Agron Mema: Mësuesi Ilia Kallojeri: Rron gjatë, kur ke fëmijë të mirë

571
Sigal

Pak fjalë në vend të një portreti të mësuesit Ilia Thanas Kallojeri, babai i ish -deputetes Violeta Frangaj

“Do të rroj gjatë se kam fëmijë të mirë e të mbarë”

 

Në një distancë jo shumë të largët nga fshati Aliko i bashkisë së Finiqit, mes një gjelbërimi gjithëvjetor e i rrethuar me fruta e pemë të shumëllojshme, ndodhet fshati Rrahullë, i dëgjuar si një fshat arsimdashës, me njerëz punëtorë e të ndershëm. Këtu ka lindur dhe jeton mësuesi 87- vjeçar Ilia Kallojeri. Që nga viti 1933 kur lindi, nuk i ka rreshtur përpjekjet për arsimim dhe edukim të brezit të ri. Rregjistrohet si mësuesi më i vogël në moshë, 15 vjeç, në Shqipëri po se po, por ndoshta edhe në botë. Menjëherë pas mbarimit të ciklit arsimor 7-vjeçar të asaj kohe, menjëherë pas çlirimit të vendit, e emërojnë mësues në fashatin Çukë të Sarandës. Mësues Ilia e kujton duke qeshur këtë ditë historike që mori drejtimin e jetës së tij: “Shkova ditën e parë në shkollë si mësues me pantallona të shkurtëra, nga ato që veshin kalamajtë. Nuk ia dija rëndësinë punës, isha i vogël akoma për një përgjegjësi të tillë. Ata të seksionit të arsimit më panë dhe më morën e më çuan në rrobaqepsi ku më qepën një kostum e më bënë dhe një fotografi që fatkeqësisht sot e kam humbur. Kështu mora pamjen zyrtare të një mësuesi.

Kështu nisi jeta ime në rrugën e arsimimit dhe edukimit të shumë brezave, që edhe sot më takojnë me dashuri dhe respekt. Dhe kjo më bën të ndjehem krenar dhe i lumtur”. Krahas mësimdhënies nisi dhe rruga e përpjekjeve për arsimimin dhe aftësimin profesional të tij. Fillimisht në një kurs kualifikimi e më pas në një shkollë dyvjeçare në Tiranë, shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër, deri në formimin e plotë arsimor për ciklin e ulët. Nuk ka fshat të zonës së Vurgut ku mësues Ilia të mos ketë dhënë mësim si: Çukë, Halo, Rrahullë, Aliko, Livinë, Çaush, Fitore etj. Mosha, energjia, përkushtimi ja largonin lodhjen. Por megjithë punën e palodhur e cilësore, mësues Ilia asnjëherë nuk u shpërblye, qoftë me stimuj materialë e qoftë me stimuj moralë, megjithëse mësoi dhe edukoi me përkushtim maksimal mbi 40 breza, por mori respektin dhe mirënjohjen e tyre, shpërblimi më i madh për të. “Lufta e ftohtë” karshi mësuesit e kishte një shkak; lufta e klasave në çdo qelizë të shoqërisë, për këtë do të flasim më poshtë në këtë shkrim. Të themi disa nuanca intime në përforcim të personalitetit të këtij mësuesi hero. Në moshën 22 vjeç vë kurorën e martesës me Llambrini Gabi, 16 vjeçe asokohe.

