Beshir Roka: Një shëndet për Dritëro Agollin

835
Sigal

Dritëro Agolli: Ajo që më ka frymëzuar, më ka nxitur më shumë në poezi, kanë qenë toka, bukuria e komshijes dhe rakia

Një shëndet për Dritëroin!

 

Kur kam qenë i vogël komshije kam pasur një grua të bukur si perri, ëndërroja sikur të kisha një grua si ajo

Gjithë natën nuk më zinte gjumi. Në vetvete kisha një siklet, një sedër dhe ambicie të brendshme. Aktiviteti kulturor për Dritëroin kishim dëshirë të na dilte sa më mirë. U ngrita në mëngjes më herët se çdo ditë tjetër. Sapo u bëra gati, mora çantën dhe u nisa për në Qendrën Kulturore të Ushtrisë. Ecja dhe mendoja me vete, pyesja veten: A do ta nderojmë sot Dritëroin? Ende ishte herët për të shkuar në zyrë, prandaj u ktheva në një nga klubet ngjitur me Qendrën Kulturore. Kamerieri, një djalë simpatik tiranas nga fisi i Demnerëve, më afrohet dhe më thotë: Komandant, si u gdhive, më duket se sot paske punë dhe e paske marrë me merak. Dje pashë që kishit varur një pankartë të madhe me një portret në fasadë, çfarë keni për të bërë, mos keni ndonjë aktivitet për ndonjë ushtarak? Ajo foto më duket se më ngjan me atë të Dritëroit. Në qoftë se e keni për atë, ai nuk ka qenë ushtarak me sa dimë ne, pse duhet bërë një gjë e tillë?

-Dëgjo miku im, i thashë, ai vërtetë nuk është ushtarak por t’i duhet ta mësosh se ai është edhe ushtarak, ka qenë partizan qysh 15 vjeç, pastaj ai është edhe i pushkës, edhe i penës. Ai për ne është një nga strategët më të mëdhenj ushtarak dhe një nga strategët më të mëdhenj të letrave shqipe. Pikërisht për këtë ne po i bëjmë një aktivitet të tillë. Ai e meriton një gjë të tillë. Për ne është një nder i madh që ai është i pranishëm. Ai i bën një nder të madh ushtrisë dhe kulturës sonë kombëtare.

Bukur, shumë bukur, ma kthen kamerieri simpatik, duke më premtuar se do të vinte në këtë veprimtari. Me të vërtetë ashtu ndodhi. 

 Në orën dhjetë u mblodhën aq shumë njerëz sa nuk mund ta imagjinoje

 

Kokrrën e mollës nuk kishe ku ta hidhje. Tingujt e Orkestrës Frymore të Ushtrisë, marshet patriotike të kujtonin se atë ditë do të vinte aty ndonjë president, apo do të kishte patjetër ndonjë pritje zyrtare. Kur ora shënonte njëmbëdhjetë, në shesh shpërthyen njerëzit. Sapo kishte ardhur Dritëroi. Të gjithë vraponin ta takonin, të merrnin një përshëndetje, ta preknin këtë njeri, të bënin ndonjë fotografi. Ai të magjepste me pamjen e tij madhështore. Ai ngjante si një perëndi, që vinte nga diku larg, që sillte vetëm fat dhe lumturi për cilindo.

Atë ditë salla më dukej sikur ishte transformuar. Të gjithë njerëzit ushtarakë, devolli, lebër, malësor nga të katër anët e Shqipërisë ishin si të dehur, tepër të gëzuar. Cilindo bënte një dhuratë, tregonte një kujtim, një mbresë, recitonte një varg, këndonte një këngë, ekzekutonte një valle. Unë në ato momente i dhurova dy simbole Dritëroit. Fillova të belbëzoj, e të sjell ndër mend diçka të largët…

Dollia

 

Në tetor, aty nga mesi i darkës u ngritën shumë dolli dhe shëndete. Edhe Albini si oficer kishte dëshirë të ngrinte një dolli sipas zakonit dhe traditës.

-Të kam gjetur, o komandant – tha Albini!

-Mirë se erdhe – i tha ai – je i mirëpritur. Po ja, kam edhe unë ca merake dhe dua të pimë bashkë sipas zakonit në Labëri. Të parin shëndet e kam për këtë trapezë, për shoqërinë tonë ushtarake. Këtë dolli e kemi unë e ti me fund, të tjerët sa të duan e sipas dëshirës. Këtë të dytën dolli e kam për mikun tonë, për njeriun tonë të zemrës, për Dritëronë. Ai na bëri një nder të madh ne ushtarakëve të garnizonit të Vlorës. Për këtë qëllim dua të flas diçka më shumë. Prandaj e ngre këtë dolli për Dritëroin, sepse ai është një nga poetët tanë më të mëdhenj të epokës që rrojmë. Unë mund ta quaj me kuptimin e plotë të fjalës një Naim të Shqipërisë së sotme. Ai di t’i këndojë bukur si edhe Naimi, Atdheut tonë, Shqipërisë sonë… Ja o komandant, këto kisha, këtë duhet ta pimë me fund. Në sallë shpërthyen duartrokitje. Njeri tjetrin e vështronim të gëzuar në sy. Unë fola atë që ndjeva në zemër. Nuk e di si më dukesh vetja, por mu duk se nderova veten dhe shokët.

