Asije Hoxha: Më shumë se kurrë ripohojmë rëndësinë e Kongresit të Manastirit

460
Sigal

Sot më shumë se kurrë ripohojmë rëndësinë e Kongresit të Manastirit

Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 10 qershor 1878, që përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të kombit shqiptar, në mbrojtje të trojeve kundër copëtimit u zhvillua

Kongresi i Manastirit”. I pari Kongres shqiptar  me përfaqësim nga shumica e trojeve shqiptare të deleguar nga klubet dhe shoqëritë kulturore të Manastirit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Starovës, Leskovikut, Kolonjës, Shkupit, Selanikut, Janinës; të kolonive shqiptare të SHBA, të Bukureshtit e Kostancës, të Sofjes e Filipopolit, të Egjiptit, të arbëreshëve të Italisë etj; me përfaqësim edhe të shqiptarëve pa dallim feje e krahine.

Kongresi i Manastirit ishte Kongresi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe (14-22 nëntor 1908). Gjuha shqipe shkruhej me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre. Në Kongres u paraqitën tri alfabete: 1. Alfabeti i Stambollit; 2. Alfabeti i Shoqërisë Agimi (Shkodër); 3. Alfabeti i Shoqërisë Bashkimi (Manastir).

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë.

Në vendimin e Komisionit, të 20 nëntorit 1908, lexojmë:  “…me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të shqiptarëvet. Mësimi ndë shkolla do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”

(Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm).dhe kështu Kongresi vendosi që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë më 20 qershor të vitit 1910, për të vendosur se cili alfabet do të miratohej përfundimisht ,si alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe.

Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke (me xhonturqit) ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Më 1909, nxori ligjin edhe për mbylljen e të gjitha shkollave shqipe duke dhënë dhe urdhër të prerë: “të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe”. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke persekutuar atdhetarë; ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. (Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave, abetareve dhe teksteve shkollore. Në Vlorë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të zhdukur të gjithë shqiptarët, që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip dhe me pushkën në krahë fshat më fshat në Shqipërinë e Jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por Atë Melani nuk pyeti. Më 24 Dhjetor 1917 Atë Stathit i kishin zënë pritë banda Josif Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën.

Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar.

Akademiku Mahir Domi, argumenton:  “ Jeta e zgjidhi përfundimisht problemin pa pasur nevojë për mbledhje, komisione e vendime, duke lënë në përdorim një alfabet të vetëm: Alfabetin latin të papërzjerë, i përpunuar nga Kongresi i Manastirit (me miratimin e shkronjave dyshe në shqiptim mbi bazën e alfabetit latin- sh, th, nj- etj dhe miratimin e shkronjës- ë-ç- mbi bazën e shkronjave latine – c-e ). Alfabeti kishte të mirën se ishte homogjen për nga karakteri i germave, i lehtë në të shkruar dhe mjaft i volitshëm në shtyp, se nuk kërkonte shtypshkronja me germa të posaçme, prandaj mund të bëhen botime me të në çdo vend. Kjo qe arsyeja kryesore që më pas, sidomos pas vitit 1912, alfabeti i Stambollit mbeti në një përdorim gjithnjë e më të kufizuar. Nga fundi i luftës së parë botërore, alfabeti thjesht latin i Kongresit të Manastirit ishte alfabeti i përbashkët i gjithë shqiptarëve, alfabeti i vetëm i shqipes. Është alfabeti i sotëm i gjuhës sonë.” Pra vetë përdorimi nga populli legalizoi alfabetin shqip që kemi dhe sot.

Kongresi ka meritën e jashtëzakonshme se e orientoi Shqipërinë dhe kombin tonë nga perëndimi, andej nga lindte dielli për rilindësin e madhe Naim Frashëri. Vetë orientimi për shkrimin e shqipes me alfabetin latin, tregoi edhe një herë se “Shqipëria është një copë vënt nga Evropa dhe shqiptarëtë janë një nga kombet’ e Evropës…”

Vetëm po të lexojmë emrat e përfaqësuesve nga të gjitha trevat bindesh për atdhetarizmin e tyre që nuk morën për bazë interesat vetiake, por ardhmërinë e Shqipërisë .

