Alqi Naqellari: Përmeti, kjo Shqipëri e harruar

1075
Sigal

Rrethi i Përmetit është i vogël, është pjesë e Qarkut të Gjirokastrës dhe kufizohet me Këlcyrën, Skraparin, Libohovën dhe Leskovikun. Bashkia e Përmetit përbëhet nga pesë njësi administrative, të cilat janë: Përmet, Çarshovë, Frashër, Petran dhe Qendër Q.Piskovë. Bashkia ka nën administrimin e saj një qytet dhe 49 fshatra. Njësitë Qendër Piskovë dhe Petran kanë një numër të lartë të fshatrave, respektivisht 17 dhe 15.

Këlcyra është pjesë e qarkut Gjirokastër. Ajo shtrihet mes maleve Trebeshinë dhe Nemerçkë dhe laget nga lumenjtë Vjosë dhe Dëshnicë. Kufizohet me bashkinë Skrapar, Përmet, Libohovë dhe Tepelenë. Qendra e bashkisë është qyteti i Këlcyrës, të cilit i bashkohen Ballabani, Suka dhe Dishnica. Gjithsej, bashkia ka nën administrimin e saj një qytet dhe 49 fshatra. Qyteti i Këlcyrës përfshin 5 fshatra.

Disa shifra për Bashkinë Përmet.

Njësia e Çarshovës, Petranit, Përmetit dhe një pjesë e Qendër Piskovë shtrihen përgjatë luginës. Ndërsa, ndërsa njësia e Frashërit përbën skajin më të largët të Bashkisë dhe është tërësisht njësi malore.Njësia e Frashërit përbën vetëm 4% të totalit të popullsisë së bashkisë së Përmetit. Çarshovë, Petran dhe Q.Piskovë përbëjnë 40% të popullsisë. Në 10 vite numri i popullsisë është përgjysmuar (-56%).

Popullsia.Nga njësia Frashër është larguar 82% e popullsisë nga 2001-2011, nga Çarshova (-71%), nga qyteti (-51%). Ka fshatra që nuk kanë asnjë banor. Me bujqësi merret afërsisht 31% e forcave të afta, industri 18.6% dhe shërbime 50.4%.

Sistemi rrugor. Sistemi rrugëve dhe cilësia e tyre është shumë e dobët. Vetëm rruga nacionale është e shtruar me asphalt, por edhe kjo nuk është me 4 korsi. Ka një sistem të gjerë rrugësh automobilistike si Këlcyrë- Petran, Këlcyrë, Riban, Piskovë, Pacomit, Kutal, Bodar, Qilarisht, Zleush, Tremisht, Gostinisht, Hotovë, Frashër. Nga krahu Përmetit, Bual, Lipa e Vjetër, Leusë, Leshnicë, Badëlonjë, Bënjë, etj. Rruga Këlcyrë Sukë-Ballaban është thuajse e amortizuar. Rruga e Kajcës dhe e fshatrave të tjerë të zonës ka mbetur si rrugë e para viteve  ‘90.  Nuk ka asnjë rrugë të shtruar me asfalt dhe në parametra cilësore të një rruge nacionale. Rrugët janë të pa sistemuara dhe kalohen vetëm në periudhën e verës. Mungesa e rrugëve është një nga faktorët negative që ka ndikuar në braktisjen e fshatrave nga popullsia e tyre.

Industria e përpunimit. Krahina ka traditë në përpunimin e produkteve tradicionale lokale ku mund të përmendim: glikoja e arrës, karpuzit, fikut, Mani i Zi -Ekotipi i Përmetit, Rrushi Debinë, Rrushi Sinambel, varietet Rrushi Pulezi, Llokume të Bajamta. Ka disa punishte që prodhojnë verë dhe raki, ka baxho për përpunimin e qumështit etj.Në këtë sektor ka nivel të ulët të investimeve. Nuk ka ndonjë markë të tij.

Çfarë mangësish kanë ekonomia Këlcyrës dhe e Përmetit?

