Ajise Hoxha: Agjencia Kombëtare e Provimeve harton teste shtetërore në shkelje të standarteve gjuhësore të shqipes

1265
Sigal

AKP- Agjencia Kombëtare e Provimeve harton teste shtetërore në shkelje të standardeve gjuhësore

 

Testet shtetërore përgatitur nga  “ Agjencia Kombëtare e Provimeve” gjatë  viteve shkollore janë ndërtuar me gabime shkencore. Për maturën shtetërore  në  provimin shtetëror të matematikës, disa vite më parë, u vendos një ushtrim gabim në formulim (pa zgjidhje), sa që asnjë maturant  nuk u vlerësua me notën 10! Në një vit tjetër për lëndën e letërsisë hartohen pyetje, që nuk kanë asnjë vlerë edukative- morale si pyetja  “ Çfarë mësoni nga linja e dashurisë ndërmjet Evgjeni Grandesë dhe kushëririt të saj , Karl Grandesë ? ” Pyetja nuk përmban asnjë argument  për të realizuar një përgjigje të saktë!

Për të arritur në konkluzionin që AKP, përgatit teste shtetërore në shkelje të standardeve normative gjuhësore, letrare, morale, estetike, që çorientojnë njohuritë e nxënësve dhe nuk ndikojnë në vlerësimin e aftësive logjike, argumentuese të tyre.

Analizojmë:

  1. Testi i Provimit të Lirimit klasa 9 (2014) –Lënda “Gjuha shqipe”. (AKP)
  2. Testi i provimit: Matura shtetërore (2020)- Lënda “ Gjuhë- Letërsi” .( QSHA)

Testi i Provimit të Lirimit klasa 9 “Gjuha shqipe” .

 

 Testi fillon me një paragraf dhe titullohet “Letra”. Lexojmë nga teksti i letrës:  “Për të shkruar këtë fjalim autori punoi me një grup nxënësish, të cilët ndihmojnë njëri-tjetrin për të shprehur dhe prezantuar idetë e tyre..” Më tej vazhdon:  “ Kur ka qenë hera e fundit që keni shkruar një letër? Ka shumë mundësi që të përgjigjeni: -Oh! Ka shumë kohë. Ndoshta nuk keni postuar kurrë një letër!

Në fund të tekstit është ky shënim: “Ky është një fjalim i mbajtur para një grupi mësuesish dhe nxënësish”.

Sapo mbaron leximin të lindin pyetjet:

  1. Pse është titulluar “Letra” kur hartuesit e emërtojnë në fund fjalim?
  2. 2. A kanë ndryshim dy emërtimet?

Citojmë nga fjalori i gjuhës shqipe:

Letër- lëndë që nxirret nga përpunimi i drurit në trajtën e një flete të hollë;- fletë ku shkruajmë për diçka

Fjalim –ligjëratë që mbahet në një mbledhje të gjerë.

  1. Pse është përzgjedhur ky tekst kur vetë hartuesit pohojnë se letra e ka humbur vlerën aktuale sot?
  2. Pse Përgjigja e saktë sipas hartuesve të testit është përzgjedhur alternativa: “të bashkëbisedojnë për të shkëmbyer ide në një mënyrë të organizuar” ?
  3. Pse nuk është përzgjedhur alternativa:“ të kërkojnë konsensus për idetë e përdorura në fjalimet e tyre”, sepse “ Rezultat” nuk sjell bashkëbisedimi, por konsensusi për të përzgjedhur idetë përfundimtare të secilit.

Pikëpyetjet vazhdojnë gjatë leximit të çdo pyetje!

Shembull .:  Pyetja 13  “Çfarë kanë të veçantë prapashtesat e fjalëve syçkat, gjethëzat…” Përgjigja nga AKP është alternativa: “E veçanta se janë prapashtesa ndjesore, zvogëluese. ”

