Arqile Veshi: Ish-ushtarakët gëzonin një përkujdesje të veçantë

745
Sigal

E pabesueshme, eprorët sollën në Tropojë një helikopter ushtarak për të shkuar në vendlindje për vdekjen e nënës në Sarandë

 Eprorë të sinqertë, intelektualë të aftë dhe edukatorë të mirë

  Si më çuan në Akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” pa bërë kërkesë

Dok. Arqile Veshi

Shef i Armatim-Municioneve të Brigadës së 25-të të Këmbësorisë në Tropojë

Pasi mbarova shkollën bazë të kuadrove ushtarake që në ato vite quhej” Shkolla e Bashkuar e oficerëve “Enver Hoxha”, shërbeva në disa njësi e reparte të ushtrisë si në Tropojë, Gjirokastër dhe Tiranë. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunova me shumë kuadro që i kisha eprorë nga pikëpamja organizative, por që në përmbajtje anonin dhe reflektonin dashamirësi për të na orientuar ne si kuadro të reja drejt edukimit njerëzor e profesional për zbatimin e detyrave. Këto e të tjera do mundohem t’i shpjegoj e argumentoj rast pas rasti nga përvoja ime e punës në radhët e ushtrisë shqiptare. Mbarova shkollën e Bashkuar të Oficerëve me rezultate të larta dhe me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, emërohem në detyrë Shef i Armatim-Municioneve të Brigadës së 25-të të Këmbësorisë në Tropojë. Detyrë shumë e rëndësishme, por edhe e vështirë për një kuadër të Ri me moshë 21-vjeçare dhe pa eksperiencë pune, të cilën unë e kreva me shumë sukses dhe me arritje të dukshme, pasi përveç dëshirës, ndjenjës së përgjegjësisë dhe njohurive profesionale që kisha marrë në shkollën politeknike në Tiranë, gjeta mbështetjen e pa kursyer të kuadrove drejtuese që ishin në atë Brigadë. Kështu, porsa u paraqita për të marrë detyrën, prezantimin para shtabit të brigadës ma bëri komandanti i Brigadës Kol Veli Kapo një burrë serioz i dashur e i respektuar në tërë krahinën e Tropojës, i cili, ndër të tjera, tha se na ke ardhur në Shtab një filiz i ri, të cilin jo vetëm që duhet ta dëgjojmë e respektojmë për sektorin e rëndësishëm që do të drejtojë, por edhe ta ndihmojmë fuqishëm për të kryer detyrën, fjalë të cilave ai u qëndroi besnik për aq kohë sa drejtoi atë brigadë. Pra, ai dha orientimin bazë për të gjitha kuadrot e tjerë si eprorë të mi ose kolegë pune që ishin në përbërje të shtabit që unë të kryeja sa më mirë detyrën.

Duke qenë se sipas strukturës organizative të asaj periudhe, funksioni që unë u emërova direkt varej nga Komandanti i Artilerisë së Brigadës që në atë kohë ishte N/kolonel Pandi Spirollari, i cili sapo kishte përfunduar studimet në Ish-Bashkimin Sovjetik, me përvojë të madhe organizative e drejtuese, me kulturë e metodë në drejtimin e sektorëve që drejtonte por edhe me shpirt e dinjitet njerëzor, mua jo vetëm më mori në vartësi por më formoi e edukoi për gjërat nga më të voglat e deri më të rëndësishmet për drejtimin me kompetencë të sektorit. Kështu më mësoi se si të formuloja e konceptoja shkresat zyrtare, si të evidentoja e ndiqja zbatimin e akteve ligjore e nën/ligjeve për sektorin që drejtoja, si të hartoja planin e punës dhe të ndiqja analizën e zbatimit të detyrave, si të bëja e zbatoja një plan kontrolli për repartet në përbërje të Brigadës e deri se si të mbaja uniformën e të flisja në telefon me eprorët dhe vartësit e plotë të tjera të cilat për mua ishin udhërrëfyese jo vetëm se punova në atë brigadë por për tërë kohën që shërbeva në ushtri.

