Albert Zholi: Odhise Paskali, skulptori që gdhendi historinë shqiptare në gur

46
Sigal

Statuja e “Flamurtarit” mbi varrin e Ismai Qemal Vlorës mbetet e pavdekshme

Odhise Paskali, “Skulptori i Popullit” që gdhendi  historinë shqiptare në gur

(36-vjetori i vdekjes)

Gazeta Telegraf

“Skulptori i Popullit”, Odhise Paskali nga shumë skulptorë dhe piktorë është cilësuar pa mëdyshje si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar të të gjitha kohërave. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Lindi në fshatin Kozhan, Përmet, më 22 dhjetor 1903 dhe vdiq më 13 shtator 1985. Në vitet e rinisë studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927. Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë. Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.

Pushtimi fashist dhe çlirimi

Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte.  Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Skulpturat magjike në vite

Më 28 nëntor 1932 u përurua në Korçë përmendorja e “Luftëtarit Kombëtar”, një kryevepër e autorit dhe e skulpturës shqiptare. Në portretin e luftëtarit Odhise Paskali realizoi një figurë tipike shqiptare, me tipare që do të vërehen më pas në shprehje dhe karaktere të larmishme në shumë vepra të tjera monumentale. Po atë ditë u përurua në Vlorë statuja e “Flamurtarit” mbi varrin e Ismai Qemal Vlorës. Odhise Paskali realizoi gjithashtu shtatoren e Themistokli Gërmenjit, që u përurua në Korçë më 10.12.1932, shtatoren e Çerçiz Topullit, përuruar në Gjirokastër në përvjetorin e Përpjekjes së Mashkullorës (18.03.1934). Ndërmjet punimeve me funksion monumental është edhe një kolonë me një shqiponjë lart dhe një reliev në mes të saj, kushtuar dëshmorëve kolonjarë, ngritur në Ersekë më 1938. Busti i Skënderbeut, ngritur në Kukës më 1939, është një kryevepër tjetër monumentale, ku format e hiperbolizuara të heroit krijojnë shoqërim përfytyrimesh simbolike. Në vitet ‘30 Odhise Paskali formoi në buste tipat dhe karakteret individuale të personaliteteve të njohura të figurave të shquara të kombit dhe kompozime lirike të gruas, të nxënësit të fshatit, të vajzës që mbush ujë e të tjera, por edhe portrete të njerëzve të kohës, në të cilat zbulon karakterin e tyre.

Lufta në daltën e Paskalit

Pas çlirimit Odhise Paskali krijoi buste të heronjve të Luftës ANÇ, disa nga të cilët u vendosën në sheshe qytetesh (Vojo Kushi, 1949, Tiranë). Disa kompozime monumentale, që Odhise Paskali realizoi në vitet ‘60, kanë një karakter tregimtar (“Shokët”, 1964; Varrezat e Dëshmorëve në Përmet; “Partizani Fitimtar”, 1968, Mathauzen, Austri). Odhise Paskali bashkë me A. Manon dhe J. Paçon realizuan monumentin e Skënderbeut në Tiranë(1968). Me vërtetësi deri në hollësitë, siluetat e japin heroin në një lëvizje parade, me shpatën mbështetur anash dhe kokën energjike të ngritur si luftëtar dhe burrë shteti. Në vitet ‘70 e më pas, Odhise Paskali krijoi buste të figurave heroike të Luftës ANÇ, të kompozuara në mënyrë sugjestive, si “Dy heroinat” (Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima – 1974, Gjirokastër), Ganimete Tërbeshi (1980, Gjakovë), si dhe të atdhetarëve e luftëtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, si Naum Veqilharxhi, Zef Serembe, Idriz Seferi. Ai bëri interpretime të reja të Naim Frashërit, të Jeronim de Radës në një stil më të lirshëm plastik. Në bashkëpunim me skulptorin e popullit Th. Thomai punoi për bustet e bashkuara të vëllezërve Abdyl, Naim, Sami Frashëri mbi varret e tyre (1978, Parku i Madh, Tiranë). Portretet realiste që gdhendi në këto vite, dallohen për një trajtim plastik që reflekton tipin dhe karakterin e personazhit (“Nonda Bulka”, 1973, Përmet). Odhise Paskali punoi edhe bustet e drejtuesve të shtetit shqiptar, Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Shumë statuja dhe kompozime të vogla të Odhise Paskalit, përgjithësisht të mbështjella nga një “atmosferë” poetike që rrezaton plastika e tyre në hapësirë, kanë qenë bocete për skulptura të mëdha. Nga këto vetëm ndonjë është realizuar prej tij. Skulptura e Odhise Paskalit, përgjithësisht realiste, përçon një frymëzim të thellë patriotik kombëtar, por nuk mbeten jashtë lirizmi dhe përgjithësimi simbolik filozofik. Secili nga krijimet e tij më të mira ka një trajtim të veçantë në përshtatje me psikologjinë, karakterin, mendimin që synon të përçojë, dhe me lëndën me të cilën do të trupëzohet. Odhise Paskali është skulptor spontan. Veprat e tij, buste, statuja, relieve kanë harmoninë dhe lëmimin e artit të lashtësisë, herë lëvizshmërinë ekspresioniste të modelimit, herë peshën e rëndë të formave të pastra monumentale. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

 Rreth 600 vepra

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve “Skulptor i Popullit” dhe “Akademik\’, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin “Nderi i Kombit”. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë.

Veprat kryesore artistike:

“I urituri”,

“Keti”,

“Malësori”,

“Lufëtari Kombëtar”, në Korçë

“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;

“Ushtari i panjohur”, Tiranë

“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;

“Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;

“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;

“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”

“Isa Boletini”

“Fan Noli”

“Onufri”

“Jeronim De Rada”, në Tiranë

“Pashko Vasa”

“Zef Skiroi”

“Çerçiz Topulli”

“Naim Frashëri”

“Vojo Kushi”

“Migjeni”

“Enver Hoxha”

“Idriz Seferi”

“Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera.