja ishte e rëndë. Duhej operuar  me urgjencë për shkak të problemeve të aortës,  por garancitë e jetës ishin fare të pakta, risku ishte i lartë, 94 përqind nuk mund të shpëtonte.  Shpresat qëndronin vetëm në një 6 përqindësh.  U pyet familja, djemtë Petriti e Rustemi, si dhe Ramiz Dani. Ata vendosën që të kryhej operacioni, sepse ai nuk mund të shpëtonte pa e kryer operacionin. Fatkeqsisht nuk i mbijetoi ndërhyrjes. U shua në spital me 9 janar 1976.

Për Ndrec Gjergjin, ikja e Abaz Kupit, ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për nacionalizmin shqiptar. U shua një simbol që i kishte shërbyer me devotshmëri Kombit të vet. Abaz Kupi ishte shpresë,  jo vetëm për Legalistët,  por edhe për të gjithë nacionalizmin antikomunist. Përcjellja e heroit ka qenë madhështore. Ndreca ishte pjesë e komisionit të ceremonive.  Shërbimet funerale kanë zgjatur  për tri ditë.  Shqiptarët kishin udhëtuar nga Evropa,  Kanadaja dhe shtetet e Amerikës së Veriut për t’i dhënë lamtumirën heroit. Erdhën përfaqësues zyratarë  edhe nga Anglia, të dërguar nga Julian Amery dhe David Smiley, që kishin qëndruar e luftuar pranë shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ngushëlloi dhe mori pjesë në ceremonitë mortore edhe z. Alexander Macmillan, i biri i ish- Kryeministrit të Anglisë,  i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast. Shtëpia mortore në “81 street dhe Madison Avenue në Manhattan”, nuk kishte përjetuar në historinë e saj aq shumë vizitorë. Më shumë se 100 kurora me lule sollën shqiptarët. Të gjithë shqiptarët e ndershëm e qanë dhe e nderuan Abaz  Kupin. Ceremonia e varrimit u krye më 14 janar. Në varrimin e tij mori pjesë dhe Mbreti Leka, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit, avokat Selim Damani. Shërbimet fetare i udhëhoqën  dy imamë të xhamisë dhe dy klerikët e tjerë, Babai i Teqesë së Detroit-it dhe prifti katolik Dom Zef Oroshi. Të katër klerikët bënë lutje dhe vlerësuan shpirtin kombëtar të Heroit.

Abaz Kupi, edhe pas vdekjes, ka qenë dhe mbetet figurë bashkuese për Legalitetin dhe Komunitetin shqiptar. Çdo vit tek varri i tij janë bashkuar me Legalitetin dhe kanë nderuar veprën e gjeneral Abaz Kupit.  Meritë për këtë, përveç Legalitetit, kanë familjet Kupi, Dani dhe familja e Ndrecës. Edhe gjatë këtij viti të pandemisë, riti përkujtimor u krye pranë varrit, në masa kufizuese.