-Të lumtë – më tha komandanti, kam thënë unë që je djalë për së mbari.

Por edhe shokët nuk më lanë pa më ngacmuar. – Po ku të vajti mëndja aty more shoku ynë. Ke bërë një krahasim të goditur, të bukur, me të vërtetë Dritëroi është Naimi i ditëve tona, i ditëve që rrojmë. Po për nder për Dritëroin kam debulesë, sepse më pëlqen, ka diçka të brendshme, tërheqëse, frymëzuese dhe shprese. Ai me poezinë e tij është vetë jeta, realiteti. Po se mos vetëm ne, të gjithë e duan poezinë e Dritëroit. Edhe ne ushtarakët e duam shumë. Ai është me taban kombëtar. Me cilindo ai komunikon lirshëm si vetë jeta e njerëzve. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që i ndërlikojnë aq shumë shkrimet e tyre, flasin me terma gjuhësorë të çuditshëm e ndoshta pa kuptim, për ndonjë galaktikë tjetër…

Në një çast, kur të gjithë po uleshim dhe ende tingujt e trokëllimave të gotave për shëndetin e ngritur kishin sjellë kudo një ndjenjë hareje dhe gëzimi ndofta të papërmbajtur, Meti, një oficer, që nën lëkurën e tij i kishte rreth dyzet vite, nuk u ul, por dukej tepër i nevrikosur. Ai e mbante veten për intelektual dhe i pëlqente një tjetër lloj letërsie. ..

-Ju lutem, mos u ulni – tha Meti , me një ton të ashpër dhe tepër i rënduar në fytyrë. Unë nuk jam aspak dakord me këtë dolli që u ngrit këtu. Mua do të më falni, por me këto interpretime që u bënë këtu po, po edhe në këtë dolli që ka kuptimin e vetë është e gabuar dhe pa vend. Ja, po ua them troç, se një filozof i madh dhe tepër i dëgjuar ka thënë se çdo krahasim i paraleleve historike është i gabuar, përbën një dëm të madh, një rrezik që kërcënon shoqërinë. Po më çudit fakti, që sonte na dalka një çunak, një oficer i ri qumështor dhe na bën krahasime të tilla midis Naimit tonë të madh dhe Dritëroit. Këtë fakt do ta quaja një mungesë të theksuar të formimit letrar. Epokës sonë, brezit tonë ja këtej i vinë rreziqet, nga këta njerëz që nuk njohin historinë e letrave shqip duke na bërë krahasime të çuditshme. Të bësh krahasime të tilla, t’i vendosësh këta kolosë në një paralele përbën një rrezik serioz. Kjo është njëlloj sikur t’i hipësh një kali në mes të Saharasë dhe të mos dish Nordin, të mos dish nga ke ardhur dhe ku do të shkosh.

-Uuuuuuuu, ia bënë shokët. Por megjithatë muhabeti u duk sikur ngriu. Po dukej se në mjedisin tonë nuk do të kishte më shëndete, dolli, romuze, kujtime, barsoleta, intimitete.

Veten nuk e kam ndjerë më keq se kaq ndonjëherë

 

Një fytyrë më vinte dhe një ikte. Si oficer nuk isha mësuar kurrë të ktheja fjalë. Gjithë kohën u kisha thënë si urdhëron, eprorëve të mi. Sonte në këtë darkë u bëra tjetër njeri. Nuk m’u durua. Shpirti sepse m’u trazua. Këtë e them jo nga rakia që kisha pirë, por po shikoja një ndjenjë të keqe xhelozie, smirë të përzier me ca filozofira të kota dhe pa bereqet.

-Më falni zotërinj oficerë, tha Albini! Unë kur e ngrita këtë dolli, kam parasysh traditën tonë të trashëguar nga baballarët tanë. Këtu jemi mbledhur si të thuash në një festë, në një gëzim. Ne sonte ndihemi tepër krenar. Nuk është koha të bëjmë filozofira të pakuptimta. Po të jetë nevoja e gjejmë vendin dhe kohën. Unë kur thashë që e ngre këtë dolli për Dritëroin, e ngrita për veprën e tij dhe këtë kam pasur parasysh kur thashë që Dritëroi është një Naim i vërtetë i letërsisë sonë, i kohës që rrojmë. Ashtu si edhe Naimi, Dritëroi di t’i këndojë vendit, njerëzve tanë, luftës së popullit tonë për liri, pavarësi, paqe dhe kulturë.

