Akademik Rexhep Qosja: Koha e Rilindjes së parë

232
Sigal

E dua popullin shqiptar mbi çdo gjë e çdo kënd në këtë botë

Rexhep Qosja: Koha e Rilindjes së parë

Ditar II   1975-1978

 Pjesë nga libri  “Dëshmitar në kohë historike”

 

Pse e kam shkruar këtë ditar?

Pse po e botoj këtë ditar?

Nuk ka dyshim  se dikush mban ditar në radhë të parë për arsye krijuese-artistike a shkencore. Dikush mban ditar në radhë të parë për arsye thjesht shoqërore. Dikush mban ditar në radhë të parë për arsye  thjesht politike. Dikush mban ditar në radhë të parë për arsye morale. Ndër autorët, të cilët kanë mbajtur ditar për pjesën më të madhe të arsyeve të sipërthëna e radhis edhe veten.

15.III.1977

Ç’ka quajmë komb shqiptar sot?

Ç’ka quajmë komb shqiptar sot?- do të pyeste një i huaj, që di pak për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prej shqiptarëve të ndryshëm, të moshave të ndryshme, të profesioneve të ndryshme, me pasaporta të shteteve të ndryshme të indokrinuar prej ideologjive të ndryshme, pa dyshim do të merrte përgjigje të ndryshme. Besoj se përgjigjet më të padrejta, më të shtrembëruara, më të politizuara dhe më të ideologjizuara, më kundër historike do t’i merrte prej shqiptarëve të indokrinuar prej politikës dhe ideologjisë që mbulohet me emrin e Kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Titos, i cili, vetë,  nuk do të mund të quhej armik i shqiptarëve, por, i cili deshi s’deshi , ndaj shqiptarëve zbaton një politikë, që e kanë themeluar që në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në forma të reja e me ide të tjera vazhdojnë ta zbatojnë edhe sot e gjithë ditën politikanë dhe intelektualë serbë, të cilën fytyrën e tyre të vërtetë vazhdojnë ta tregojnë edhe tani, sidomos, tani, pas miratimit të Kushtetutës së re në vitin 1974.  Dhe besoj se përgjigjen e vetme të drejtë , të qëndrueshme, të argumentuar, historikisht, të arsyetuar do ta jepnin vetëm atdhetarët shqiptarë, që sot jetojnë pikërisht këtu, në Kosovë. E kjo përgjigje është: Komb shqiptar quajmë më pak se gjysmën e këtij Kombi, që jeton sot në Shqipëri. Më shumë se gjysma tjetër e këtij Kombi jeton në Jugosllavi: në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë e Bujanoc, në Greqi-të mos përmenden ata që jetojnë në Itali, në Turqi, në shtete të ndryshme evropiane, në SHBA, në Kanada e ku tjetër. Kjo gjysma tjetër e Kombit shqiptar nuk trajtohet subjekt kombëtar, por pakicë kombëtare a kombësi. Domethënë Kombi shqiptar është komb i ndarë. Të gjitha kombeve kështu përgjysmë të ndara u takon e drejta natyrore të jetojnë të bashkuara. Kur do ta realizojë këtë të drejtë Kombi shqiptar?  Nuk mund të dihet sot, por sot mund të thuhet: do ta realizojë një ditë. Kjo është logjikë e dëshmuar e zhvillimit historik të kombeve.

6.II.1977

E dua popullin shqiptar mbi çdo gjë!

E dua popullin shqiptar mbi çdo gjë e çdo kënd në këtë botë; e dua dhe nuk do të ngurroja të bëja çdo gjë për qënien e tij. E dua, sepse ashtu e ndiej veten; sepse jam i vetëdijshëm se përkushtimi ndaj popullit që i përket është përkushtim i shenjtë, të cilit nuk i duhen as arsyetime, as shpjegime.

Me këtë dashuri ndaj popullit, me këtë përkushtim ndaj tij, jam edukuar në fëmijëri, para së gjithash prej fjalëve të babait, i cili prej fëmijërisë së tij i ka vuajtur të gjitha vuajtjet e popullit; mandej jam edukuar prej varreve të të parëve të shpërndara në tokat që sot janë të ndara në disa shtete; mandej prej këngës popullore; mandej prej historisë dhe prej letërsisë së Rilindjes Kombëtare; mandej prej poezisë së Naim Frashërit, në mënyrë të veçantë prej Bagëti e Bujqësisë dhe prej Historisë së Skënderbeut; mandej prej Lahutës  së Malsisë të Gjergj Fishtës;

Dashuria ime, përkushtimi im ndaj popullit, ndërkaq ndryshon shumë prej përkushtimit të shumë të tjerëve këtu, në Kosovë dhe në Shqipërinë shtetërore. Ndryshe prej atyre që e duan popullin duke e lavdëruar, duke e lajkatuar, duke ia zbukuruar edhe të këqijat, që edhe populli shqiptar ka si çdo popull tjetër, duke ia fshehur humbjet e duke ia treguar vetëm fitoret, duke ia rritur virtytet e duke ia fshehur plotësisht veset.

Unë e dua popullin në mënyrë kritike; duke ia treguar të mirat dhe të këqijat, virtytet dhe veset, shëndetin dhe plagët, fitoret dhe humbjet, ndryshe prej atyre që e duan popullin me gotë në dorë, duke çuar gjithnjë dolli për bukurinë dhe lumturinë e tij të djeshme dhe të sotme, në kohën e Perandorisë Romake, në kohën e Perandorisë Bizantine, në kohën e Perandorisë Otomane, në kohën e pushtimit serb e jugosllav, në kohën e pushtimit fashist italian dhe gjerman , dhe sot në kohën e komunizmit stalinist e titist, unë e dua duke ia treguar edhe pësimet,vuajtjet, gabimet, nënshtrimet, mjerimet shoqërore, politike, ideologjike dhe morale. Ndryshe prej atyre që e duan popullin në mënyrë folklorike, unë e dua në mënyrë realiste. E folklori kënaq, natyrisht shkurt, kurse realizmi pikëllon, por duke të zgjuar, duke të bërë të vetëdijshëm se çka duhet të bësh që të jetë më mirë. Ndryshe  prej atyre që e duan popullin e imagjinuar e të mashtruar; unë e dua popullin e tillë çfarë është: me vuajtjen, me varfërinë, me mosdijen, me prangangelje, me padrejtësinë që duron. Në qëndrimin e intelektualëve dhe politikanëve ndaj popullit shqiptar, ballafaqohen demagogjia dhe realizmi, mashtrimi dhe sinqeriteti. Si historia e popujve evropianë dëshmojnë se edhe populli shqiptar më shumë, larg më shumë, i kontribuojnë ata që popullin e duan duke e farkuar në flakën e kritikës, sesa ata që e duan duke e lajkatuar. E kuptueshme: të parët e duan duke menduar se si t’ia çelin sytë që të shohë qartë nga i vjen e mira e nga e keqja, kurse të dytët e duan duke menduar se si ta mashtrojnë: për të përfituar vetë a për t’u ngritur në pushtet për ta sunduar.

25.VI.1978

Në librat e shenjtë thuhet: ka edhe shumë e shumë mëngjese, që ende nuk kanë gdhirë. E thënë shumë, shumë bukur. E çuditshme! Pse po në ato libra të shenjtë krijuesve nuk u është kujtuar apo nuk u është lejuar të thonë: ka edhe shumë e shumë net, që nuk janë errësuar ende? Drita e mëngjesit dhe terri i natës këmbehen gjatë gjithë jetës së njeriut dhe të njerëzimit!

26.VI.1978

Gjuhën tonë, gjuhën e bukur të Naimit, të Lasgushit  po e vërshojnë fjalët e huaja.

Gjuhën tonë, gjuhën e bukur të Naimit, të Samiut, të Konicës, të Vaso Pashës, të Gjergj Fishtës, të Lasgushit po e vërshojnë fjalët e huaja. Nuk quhen kot barbarizma. Nuk janë këto fjalë të huaja, barbarizma, që përdoren për të shënuar ide, gjësende, dukuri, veprime, për të cilat ende nuk kemi fjalë shqipe: jo, këto janë fjalë të huaja, që përdoren në vend të fjalëve shqipe; fjalë të huaja që përdoren duke përjashtuar fjalën shqipe prej gjuhës shqipe, duke nënçmuar fjalën shqipe në gjuhën shqipe! Këto fjalë të huaja, të panevojshme, këto barbarizma, me të cilat shëmtohet, përçudnohet, fyhet gjuha shqipe më së shpeshti dhe më së shumti po përdoren në shkrimet kritike, eseistike, historiko-letrare, sociologjike, pseudofilozofike, në publicistikë dhe në gazetari. Më së shumti këso fjalësh po përdoren në kritikën letrare. Nuk u jam shpëtuar plotësisht as unë, por kurrë askush, asnjë studiues i ardhshëm i letërsisë shqipe dhe i kritikës së saj të sotme nuk do të gjejë arsye të më fusë në radhën e atyre që me fjalë të huaja po e shëmtojnë gjuhën shqipe.