Prindërit e vajzës e martuan nga halli se qenë familje e varfër, madje rronin në ekstremin e varfërisë ekonomike. Me Llambrininë, mësues Ilia lindi dhe rriti 7 fëmijë; katër djem e tre vajza. Tre prej tyre mbaruan arsimin e lartë në atë kohë, të tjerët shkollën e mesme dhe kurse profesionale. Një nga fëmijët, u bë deputete. Mësues Ilia rridhte nga një familje e mesme fshatare, me gjendje të mirë ekonomike. Familja e tij nuk vuante ekonomikisht. Po kjo i bënte tinzarët dhe analfabetët t’a sulmonin e të kërkonin t’a shpallnin kulak. Kjo gjendje ekonomike e vënë me djersë, mjaftonte për palaçot të kërkonin t’a shpallnin kulak dhe jo veprimtaria patriotike e familjes së tij. Dy vëllzër partizanë. Vetë babai i mësuesit qe i rreshtuar në forcat partizane të rezistencës 55 ditore të Konispolit ndaj pushtuesit të ri nazist gjerman. Pas mbarimit të kësaj rezistence historike, Thanasin, djemtë nuk e lanë më të vazhdonte luftën, por morën dyfekun dhe u rreshtuan vetë në rreshtat partizane. Në familjen e mësues Ilia hedh valle arsimi dhe dituria. Përveç djemve dhe vajzave, sot ka 16 nipër e mbesa, të gjithë me arsim të lartë e me profesione të ndryshme; mjek, inxhinier, avokat, farmacist, bankier etj. Tre prej tyre kanë marrë medaljen e artë për rezultatet në arsim; Arta, Emilano dhe Foti. Mësues Ilia mbahet mend si një njeri tepër i emancipuar duke u ngritur me forcë e pa kokëçarje ndaj mentaliteteve konservatore të kohës. As fshati e as fëmijët nuk mbajnë mend të ketë bërtitur apo të ketë qëlluar me pëllëmbë gruan. Edhe kur shkonte për dru, në mushkë hipte gruan dhe vetë ecte në këmbë. Njeri i thjeshtë, punëtor dhe intelektual, jo i dhënë pas pijes, aq sa nuk futej asnjëherë në lokal. Për këtë cilësi të personalitetit dhe karakterit, cilësi të larta njerëzore, fshati e zgjodhi kryetar të frontit demokratik të fshatit. Përsëri filluan sulmet biografike se paskish edhe një kushëri të parë kulak. Vetëm këtë i përmendnin, jo aktivitetin patriotik të familjes. Falte shumë dashuri dhe e respektonte familjen duke u kthyer në një model të babait dhe bashkëshortit. Vështirësitë e jetës i përballonte me shumë sakrifica sëbashku me bashkëshorten që e deshi shumë, duke i lidhur një respekt reciprok me njëri-tjetrin dhe një respekt i jashtëzakonshëm. Mësuesi nuk joshej nga lëvdatat dhe servilizmat, ndjente neveri për to dhe ata që i përdornin. Nga mësues Ilia kanë dalë shumë kuadro që i kanë shërbyer vendit dhe popullit në sektor të ndryshëm të jetës, të cilët e takojnë me respekt edhe sot. Karakterin e tij e dallonte drejtësia dhe sinqeriteti dhe dashuria për jetën e tjetrit. Bashkëfshatarët e tij tregojnë një histori: “Në fshat u organizua një mbledhje në vatrën e kulturës. Qe viti 1976. Mësues Ilia qe kryetar fronti në fshat. Mbledhja qe për demaskimin e kulakut Filip Kallojeri. Pak më tutje rrinte në gadishmëri me policë GAZI i degës së brendshme 5511, mjet që përdorej vetëm për arrestime politike. Fillimisht Filipit i morën teserën e anëtarësisë së organizatës së frontit. Pas kësaj qe në prag të arrestimit.

Mësues Ilia, edhe në cilësinë e kryetarit të frontit për fshatin, u ngrit dhe kërkoi që dëshmitarët të ngrihen dhe t’i thonë publikisht, ato që kanë denoncuar se ç’farë ka thënë Filipi kundër pushtetit popullor. Kryetari i frontit demokratik të rrethit të Sarandës, Gaqo Lula, tha se ata që nuk flasin hapur para popullit nuk janë burra. Në saj të kësaj ndërhyrjeje të mësuesit, pas 6 muajsh Filipit ju dha tesera e frontit, përveçse nuk u arrestua. Siç thamë më lartë, njëra nga vajzat e mësues Ilias, Violeta Frangaj, u zgjodh deputete në legjislacionin e viteve 1986-1990. Një nga djemtë e tij, Niko novatori, na thotë nëpërmjet telefonit se është shumë i mallëngjyer dhe i emoncionuar kur flitet për babain e tij. Shprehet krenar për të atin dhe gjithçka që ka arritur ja dedikon babait. Mësues Ilia i kushtonte rëndësi të madhe edukimit të fëmijve, aq sa përherë i porosiste që të mos mernin asnjë kalli misri apo kokër fiku nga pemët e koooperativës. Vet mësues Ilia ishte në ball të protestës bashkë me dy djemtë e tij që bëri populli i Alikos, si shkak i vrasjes në kufi të katër djemve më 12 dhjetor 1990. Një natë më parë se të ndodhte kjo ngjarje gjëmëmadhe, njëri nga djemtë e mësues Ilias u arratis, Andrea. