Akademik Beqir Meta: Dy fjalë mbi monografinë e Dr. Elmaz Sherifit   “Shqipëria e panjohur”

311
Sigal

 

 

Monografia “Shqipëria e panjohur” është një studim historiko-juridik tepër interesant dhe i vlefshëm i institucioneve politike shqiptare gjatë periudhës 1912-1920. Thelbi i saj është teza doktorale e mbrojtur me sukses prej tij në Institutin e Historisë, e cila është plotësuar dhe thelluar më tej, duke marrë formën e plotë të një studimi monografik. Monografia është produkt i një pune serioze dhe skrupuloze shkencore me literaturën historiografike, literaturën juridike, me hulumtimin në thellësi të burimeve autentike dokumentare, ç’ka e bën studimin më të pasur e të mbështetur gjerësisht në argumente historike, aq edhe të plotë e të thellë në analiza shkencore. Ky studim është përpjekja e një intelektuali dhe studiuesi për t’i dhënë përgjigje përmes gjashtë kapitujve dhe gjashtëdhjetë e pesë nënkapitujve pyetjeve për themelimin e institucioneve dhe evidentimin e aktorëve real politik me përvojat dhe kapacitetet shtetformuese të kombit shqiptar në etapën e parë të themelimit dhe ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar. Lexuesi fillimisht njihet me metodologjinë e studimit dhe teoritë e ndryshme shkencore mbi institucionet politike e juridike, përmes të cilave dr. Sherifi përpiqet të zbulojë ndikimin e filozofisë politike moderne të kohës tek elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit.

 

Një vend po kaq të rëndësishëm ka edhe trashëgimia e shquar historike institucionale ilire, dhe perandorët e famshëm ilir në Perandorinë Romake e në Perandorinë Bizantine, të cilët sollën një kontribut të madh në themelimin e institucioneve politike që do të ishin fondamentale për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë njerëzore. Autori sjell dokumente historike të pretendimeve për trashëgiminë e perandorëve bizantin të Dinastisë Komnene, nga familja Engjëllore e Pal Engjëllit. Edhe Mesjeta arbërore sillet një trashëgimi në sferën e institucioneve politike, duke vijuar me Pashallëqet shqiptare, të cilat i vlerëson si fillesat e institucioneve shqiptare brenda Perandorisë Osmane. Ndërsa thelbin e institucioneve politike të shtetit shqiptar ai e sheh tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe institucionet e krijuara prej saj. Ringjalljen dhe zhvillimin e tyre autori e gjen tek parlamentarët shqiptarë në Parlamentin Osman, në ndihmesën qenësore të shqiptarëve për vendosjen e regjimit konstitucional në Perandorinë Osmane, më tej në kuvendet e mëdha shqiptare të vitit 1912, me në qendër Kuvendin e Junikut. Dr. Elmaz Sherifi analizon në thellësi institucionet politike të krijuara nga Kuvendi i Vlorës. Duhet thënë se lexuesi për herë të parë do të njihet me detaje për organizimin e Kuvendit të Vlorës, dhe me debatet interesante të delegatëve për themelimin e institucioneve politike. Veçori përbën analiza kritike që u bën mënyrës se si u themeluan institucionet,qeveria dhe pleqësia, të cilat sipas meje përbëjnë risi thelbësore tepër interesante me vlerë historike, mjaft të vlefshme, e njëkohësisht autentike. Ai dallon në këtë proces si konkurrencën politike të grupeve të ndryshme brenda Lëvizjes Kombëtare, analizon sovranitetin kushtetues dhe ligjshmërinë e akteve të Kuvendit të Vlorës, në këndvështrimin e përvojave shtet-themeluese ndërkombëtare, analizon institucionet që krijoi Kuvendi i Vlorës në bazë të parimeve të shtetit të së drejtës; i bën një analizë institucionale opozicionit politik ndaj qeverisë së Ismail Qemalit, si dhe situatën tepër të koklavitur kur në vend ekzistonin tre pushtete, midis të cilëve, rolin vendimtar e kishte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Plot risi interesante me theks kritik autori ka sjellë edhe rolin e elitës shqiptare për caktimin e princ Vidit dhe për periudhën e shkurtër të qeverisjes së Vilhelm Vidit, ku thelbi i analizës përqendrohet mbi zbatimin e Statutit Organik të Shqipërisë, si për krijimin e qeverive, ndryshimin e tyre dhe qëndrimin institucional ndaj Esat Toptanit. Në këtë kontekst analizohen edhe sfidat e këtyre institucioneve politike kombëtare të njohura ndërkombëtarisht dhe të sfiduara nga dy lëvizje të tjera antishtetërore, Kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe Lëvizja për Autonominë e Vorio-Epirit. Analiza mbi organizimit institucional dhe objektivave antikombëtare e antishtetërore të tyre evidenton dëmet e mëdha që ato i shkaktuan shtetit të ri shqiptar. Në këtë studim janë sjellë të dhëna autentike edhe për disa institucione të  krijuara pas shembjes së shtetit shqiptar, të cilat mund të konsiderohen si mbeturina të shpërbërjes së tij. Të tilla ishin institucionet qeverisëse të Shkodrës pas gushtit 1914, Senati i Durrësit dhe qeveria provizore e Mustafa Ndroqit, shtator 1914, institucionet e krijuara nga Esat Toptani më tetor 1914 etj. Interesante janë edhe përshkrimet mbi bërthamat e reja institucionale gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore. Të tilla janë përpjekjet për organizimin e Kongresit të Elbasanit, shkurt 1916; Institucionet që krijoi Austro-Hungaria në Shqipëri, prill 1916, Projekt-Protokolli me francezët për “Qeverinë Autonome” në Korçë, dhjetor 1916, “Proklamata Ferrero” dhe institucionet e qeverisjes së Italisë në Shqipëri, dhjetor 1916, dhe evoluimi i emërtimit të institucioneve, “Republika Shqiptare-Korçë”, maj 1917. Kongresi i Durrësit është analizuar në një dritë të re dhe të saktë si rithemelim i kushtëzuar e i cunguar i institucioneve politike të shtetit shqiptar të diktuara nga rrethanat e pushtimit italian. Institucionet politike të periudhës 1918-1920 janë pasqyruar me objektivitet shkencor dhe në dritën e një analize të qartë konstruktive –historiografike. Si përfundim, monografia “Shqipëria e panjohur” është një studim i dobishëm dhe plot risi për të njohur më mirë dhe mbi baza më shkencore fillesat e institucioneve të shtetit shqiptar. Ajo shënon një hap përpara në studimin historiko-juridik të tyre gjatë periudhës së parë dhe tepër të vështirë të ndërtimit tonë kombëtar. Për këtë arsye, kam besim se ajo do të pritet me interes nga studiuesit, pedagogët, studentët dhe lexuesi më i gjerë shqiptar, i cili është dashamirës i historisë sonë kombëtare.