-Pabarazia zhvillimore midis zonave të luginave dhe zonave malore.

-Transporti lokal me shumë mangësi.

-Mundësi e ulët për të dalë në treg.

-Mungesë rrugësh dhe rrugë të pa mirëmbajtura.

-Mungesë e shërbimeve publike, infermeri, shkollë rrugë.

-Mungesa e të ardhurave të bashkisë.

-Infrastrukturë e dobët sociale, kulturore e sportive.

-Infrastrukturë fizike arsimore jo adeguate.

-Prodhimi ulët bujqësor e blegtoral.

-Parcelizimi tokës bujqësore.

-Sipërfaqe e ulët e ujitëshme.

-Papunësi e emigracionii lartë.

-Të ardhura të ulta nga turizmi.

-Infrastrukturë turistike e limituar.

-Ndotje e lumit Vjosa.

-Ndërtim urash për të lidhur disa fshatra: Pëllumbar, Buhal, Mican etj. Prej tyre do përfitojnë me qindra qytetarë dhe fermerë.

Kush e bën këtë pjesë të Shqipërisëtë veçantë dhe një krenari të historisë sonë?

            Pasuritë pasurore: 1.Rrapi i Megallarës -afër fshatit Gjinakar  2. Pylli i Gerhotit, afër fshatit Zhepë 3.Bredhi i Çarshovës së Vjetër.  4.Rrapi i Zhepës.  5.Pylli i Çukës.  6.Pylli i Ropushës.  7.Horizonte vithisëse dhe olistolite –Çarçovë. 8.Perëndi e Borockës (Kanioni, Guri i Bletës) 9.Pusi i Cilikojave afër fshatit Çorrogunj. 10.Pusi i Nemerçkës. 11.Shpella e Pëllumbave.  12.Cirku i Nemerçkës 13.Guri i Qytetit 14.Guri i Atos – afër fshatit Kutal. 15.Kanioni i Legaricës 16.Bokërimat e Dangëllisë 17.Gropa e Kazanit 18.Guri i Petranit 19.Kanioni i Kamenikut.  20.Ujërava e Sopotit afër fshatit Stërbec 21.Ujrat Termale të Bënjës.  22.Uji i Zi Këlcyrë 23.Rrepet e Grykës së Këlcyrës. 24.Bredhi i Petranit 25.Selvia e Kishes -Leusë 26.Grumbulli pyjor i Polmenit (rap+arre) 27.Rrepet e Kuqarit. 28.Bredhi i Kokojkës Frashër. 29.Arra e llukanit-Frashër 30.Geshtenja e Teqesë Frashër. Ndër këto pasuri më të famëshmet janë:

            Gryka e Këlcyrës. Kjo grykë madhështore e cila shtrihet midis Këlcyrës dhe Dragotit, me një gjatësi prej 13 km formon një kanion thellësia e të cilit shkon në 1.000 metra. Në shpatin e djathtë të grykës gjenden Shpellat e Mezhgoranit dhe Dragotit ndërsa përgjatë lumit rrjedhin shumë burime nëntokësore, ndër të cilët veçojmë Ujin e Zi të Këlcyrës i cili buron nga lumi i Vjosës duke krijuar një shumëllojshmëri ngjyrash. Bukuri të veçantë janë dhe burimet karstike të zonës së quajtur “Rrepet e Këlcyrës” të cilët burojnë nga lumenj të nëndheshëm dhe dalin në sipërfaqe në një lartësi rreth 80 m nga Vjosa duke krijuar ujvara të mrekullueshme.

Gryka e Këlcyrës

Krahina e Përmetitështë vlerësuar dhe vizituar nga qindra personalitete të huaj dhe është folur e shkruar shumë për të.Eshtë vizituar nga udhëtarët Edit Durhan, Pukëvili, Celebiu etj.Në Përmet ka bashkëjetesë shumë të mirë midis besimeve fetare, bektashi, ortodoks dhe musliman.

