Ahmet Demaj: Shoqata “Labëria” nderon Arben Meksin dhe Abdyl Deromemajn me titullin “Personalitet i shquar i Labërisë

940
Sigal

Paskemi nevojë edhe për fjalë të mira!

Ahmet DemajKryetar i Shoqatës A. K. Vlorë

Në prani të më shumë se 100 anëtarëve të shoqatës “Labëria”, personalitete të artit dhe kulturës, të miqve dhe të shokëve, u zhvillua këto ditë takimi i fundit, ku në fjalën e rastit u theksua:

– Sfida që i bëtë temperaturës së lartë dhe ndërprerjes së pushimeve e përkthejmë në respekt për shoqatën “Labëria” dhe ne e përcjellim te dy personazhet për të cilët jemi mbledhur: Abdyl Deromemaj dhe Arben Meksi.

– Isha në siklet se për cilin do të flisja më parë dhe ja si e zgjidha. I kërkova mendim Abdylit. Pa e bërë fjalën dy thotë: Do të flasësh për Arben Meksin. Eshtë inxhinier dhe artist. Pyeta Arbenin më tha: Në mënyrë absolute do të flasësh për Abdylin. Përvoja e punës së tij ka shërbyer si model e disiplinës së punës time. Kjo zgjidhje më dha kurajë dhe ju lutem kontribuoni që ky aktivitet të kalojë mirë. (duartrokitje) Krijova edhe më shumë respekt për të dy sepse modestia është ajo që të jep madhështinë.

Nuk bëjmë biografi por në respekt të traditave atdhetare kulturore themi se ABDYLI si bir i Mesaplikut ka trashëguar vetit më të mira të të parëve të tij që nga Ali Mesapliku, nga 4 Deromemaj të plagosur në Luftën e Vlorës dhe tre dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Abdyli i respektoi, por ndërtoi profilin e tij të punës që kur nisi shkollimin e tij në teknikumin “8 Nëntori” dhe më vonë diplomimin e tij si inxhinier i hidroteknikës. Që nga rezervuari i Dropullit ku filloi punë e deri sa arriti në byronë e studimit dhe projektimit në Komitetin Ekzekutiv e më vonë në Këshillin e Rrethit është karakterizuar nga dëshira për të bërë punën mirë dhe mbështetur në disiplinat shkencore. Vepra ndërtimore ku Abdyl Deromemaj ka dhënë kontributin e tij në studim, projektim e zbatim të tyre pa ekzagjeruar numërohen me qindra, si: Vepra qytetare, ekonomike, industriale, rrugë, ura, ujësjellës, depo uji, kanalizime, sistemime tokash, kullim dhe ujitje, mbrojtje nga lumenjtë, kërkime uji, rezervuar për ujitje, mbrojtje qytetare, vepra detare për zhvillimin e peshkimit dhe vepra peshkimi me ujërat e brendshme, riparime dhe shfrytëzim të veprave të ndryshme e të tjera. Po ti lexojmë të gjitha duhet kohë. Një kontribut të veçantë individual Ai, në bashkëpunim me specialistin Inxh. Mevlan Balili ka dhënë për ndërtimin e veprave për zhvillimin e peshkimit në rrethin e Vlorës dhe në gjithë Shqipërinë.

Abdyl Deromemaj, ka qenë i lidhur me aktivitetet e Shoqërive Kulturore, Atdhetare qysh me fillimet e krijimit të tyre. Ka aderuar në “Shoqatën Kulturore Atdhetare Labëria” dega Vlorë, me drejtues të paharruarin Dasho Matodashaj, në “Shoqatën Kulturore Atdhetare Smokthina” dhe atë “Shoqëri Kulturore Atdhetare Mesapliku”. Për punën e kryer Ai është vlerësuar me Fletë Lavdërimi nga dikasteri përkatës, me Urdhër Pune nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë dhe me titullin Qytetar Nderi nga Bashkia e Vlorës në vitin 2010. Nga këto që thash i shkon për shtatë të shtoj se Abdyl Deromemaj ngelet simbol i fjalës së urtë të popullit:

Fjala është argjend

Heshtja është flori.

I interesuar për të njohur jetën dhe veprën e një qytetari si inxhinier arkitekt por edhe si artist m’u desh të lexoja midis të tjerëve edhe Moikom Zeqon në një faqe gazete dy – tre muaj më parë. Mora vetëm një fjali prej tij: Është vështirë që të realizosh profilin artistik të Arben Meksit si arkitekt dhe karikaturist. Kjo më bindi për qëndrimin që mbante Maks Mitrojorgji 20 vjet më parë kur ishim në Francë. Në një pushim që po ndiqnim një ekspozitë të surealizmit. Në muhabet e sipër më pyet: Kë keni arkitektin më të mirë në Vlorë? Përmenda 3 – 4 emra, por jo Arbenin. Jo tha Maksi. Keni edhe një djalë që quhet Arben Meksi.

