Brahollari: Masakra me pallatin e kulturës në Përmetë

725
Sigal

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese edhe pse në disfavor të administratorit të kishës nuk është se e lëvizi atë nga pozicioni antiligjor

-Pallati i kulturës “NaimFrashëri” në Përmet është kthyer në një objekt të ç’natyruar

-Nëse një ditë do të shikoni shkatërrimin me themel mos u habisni faji është i yni

-Vëllezërit Frashëri nuk do na e falin këtë shkatërrim kulture

– I takoi priftit Thomollari që të ndërmerrte veprimin flagrant, ku pati rezultat të dukshëm kundrejt një drejtësie të mpirë

– Përmeti, që e ka merituar konsideratën si një qytet me vlera kulturore, tani ka mbetur pa shtratin e artit

 Petrit Brahollari

 Pallati i kulturës “NaimFrashëri” në Përmet është kthyer në një objekt të ç’natyruar. Pushtimi i tij mbart aventurë dhe djallëzi. Për ta kthyer nga institucion kulturor në kishë ortodokse duhej një burrë i dobët mendërisht ose i fortë fizikisht. Strategjia e zaptimit të objektit i takon kryekishtarit zotit Vasil Thomollari. Ai e ka meritën e kësaj gjetjeje.

1Dikush do ta zbatonte studimin, por kësaj radhe i takoi priftit Thomollari që të ndërmerrte veprimin flagrant, ku pati rezultat të dukshëm kundrejt një drejtësie të mpirë. Liri absolute e profesionistit provokues, i ekspozuar me ndërgjegje dhe pasionant i papërmbajtshëm. Nuk dimë vetëm nëse është i përdorur me dëshirë apo zbatues i ndonjë urdhri te kuptuar keq. Bëhet fjalë për një dëm të pallogaritshëm që ka frenuar aktivitetet kulturore në objekt dhe po aq i rëndë ndaj harmonisë qytetare, i cili ka si shkak dëshirat dhe tekat e priftit të Përmetit që nuk ndihet i vetëm sepse rrethohet nga të tjerë priftërinj në qarkun e Gjirokastrës dhe më gjerë, madje dhe përtej jugut. Hovet e dukshme dhe të pamatura “vasiliane” e përplasin energjinë mbi kujtesën dhe rrënjët. Ato janë kryeneçe dhe të padenja. Si të tilla, ato shkojnë përtej disiplinës që ai mbulon dhe tregojnë mungese respekti ndaj qytetarëve. Pallati i kulturës në Përmet u përurua në 28 nëntor të vitit 1962 dhe iu vendos emri i poetit të madh të rilindjes Naim Frashëri. Dita e gëzueshme për përmetarët solli edhe ëndrrat e natës e shqetësimet e dikujt që atij vendi ia kishte vënë syrin për kishë. Ëndrrat vazhduan aq gjatë saqë ëndrrat e natës u zgjuan me sulmin e ditës. Ajo që pritej, ndodhi. Pallati i kulturës “Naim Frashëri” u pushtua. Muzika u përzu dhunshëm. Me urdhër të priftit, atë do ta zëvendësonte kambana e kishës që akoma nuk është akorduar. Në 25 shtator 1997, në pistën e vitit të mbrapshtë shqiptar nisi maratona gjyqësore që finishin e pati në 5 Maj 2004. Thumbi helmues u fut thellë në ndërgjegjen qytetare dhe alergjia arriti në limitet e padurimit. Përfaqësuesi i kishës zoti Thomollari, më këpucë të shtrënguara, i nguli më fort thundrat e tyre në pallatin e ëndrrave. Krimbi që futet te druri më i fortë dhe e bluan atë, kësaj here i ishte sulur rikonstruksionit të betontë të mureve të brendshëm të objektit. Priftit i shijonte kjo lloj muzike e ashpër masakre. Qytetarët përmetarë panë në vijim fenomene të habitshme, të pajetuara më parë. Ata janë të mësuar dhe të edukuar me rregullin dhe e neveritin shkatërrimin.

2Përmetarët nuk vënë dorë asnjëherë atje ku nuk iu takon

Ata përqafojnë veprat e mendjes dhe insistojnë që të mësojnë qytetarinë denjësisht përpara se t’u binden rregullave të saj. Prandaj dhe ndihen të vlerësuar kudo që ndodhen. Interesat dhe ndjenjat në qytet janë të përbashkëta, kultura dhe feja. Po pati urrejtje, tronditet ekzistenca dhe mahisen plagët e shoqërisë. Gjykata e shkallës së parë me vendimin nr. 468 të datës 10 korrik 2004, që fajësonte priftin Thomollari, u prit nga ky i fundit me një nënqeshje. Përjetimi varet dhe nga mënyra si e lexon. Me syrin e hapur nga Bashkia e Përmetit dhe jo vetëm kaq, ai mori energji për të vazhduar ecejaket, për të shtyrë kohë pa mbarim me kundërshti ankimore.  Me kryqin e rëndë dhe veladonin e zi, ai nuk lëvizi nga institucioni kulturor me pretendimin se është kisha e vet dhe ndezi qirinjtë e dhjamtë atje ku ato themele po mbajnë ende peshën e pushtimit. Përmeti, që e ka merituar konsideratën si një qytet me vlera kulturore, tani ka mbetur pa shtratin e këngës, pa strehën e muzikës, pa sallën e ekspozitave të pikturës, pa ambientin e teatrit të kukullave, pa lozhën fantastike nga ana arkitekturore dhe aq funksionale në marrëdhënie me skenën, pa skenën e madhe të koncerteve, pa dhomën e provave në tavolinë të dramave, estradave dhe fjalës artistike, pa ambientet e rekuizitës dhe skenografisë. Atje janë shqyer projektorët e ndriçimit të sallës dhe efekteve skenike. Çfarë nuk është bërë dhe tjetërsuar!Për orenditë as që bëhet fjalë se ku janë, ç’u bënë e ku shkuan. Aty gjen veç dritare të djegura e mure të nxirë; një ambient vërtet i shkallmuar. Çka duket është vetëm godina që ka ngelur ende në këmbë. Dera kryesore poshtë ballkonit të madh ngjason me ato të kasolleve primitive të blegtorisë. Aty hyn e del hirësia i pashqetësuar, të cilin e shoqëron uni kapriçoz. Zoti Thomollari nuk e pyet veten se ku shkon dhe çfarë bën, kujt i përket dhe kë quan gjë të shenjtë. Edhe lulishtet me trëndafilat e traditës janë pa lezet pranë objektit fantazmë. Ka ikur shija dhe aroma, përpara ka dalë djegësira, oksigjenin e ka zëvendësuar  karboni. Vjosa pyet qytetarët, “Mos vallë dhe mua do ma ndalin rrjedhën?”Po fati im si do jetë, mendohet Naim Frashëri, të cilit i bën shoqëri një qytetar nga fshati, që shet para tij çaj të mbledhur në malin e Dhëmbelit. Kur shpërfillet drejtësia, çfarë nuk ndodh. Kush tha se atë që nuk e bëri tërmeti në Pallatin e Kulturës nuk e bën dora e njeriut me mendje shkatërrimtare? Nëse një ditë do të shikoni shkatërrimin me themel do të jetë vonë. Tani për tani shohim vetëm psikologun e larguar. Është degdisur psikologu që shëron shpirtin. Ai psikolog për përmetarët është muzika. S’ka si ndodh ndryshe kur një shteti kaq të vogël, i kanë zënë frymën probleme kaq të mëdha. Le të vazhdojmë me kalvarin e gjyqeve maratonë.Në 21 mars 2002, Gjykata e Apelit