Sigal

(Me rastin e 100-vjetorit të Fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, më 1919-n)

PJESA II

Nga At Gjergj Fishta

Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue zmadhue punët, me qëllim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka ndër libra të randë kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’ Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë.

Por mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin. – Këtu, disi për rrëshqit, due t’ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjetër punë. Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut për liri të Shqipnisë e t’Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nën stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë për liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijën për grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysën e Europës. E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush tjetër shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja për liri e pamvarsi të kombit vet!

Por unë shpresoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në ç’hall ka vojtë Europa mbas katër vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet.

E mos kujtoni, Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej zgjedhës së saj, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’asgja të drejtat e tija. Edhe pamvarsia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo, po, Greqinë e kanë lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.

Edhe konstitucioni i Turkisë kje nji vepër e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar.

Shqiptarët, po kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta përdhosin dhe ta çorodisin vetë konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e jo për të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, – tue pa se nëpër autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë, çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare për lirimin e popullit kristjan prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë rrënimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, pëër me e rrënue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar!

Arsyeja pra, pse kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shof, Zotnij, se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvedi! Por shka t’i bajmë punës, janë faktet që më japin arsye!

Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: Na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912 kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë, sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrënojnë me themel qinda e qinda katunde, veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare, mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore. Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar! Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet, atbotë kur ky t’ishte i zoti: Si me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: Grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë. Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Kombi Shqiptar ka tagër me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie: Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona.

02

Deri këtu kumbona jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen me i kamuflue pretenzionet e veta mbi Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë thëmelohet , si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.

Thonë, pra, anmiqtë tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët janë:

  1. a) barbarë,
  2. b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,
  3. c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe krejt i pamvarun.

E dij, se unë jam tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve.

Pra, simbas mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne, lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë.

Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda mija rob të ramë në dorë, – e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të pamvarun e të lirë; – po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije, ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!

Kongresi i Versajës me 1919

Serbët, në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera (kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshëm?

Por, edhe me pasë për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 milion hindjan t’ Amerikës, si e kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. – Atëherë kur populli francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë, se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’ ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në 1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë. Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri, as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore, numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Por këtu tash, vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët… e tyne, duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej Shpirtit të këtij Kombi.

Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas Kanunit, po t’i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit, ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit.

Po gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter, tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe, veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Per mos me i dhanë shkas pra, nji luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, – i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë, Sulltani i Stambollit. Shqiptari pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë.

Vijon…

Përgatitur për botim nga Frank Shkreli