Albert Habazaj: Mbrojtja Kombëtare dhe fillimi i Luftës së Vlorës

412
Sigal

Trupekspedita italiane në Shqipëri përbëhej nga një efektiv prej afro 20 mijë ushtarësh nën komandën e gjeneral S. Piaçentinit

Fillimi i Luftës së Vlorës

  MSc. Albert HABAZAJ

Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare thirri me urgjencë  parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës, në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpatmali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për  të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetësh dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare”,  prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.

Kryetar i komitetit u zgjodh përsëri Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish-oficer i marinës. Komisioni ngarkoi  kapitenin  Ahmet Lepenica,  të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara, dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920, disa mijëra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuar  në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetësh, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi, duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish, prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.

Nga Beuni KMK, i drejtoi një ultimatum gjeneralit S. Piaçentini (Settimio Piacentini, 06.01. 1867-2.11.1921; shën. im – AH). “Populli shqiptar, –  thuhej në ultimatum, – nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë,  duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës, si shpërblim italo – greko – serbëve, vendosi të marrë armët dhe të kërkojë nga Italia  administrimin e Vlorës, Tepelenës e Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”. Komiteti e ftonte pastaj komandantin italian që t’i përgjigjej kësaj  kërkese deri në mbrëmjen e 4 qershorit, përndryshe, siç lihej të kuptohej në ultimatum, shqiptarët do të fillonin kryengritjen e armatosur. (Ultimatimi ishte një notë diplomatike, që KMK, si përfaqësues popullor i krahinave të pushtuara të shtetit shqiptar  dhe qeverisë së tij, që, edhe pse nuk u prononcua zyrtarisht, nënteksti i strategjisë së saj kombëtare lexohej qartë, që e mbështeste popullin e saj të pushtuar,  për të ngritur  krye në kërkim  dhe plotësim të së drejtës së tij për çlirimin e trojeve të zaptuar padrejtësisht nga i huaji,  i dërgonte nëpërmjet  Piaçentinit,  shtetit italian,  kushte e kërkesa të prera, me afat kohor,  brenda 24 orëve, mospranimi i të cilave solli deri shpalljen e luftës.

Trupekspedita italiane në Shqipëri

Trupekspedita italiane në Shqipëri, përbëhej nga një efektiv prej afro 20 mijë ushtarësh, nën komandën e gjeneral S. Piaçentinit. Në gjirin e Vlorës ndodhej e ankoruar një skuadër e flotës ushtarake, e përbërë nga një duzinë luftanijesh dhe anije të tjera më të vogla. Pjesa më e madhe e ushtarëve  ishte e përqëndruar në qytetin e Vlorës, ndërsa pjesa tjetër ndodhej jashtë qytetit, në pozita me rëndësi strategjike. Garnizonet më të forta kishin zënë vend gjatë rrugës Vlorë -Gjirokastër, sidomos në Drashovicë, Kotë, Gjorm, Vajzë e Tepelenë dhe gjatë gjithë rrugës bregdetare Vlorë – Sarandë si Dukat, Llogora e Himarë.