të Gjirokastrës me vendimin nr. 122 nuk e ndryshoi qëndrimin stoik të kryekishtarit Thomollari për ta liruar institucionin. Mosbindja e priftit nuk ishte ndonjë gjë e re, por edhe qytetarët nuk kishin pritshmëri pozitive. Ai i kishte premtuar vetes se do të bënte dhe do të mbronte deri në fund atë që e bëri, por që nuk ka si të mbrohet. Këmbëngulës dhe krenar, qëndrestari ndezi dhe një herë qirinjtë e dhjamtë dhe betohet para flakës se beteja gjyqësore s’ka mbaruar. Veprimtaritë kulturore në Pallatin e Kulturës mbeten një prush i shuar. Fortesa e ngritur nuk lejon zhvillimin e kulturës vendase dhe as atë të rretheve të tjera. Sa për botën përtej kufijve, as që bëhet fjalë. Kulturat e ndryshme s’kanë ku prezantohen. Në këto kushte, aktivitetet kulturore zhvillohen nga halli në natyrë apo në sallën e improvizuar te shtëpia e oficerëve ku nuk ka skenë. Pra, aty është syrgjynosur Pallati i Kulturës, nga një pallat madhështor në një furrik pulash. Karriget në sallë kanë rolin e spektatorit. Këmbët e tyre kërcasin vetëm kur pastrohet pluhuri; harmoni muzikore e kohëve moderne. Përmeti i kulturës nuk është dekor pa vlerë që ta vërë përfund absurditeti dhe kjo që po ndodh është mjerane. Ai pallat ka karakter të qëndrueshëm. Pozicioni me funksion arkitektonik me vlera dhe rezistent ndaj kohës, është dinjitoz dhe gëzon admirimin qytetar. Ndërkaq, qytetarët vazhdojnë të presin me durim kthimin e pjesës së grabitur, kthimin e shpirtit të rrëmbyer. Për momentin ka vetëm heshtje. Heshtja e madhe i ka siguruar suksesin priftit të vogël. Pesha e saj rëndon dhimbshëm mbi elitat qytetare që i janë dorëzuar mjerimit. Ndrojtja dhe pafuqia tregon tërheqjen përballë kamxhikut që tund dora e ekzaltuar, e ngritur lart mbi harmoninë sociale. Vendimi i Gjykatës së Lartë i datës 14 tetor 2003 nr. 1540 nuk e preku fare zaptuesin. S’kishte si ndodhte ndryshe me kryekishtarin që nga njëra anë i drejtohet organeve gjyqësore dhe nga ana tjetër nuk iu bindet atyre. Pra, ai e shpërfilli edhe gjykatën e lartë. Jo vetëm kaq, por le të shtjellojmë më tej qëndrimin e tij, le të shohim se si ky njeri nuk vë në funksion logjikën. Ndonëse edhe Gjykata Kushtetuese i tha prerë, “Ndal, se e ke kaluar kufirin”, ai vazhdon edhe sot revanshin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbeti i injoruar. Hirësia është aq i zgjuar sa të kuptojë drejtësinë shqiptare dhe gjen dritare për t’i bërë karshillëk asaj. Të rreshtohesh në racën e të fortëve nuk është aq e lehtë se duhet të plotësosh disa kritere. Duhet të jesh i mbrojtur dhe një nga llojet e mbrojtjes që është më e forta, është mbrojtja politike, ku gjen strehë edhe hirësia .Dosja e akuzës për pushtimin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”është e plotë. Janë zhvilluar 133 seanca gjyqësore nga ajo e shkallës së parë, apelit, Gjykatës së Lartë dhe deri te Kushtetuesja.

