Bashkim Tufa: Kthimi në vendlindje i kolegut Dëfrim Methahasani

1507
Sigal

“Kthim në vendlindje”… i një kolegu

Rikthimi drejt Tiranës… me kokën pas

 

Mbresa nga Bashkim Tufa

 

Në orën 9.30 u nisëm nga Tirana në drejtim të Kukësit. Organizatori i këtij eventi, miku ynë Dëfrim Methasani, na propozoi, që për të shkuar drejt Peshkopisë, në mungesë të rrugës së Arbrit ku ende po vazhdojnë punimet, do të ishte më mirë të merrnim rrugën nga Kukësi, e cila, edhe pse nja 40 kilometra më e gjatë nga ajo e Bulqizës, do të na shpëtonte nga troshitjet e gropave të asfaltit. Ashtu bëmë. Dhe shumë mirë kishim bërë. Agron Zerani dhe Ilirjan Hysi, që u bashkuan me grupin në mbrëmje në Peshkopi dhe që kishin udhëtuar nga Bulqiza, na treguan se ishin torturuar dhe kishin hequr picirin për të mbërritur deri në Peshkopi, edhe pse largësia nga kryeqyteti është diçka afër 180 kilometrave.

Nejse, ne grupi kryesor, me lider të zgjedhur unanimisht njëzëri, Muharrem Gjokën, një dibran që ka jetuar për 35 vite në Laç dhe ka drejtuar Ndërmarrjen e Rruga-Urës në Kurbin, pasi përshkuam Rrugën e Kombit, në qytetin e Kukësit nuk vazhduam drejt Morinës, por morëm rrugën djathtas, duke kaluar midis Shtiqnit dhe aeroportit të Kukësit, që thuhet se pas 2 vitesh do të vihet në funksionim.

Kuptohet, që për disa nga pjesëtarët e kësaj ekspedite, ky rrugëtim ishte i panjohur, një përvojë e re. Miku ynë, Shpëtim Gjoshi, i cili është gjysmë-kuksian, pasi ka punuar gati një dekadë në këtë qytet verilindor dhe si gjeolog me profesion, vështirë se ka lënë vend pa shkelur me këmbë, u vu në rolin e guidës, duke na treguar fshatrat nëpër të cilët kalonim. Lamë Nangën, Bicajn e njohur të kësaj krahine, Domjen, një fshat thuajse i gjithi i shpërngulur pranë kryeqytetit, iu drejtuam Kolesjanit me grykën e tij të famshme, më pas Bushtricës malore të Safet Gjicit, ku nuk kishte vend për një fushë volejbolli dhe jo më për atë të futbollit. Befas makina e Dëfrimit, që na udhëhiqte, u ndal në një majë kreshte. Na “urdhëroi” që edhe ne të ndalnim dhe të dilnim nga makinat. Ishte një peizazh natyror mahnitës. Ishte një pikë dominante, ku bashkoheshin dhe shiheshin njëherazi: Kukësi i lënë pas, djathtas Mirdita, Lura dhe Mati. Në mes të kësaj lugine mahnitëse, gjarpëronte Drini i Zi. Përballë, si kujdestar i kësaj pike, qëndronte hijerëndë vargmali i Korabit, i mbuluar me dëborë. Dylber Markaj, një dibran, por dhe mik i hershëm i Dëfrimit, na shpjegonte relievin. Ishte një pamje madhështore, që për fat e kemi, por nuk e vlerësojmë…Pas pak, hymë në të famshmen Kala e Dodës. Aty qëndruam për të drekuar dhe për të provuar “flinë”, ushqimin tradicional të veriut, për të cilin kuksianët thonë është recetë e tyre, çka e pretendojnë edhe dibranët. Pa bërë gjykatësin për këtë pretendim, “flija” është një ushqim i rëndë, i pasur me kolesterol, pasi gatuhet kryesisht me vezë dhe gjalpë, natyrisht bio, prodhime fshati.

Befas, pasi ne kishim zaptuar lokalin, në të hyri një i huaj. E ndihmuam të komunikonte, kërkonte edhe ai të ushqehej. Bëri porosinë dhe preferoi të hante jashtë, në disa tavolina të vendosura në natyrë, edhe pse ishte freskët. Me vete kishte një çante të madhe shpine, kuptohej menjëherë se ishte një turist, që po bridhte i vetmuar në ato zona, sa të ashpra, aq edhe të bukura, por të braktisura nga njerëzit. Të gjithë shqiptarët tashmë i janë turrur qyteteve, askush nuk preferon të jetojë në fshat.

Pasi lamë pas Vleshën e ujit të ftohtë, ndalesa tjetër ishte në Sllovë, fshatin e heroit tonë kombëtar Elez Isufi. Edhe këtu kujtime, nostalgji për vitet e shkuara. Miku ynë kishte jetuar për 12 vite aty, pasi të atin, Shuaipin, partia e kishte transferuar me punë. Dëfrimi na tregoi edhe shtëpinë ku kishte jetuar, në të vetmin pallat 2-katësh të atij fshati, i cili tashmë ishte i pabanuar dhe drejt rrënimit.

Në Kastriot u ndalëm për të bërë një foto në memorialin e këtij fshati, ku përflitet se është prejardhja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ashtu siç shkuam edhe tek ura e Drinit të Zi, që ndan Fushë-Aliajn, ku Dëfrimi për disa vite kishte punuar si mësues i edukimit fizik.

Që po i afroheshim Sohodollit, e kuptuam menjëherë. Tingujt e muzikës jehonin që larg. Fusha e kalçetos e Liridon Methasanit, një kushëri i Dëfrimit, ku do të zhvilloheshin edhe ndeshjet e futbollit, ishte shndërruar në një podium feste, që mezi priste të niste. Fehmi Lleshi, me shpejtësi bëri gati gjithçka…

  1. Nën drejtimin e gjyqtarit Sokol Lleshi, një djalë nga Kastrioti që e kishim marrë që nga Tirana, të parët që zbritën në fushën e lojës ishin skuadrat e shkollave 9-vjeçare të Sohodollit dhe asaj të Brezhdanit, të ftuar si miq. Fituan 2-1 vendësit, të cilët u nderuan me Fleta nderi, medalje dhe kupën “Fadil Shulku”. Trofeun simbolik, fituesve ua dorëzoi bashkëshortja e ish-portierit dibran të Korabit të Peshkopisë, i cili para disa vitesh është ndarë nga jeta. Risia e kësaj ndeshjeje, por edhe asaj që do të niste midis të rriturve të Sohodollit dhe atyre të Blliçes, ishte fakti se ato po transmetoheshin direkt, jo nga një, por nga katër komentatorë nga më të njohurit e RTSH-së. Mikrofoni kalonte sa nga duart e Rrok Preçit me një karrierë 35-vjeçare, aq edhe te brezi i ri i radiokronistëve si Isuf Myrtajt apo Fatmir Eficës, por edhe të Fatmir Zhuzhi që komenton nga Peshkopia. Kurrë, as ka pasur dhe vështirë se do të ketë edhe në ardhmen, kaq shumë komentatorë sportivë në një fshat, si Sohodolli i Peshkopisë. Edhe në ndeshjen e dytë, vendësit nuk falën. Futbollistët e Sohodollit fituan 3-2, pas një ndeshjeje të fortë dhe mjaft të luftuar. Edhe fituesit e këtij takimi u shpërblyen me Fleta nderi, medalje dhe kupa. Liridon Methasani, pronari i këtij kompleksi, në emër të shokëve, 100 eurot e dhëna nga Artur Tafa për ekipin fitues, ua dhuroi shkollës 9-vjeçare të Sohodollit. Në ceremoninë përmbyllëse të këtij “mini-kampionati”, mjeshtri i volejbollit shqiptar, Leonard Tase, këshilltar pranë Presidentit të Republikës, i përshëndeti fituesit dhe gjithë të pranishmit në emër të zotit Ilir Meta, duke u uruar suksese të mëtejshme në jetë dhe veprimtarinë e tyre shoqërore.

  1. Mbrëmja në qytetin e Peshkopisë, në “Hotel Piaza” të Pajtim Gjurës, ishte midis miqsh. Dëfrimi përgëzoi miqtë dhe miqtë vlerësuan Dëfrimin. Kështu u laureuan për promovimin që i bëjnë qytetit të Peshkopisë gazetarët lokalë Edmond Hasani, Neki Feta, Adnan Elezi, Islam Shehu, Rruzhdi Xhediku, Fatmir Zhuzhi dhe Artur Xhediku (Rruzhdiu dhe Arturi janë djem të Sohodollit). Ndërkohë, me një simbolikë të eventit “Kthim në vendlindje”, u nderuan Muharrem Gjoka, Agron Zerani, dhe unë. Ndërkaq, veç fjalëve vlerësuese për organizatorin e eventit “Kthim në vendlindje”, Isuf Myrtaj, në emër të kryebashkiakut Artur Bardhi, i dorëzoi Dëfrim Methasanit një “Mirënjohje” nga Bashkia e Kurbinit. Gjithashtu, edhe portali i ri sportive “Sporti IM”, në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në këtë dritare sportive, i dha gazetarit Dëfrim Methasani një “Certifikatë Nderi”. Nën tingujt e muzikës, të shoqëruar edhe nga këngët e artistit shumëdimensional dibran, Agim Skarra, akrepat e orës kaluan mesin e natës pa u kuptuar…

