Albert Zholi:Vlora e flamurit feston të dielën 30-vjetorin e Shoqatës “Labëria”

288
Sigal

Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” mbetet më atdhetarja, me fisnikja, më realistja

Këtë të diel në datë 19 dhjetor, Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemalit feston 30-vjetorin e krijimit. 30 vjet aktivitet, 30-vjet një histori e rrallë. Në këtë festë do marrin pjesë, akademikë, intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, aktorë, poetë, këngëtarë, deputetë, anëtarë të shoqatës “Labëria” si dhe simpatizantë të kësaj shoqate në të katër anët e vendit dhe në diasporë. Në jetën e një organizmi të tillë shoqëror, 30- vjet veprimtari, nuk janë shumë, por nuk janë as pak kur është fjala për të shprehur vlerat dhe kontributin për çështje madhore kombëtare, siç ka bërë kjo shoqatë, që është më aktivja e të gjithë shoqatave mbarëkombëtare shqiptare. Në qoftë se do të futemi në historikun e saj kjo shoqatë, pikërisht në kryeqendrën e vendit, aty ku rreh zemra e Shqipërisë sonë, në Tiranë, 30 vjet më parë, më 12 dhjetor të vitit 1991, hodhi themelet e saj, duke u bërë promotor i të gjithë lëvizjeve atdhetare, patriotike, por edhe kulturore.

Ditët e themelimit

Ditë të vështira, por edhe ditë të arta. Nismëtar për themelimin e shoqatës, ishin një grup intelektualësh lab, të lindur, apo me origjinë nga krahina e Labërisë historike, që si shumë shoqata të tjera, nuk i shpëtoi dot hera –herës politizimit dhe atrofizimit të saj. Në rrugën e saj, me punë e përvojë, larg frymës politike, dhe me pjesëmarrjen më të gjerë të disa intelektualëve me personalitet dhe integritet që të forcohej e ringrihej, shoqata “Labëria”, në misionin e saj historik, eci me devizën “Atdheu mbi gjithçka”. Rrugëtimi i saj ishte interesant, ku me punë dhe përkushtim, nisi jetën institucionale, duke krijuar degë në të gjitha trevat e Labërisë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Himarë, Orikum, si dhe në ato qytete që kishte komunitet lab të shprehur, si në Tiranë, Durrës, Fier e Patos. Më 5 Qershor të vitit 1998, në respekt të simboleve, në kuadrin e përvjetorit të Luftës së Vlorës, ku treva e Labërisë ishte protagonistja kryesore e kësaj ngjarje madhore për kombin, u mbajt në Tiranë Kuvendi i Parë Themelues i shoqatës “Labëria”. Ky Kuvend, ishte guri i themelit që përcaktoi filozofinë e gjithëpërfshirjes, pa dallime partiake, apo shoqërore. Një vlerësim të veçantë në këtë festim të 22-të, vjen për djalin e Labërisë Bujar Leskaj, i cili vitet e fundit ka qenë mbështetësi kryesor i të gjitha veprimtarive të shoqatës.