3

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese edhe pse në disfavor të administratorit të kishës nuk është se e lëvizi atë nga pozicioni antiligjor. Si duket, ai e ka të ngulitur në kokë se shkalla më e lartë e gjyqësorit është politika. Jo vetëm ai, por dhe shumë të tjerë që janë në shkelje të ligjeve shqiptare, e marrin energjinë nga politika, nga kjo politikë që e ka çuar vendin në agoni. Përmeti merr frymë me muzikën. Kënga dhe muzika lindën bashkë me qytetin. Por nuk përjashtohet dhe ndonjë ditë që sjell tersin, që të ulet këmbëkryq në vatër e loz me ndjenjën, ta dëbon muzikën e shpirti, atij shpirti që jeton në të ëmblën muzikë. Shpirti i madh është në tru dhe bën punë të mëdha ndërsa i vogli në bark, që ta shkul zemrën, të çjerr bukurinë dhe e bën të vështirë përjetësinë. Sa për bashkinë e qytetit që ka në administrim objektin kulturor, nuk kanë vend fjalët e mira. Edhe po të duam, ato nuk ngjisin, se drejtuesit e bashkisë shijnë në lëmin e priftit.Ish kryetari i bashkisë, zoti Niko Shupli, vulën e besimit që i dhanë qytetarët e vendosi në lojën e shpërdorimit të detyrës. Ish drejtuesin e qendrës kulturore në fillimet e pushtimit të Pallatit të Kulturës nuk e zuri narkoza e priftit, as shantazhet anësore dhe as harbutëria e kryetarit E. M. që e pushoi nga puna. Drejtues të tjerë në vijim dhe ai aktual në Qendrën e Kulturës e dimë që s’e ka të lehtë që t’i dalë përballë priftit e t’i thotë, “Ndal! Nuk të takon ty që të hapësh e të mbyllën derën e Pallatit të Kulturës. Kjo është dera ime. Shko atje ku ke vendin, në kishë.N jë zë intelektuali, sado i mekur, mbetet zë. Aq më mirë që shërben në fushën e kulturës. Këtë zë nuk e dëgjojmë as nga drejtimi kulturor i qarkut të Gjirokastrës. Ajo që nuk dimë është dëshira dhe forca e ministres së kulturës, zonjës Elva Margariti. Është e pafalshme që problemi i Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet të mbetet edhe te ministria përkatëse një zë i prerë. Indiferenca e ministres Kumbaro nuk është vlerë për t’u imituar. Bëri përshtypje zonja Kumbaro në një aktivitet në Përmet, ku nuk i shkoi në mend Pallati i Kulturës i pushtuar. Ajo shfaqi emocion vetëm për pritjen përmetare nën shijen e ëmbël të glikosë së arrës. Besojmë se zonja Margariti do të hidhet një ditë në Përmet,për të ndjekur problemin që po rrënon çdo ditë kulturën dhe trashëgiminë. Sa për prefektin e Gjirokastrës, zotin Astrit Alia, nuk ia dimë shijet, s’dimë nëse pëlqen instrumentet klasike apo veglat popullore të traditës. Nuk na takon të flasim për shijet muzikore të një prefekti, por për shurdhërinë e tij ndaj vijës melodike të fyellit të priftit, po. Ajo që të bën vërtet përshtypje është se fyelli i priftit ka bërë për vete edhe Kryeministrinë, Ministrinë e Drejtësisë po e po, madje dhe vetë Presidencën. Mirëkuptimi servil ndaj autoriteteve kishtare bën mu. Autoritetet shtetërore i kanë dhënë krahë zaptuesit që ka errësuar kulturën e qytetit dhe i kanë zbathur këpucët drejtësisë. Përdorimi i forcës mbyll shtegun e qytetarisë. Për kryekishtarin s’ka rëndësi. Ai ka kohë qe ka fituar famën e të fortit ndërkohë që ka humbur diçka tjetër, që nuk është në favor të kishës. Veprimi i tij mbart dobësi fajtore që lëkund autoritetin që ai përfaqëson.

4

E cenon ligjin dhe trondit marrëdhëniet me qytetarinë.