Në pritje të përgjigjes së ultimatumit, KMK  mori masa të shpejta për shpërndarjen e forcave të veta sipas planit të kryengritjes, të hartuar nga komisioni ushtarak. Ky plan parashikonte në fillim shpërthimin e sulmit të menjëhershëm kundër garnizoneve të avancuara të ushtrisë italiane dhe bllokimin e rrugëve për të penguar tërheqjen e tyre në Vlorë. Synimi i këtij sulmi ishte të asgjësoheshin  këto  garnizone, të shtiheshin në dorë armët dhe municionet e tyre, të cilat u mungonin shumicës  së kryengritësve, të ziheshin sa më shumë ushtarë e oficerë robër, që të siguronin duke i mbajtur si peng, jetën e patriotëve vlonjatë të arrestuar e të internuar në ishullin e Sazanit dhe të hapnin kështu rrugën drejt Vlorës. Pasi nuk mori përgjigje nga gjeneral Piaçentini, KMK urdhëroi fillimin e kryengritjes. Në mbrëmjen e 5 qershorit 1920,  kryengritësit filluan sulmin në të katër anët e zonës së pushtuar. Brenda pak orëve ata zunë shumicën e postblloqeve të karabinierisë dhe të presideve të vogla ushtarake. Por kundër garnizoneve të fortifikuara u zhvilluan gjatë natës luftime të ashpra. Veçanërisht të rrepta qenë luftimet që u zhvilluan kundër garnizoneve të Kotës, Gjormit, Llogorasë dhe Tepelenës. Në Kotë fshatarët kryengritës treguan shembuj të shkëlqyer heroizmi. Kundër regjimentit të gjeneralit Goti (Enrico Gotti, 18.07.1867-6.06.1920: shën. im – AH), që mbrohej nga fortifikatat e betonuara dhe nga zjarri i artilerisë së rëndë, patriotët trima nën komandën e Ahmet Lepenicës kaluan disa herë me radhë në sulm. Më në fund, afër mëngjesit, duke hedhur  gunat e tyre mbi gjerdhet prej telash me gjemba, kaluan përmbi to, hynë brenda gazermave dhe i detyruan  ushtarët dhe oficerët  italianë, që kishin lënë shumë të vrarë, midis të cilëve, edhe vetë gjeneralin Goti, të dorëzoheshin. (Nga kjo ngjarje që u shënua në Historinë e Shqipërisë, morën motivin për skenarin Duro Mustafaj e Muharrem Fejzo, regjisori M. Fejzo e kompozitori Kujtim Laro për të realizuar filmin artistik – historik “Gunat përmbi tela”, 1977 dhe frymëzoi artistikisht dhe kombëtarisht aktorët Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Pajo, Rajmonda Bulku, Liza Laska, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko etj., për atë interpretim mjeshtëror që i falën publikut. Burim frymëzimi u bë Lufta e Vlorës dhe për piktorët e njohur Fatmir Haxhiu, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Ilmi Bani, Agron Dine, Skënder Milori, Petrit Ceno e po thuaj për të gjithë piktorët vlonjatë, etj.

Për Luftën Kombëtare të Vlorës ka gdhendur vargje shumë të bukura një nga poetët më të dëgjuar shqiptarë Agim Shehu në baladën e paharruar “Para bustit të Selam Musait”, që me kompozimin e Feim Ibrahimit, e ka kënduar siç di ajo, këngëtarja legjendare Vaçe  Zela.  Për këtë ngjarje, nga Epika Historike e Luftës së Vlorës (EHLV),  shkëlqejnë perla të folklorit si, fjala vjen kënga: “Obobo se ç’ qënka Kota/ më e bukur se Evropa/ bytym mitroloz’ e topa!…” apo “Çobanët mbi gjeneralë”, e cila daton v. 1980. Sulmeve të shqiptarëve nuk mundën t’u qëndronin as garnizonet italiane të Gjormit dhe Llogorasë, të cilat u dorëzuan. Me rënien e Tepelenës, ku u zhvilluan luftime të ashpra për pesë ditë rrjesht, më 10 qershor ishte çliruar e gjithë krahina e pushtuar, me përjashtim të Vlorës e të Kaninës. Gjatë këtyre luftimeve luftëtarët shqiptarë zunë robër më tepër se 1000 ushtarë dhe oficerë italianë. U zunë gjithashtu 7 topa, rreth 70 mitralozë, me mijra pushkë dhe municion e material i shumtë ushtarak. I inkurajuar nga sukseset e shpejta, KMK i dërgoi më 9 qershor 1920 gjeneralit S. Piaçentini një thirrje tjetër për dorëzimin e qytetit pa luftë. Në këtë thirrje gjenerali italian paralajmërohej se, po të mos dorëzohej Vlora pa Luftë, kryengritësit do ta sulmonin qytetin. Në të njëjtën kohë komiteti ngarkoi komisionin ushtarak që e kishte vendosur selinë e vet në Drashovicë, të hartonte planin e sulmit mbi Vlorën. Me gjithë kundërshtimin e mjaft oficerëve të komisionit, të cilët kërkonin një sulm demonstrativ mbi qytetin, KMK nën presionin shumë të fuqishëm të masës së kryengritësve vendosi të organizonte sulmin me të gjithë forcat e mundshme. U vendos gjithashtu që sulmi nga jashtë të koordinohej me kryengritjen e armatosur që qytetarët do të shpërthenin në të njëjtën kohë brenda në qytet.

