Aktualiteti i Nolit dhe Çajupit për qeverisjen e shqiptarëve

458
Sigal

Deklaratat e Nolit dhe Çajupit një shekull më parë  janë aktuale edhe sot: Fan S. Noli:  “Kabineti i Pykave”, dallkaukëve dhe rushfetëxhinjve kanë për ideal, drurin, tenderat, nepotizmin,shkatërrimin e traditës kulturore etj. Andon Z. Çajupi: Nëse në Shqipëri nuk ke zanat të bëjnë ministër dhe deputet. Ja dy fjalimet që i rezistuan historisë

Fan S. Noli: Nga “Kabineti i Pykave”, -dallkaukëve dhe rushfetëxhinjve tek ministrat dhe deputetët pa zanat të Andon Z. Çajupit

KABINETI I PYKAVE

FAN  NOLI

Rreth një shekull, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965)  përkthyes, politikan, diplomat, poet e historian shqiptar  analizonte përbërjen dhe kapacitetin e njrëzve të zgjedhur në qeveri dhe në parlamentin shqiptar. Sipas Nolit, qeveritarët dhe deputetët e emëruar kanë për ideal të tyre vetëm mbajtjen e kolltukëve me çfarëdo çmimi dhe mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti. Ai etiketonte këta qeveritarë si pyka  dhe se është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Emërimet e nëpunësve, krijimi i véndeve të punës për militantët  e pazot, duke boshatisur  arkën e shtetit me tenderat pa cilësi, zaptimin e pronave, prishjen e objekteve të traditës, prishjen e shesheve dhe rrugëve dhe zëvendsimin me ato që përmbyten dhe prishen me shiun e parë që bie. Po sipas Nolit, nga padia s´u japin asnjë rëndësi degëve të bujqësisë, shëndetësisë e arsimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje. Me sa duket Fan S. Noli ka folur gati 100 vite më parë dhe fjalët e tij janë një testament i rëndsishëm ku ne sot në Maj të 2020 shohim të njëtat cilësi tek deputetët dhe qeveritarët, të njëjtat etiketime nga intelektualët, ekspertët e fushave dhe qytetaria shqiptare.

01

Fan Noli, votuesit dhe qeveritarët sipas kategorive të Makiavelit

Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të mejtimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falenderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dhe jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën, as për shëndetin, as për arsimin e popullit.  Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po atje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira:

  • Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më

të mirët;

  • Qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta

janë të mesmit;

  • Qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre,

dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

 

 

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës – Kabineti i Pykave.

 

Se ca janë pyka nga dituria, e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.

Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk  do  t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kolltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti.

Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.

Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrytshme), duket  me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirave të reja dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken – shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të ndërtojnë, çkulën një udhë  moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur  sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer  popullit  para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.

Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të Ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta, e tani nuk ekziston më.

Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes  së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: Tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët. Nga padia s´u japin asjnë rëndësi degëve të bujqësisë, shëndetësisë e arsimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.

02

N’Shqipëri nëse nuk ke zanat bëhesh ministër dhe deputet

Andon Zako Çajupi (1866-1930)

Ringjallet Çajupi. Kur lexon atë që ka thënë para 90 vitesh, duket sikur e ka lënë amanet pikërisht për këtë klasë politike dhe për këta politikanë që i rrëmbyen dhe baltosën emrin e ndritur të Rilindjes.

“Për njëmënd, ndër Shqipëri gjenden plot ministra, qeveritarë deputetë, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dheu…Në këta 3 a 4 vjet të fundit Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, deputetë të çkëlqyerë! Si shpjegohet kjo pasuri në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e shqiptarëve politika është një punë fortë e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukë në këtë botë të rreme, zanati m’i lehti është të bëhesh ministrë. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë bie fjala, takon të mos çquajë qepë nga prastë; ministri i luftës takon të mos ketë marrë një pushkë në dorë; ministri i financës takon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit takon mos dijë as shqip, veç të mundij të shkruajë një ë me dy pika në krye; ministri i punëvet t përjashtëm takon të jetë priftë a hoxhë… dhe puna të vejë mbarë gjithmonë. Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë. Jo, sot s’është nevojë…