Pyetja dhe përgjigja e ndërtuar nga ekspertët  nuk është përfaqësuese e gjuhës standarde! Për përgatitjen e kësaj pyetje ekspertët nuk i janë referuar tekstit normativ gjuhësor! Në Gramatika e Gjuhës Shqipe 1 (Akademia e Shkencave ) fq 144 lexojmë:  “ …me një shtrirje dialektore të ngushtë përdoren edhe  prapashtesat  kë- çupkë e çk- syçkë (syçkat). Formimet me këto prapashtesa, që janë edhe të huaja, s’janë për t’u përdorur në gjuhën e shkruar …” Testi, hartuar nga specialistë të  gjuhës shqipe përdorimin e ngushtë dialektor e jep si pyetje mbarëkombëtare!! Edhe fjala “ndjesore”  në përdorimin e hartuesve  nuk ështëvendosur në vendin e duhur: fjala ndjes(ë) ka kuptim “kërkoj të falur”. Fjala në kontekstin e dhënë duhet “ ndiesore” formuar nga tema -ndiej. Përdorimi i fjalës syçkat shpreh falje apo ndjenjë kënaqësie ose përkëdhelie?

Pyetja 15 edhe një shembull tjetër: “Emërtoni morfemat trajtëformuese te fjala shkofsha”. Në programet dhe tekstet mësimore në asnjë temë nuk kemi analizën e kuptimit të konceptit gjuhësor morfemë. Nxënësi është familjarizuar me ndërtimin e  fjalës me parashtesë, prapashtesë, mbaresë, dhe jo me morfemat  parashtesore ç-liroj , për-dor , morfemat prapashtesore pla-gos, gjethë-zat ! Pyetje e formuluar për të cilën nuk është planifikuar asnjë temë mësimore gjatë nëntë viteve shkollore i lë të habitur nxënësit!

Vazhdojmë edhe me Pyetjen 22.

Zgjeroni fjalinë e dhënë me një pjesë të nënrenditur rrjedhimore. “Të tërë në kuti shkrepësesh kanë për të përfunduar.”  Përgjigja nga AKP është zgjedhur alternativa “Kështu që kot mburren….”

Fjalia e nënrenditur rrjedhimore nuk është në program as në tekstet e gjuhës shqipe në përdorim. Vetëm në tekstin  “Gjuha shqipe 9 Uegen”(2012) kemi disa rreshta për ndërtimin e fjalisë rrjedhimore.

TESTI me pyetjet e ndërtuara nuk arriti për të matur njohuritë normative të strukturës gramatikore dhe letrare; formimin intelektual, shoqëror, estetik dhe emocional  të nxënësve.

Përfundimi: Provimi i lirimit i organizuar vetëm mbi bazën e këtij testi pa asnjë vlerë formuese dhe edukative ka humbur rëndësinë e saj: testi me shkrim i ka transformuar nxënësit në pasivë, pasi ata komunikojnë njeri me tjetrin me anë të shenjave. Nxënësit nuk ndiejnë emocion dhe nuk vlerësohen për atë që dinë.

 

  1. Testi i provimit: Matura shtetërore (2020)- Lënda “ Gjuhë- Letërsi” .

 Testi   “Matura 2020, gjuhë letërsi” thërrmohet nga vetë hartuesit e testit, duke realizuar një test, e cila, nuk është veçse një “ greminë shkencore” ! Shembull.: Pyetja 5. Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksioni si vazhdim të paragrafit të dhënë?- Lexojmë paragrafin  “Turi vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar, që iu shfaq përpara”  Specialistët si përgjigje të saktë vazhdimësie kanë zgjedhur Alternativën D me fjalinë: “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi barkën”. Morali i përzgjedhjes së kësaj alternative është transmetimi i mesazhit: “Mendo për vete të shpëtosh kokën, shokët lëri në mëshirën e fatit”. Vetë fjala e përdorur -u hodh-e vërteton këtë mesazh kriminal !Çfarë i pengoi specialistët që në të njëjtin stil aksioni të ndërtonin si vazhdim të paragrafit alternativën: -“Turi menjëherë kapi lopatat e shokut dhe me mprehtësi dhe shpejtësi marramendëse largoi barkën nga shkëmbi! ”