Komandanti po e shikonte në sy dhe herë pas here me bishtin e syrit shikonte nga Dritëroi.

-Dëgjoni, more kolegët dhe miqtë e mi – tha ai – ne sonte kemi ardhur këtu të ndjejmë kënaqësi dhe nuk duhet të jemi kaq hermetik me njeri tjetrin. Gjërat të mos i ngatërrojmë, të dimë më mirë të bëjmë muhabete, t’i shikojmë me më shumë dashamirësi çdo gjë të njeri tjetrit dhe hajde të pijmë për Dritëroin dhe t’ia marrin një kënge. Kënga buçiti, Albini ia mori aq bukur sa nuk kishe se çfarë t’i thoje atij oficeri të shkëlqyer…

Ushtria të përshëndet me fjalë zëmre

O i madhi Dritëro, profet i kohës moderne

Sot është festë, është gëzim, miq dhe shokë,

Të urojmë përjetësi, bashkë me “Nënën Shqipëri”.

Ushtrinë në zemër ke, Ushtria në zemër të ka

Fjala juaj është kushtrim, për atdhe e shqiptarinë…

Në sallë shpërthyen duartrokitje, trokëllima gotash dhe gëzimi ishte i madh. Oficer Albinit po i dilnin lot nga ky çast emocional. Tashmë biseda me Dritëroin u bë më e këndshme. Oficerët, sidomos të rinjtë iu mblodhën përqark, e prekni atë si një perëndi dhe donin diçka më shumë prej tij, donin të bashkëbisedonin me të. Arbëri, njëri nga oficerët që ishte direkt me trupat, iu drejtua Dritëroit dhe i tha:

-Unë jam një oficer i ri dhe jeta jonë ushtarake ka vështirësitë e veta, por ka edhe ajo poezinë e saj. Unë për shembull dua të di se cila ishte ajo shkëndijë që vetë ju nxiti dhe u bëtë poet, si filluat të shkruanit dhe jeni bërë një nga poetët më të shkëlqyer të vendit tim.

Të gjithë si me komandë ramë në heshtje, sytë i kishim përqendruar te Dritëroi dhe po prisnim të dëgjonim atë.

Befasia e Agollit

 

Dritëroi filloi të flasë lirshëm, duke tundur dorën e djathtë e duke hedhur me gishtërinjtë e tij flokët mbi ballë, lehtë e lehtë… Bukur, shumë bukur – tha ai. Ja more shokë, kështu si ju edhe unë kam qenë i ri në moshën tuaj. Edhe unë kisha shumë dëshira, shumë ëndrra. Por ajo që më ka frymëzuar, më ka nxitur më shumë, kanë qenë toka, bukuria e komshijes dhe rakia…Ja për shembull këto tri fakte a nuk kanë me të vërtetë poezi? Të tjerë mund të kenë arsye e shkaqe të tjera.

Edhe njëherë tjetër gazi mori tërë sallën dhe gotat e rakisë u përplasën fort për shëndetin e Dritëroit. Dhe përsëri fjalën e mori Dritëroi. Po ja more shokë ushtarak, vet toka ka në vetvete poezi. Për shembull, unë do t’u thosha: A keni pluguar ndonjëherë tokën? A keni vënë re se kur plori e çan atë, ajo lëshon avull, seç ka një afsh të ngrohtë, se si të rrëmben, të bën për vete, të thotë kujdesu për mua, më plehëro, mos më lerë të ndjerë, mbështetu te mua, mos u largo, mos u shkëput nga unë…Ja këtu a nuk ka poezi?…Provojeni njëherë dhe do të shihni se sa poezi ka këtu.

Të gjithë siç ishim duke dëgjuar me shumë vëmendje, përsëri Albini bashkë me oficerët e tjerë u entuziazmuan shumë, e duartrokitën përsëri. Megjithatë ata donin kështu me radhë edhe për bukurinë e komshijes. Me të vërtetë a kishte aty poezi. Dhe Dritëroi e mori përsëri fjalën.

-Si të them, tha ai, kur kam qenë i vogël në moshë të re në Devoll, fare afër shtëpisë time kishim një komshi. Ky komshiu kishte një grua të bukur si perri. Ata të dy burrë e grua e donin njeri tjetrin. Por mua më shkonte mendimi diku më tej. Unë fillova të mendoja për veten time. Nuk e di, po sepse e pëlqeva shumë. E ndiqja me vështrim nga larg kudo që ajo shkonte, bile edhe kur i çonte bukën në arë të shoqit që punonte dhe lëronte tokën. Pastaj, ndaloja dhe meditoja duke thënë: A do të jem edhe unë në gjendje të kem një grua kaq të bukur? Ja, këtu a nuk ka poezi?

E siç u thashë, e treta ishte rakia. Pikërisht kjo ka poezi më shumë. Si t’ju them. Ja, ju jeni oficerë të rinj, a keni qenë ndonjëherë atje ku zihet rakia, ku kazani merr zjarr dhe në krahun tjetër ajo pikon pikë e nga një pikë…Ju e dini se ajo i jep një lezet tepër të veçantë muhabetit, ja kështu si sonte me ju. Por një gjë duhet ta keni parasysh. Një njeri mundet që në pamjen e parë mund të jetë edhe i shëmtuar, por kur nga duart e tij ai nxjerr xhevahire, pikërisht aty është poezija, është me të vërtetë jeta…Shpirti i këtyre njerëzve është me të vërtetë i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Gëzimi ishte i pamatë për oficerat e rinj dhe të moshuar

 

Komandanti e uroi edhe njëherë Dritëroin duke i premtuar se në garnizon kishte shumë oficerë të tjerë, ashtu si edhe Albini që kishin filluar të ndjenin ritmin e punës, të jetës dhe shkruanin dhe punonin për mbrojtjen e vendit. Komandanti nuk rrinte pa përmendur punën e bërë për edukimin me traditat e zonës. Ne – tha ai – kohët e fundit kemi bërë muzeun e njësisë tonë dhe Albini është një nga protagonistët bashkë me shokë të tjerë, tashmë po e shtrijmë këtë në të gjitha repartet.

Të lumtë, të lumtë – tha Dritëroi – kjo është një shenjë e mirë. Traditën duhet ta shkruajmë, ta ruajmë dhe ta mbrojmë, sepse kjo ka të bëjë me atë që quhet identitet kombëtar, kulturor dhe ushtarak. Edhe të tjerë jashtë këtij vendi këtë e duan. Pa identitet nuk të do njeri. Prandaj hajde këtu more djalë – i tha Albinit. Nga xhepi i brendshëm nxori një stilolaps “Pat Peno” dhe ja drejtoi Albinit. Albini u çua me shumë emocion dhe u afrua afër Dritëroit.

Po papritur u dëgjua një zë. Meti ndërhyri përsëri me ton; Zoti Dritëro, ai stilolaps i takon komandantit dhe jo Albinit. Pse duhet t’ua krehim bishtin kaq shumë këtyre çunakëve që nuk iu ka dalë akoma qime në faqe. Të lutem anuloje atë vendim.

Në sallë ra një heshtje, ra përsëri një si bombë. Vetëm heshtje dhe mëdyshje. Disa filluan të thonë se i takon Albinit, se ai duhet të shkruajë historinë e njësisë tonë, se ai e meriton dhe se ai i ka bërë këto muzeume…Të tjerë donin ta merrte dhuratën komandanti…

-U bë shumë mirë kjo që ndodhi këtu – tha Dritëroi. E fortë është kjo hierarkia ushtarake. Unë kam vendosur që këtë dhuratë t’ia jap oficer Albinit, ai e meriton, le ta shkruajë ai bukur, ashtu siç ia ndjen zemra historinë e njësisë tuaj.

Edhe komandanti, duke marrë gotën, gjeti rastin dhe tha se dhuratën duhet ta marrë Albini. Ajo dhuratë është e të gjithë garnizonit tonë ushtarak, e të gjithë ushtarakëve tanë. Albini le ta ndjej shijen e këtij simboli dhe të kësaj që ndodhi këtu në mes nesh.

Albini u përqafua me Dritëroin aq shumë. Ai i puthi dorën Dritëroit, pastaj mori stilolapsin duke thënë se: “Unë, oficer Albini do të nderoj, për këtë nder që më bëre”.

Gjithë asaj natë Albinin nuk e zuri gjumi. Në shtëpi ai vajti vonë. E shoqja dhe djemtë e tij vocërrakë, kur Albini mbërriti në shtëpi, u çuan menjëherë. Albini nuk fliste, vetëm u tregonte stilolapsin “Pat Peno”. Këtë ma dha Dritëroi i madh. Më tha – shkruaje bukur historinë e ushtrisë. Unë kështu do të bëj. Gruaja e Albinit, menjëherë solli dy gota raki, i mbushi ato dhe i tha Albinit: “Hajde Albin, të pimë një shëndet për Dritëroin, për ne është një kujtim i madh”.

Në ato çaste, djemtë e Albinit që ashtu të përgjumur vinin vërdallë tyre, filluan të loznin dhe të qeshnin me shumë gëzim, si dy flutura në lulet shumë ngjyrëshe të qilimit të shtëpisë.