Komanda italiane e pushtimit i intensifikoi punimet për forcimin e sistemit mbrojtës të Vlorës dhe  më 10 qershor organizoi një kundërsulm për t’i dëbuar kryengritësit nga kodrat e qytetit. Me dështimin e kundërsulmit dhe duke parashikuar ardhjen e përforcimeve të reja në Vlorë, komiteti urdhëroi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin e rrethuar. Sulmi filloi në orët e vona të mbrëmjes së 11 qershorit 1920. Me mijëra luftëtarë, duke e ftuar njeri – tjetrin në garë për të hyrë sa më parë në qytet, u hodhën mbi pozitat e armikut. Por zjarri i dendur i artilerisë fushore e detare dhe dritat verbuese të prozhektorëve të luftanijeve bënë që kryengritësit të përparonin shumë ngadalë. Heroizma treguan luftëtarët  veçanërisht  në kodrat e Babicës, në Qafën e Koçiut dhe në kështjellën e Kaninës. Shembull të lartë heroizmi tregoi në këto luftime fshatari plak nga Salaria e Tepelenës Selam Musai, komandant i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës. Për të shpëtuar ushtritë e veta nga asgjësimi komanda italiane arrestoi në masë qytetarë të tjerë, midis tyre edhe gra me fëmijë, dhe njoftoi  se do të hakmerrej mbi gjithë të internuarit, në rast se nuk do të pezulloheshin luftimet. Krerët e komitetit ngurruan përpara këtij kërcënimi që rrezikonte jetën e 1700 bashkatdhetarëve, midis të cilëve kishte dhe shumë famijlarë të tyre.

Luftëtarët, të prekur në ndjenjat njerëzore, iu bindën urdhërave të komitetit dhe u tërhoqën nga qyteti. Shpërthimi kryengritjes çlirimtare dhe sukseset e para të saj ngjallën një entusiazëm të përgjithshëm në masën e popullsisë së Shqipërisë. Në qytetet e mëdha të vendit me inisiativën e popullsisë u krijuan komisisone për të ndihmuar luftën patriotike kundër shkelësit italian. Këto komisione mblodhën brenda pak ditëve ndihma të konsiderueshme në të holla, në drithë e në bagëti. Komisionet filluan edhe regjistrimin e vullnetarëve. Më tepër se një mijë vullnetarë u grumbulluan për t’u nisur në drejtim të Vlorës. Vullnetarë për në Shqipëri u nisën dhe nga kolonitë e mërgimit. Vetëm disa bejlerë çifligarë dhe agjentë të shitur te imperializmi italian për “status quo”, ruajtjen e interesave të tyre, si Myfit Bej Libohova, Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Eqerem Bej Vlora etj. nuk u solidarizuan  me luftën patriotike kombëtare të Vlorës. Qeveria e Tiranës, sikurse ishte vendosur, nuk u shpreh as në favor, dhe as kundër kryengritjes çlirimtare. Në të vërtetë ajo i ndihmoi kryengritësit, u dërgoi atyre armatime dhe lejoi të shkonin në Vlorë ndihma materiale e vullnetarë nga anët e ndryshme të vendit. Për t’u siguruar nga çdo e papritur që mund të shkaktonin bandat e rebelëve esadistë në Shqipërinë e Mesme në kohën kur do të fillonte LV, qeveria, pasi kishte grumbulluar forca të mjaftueshme, vendosi të bënte kundër tyre një operacion ushtarak, drejtimin e të cilit ia besoi Bajram Currit, i emëruar ato ditë ministër pa portofol. Operacioni filloi më 4 qershor dhe brenda pak ditësh rebelët esadistë u shpartalluan plotësisht. Në të njëjtën kohë, më 13 qershor, demokrati  trim Avni Rustemi me përkrahjen e një grupi patriotësh i dha Esat Pashë Toptanit dënimin e merituar, duke e vrarë me atentat në rrugët e Parisit.