Lexojmë disa pyetje ndërtuar me bazë analizën e një fjalie për të kuptuar varfërinë në njohjen e gjuhës shqipe të specialistëve ku çdo pyetje dhe përgjigje e vërtitin rreth një fjalie! Pyetja 7. Cila fjali nga artikulli i mëposhtëm përmban një informacion , të cilit i duhet treguar burimi? Pyetja 29 . Cila nga fjalitë e mëposhtme zbaton rregullat e shkrimit të ligjëratës së drejtë?  Edhe pyetjet 1. 2. 3. 9. 11. 12. 13. 16. 18. 20. 22. 24. 25. 26. 27. 28. 30. janë ndërtuar me bazë analizën e një fjalie. Janë pyetje ku fjala kyçe është “Fjalia”. Pyetjet e ndërtuara janë: a . me një fjalor mjaft të varfër, që i përkasin ligjërimit të zakonshëm bisedor, b. kanë të njëjtin formulim (cila nga fjalitë), c. i përkasin të njëjtës analizë sintaksore të fjalisë, d. Formulimi i pyetjeve i përgjigjet jo vetëm përzgjedhjes së një  përgjigje alternative, por janë të barazvlershme dy ose tre alternativa.  f. nuk janë pyetje testuese për të vlerësuar jo vetëm njohuritë gjuhësore, por as logjike dhe argumentuese të maturantëve etj. Shembull tipik është pyetja 3: “Cila nga alternativat e mëposhtme është një tezë e përshtatshme dhe efektive për një ese bindëse, që lidhet me vullnetarizmin ?  Ekspertët renditin 4 teza alternative ku secila si fjalë kyçe përmban togfjalëshat, “…A  nuk kërkohet vullnetarizmi…”,  “…B  për të dalë vullnetar…  ”, “ … C  dola vullnetar …”, “…D  puna vullnetare…”  Përgjigja e saktë sipas komisionit është Alternativa A): “Edhe pse asnjëherë nuk kërkohet vullnetarizmi për të ndihmuar të tjerët ai sërish inkurajohet”.  Mirëpo vendosja e fjalës “vullnet-vullnetarizëm ” në të katër alternativat i bën të sakta të katër alternativat : A-, B-, C-, D- si tezë për të ndërtuar një ese.

 Edhe një pyetje tjetër: Pyetja 24.  Në fjalinë: “Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj”, fjala plot është përdorur si : A) përemër i pacaktuar  B) parafjalë  C) pjesëz  D) ndajfolje mënyre ?” Përgjigja e specialistëve është alternativa A -përemër i pacaktuar. Në librin “Gramatika e Gjuhës Shqipe 1”, botim i Akademisë së Shkencave, përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe njëkohësisht tekst mësimor në Fakultetin Histori Filologji, dega gjuhë letërsi (faqe 415) në kapitullin: “Pjesëza,” lexojmë:-Shumica e pjesëzave të gjuhës shqipe janë fjalë të thjeshta, që kanë dalë me konversion prej pjesësh të tjera të ligjëratës, sidomos nga ndajfoljet, si: plot, gati, rreth, vetëm, veçanërisht ….

 

Për të argumentuar që hartuesit nuk njohin programin e teksteve të gjuhës shqipe vërtetohet që në këtë test përdoret termi “ togfjalësh”. Lexojmë pyetjen 17:- Në cilën nga fjalitë e mëposhtme fjalë apo togfjalësh në përbërje të saj tregojnë burimin e kumtimit? Të gjitha programet mësimore dhe tekstet e gjuhës shqipe në analizën sintaksore kanë hequr emërtimin togfjalësh (togje fjalësh) dhe është zëvendësuar me grup emëror dhe grup foljor. Në librin normativ “Gramatika e gjuhës shqipe 2” (fq 81-101) të Akademisë së Shkencave, lexojmë:- Grupet e fjalëve në fjali, që shprehin një kuptim, përcaktohen me termin togfjalësh dhe kryen funksion kryesor si pjesë përbërëse e analizës sintaksore të fjalisë. Maturantët për herë të parë si njësi gjuhësore dëgjojnë emërtimin togfjalësh. Ata kanë mësuar që nga klasa e pestë njësitë sintaksore grup emëror dhe grup foljor.