Festimi

Ky 30- vjetor është i veçantë për shumë arsye. Mbetet i veçantë për vetë kohën në të cilën po festohet. Është i veçantë pasi do ketë një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Mbetet i veçantë pasi të pranishmit do befasohen me këngët e reja labe. Do mbetet i jashtëzakonshëm pasi aty do jenë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që nga Vermoshi deri në Konispol. Do mbetet i veçantë pasi aty do ketë shumë kosovarë, që vijnë me dëshirën për të parë një koncert me këngë labe. Do mbetet  i veçantë pasi aty do lexohen fjalët më të bukura nga Akademiku kosovar Rexhep Qosja, “Nderi i Shoqatës Labëria”, i cili në pamundësi të ardhjes ka dërguar letrën përshëndetëse.  Rëndësia është e madhe pasi mjafton të sjellim në kujtesën e lexuesit, disa nga veprimtaritë më përfaqësuese, që kanë pasur ndikim mbarë kombëtar. Në vazhdimësi, ka qenë Shoqata “Labëria, që ka sensibilizuar mbarë opinionin shoqëror, për fenomenet që janë shfaqur në shkatërrimin e vlerave kombëtare. Ishte ajo iniciatorja, që në Muzeun Historik Kombëtar, mblodhi rreth 70 shoqata mbarëkombëtare, ku denoncoi “Marrëveshjen famëkeqe të shitjes së detit fqinjit tonë Greqisë dhe vuri para përgjegjësisë, qeverinë dhe politikën, duke sensibilizuar opinionin shoqëror nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike. Të njëjtin qëndrim aktiv, ka mbajtur edhe për vetë deklarimin e popullsisë, sipas etnisë dhe fesë, apo për problemin e varrezave greke në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, për çështjen e pretendimeve të Vorio- Epirit, në Himarë, për shkollat publike greke në trevat jugore, për shkatërrimin e mjedisit turistik në Vlorë, ku organizuam një tubim me pjesëmarrjen e mbi 60 shoqatave, me moton: “Vlora në rrezik”, e shumë veprimtari të tjera me karakter kombëtar. Shoqata “Labëria, gjatë këtyre 22 vjetëve aktivitet, një aspekt të veprimtarisë së saj, ka pasur edhe botimin dhe promovimin e krijimtarisë të autorëve lab. Ato kanë qenë të shumta, por unë desha të veçoj Kanunin e Labërisë të autorit Prof. Dr. Ismet Elezit, që është edhe pasaporta e zakoneve dhe traditave të Labërisë, për të cilin e përgëzoj duke evokuar të kaluarën, në këtë ditë historike për shoqatën. Jetën dhe aktivitetin e “Labërisë”, e ka përcjellë te komuniteti Lab dhe më gjerë, zëdhënësja e saj e fuqishme, gazeta “Labëria”. Nëpërmjet saj, janë evidentuar e pasqyruar veprimtaritë e Shoqatës në qendër dhe në rrethe dhe janë ofruar eksperienca dhe figura që kanë pasur ndikim në jetën e komunitetit lab.

 

Historia e Labërisë

Labëria si krahinë shqiptare që nga shek XVI përfshinte territorin e Shqipërisë Jugore, nga Vlora, deri tek kufiri grek në jug, afër Sarandës, ngjitur me Gjirokastrën (Argjirën e lashtë), e zgjeruar në lindje deri në Tepelenë. Mendoj se është një tkurrje e madhe historike e historiografike, nga epokat e lëkundjeve tranzitore, nga veriu ballkanik, e mbetur si fis illirian – labeat, labeatët, deri kohëve të fundit, shihen parabollë historike, sot nga veriu e jugu i shtetit shqiptar londinez, nga Shkodra deri në Vlorë. Studjuesi J. G. Hann, i lidh me fisin Kaon, kaonët, ‘’Kaonia e lashtë”, dmth. Të gjitha tokat e Vjosës së Poshtme, e detit, quhet labëri, e vendasit – lab’’. Ndërsa Sami Frashëri, mendon se Labëria nuk përbën vetëm Progonin e Përmetin, Labëria shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, nga lumi Vjosa në lindje e verilindje, deri në bregdet të Jonit e Adriatikut, në Perëndim, ndërsa në jug kufizohet me lumin Pavëll. Kemi disa përkufizime hartografike të territorit të Labërisë, duke bërë disa ndarje etnografike. Vizitorë të ndryshëm. Tukididi (629 p.e.r.), përmendi fisin ilirian epirot. Kaonët, nga mesjeta njihet si fisi i plesejve, Plesati i sotëm. Po ashtu, studjuesi Rrok Zojsi, përkufizon labërinë mes tre urave: të Drashovicës, të Tepelenës dhe të Kalasë afër Delvinës: ku nuk mendoj një përkufizim të tillë, vetëm mes atyre tri urave, ngase gjatë pushtimeve të huaja, ndryshoi edhe territori, sipas ndarjeve kadastrale të huaja (!). Gjatë pushtimit otoman, labëria ishte pjesë e Krahinës së Janinës (Vilajeti i Janinës). Mendoj se kemi tre rrënjë shqipe-ilirishte: LAB, ALB, ABL, të cilat ndryshuan fonetikisht në histori, si fonetikë historike, me ndryshimet pushtuese të huaja, si krijues a formues të derivateve linguistike të toponimeve: Labëri, Albanoi dhe Ablona, për të cilat duhet gjurmuar më tutje.