Thyerja e ligjit dhe prishja e  komunikimit  sjellin vetëm rreziqe. Hileqarët abuzojnë atje ku durimi është më i madh, dhe në Përmet durimin e gjen me tepri. Përmetarët e kanë si instrument kulturën. Kjo nuk është kategorike sepse sipas urtësisë popullore, pyll pa derra nuk ka. Ndaj dhe në Përmet nuk mungojnë “guximtarët” që e konsiderojmë dijen shërbëtore të forcës dhe bëjnë kompromis me padrejtësinë. Shëmbëlltyrat e kësaj race nuk e pyesin veten a janë të admirueshme veprimet që bëjnë dhe a gëzojnë respektin e të tjerëve. Demonstrim force në palcën e Përmetit. E dukshme dhe e gjallë fotografia e padrejtësisë;e pamatshme temperatura e vlimit. Kush e shikon realitetin, habitet. Kush e dëgjon për herë të parë, pyet, “Pse është pushtuar dhe mbahet forcërisht prej kaq vitesh. Pallati i Kulturës në Përmet?”Reagimi i historianit z.Kristo Frashëri në 22 gusht 2013 qartësoi më së miri përgjigjen e pyetjes. Po citojmë.”Përmeti është një qytet në të ashtuquajturin ‘Vorio Epir’, trevë të cilën Athina lakmon që ta aneksojë. Meqenëse në Përmet nuk ka banorë grekë, nacionalistët e Athinës përpiqen ta helenizojnë. Pallati i Kulturës që mban emrin e Naim Frashërit nuk mund të shërbejë për asnjë çast si platformë heleniste e Athinës. Kjo është arsyeja se pse hirësia e tij Jenullatosi ngul këmbë që Pallati i Kulturës të kthehet në kishë ortodokse”.Këtë problem e mban të mbërthyer prifti i Përmetit, i përkrahur nga ata të qarkut të Gjirokastrës, por edhe përtej kufirit. Priftërinjtë me shtetësi dhe kombësi shqiptaro-shqiptare, greko-greke dhe kryepeshkopi Jenullatos me kombësi greke dhe shtetësi shqiptare. Pra, një mori priftërinjsh që përbëjnë orkestrën. Në Përmet gjenden dy kisha ortodokse, kisha e Shëne Premtes dhe kisha e Shën Kollit. E para u ngrit në vitin 1776 dhe e dyta në vitin 1757. Përmeti është djegur katër herë në kohë lufte dhe një herë në kohë paqe. Në vitet 1940-1941, nga pushtuesit grekë. Nëpër mure shkruhej, “Ja Greqi, ja vdekje”. 37 shtëpi të shkrumbuara. Në 6 korrik 1943 u dogj nga fashistët italianë dhe në 2 nëntor e 3 shtator nga nazistët gjermanë. Djegia për herë të pestë, sipas një të moshuari përmetar ishte më e madhe sepse nuk u dogjën një apo shumë shtëpi, por u dogj kultura e gjithë qytetit. Akademia e Shkencave duhet të ishte më e interesuar për mjekimin e kësaj plage të rëndë. Kisha e Shën Kollit, e bukur dhe  e veçantë, tërheq besimtarët dhe e ruan funksionin e saj. Kualiteti tërheq studiuesit dhe vizitorët. Por oreksi për kisha të tjera s’ka kufi. Ca më tej shtrihet Vorio Epiri pa fund. Sot për sot, shohim që oreksi e ka ndalur hovin te Pallati i Kulturës të qytetit. Nesër mund të tregohet një ëndërr e re që komuniteti përmetar zor se e kapërdin. Në vitin 1920, në Kishën e Shën Kollit, u këndua ungjilli me diksionin e pastër të Fan Stilian Nolit. Ai zë mund të arrihet, por edhe mund  të mos pëlqehet në kohën e sotme. Le të këndohet nga ata që iu takon atje ku është vendi dhe lezeti. Kambana e kishës bën rezonancë te Pallati i Kulturës Naim Frashëri. Atje është pallati i muzikës.