Që atëherë në çdo objekt që shikoj tabelën dhe emrin projektuar nga arkitekt Meksi qëndroja, shikoja dhe mendoja. Aktivitetet e shoqatës “Labëria”, angazhimin e tij në diskutim e pjesëmarrje e njoha më shumë. Hapje ekspozitave të tij, lajmet për çmimet në konkurset brenda e jashtë vendit si në Qipro, Belgjikë, Serbi, Kosovë etj më kanë bërë që ta njoh më afër dhe të arrij në këto konkluzione se: vullneti dhe talenti qëndrojnë aq afër sa kur ndihmojnë njeri – tjetrin njeriu shkëlqen, kur i kundërvihen njeri – tjetrit të shkatërron. Por miku jon Arben Meksi ka ditur që i ka këto dy pasuri s’i ka ndarë asnjëherë prandaj është ky që meriton vlerësimin nga ana jonë.

– Edhe pse ka bërë 2000 karikatura, edhe pse ka me dhjetëra vepra të paraqitura te libri: “Projekte të qytetit tim”, edhe pse ka organizuar ekspozita, ka bërë lapidare, Ai gjithnjë ka fol për të tjerët që s’kanë kursyer ndihmën. Asnjëherë nuk flet për punët që ka bërë. Ja u lë të tjerëve. Kjo të bind të thuash: “Njeriu që flet për vete ka bërë karikaturën e tij, por që nuk e shikon”.

Po të numërosh veprat: ato si banesa në qendër Skelë, Kullat Ferati, ato te Pizza, ato te Porti, shumë hotele, restorante, shkolla, kopshte e çerdhe, krijon idenë se kush është Arbeni.

– Ka një përvojë mbi 10 vjeçare si pedagog i arkitekturës në Tiranë e në Vlorë.

– Po të numërosh karikaturat, ato shkojnë në 2000.

– Ato janë konkurse, janë fituese, janë shprehëse në ide.

– Janë artistike dhe qëndrojnë estetikisht.

– Për ne që jemi të kufizuar në analizë të kësaj gjinie të artit themi:

– Të përballesh me mendimin e shprehur në karikaturë dhe ta hedhësh këtë mendim me një laps të zi e letër të bardhë do ta shtrydhësh fort trurin. Ta përfundosh të shprehurit e mendimit me sa më pak fjalë.

– Ta hedhësh këtë punë për të gjykuar jo vetëm një qytet, por një komb, një kontinent, apo një botë e tërë, të duhen shqisa të veçanta. Këto shqisa i kanë të zhvilluara vetëm karikaturistët, ndaj janë të rrallë, 10 – 15 piktor në Vlorë, vetëm tre në këtë gjini e ky është raport edhe si komb.

Zoti Meksi! Ju dolët me punën dhe talentin nga Vlora, u ngjitët në gjithë Shqipërinë, kapërcyet kufijtë kombëtar, u ballafaquat me globalen dhe me modernen, fituat mbi ta, sepse ruajtët traditën e të parëve. Për këtë: Ne ju themi Bravo! Na ke bërë krenar. Vajtja jote si i zgjedhur në këshillin bashkiak kam mendimin sedo sjell ndryshim në problemet atdhetare kulturore edhe për Labërinë.

Namik Jahaj, në rolin e kryetarit të shoqatës A. K. “Mesapliku” me një përzgjedhje fjalësh që vetëm ai di ti bëjë theksoi se: Të shkruash për personalitete të tilla është detyrim jo i zakonshëm dhe shpesh herë e pamundur ta shprehësh atë që mendon me kaq pak fjalë. U takon njerëzve të punës ta përmbushin këtë mision. Kjo kurorë lavdie që u vendoset sot ngjan më e zbukuruar, kur përkrah bashkëpunëtorit ton Abdyl Deromemaj, që asnjëherë s’është ndarë nga rrënjët e tij të fshatit dhe për këtë na ka bërë krenar, rreshtohet edhe Arben Meksi, intelektual simpatik e aq serioz, modest dhe me botë të pasur. Sa krenar jemi për ta dhe shpirtërisht themi: “Lumthi ne që i kemi”. Shumë bukur tha Z. Arben Breshani që dy koleg të mija sot nderohen në këtë nivel. Bashkëpunimi me të gjitha profesionet, siç bëtë sot me këta autor të dhomës së tregtisë na gëzon dhe na angazhon që të japim kontributin tonë.