E pabesueshmja

Por për qëndrimin njerëzor e shoqëror të shtabit të asaj brigade dhe veçanërisht të komandant Pandit dhe të shoqes së tij Drita Spirollari, nuk mund të lë pa përmendur ngjarjen e 21 shkurtit të vitit 1965 kur nga Saranda më njoftuan se më kishte vdekur nëna në moshën 54 vjeçare, të cilët jo vetëm u solidarizuan, por bënë të gjitha përpjekjet për të më nisur drejt familjes, duke venë në dispozicion deri makinat luftarake pasi kishte aq shumë borë sa që rrugët ishin bllokuar. Në këto kushte Pandi dhe Drita Spirollari hapën shtëpinë dhe përballuar vizitat e shumta duke filluar nga kuadrot kryesore të rrethit e plot të tjerë, deri sa në Tropojë mbërriti një helikopter ushtarak dhe m’u mundësia lëvizja për të shkuar në vendlindje për vdekjen e nënës. Mbasi bëra shërbesat për vdekjen e nënës u ktheva për të shkuar në detyrë nga Saranda në Tropojë që duheshin 4 ditë, nëse gjeje autobus. Mirëpo për fat të keq kur mbërritëm në Fushë-Arrës rrugët ishin të bllokuara nga bora. Në këto kushte u detyrova që gjatë ditës të rrugëtoja në këmbë nga një fshat në tjetrin dhe nga një repart në tjetrin deri sa pas 5 ditësh që përshkruam në këmbë (Fushë-Arrëz, Shën-Mëri, Helashan-Kam-Bajram Curri) rreth 150-200 km dhe mbërrita në krye të detyrës pa më detyruar askush, por vetëm nga ndjenja e përgjegjësisë dhe shkalla e lartë e ndërgjegjes për punën e ngarkuar.

Si më çuan në Akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” pa bërë kërkesë

Për të kuptuar dashamirësinë shoqërore që ekzistonte midis kuadrove të një shtabi do ta ilustroj me një veprim konkret të ish komandantit të Brigadës, Stefi Rrembarci, i cili në vitin 1967, duke ditur problemet familjare që mua më ishin krijuar pas vdekjes së nënës, pa bërë ndonjë kërkesë specifike nga ana ime, por me iniciativën e vet, kërkoi një të drejtë studimi për në Akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” dhe, pasi ajo e drejtë iu dha brigadës më thërret së bashku me Pandin dhe pasi më komunikon mendimin dhe vendimin që kishin marrë që unë pasa lejes të shkoja në Akademi në Shtatorin e vitit 1967, na ftoi edhe në shtëpi për të biseduar më gjerë për drejtimin e sektorit etj. Pra, ja çdo të thotë epror që jeton me hallet e problemet e vartësve dhe gjen rrugët efektive për zgjidhjen e tyre me dashamirësi e me njerzillëk pa asnjë lloj interesi.

Duke punuar në këtë ambient sa shoqëror edukativ që kishte shtabi i brigadës në Tropojë, pavarësisht vështirësive që kishte terreni malor, infrastruktura, mjetet e transportit, që na detyronin të bënim qindra kilometra në këmbë për realizimin e detyrave, nuk më penguan që detyrën e ngarkuar ta kryeja me sukses për sigurimin e reparteve dhe të brigadës me armë e municione që bënin të mundur realizimin e detyrës për mbrojtjen e brezit të mbrojtjes që i ishte caktuar si dhe mirëmbajtjen e administrimin e tërë asaj pasurie që për periudhën 6-7 vjeçare që unë shërbeva në atë brigadë nuk pati qoftë edhe një fishek të humbur e dëmtuar.

Pra, në vija të përgjithshme këto ishin marrëdhëniet e punës, detyrat që kryenin ushtarakët dhe privacionet e vështirësitë që kishin për realizimin me devocion të detyrave të ngarkuara për interesat e vendit, prandaj ato kuadro që kanë shërbyer në radhët e ushtrisë shqiptare, duhen trajtuar e respektuar si çdo ushtarak i strukturave të NATO-s pasi ata d.m.th., ushtarakët nuk shkuan nga Saranda në Tropojë ose nga Kukësi në Konispol e kështu me radhë për interesa personale por për nevoja të mbrojtjes së Atdheut.