  1. Të nesërmen, mëngjesi ka gjeti sërish në Sohodoll. U rikthyem, pasi miku ynë Dëfrimi, nuk kishte mbaruar punë me fshatin e tij të lindjes. Kishte menduar t’i dhuronte shkollës 9-vjeçare komunitare të vendlindjes edhe 55 uniforma sportive, 13 topa, 200 libra dhuratë për bibliotekën, si dhe do të mbillte edhe 16 pemë dekorative në oborrin e shkollës, plus dhurata të tjera. Sohodolli është një nga tri fshatrat më të mëdhenj të Dibrës, me afro 400 shtëpi, ku fisi Methasani, Tafa dhe Zuna, janë ndër më të dëgjuarit edhe pse në këtë fshat numërohen 26 mbiemra fisesh. Krahas kullës së Zunës si objekt historik, interesant është fakti se në Sohodoll lejohen martesat brenda fshatit, por jo brenda fisit. Shkolla e këtij fshati aktualisht numëronte mbi 250 nxënës, të cilët na rezervuan një pritje të veçantë dhe befasuese. Nga bankat e saj, ndër vite kishin dalë mjaft personalitete të njohur, jo vetëm të Peshkopisë, por edhe të mbarë vendit. Gjejmë rastin të përmendim vëllezërit Abdiu, Fehmiun, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese: Sabriun, ish-shefin e klubit të Korabit dhe Studentit. Poetin dhe publicistin Agron Tufa; gjeneralen, të parën femër në Shqipëri, Manushaqe Lami; Xhelil Cibakun, ish-kampion i mundjes dhe prefekt i Dibrës, ish-mësuesit e shkëlqyer Bexhet Cibaku, Xhemë Haraçiu, Besnik Methasani, Shyqyri Horeshka, Bashkim Makishi etj. Apo dy ikonat e mësuesisë që vazhdonin ende të jepnin mësim në këtë shkollë, si Sul Avdia dhe Vasfi Cibaku. Drejtorit të shkollës 9-vjeçare komunitare Fatbardh Cena, na befasoi me pritjen që na bëri. Ndërsa Dëfrimi dorëzoi dhuratat, bazën materiale sportive, librat, si dhe mbolli 16 pemë bashkë me djalin e këtij fshati Polikron Horeshka, nxënësit e shkollës kishin organizuar për nder të miqve një koncert artistik, për t’i drejtuar më pas gazetarit sportive, djalin të fshatit të Sohodollit, Dëfrim Methasanit, një mori pyetjesh për jetën e tij profesionale, por dhe atë familjare. Ishin pyetje të zgjedhura me kujdes…

Kur kërkuam leje për t’u larguar, pasi do të udhëtonim drejt Tiranës, ish-mësuesi, sportisti dhe trajneri i shquar i mundjes shqiptare, Fariz Cibaku, ashtu siç dinë të flasin me nënkuptime dibranët, na tha: “akoma nuk më është ngopur njëri sy”. Kishte të drejtë, edhe ne nuk na ikej nga Sohodolli…

  1. Morëm rrugën e rikthimit drejt Tiranës, me kokën pas… Miku, gazetari, kolegu ynë Dëfrim Methasani u kthye në vendlindjen, respektoi veten dhe bashkëfshatarët e tij. Ne ishin me fat që ishin pjesë e kësaj ngjarjeje. Sohodollasit pritën dhe respektuan djalin e tyre Dëfrim Methasani, por ndërkohë nderuan dhe i vunë në krye të qoshes miqtë që e shoqëronin atë. Artur Tafa, një djalë kavalier nga Sohodolli, i veçantë në çdo veprim të tij, nuk na u nda deri sa u larguam nga Dibra e Madhe. Pas Strugës shqiptare, udhëtimi drejt Tiranës… Dëfrimi dhe ne ishim në Sohodoll. Ia vlejti…

Tiranë-Sohodoll, 18-19 prill 2019