– Prof. Bardhosh Gaçe që i njeh nga rrënja këta dy intelektual, në fjalën e tij theksoi nevojën e angazhimit qytetar siç bëjnë ABDYLI dhe ARBENI që na shpunë tek aktiviteti që bëjmë sot.

Edi Kojani, një piktor i talentuar u shpjegoi qytetarëve pjesëmarrës specifikën e karikaturës së Arben Meksit dhe uroi suksese Abdyl Deromemajt. Alber Habazaj kryetar i shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko”, përshëndeti në emër të këtij grupimi dhe i ftoj të jenë pjesë e tyre. Si gjithnjë kryetarja e Këshillit Bashkiak Vlorë, Vojsava Shkurti, duke dorëzuar diplomën Arben Meksit, shprehu me fjalë zemre e shpirti vlerësimet për këta intelektual dhe për shoqatën “Labëria” për nivelin e përzgjedhjes dhe të aktivitetit që bëri.

Arben Meksi mes emocionesh theksoi: Duke na vlerësuar ne të dy, ju keni bërë nder të gjithë projektuesve dhe ndërtuesve vlonjatë, inxhinierëve, njerëzve të artit të qytetit të të gjitha moshave, që në gjuhën popullore quhen “nishanet e qytetit”. Ne patëm fatin të jetojmë dhe punojmë në një qytet me shumë punë në projektim, një qytet që kishte uri për të bukurën në arkitekturë, një qytet që në këto vite u shndërrua nga një qytet horizontal dhe i ulët, në një qytet vertikal e plot dritë.

U gëzova shumë që ky vlerësim më bëhet bashkë me Abdyl Deromemaj, inxhinier i brezit të parë të Vlorës. Do ti uroja dhe shoqatave të tjera të merrnin shembull nga shoqata juaj. Të vjen keq që Vlora, ky qytet me 40 arkitektë dhe po kaq artist dhe krijues nuk ka një shoqatë të organizuar nga vetë ata. Nëse ka një gjë në punën time projektuese që doja ta përmendja këtë ditë, natyrisht bashkë me kolegët e mi arkitektë, ishte këmbëngulja disa vite më parë për të mbajtur vijën e ndërtimit nga Skela në Ujin e Ftohtë, sa më larg rrugës automobilistike ekzistuese. Po të mos e bënim këtë gjë, sot nuk do të kishim mundësi dhe hapësira për të realizuar banesat në Lungomare. Kjo i mbetet meritë punës tonë. Jetojmë në një kohë ku indiferenca ndaj vlerave, kohët e fundit po bëhet sëmundje globale, prandaj një filozof i shquar bashkëkohor thotë: “sot ka marrë më shumë rëndësi madhështia e varrimit sesa jeta e të ndjerit, ka marrë më shumë rëndësi madhështia e dasmës sesa dashuria e çiftit”. Prandaj duke bërë këto vlerësime shoqata juaj mbetet shumë njerëzore.

Erdhi dhe fundi ku Prof. Ago Nezha kryetar i Sh. A. K. “Labëria”, duke dorëzuar diplomën e Abdyl Deromemaj e quajti të veçantë këtë organizim dhe këtë përzgjedhje. Gjithmonë sepse kemi vepruar pa paragjykim politik, kemi siguruar këtë bashkim. Me të dy personalisht kam njohje 40 – 50 vjeçare. Më gëzon fakti që rruga e tyre ka arritur këtu që të nderohen me diplomën: “Personalitet i shquar i Labërisë”.

Si për të mbrojtur për atë që u tha për Abdyl Deromemaj, fjalë pak e punë shumë, falënderoi pjesëmarrësit, propozuesit dhe realizuesit për nderimin që ju bë. Në koktejin e organizuar, në fotot dhe bisedat rrodhën lirshëm dhe me shumë emocion.

 

Vepra ndërtimore ku Abdyl Deromemaj ka dhënë kontributin e tij në studim, projektim e zbatim të tyre pa ekzagjeruar numërohen me qindra, si: Vepra qytetare, ekonomike, industriale, rrugë, ura, ujësjellës, depo uji, kanalizime, vepra detare për zhvillimin e peshkimit dhe vepra peshkimi me ujerat e brendshme, riparime dhe shfrytëzim të veprave të ndryshme etj

Edhe pse ka bërë 2000 karikatura, edhe pse ka me dhjetëra vepra të paraqitura te libri: “Projekte të qytetit tim”, edhe pse ka organizuar ekspozita, ka bërë lapidare, Arben Meksi gjithnjë ka fol për të tjerët që s’kanë kursyer ndihmën. Asnjëherë nuk flet për punët që ka bërë. Ja u lë të tjerëve. Kjo të bind të thuash: “Njeriu që flet për vete ka bërë karikaturën e tij, por që nuk e shikon”