5

Thirrja e zaptuesit

Thirrja e zaptuesit në momente vendimtare ka bërë bashkë disa simpatizantë besimtarë ortodoksë dhe priftërinj të qarkut të Gjirokastrës. Atë që gjyqësori e bën të mundur, ekzekutivi përmbarimor ka autorizimin për ta çuar në kufijtë e normalitetit. Ashtu ndodhi. Objekti u lirua mbas rezistencës së përmasave të frikshme dhe prifti u detyrua të dalë jashtë institucionit kulturor. Derës iu vu kyçi dhe çelësat iu dorëzuan ish kryetarit të bashkisë, zotit Gilbert Jaçe. Qëndrimi i zotit Jaçe ishte aktiv dhe mjaft serioz në ndihmë të përfaqësuesve përmbarimorë. Ajo ditë u bë ngjarje e pazakontë në Përmet. Qytetarët shikonin të heshtur shfaqjen agresive të priftërinjve mbi përmbaruesin e disiplinuar dhe korrekt që nuk iu nënshtrua presionit siç ndodh rëndom me disa përmbarues të tjerë që me raste bëhen palë me fajtorin. Me kompetencë, zoti Fatos Alimadhi lexoi në terren zbardhjen e vendimit. Dhe u mendua që me kaq, problemi në Përmet mori fund. Por jo, problemi s’paskësh fund, ai mbeti sërish problem. Zgjedhjet e reja e rrëzuan kryetarin Jaçe dhe sollën në pushtet një kryetar të ri. Në kolltukun e lakmuar u ul zoti Niko Shupli. Ndër të tjera, zoti Shupli mori në dorëzim edhe çelësat problematikë të pallatit të kulturës. Absurditetet tek ne janë gjë e zakonshme. Të papërgjegjshmit janë të dëgjuar dhe të njohur me pozitë. Kryetari i ri Niko nuk e lodhi mendjen. Në vend që ta vinte në funksion objektin kulturor në shërbim të aktiviteteve, ai ia dorëzoi çelësat e indiferentizmit priftit Vasil. “Merri, zoti prift, se tani jam unë kryetar. Kaq kam në dorë, këngën këndoje vetë”. Qytetarë të ndryshëm dhe intelektualë përmetarë, në kohën që drejtonte bashkinë zoti Jaçe, iu drejtuan asaj për zaptimin e padrejtë të institucionit. Këshilli Bashkiak, në mbledhjen e 3 korrikut 2001, mori vendimin se nuk do të lejonte që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” i zaptuar të kthehej në kishë ortodokse. E megjithatë, fundi i absurditetit mbeti pa fund. Dinakëria cipëgrisur ka strategjinë e vet. Kryetari i ri me emrin Niko dhe Nikot e tjerë të këshillit bashkiak, servilë e ndoshta të joshur, ushtarë të gjeneralit që bashkë me të, pinë ujë në shtambën e priftit, nuk ua vërshëllyen vendimeve gjyqësore, të kushtetueses dhe përmbarimit. Nusja e re me huqe të tjera i hodhi tej vendimet si rrobe të vjetra. Dashuria mes kryetarit të bashkisë dhe priftit pa dyshim që s’do i shpëtonte syrit të qytetarëve. Mandati i kryetarit Niko Shupli mbaroi dhe problemi i mbeti në prehër kryetares së re, zonjës Alma Hoxha. Kryetarja, që është me të vërtetë qytetare e denjë e Përmetit, duhet të dërmojë levendët e anti-kushtetutës për t’i dhënë bashkisë seriozitetin që po i mungon prej kohësh. Kështu që i takon asaj bashkie për ta kthyer objektin kulturor në normalitet, në dispozicion të qytetarëve. Nuk mund të qëndrojë në bashki një kryetare e re pa dezinfektuar më parë vulën e vjetër të turpit. Zonja Hoxha e di që Përmeti ka 10 964 banorë të cilët nuk janë të gjithë ortodoksë. Një pjesë e vogël, po. Përmeti ka 2703 shtëpi dhe jo të gjitha janë ortodokse.

 

-Nesër do lexoni:

– Përfaqësuesi i kishës ortodokse në Përmet është i ekspozuari numër një në frontin e kësaj lufte për të rrëmbyer pallatin e Kulturës

– Komuniteti bektashian:  Po ti klojë pallati Kishës  ne do të kërkojmë Pallatin e Sportit shkollën Sami Frashëri’

-Federata Panepirote e Amerikës  i kukoi i kërkoi Obamës dhe Kongresit Amerikan presion mbi qeverinë e Shqipërisë për mos tjetërsimin e Pallatit të Kulturës