Bajame Hysi-Spathara, Nëna Heroinë dhe veteranët e LANÇ-it

328
Sigal

Veterane e L A N- Çlirimtare dhe nënë heroinë, që lindi dhe rriti pa asnjë humbje jete 11 fëmijë

Luftar Galina

Para disa ditësh u nda nga jeta një nënë, natyrisht si çdo nënë tjetër, por me dy dallime “të vogla”, me dy statuse të veçanta: Veterane e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare dhe nënë heroinë, që ka lindur dhe rritur pa asnjë humbje jete 11 fëmijë.  Kjo ishte Nënë Bajamja, Bajame Hysi nga Spathara e Skraparit. Bajame Hysi lindi në maj 1929 në Vërzhezhë, në një familje të njohur me tradita atdhetare dhe liridashëse dhe me kontribute në të gjitha periudhat historike të vendit tonë. Njëri nag vëllezërit e saj , Shaban Malo, ka qenë partizan i Brigadës së 7 –të Sulmuese gjatë Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Në luftime ai ra Dëshmor i Atdheut. Edhe vetë Bajamja, bashkë me të rejat dhe gratë e fshatit Vërzhezhë, gjatë vitit 1944 kanë ndihmuar formacionet partizane me ushqime dhe veshmbathje dhe për këtë ajo mori statusin e Veteranes së Luftës Antifashiste  Nacional-Çlirimtare. Të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje kanë patur ecuri normale dhe korrekte në të gjitha zhvillimet politiko-shoqërore të më pasme, duke ruajtur dhe trashëguar traditat më të mira të familjes së tyre të madhe.  Në vitin 1946 Bajamja u martua me Izet Hysin nga Spathara, një njeri punëtor, me norma të larta morale dhe shoqërore, shtyllë e një familjeje të madhe, siç ishte ajo e Hysajve. Bajamja erdhi në këtë familje në moshën 16 vjeçe, duke marrë një barrë të madhe për t’u kujdesur për prindërit e Izetit, të cilët ishin të sëmurë. Vjehrrën e saj, nënë Fatimen e gjeti të paralizuar dhe i shërbeu me përkushtim deri në fund të jetës.  Ajo e vlerësoi lartë fatin që e kishte sjellë në këtë familje të madhe me kontribute të spikatura historinë e Shqipërisë në të gjitha ngjarjet kulmore të vendit, në 1920-ën, 1924-ën, 1935-ën dhe në Luftën Antifashiste Nacional – Çlirimtare.

Ramiz Spathara, xhaxhai i bashkëshortit, ka qenë shoku më i ngushtë i Riza Cerovës dhe ka rënë Dëshmor bashkë me të, duke i ngelur eshtrat e pagjetura akoma në malet e Gorës dhe të Oparit. Por më krenare e bënë Bajamen, kur në familjen ku erdhi gjeti pothuajse një çetë me ish-partizanë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që ishin Nekiun, Et’hemin, Izeti dhe Zeneli. Izeti, bashkëshorti i saj, duke qëndruar në fshat, u mor me drejtimin e shtëpisë. Me krijimin e kooperativës bujqësore, ai u zgjodh kryetar i saj. Më pas ai punoi në shtet, në punishtet e përpunimit të bulmetit dhe të rrushit, ku u dallua si një nga specialistët më të mirë të këtij sektori në rreth. Izeti, vërtet nuk pati ndonjë karrierë të dukshme në jetën e tij, pasi kjo ishte zgjedhja që ai e bëri vetë për t’iu përkushtuar familjes me punë të ndershme dhe të drejtpërdrejtë, por ai ishte me të vërtet një burrë me një reputacion të jashtëzakonshëm, një njeri që nuk luante nga parimet. Ai, si i thonë fjalës, ishte i normuar si për vete, por edhe për të tërë familjen dhe fisin. E idealizonte dhe e quante të shenjtë të kaluarën e familjes, duke i mbledhur vazhdimisht ku ishin e ku s’ishin vëllezër, nipër e mbesa, miq të afërt e të largët me pozicionin e tij autoritar dhe merakun e vazhdueshëm që “zjarri i Mehmetaliut”, zjarri i të parëve të mos shuhej kurrë.  Në jetën e tyrë bashkëshortore Izeti dhe Bajamja përballuan me guxim jetën. Ata lindën dhe rritën 11 fëmijë, tetë djem dhe tri vajza: Djalin e madh, Bashkimin, mjekun e njohur në të gjithë Skraparin, por edhe në Tiranë; Shkëlqimin, Mehmetin, Bilbilin, Turabiun, Astritin, Viktorin, Mirelin; vajzat, Zyranë, Fatbardhën dhe Fatimenë, të cilët duke trashëguar një edukatë shembullore familjare, reflektojnë cilësitë më të mira njerëzore dhe gëzojnë respektin e të gjithëve, kudo që ndodhen.

Deri në fund ajo ndënji në Spatharë, aty ku ishin eshtrat e burrit dhe kujtimet e saj të shumta të jetës, me djalin e saj, Viktorin dhe bashkëshorten e tij Mirandën, e rrethuar me dashurinë dhe ngrohtësinë e fëmjijëve, nipërve, mbesave, stërnipave dhe stërmbesave të saj që vinin e shikonin dhe e gëzonin herë pas here. Ajo u nda nga jeta duke lëne për familjen, të afërmit dhe miqtë e saj, respektin dhe shembullin e një ‘Nëne Heroinë’.