Kalaja e Këlcyrës.Bën pjesë në krahinën e Dëshnicës.Dëshnica përbëhet nga rreth 40 fshatra dhe qyteti i Këlcyrës, kryeqendra administrative, kulturore e tregëtare e kësaj zone, Kajcë, Zhepovë, Mërtinj, Bënjë, Fratar, Katundisht, Çorrogunj etj.

Kalaja e Këlcyrës, është një nga sitet arkeologjike më të pa studjuara.“Në hyrje të grykës së Këlcyrës, mbi faqen shkëmbore të Trebeshinës, në një lartësi të konsiderueshme ngrihet Kështjella e Këlcyrës, mjaftë e dëgjuar por e pa njohur nga afër prej arkeologëve”(N,.Bodinaku). Kalaja e Këlcyrës është e Shek III p.e.s. gjithsesi ajo ndahet në katër faza, KëlcyrëI që lidhet që lidhet me fortifikimin pararomak, Këlcyrë II, që lidhet me fortesën e antikitetit të vonë, Këlcyrë III që lidhet me rindërtimet e mesjetës dhe Këlcyrë IV që lidhet me rindërtimet në kohën turke.Burimet e shkruara tregojnë se në grykën e Këlcyrës, në fund të shek III, p.e.s janë zhvilluar luftime midis Filipit të Maqedonisë dhe Romakëve. Janë zhvilluar midis maleve Asnao dhe Merop që i takon thuajse në Kalanë e këlcyrës(N.Bodinaku). Studjuesi K.Mateli ka provuar se pikërisht në këtë zonë ka qënë vendosur Tempulli, Orakulli dhe qyteti Dodonës.Shkallën e lartë të qytetërimit në Këlcyrë e tregojnë tri kalatë antike që e rrethojnë atë. Harta që ka për autor Philippi Cluverus e qartëson se ky qytetërim i përket atij të Dodonës. Në vitin 1272  kalaja përmendet me emrin Klausura. Pranë Kalasë së Këlcyrës ndodhen edhe rënojat e Sarajeve të Bejlerëve të Këlcyrës, që e bëjnë më interesante visitën në shpatin e malit.

                                    Kalaja e Këlcyrës

Uji i Zi i Këlcyrës. Ura e Leklit është e vetmja lidhje automobilistike e  rrugës nacionale me rrethin e Përmetit. Sapo kalon Urën e Leklit  në rrëzë të  Golikut, janë fshatrat Kodër dhe qyteti lashtë i Lekëlit, i njohur që në lashtësi si (Antigonea). Në Dragotin e ullinjve dhe portokaleve ndryshon pamja, futesh në Luginën e Grykës së Këlcyrës që është 13 km e gjatë. Një luginë mbreslënëse. Rruga është e ngushtë por është e asfaltuar. Gjëja më e pa vend që ndodhet në këtë rrugë, janë varrezat e ushtarëve grekë të vrarë në Luftën Italo-Greke që hynë në Shqipëri si pushtues, dhe tani prehen padrejtësisht në tokën shqiptare. Ato janë vendosur në një pikë strategjike, afër Urës së Muçohysos, aty ku ndahet Tepelena me Përmetin. Pikërish këtu ku fillon pjesa e poshtëme më historike e Lumit të Shenjtë Aos (Vjosa).