Pjesa II Letërsi

 

  1. Për përzgjedhjen e poezisë së L Poradecit “Dritë fshehtësije” me autor Lasgush Poradeci , pyetjet dhe përgjigjet e specialistëve i është përgjigjur me indinjatë e bija e Lasgush Poradecit në media !
  2. Analizojmë Poezinë epike -mitologjike “Iliada”

Kërkesa kryesore për vargjet e përzgjedhura nga “Iliada” është: Lexoni fragmentin e mëposhtëm dhe përgjigjuni pyetjeve në vijim:

 Mbasi lexon vargjet të lindin këto pyetje:

 

  1. Fragmentit i mungon titulli i veprës në krye të vargjeve.
  2. Nuk shënohet as kapitulli përkatës nga është marrë: ( Iliada. Kapitulli XVI).
  3. Nuk përcaktohet gjinia ( Lirika, Epika, Dramatika) .
  4. Vargjeve të përzgjedhur u mungon kuptimësia. Fragmenti fillon me vargun ; “Dhe Apoli n’tokë prej koke i flaku kaskën”. Në 10 mijë vargje është e pamundur edhe me imagjinatë të kujtosh lidhjen kuptimore të këtij vargu me vargjet paraardhëse. Kur mbaron vargun e parë menjëherë të lind pyetja: Kujt ia flaku në tokë kaskën Apoli? Për të kuptuar se kujt ia flaku kaskën fragmenti duhej të fillonte nga vargu 956: “Me mendje t’keqe atbotë kundër Trojanve, /Patrokli u derdh. Tri herë u turr furishëm / si i egri Ares tue vikatë përmnershëm /dhe tri herë vrau nga nandë fatosa. / Por kur për s’katri si demon vërtitet / ty atëherë, Patrokël, t’erdh mbarimi i jetës / pse kundër teje m’u në mes përleshjes / Febi sulmoi , Apoli i lemerishëm”. Duke përfshirë këto vargje dalin të kuptueshme edhe pyetjet. Maturantët duhet të lexojnë disa herë fragmentin për të lidhur vargun e parë me personazhin që iu flak në tokë kaska, por nuk e gjejnë!

Pyetja  47 fakt real për mospërgjegjësinë e Institutit formulues. Lexojmë:

Situata e përcjellë në këtë fragment (Iliada ) është: A) dramatike , B) realiste, C) heroike, D)  sarkastike.  Përgjigja e ekspertëve është alternativa C ) heroike.

Edhe  pyetjet 48, 54 , 58 kanë të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtën përgjigje.  Shembull.: Përgjigja e pyetjes 47 është Alternativa  C heroike ; përgjigja e pyetjes 48 është Alternativa B e heroizmit ; përgjigja e pyetjes 54 është Alternativa A Heroi është luftarak… përgjigja e pyetjes 58 është Alternativa B mënyrës së vdekjes së heroit.  

Pyetja 57, argumenton se hartuesit nuk ballafaqojnë pyetjen me tekstin e dhënë si më poshë:

    “Cilat grupe fjalësh na tregojnë se kjo poemë i takon eposit homerik?  

  1. A) hyner, tarogzë, parzmore
  2. B) dorë, gju, sup
  3. C) krifë, atbotë, heshtë
  4. D) krahinor, mbret, hijegjatë.

 Përgjigja e specialistëve është Alternativa A). Shtoj se edhe alternativa C është përgjigje e saktë , sepse në vargun e shtatë është fjala atbotë; në vargun e tetë është fjala krifë; në vargun e dhjetë është fjala heshta. Të tria fjalët e tekstit vendosur në alternativën C) i përgjigjen kërkesës së pyetjes! Edhe në pyetjet më të thjeshta ekspertët formulojnë dy alternativa të sakta dhe kërkojnë përgjigje për një alternativë.

Mbyllja e testit  me pyetjen 60 është fantastike. Në vargun : “me gjak e pluhur u flliq maja e kreshtës”. Fjala u flliq ka kuptimin: Alternativa A) u cënua, Alternativa B) u dëmtua, Alternativa C) u turpërua, Alternativa D) u përlye. Pyetjet, alternativat, përgjigjet duhet të realizohen brenda 2 orëve. Por me orë në dorë çdo maturanti vetëm për ta lexuar testin iu deshën 40 minuta; për të kuptuar përmbajtjen e çdo pyetjeje iu deshën 10-30 minuta për secilën ( nëse i kupton. Shumë pyetje janë abstrakte, filozofike, por të një filozofie të shpikur nga hartuesit; një pjesë të së cilave as unë nuk i kuptova nga përdredhja e tyre.); për të dhënë përgjigjen e saktë nuk i doli as koha, as shkeljet normative të hartuesve të testit.