Pse përdoren kështu fjalët e huaja, barbarizmat edhe kur për idetë, gjërat, veprimet, dukuritë, që shënohen me to kemi fjalët shqipe? Janë disa arsye: e para, sepse përdoruesit e tyre me to, me fjalët e huaja, me barbarizmat, duan të tregohen më intelektualë, më të dijshëm se ç’janë në të vërtetë: e dyta, sepse me to  dëshërojnë ta intelektualizojnë mendimin, cektësia e të cilit mund të mbulohet pak a shumë vetëm me fjalë të tilla: e treta, sepse me to më lehtë i delezojnë, i  marrëzojnë lexuesit: e katërta, sepse me to arrijnë të çmohen më shumë prej atyre prej të cilëve dëshirojnë të çmohen: prej zyrtarëve politikë dhe administrativë: e pesta, sepse ashtu më lehtë e më shpejt krijojnë kariera.

Ja një numër i këtyre fjalëve të huaja që po e vërshojnë, po e shënojnë, po e shëmtojnë dhe po e fyejnë sot gjuhën shqipe, duke i përjashtuar fjalët e saj, që mund të përdoren në vend të tyre: Dekonstruktim, parcialitet, intelektiv, modulacion, variabilitet…mbasi i shënova disa prej këtyre barbarizmave hajde t’i shënoj edhe dy fjali që autorët e tyre i ndërtojnë me to.

  1. Prometalizimi imanent i validitetit të imazhizmit kontemplues të kësaj poezie konfirmon polidimensonalitetin multiplikues të saj , do të thoshte Rolan Barti!
  2. Në heterogjenitetin e narrativitetit të romanit është koduar, respektivisht detektuar struktura relevante, si do të thoshte Lakani, e inteligibilitetit dhe heterogjenitetit të universit poetiko-letrar kontemporan! E kështu me radhë” e kështu me radhë e pa radhë! E mjera shqipe!

5.VIII. 1978

Vendet komuniste do të çlirohen vetë, prej përbrenda, e jo me ndërhyrje të jashtme.

Në të përjavshmen NIN e lexoj artikullin e gazetës së njohur italiane La Stampa mbi Shqipërinë dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të saj me Kinën. E përjavshmja e Beogradit NIN që: analizon, komenton, vlerëson dhe zhvlerëson ngjarjet politike, ideologjike, ekonomike, ushtarake, kulturore javore në botë, më së shumti në Jugosllavi, në Evropë, në SHBA, në  Bashkimin Sovjetik e në Kinë, duket si e gëzuar pse janë prishur marrëdhëniet të shumëtheksueshme miqësore, ndërmjet Kinës së madhe, shkruhej para disa vitesh, dhe Shqipërisë së vogël. Udhëheqja jugosllave, në mënyrë të veçantë udhëheqja serbe, është shumë e lumtur pse, Shqipëria tani nuk ka asnjë mik të fortë, madje as të dobët në botë! Është kafshatë, jo për herë të parë në historinë e saj, që mund të gëlltitet pa përtypur fare! Dhe jo njëherë, kur e ka parë ashtu të vetmuar, të pa mik të madh Serbia është përpjekur ta gëlltisë. Nuk ka mbërritur ta gëlltisë gjithë Shqipërinë, por ka mbërritur të gëlltisë pjesë të mëdha të saj: Ulëtinën e Liqenit të Shkodrës, Luginën e Plavës e të Gucisë, Kosovën, të ashtuquaturën Maqedoni Perëndimore, shumë fshatra të  së ashtuquajturës Serbi eVjetër. Ndërmjet rreshtave të gazetës italiane La Stampa nuk mund të mos e ndiesh një fije mirëkuptimi për shqiptarët dhe Shqipërinë…por nuk e pengon gazetën La Stampa të shkruajë për të këqiat që ndodhin në Shqipëri. Thuhet se po bëhen burgosje: burgosje të papritura, burgosje që  nuk mund të mos shpjegohen si pasojë e prishjes së marrëdhënieve me Kinën; ndoshta si pretekst i shfrytëzuar për burgosjen e atyre, që edhe më parë dëshirohej të burgoseshin! O, Zot! O, djall! Krye çdo katër-pesë vitesh përjashtime prej Partisë, burgosje, dërgime në bazë, kryesisht në fshatra të largëta, madje, edhe të intelektualëve, madje, edhe të krijuesve artistikë e shkencorë! Populli  shqiptar-popull i mallkuar! Gjithnjë në dhunë: në dhunën e ushtruar prej të huajit dhe në dhunën e ushtruar prej të vetit! Politikë, vërtet e padurueshme, vërtet e papranueshme ndaj popullit të vet dhe fare naive, fare dritëshkurtë, fare dëmsjellëse, ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare… Se pak a shumë ka ndryshuar raporti i forcave në botë, se pak a shumë kanë ndryshuar mënyrat e sjelljes politike dhe diplomatike në botë. Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik që edhe më tej e mbajnë botën në kushtet e së ashtuquajturës luftës së ftohtë. Por nuk janë vetëm ato që mund të dëgjohen dhe të vendosin vetëm ato në botë: janë edhe Kina, janë edhe vendet e ndryshme, zëri i të cilave  do të dëgjohet gjithnjë e më shumë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare…prishja e marrëdhënieve me Kinën është rasti, është rasti historik, për t’u kthyer Shqipëria andej nga pashmangshëm do të kthehet një ditë: për t’u kthyer nga bota perëndimore, në mënyrë të veçantë nga fuqia më e zhvilluar, më e madhe në botë-nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa e çuditshme, sa e pakuptueshme është historia shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore! Njëherë himne Jugosllavisë, himne që nuk mund të kuptoheshin prej shqiptarëve, posaçërisht prej  shqiptarëve të Kosovës dhe të Mbretërisë Jugosllave në përgjithësi! Mandej himne Bashkimit Sovjetik, Moskës, Kremlinit, Kremlinit që  kishte luajtur rol fatal, historik, për copëtimin  e trojeve shqiptare-himne që do të përfundojnë me akuza dhe sharje të pafund para së gjithash ideologjike! Dhe  mandej, pas himneve për Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, himne për Kinën me të cilën  nuk i kishte lidhur as rruga e mëndafshit që e kishte treguar Marko Polo; himne për Kinën që do të përfundonte prapë me akuza ideologjike. Domethënë Shqipëria nuk prish marrëdhëniet me shtetet, të cilave deri dje u këndonte himne për shkak të interesave ekonomike, në përgjithësi jetësore, por mbi të gjitha për shkaqe ideologjike, për shkak të ruajtjes së pastërtisë ideologjike.