Në anën e djathtë të Vjosës, nga krahu i burimeve karstike, ku janë ngritur një sërë Resortesh moderne, kalon rruga e vjetës Egnatia e cila vjen nga Apolonia, në Shkozë, Sinanaj, Qesarat, Dragot, Këlcyrë, Përmet e më tej. Në afërsi të qytetit të Këlcyrës vijnë një seri burimesh që rrjedhin jo nga faqja e malit si burimet e Muçohysos por rrjedhin nga rrëza e bregut, nga shtrati Lumit dhe përzihen me ujin e lumit të Vjosës. Ato rrjedhje nuk kanë emër burimi, proj ose Lumi, por thjesht quhet Uji i Zi i Këlcyrës.Pra është një Ujë që buron nga Uji, është një Lumë që buron nga Lumi. Kur Vjosa është e kthjellët një sy i stërvitur mund ta dallojë këtë burim që ka ujë më të zi sesa uji i Vjosës. Kur Vjosa turbullohet, atëhere ai duket kur rrjedh nga Brenda ujit. Më e theksuar kjo kur Vjosa është në shtratin e zakonshëm. Por edhe kur ulet niveli saj uji buron nga shtrati Vjosës. Pra këto burime në këtë vend janë shumë të veçanta me burimet e tjera, sepse janë burime që rrjedhin nga shtrati Lumit, prandaj nuk kanë emër burimi, lumi apo prroj. Këtë e theksova sepse kjo veçori i bën këto burime të famëshme dhe që e diferencojnë këtë vend të Lumit të shenjtë. Një Burim i tillë, një Lum i tillë nuk gjendet në ndonjë lum tjetër, pasi në përgjithësi ato më të afërtat janë që rrjedhin, si Ujrat karstike në burimet e Muçohysos.

Kjo veçori e këtij Lumi përmendet që në Lashtësi për të përcaktuar Vendndodhjen e Dodonës. Afër Dodonës buron një Lumë i mrekullueshëm : “Përsa i përket burimit të mrekullueshëm, unë mendoj që nuk duhet çuditur, në rast se ai u është fshehur të vdekshmëve sapo këta kanë bërë një sakrilegj mbi tempullin dhe orakullin, instrument i të cilave ai ishte”(Karapano).(Kujtim Mateli, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit). Midis tyre kishte një që i atribuohej fuqia e mrekullisë; shuante pishtarin e ndezur dhe ndiste pishtarin e fikur”. Pra ky burim u fshihej njerëzve të zakonshëm dhe ishte burim i mrekullirave. Origjinali që ka përkthyer Karapanua: In Dodone Jovis fons cum sit gelidus et immersas extinguat, si extinctae admoveantur, accendit. Idem meride semper deficit, qua de causa…. vocant, mox increscens ad medium noctis exuberat, ab eo rursus sensim deficit. In Epiro Dodonaei Jovis templum; et fins ideo sacer, quod cum sit frigidus et immersas faces, sicut caeteri, extinguat, ubi sine igne procul admoventur accendit”.

Guri Qytetit të Përmetit. Guri për Shqiptarët është i shenjtë. Ata historikisht betohen mbi Gur ose për gurin. Në Përmet ka tre gure të shenjtë, Atos i Kutalit dhe i Petranit. Në Shqipëri ka 17 gurë me emër, prej tyre veçojmë Gurin e Shenjtë në Pukë. Ja si thotë Vaso Pasha për gurin: “Pavarësisht nga sa e sa rite të tjera fetare që i përkasin besimit të vjetër të pellazgëve dhe që as Krishti dhe as Muhameti nuk kanë mundur ti zhdukin fare nga mendja e popullit shqiptar, është betimi mbi gur, që ekziston dhe përdoret akoma në të gjitha malësitë shqiptare.

‘Kështu, i famshmi Omfalia, është guri i rrumbullakët që në kohët prehistorike konsiderohej si qendra e botës apo kërthiza e saj.Ky gur ishte në tokën e parauejve, të cilët banonin pranë Vjosës. Në token e parauejve, rrëzë maleve Dhëmbel e Nemërçkë ku banonte ky fis, gjendet guri i qytetit të Përmetit, i denjë për të menduar se ky gur ka qenë vërtet Omfalia, rreth të cilit vinin nga të gjitha anët e botës’(A.Mateli).Në shqip emri Omfal ka kuptim “O- më- fal”, pra është guri ku falesh. Kështu që ky emër i takon Gurit të Përmetit dhe jo një guri artificial në formën e qeleshes shqiptare të vendosur diku që nuk ka lidhje me vendndoshjen e saktë të Dodonës. Omfal është afër Dodonës së Këlcyrës, afër Dragotit të Portokaleve, afër Lumit që nuk shikohet nga të gjithë.