Sot duhet të ruajmë të mos basardohet alfabeti shqip i miratuar nga: a. Shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; b. Veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Grameno, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim Efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

Rëndësia e Kongresit është i dyfishtë.

Ai nuk ishte thjesht Kongresi i alfabetit, i Abesë por edhe një manifestim politik. Pjesëmarrja përfaqësimtare në të treguan se populli shqiptar ishte gati të hidhte hapin e madh, atë të luftës për shpalljen e pavarësisë. Nga lëvizja “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, po kalohej në kryengritjen mbarëkombëtare “Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”.Krahas tubimeve të hapura, në Kongres u organizuan edhe mbledhje të fshehta për çështje politike.Përfundimet e diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar oprej 18 pikash, që iu dhanë deputetit të Korçës , Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlamenrti turk në emër të shqiptarëve.

 

Ja disa vendime politike që u morën në këtë Kongres:

*Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”.

*Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre…

* Kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend.
* Themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti i katërt i shkollës fillore.

* Kthimi i shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Këto shkolla do të mbaheshin me të ardhurat nga pasuritë e kishave, të cilat duhej të administroheshin nga shteti dhe me të ardhurat e buxhetit të shtetit osman.

*Për t’u prerë rrugën ndërhyrjeve të Austrisë, të Italisë e të Greqisë në Shqipëri, kërkohej që klerikët katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti turk. Me këto masa do të kufizohej ndikimi i propagandave të huaja shkollore e kishtare në Shqipëri, sidomos i asaj greke.
*Një nga kërkesat e rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen e profesorëve për këtë universitet do të dërgoheshin çdo vit, me bursa të shtetit, të rinj që do të mësonin në shkollat e larta të Evropës dhe të ShBA-së.

* Kërkohej të themelohej një muze arkeologjik kombëtar në një nga qytetet e Shqipërisë.

Muajin Nëntor tashmë mund ta quajmë muajin e gjuhës shqipe.

 

– Më 8 Nëntor 1462 kemi dokumentin e parë të shkruar në gjuhën shqipe: “Formula e Pagëzimit”: “ Uhte’paghesont peremetit Atit et birit et spertit senit”(Unë të pagëzoj për  emënit Atit e t’birit e t’shpirtit  shenjt)

–Më 14-22 Nëntor 1908 është zhvilluar Kongresi i Manastirit, që miratoi alfabetin shqip, që  na kujton të përdorim vetëm shkronjat e miratuar në Kongresin e Manastirit dhe jo si u serviren nxënësve në abetaret dhe tekstet shkollore të gjuhës!

Më 20-25 Nëntor 1972 u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe për një  gjuhë letrare të njësuar kombëtare.

— Më 11-12 Nëntor 2002 u mbajt Konferenca Shkencore“Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot ”, ku u trajtuan tema shkencore me të cilat ballafaqohet gjuha shqipe në rrafshin e kulturës të gjuhës, drejtshkrimit e të normës gramatikore.

 

Mos ka ardhur koha për një Kongres të ri gjuhësor , mbasi 30 vitet e demokracisë në kuadrin edhe të globalizmit gjuhësor nuk i kushtohet rëndësi gjuhës shqipe. Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të veprojmë duke pasë si themel bazë Gjon Buzukun, i cili në vitin 1555 në parathënien e veprës së tij “Meshari” shprehet se: “Gjuha shqipe po dvartet dhe po basardohet”, ndëra tani po shkatërrohet dhe të gjithë qëndrojnë indiferentë.

 

Alfabeti miratuar në Kongresin e Manastirit 1908  Shkronjat e shtypit

 A a   B b   C c   Ç ç   D d   Dh dh   E e   Ë ë    F f    G g   Gj gj   H h   I i    J j   K k    L l   Ll  ll    M m    N n   Nj nj   O o   P p    Q q   R r   Rr rr   S s   Sh sh   T t   Th th    U u   V v   X x   Xh xh   Yy   Z z    Zh zh