Absurd !  Shqipëria e vogël dhe e varfër do të prishet me këdo,  jo pse ashtu e do interesi ekonomik  e kulturor i popullit shqiptar, por për të ruajtur pastërtinë e ideologjisë.  Të ideologjisë më dogmatike komuniste: të ideologjisë staliniste! Si mund ta arsyetojë udhëheqja shqiptare politikën e saj para popullit të vet? Kurrsesi! Si mund t’i arsyetojë kjo udhëheqje  këngët që ua këndonte dikur Bashkimit Sovjetik e mandej, Kinës, kurse sot akuzat që ua bën,  edhe Bashkimit Sovjetik edhe Kinës? Kurrsesi! Populli di të mendojë. Duartrokitjet  që i bën udhëheqjes kudo e kurdo nuk e tregojnë mendimin e vërtetë të popullit ndaj kësaj udhëheqje. Jo! Është plotësisht e qartë  se populli shqiptar as në  Shqipërinë shtetërore, as në Kosovë, në tërësi, nuk mendon siç mendon udhëheqja e saj. Mendon ndryshe. Populli mendon ndryshe, por nuk ka çka të bëjë. Zullumi i pushtetit në Shqipëri është shumë shumë. Prishje e marrëdhënieve me Kinën do të mund të shfrytëzohej  për ndërrimin e udhëheqjes, madje, për ndryshimin e rendit politik e shoqëror dhe për lidhje të marrëdhënieve shtetërore me të tjera vende, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithëse sistemet totalitare, policore siç është ai i Shqipërisë dhe siç janë sistemet komuniste në përgjithësi, sikur i bëjnë pothuaj  objektivisht të pamundshme revolucionet, prap në kuadrin  e vetë udhëheqjes mund të gjenden njerëz të politikës, shërbëtorë të prijësit ideologjik e shtetëror, të cilët mund të jenë të aftë të bëjnë  përmbysjen. Dhe kjo në të vërtetë është e vetmja gjasë historike për t’u çliruar prej diktaturave të sotme komuniste. Dhe  kjo pashmangshëm  do të ndodhë një ditë. Vendet komuniste do të çlirohen vetë, prej përbrenda, e jo me ndërhyrje të jashtme. Shqipëria ka gjasën historike për të përmbysur diktaturën. Por, kush do ta bëjë këtë? Moj Shqipëri e mjera Shqipëri!

Përgatiti, Asije Hoxha