Guri Omfalos në Delf               Guri i Zi i Përmetit

‘Përmasat e tij janë të pakrahasueshme me ndonjë gur tjetër në këtë hapësirë që mundta konkurrojë dhe që mund të hidheshin dyshime se Omfalia i Parauejve nuk ka të bëjë me Gurin e Përmetit. Jo vetëm në hapësirën e trevës së Përmetit, por ai është unikal në tërë hapësirën ballkanike, çfarë të bën të mendosh se ishin përmasat e këtij guri që i bënë evropianët e kohës së arëve ta konsideronin këtë vend si qendra e botës’. (K.Mateli).

            Shpella e Benjës”(Pëllumbave), Përmet. Ndodhet në kanionin e Lengaricës në afërsi të fshatit Petran, 350 m mbi nivelin e detit. Përbën një pus të madh karstik i formuar në gëlqerorët e kretës së sipërmë. Është e gjatë 160 metra, e gjerë deri në 3 m. dhe e lartë 3 m. Ka disa degëzime anësore. Në këtë shpellë ka mbetje të njeriut të periudhes neolitike. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, arkeologjike) didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet sipas rrugës automobilistike Përmet – Petran – Banjat.

Pasuritë dhe vlerat e zonës së Përmetit janë të pa mata, këtu përmenda disa prej tyre sepse nuk mund të shkruhen as me një dhe as me 101 artikuj. Nga Dragoti deri në Petran dhe Ballaban, gjithë Lugina e Vjosës dhe Lugina e Dëshnicës janë Lugina të lidhura me Tempullin e Shenjtë të Dodonës, prandaj prej çdo qeverie duhen vlerësuar si të tilla.

Çfarë kërkojnë këta njerëz, të urtë, të ditur dhe punëtorë me kontribute të pazëvendësueshme në ekonomi, në shkencë, në arsim e kudo? Këta njerëz kërkojnë gjërat më elementare që mund të kërkojë një qenie shoqërore: Shkollë, Infermieri, Rrugë dhe Ujë. Mungesa e këtyre kushteve ka përgjysmuar popullsinë e kësaj zone, dhe nëse nuk do vazhdojnë të plotësohen këto kërkesa, dhe kjo zonë do shikohet jo si pjesë e Shqipërisë, atëhere do vazhdojë boshatisja e saj. Nuk bëhet Përmeti me 3 apo 5 fshatra turistikë, por me investime në bllok. Të kthehen sytë nga Lugina e Vjosës, nga Lugina e Dëshnicës, nga Lëngarica, nga Frashëri, Hotova, Kajca, se Shqipëria nuk është Zogu Zi, apo Zogu i I, Piramida, Skënderbej, apo rrugët e biçikletave, nuk janë sheshet e qyteteve apo lyerjet e pallateve. Hiqini paratë nga  20 milionë/ km, hiqini nga çekap-i, hiqini nga rrugët veri-jug që nuk i hyjnë as dreqit në punë dhe çojni në Përmet. Njerëzit kanë nevojë për investime prodhuese, kanë nevojë për punë. Pak njerëz e kanë mendjen për piknik e rafting.

Përmeti duhet vlerësuar njësoj si gjithë të e tjerë, si Lumi Vlorës, si Thethi, si Kardhiqi, si Valbona, si Llogaraja dhe të mos lihet pas dore. Përmetarët janë njerëz punëtorë e të duruar, por edhe ata e kanë një cak. Dhe këtë cak ata e treguan urtë e butë në zgjedhjet për Kryetar Bashkie, që nuk votuan kandidatin e PS-së,  por kandidatin e PD-së. Ata ja japin votën atij subjekti që mban premtimet, që bën një gjë, që hedh një gur, pavarësisht nga ngjyra që ka.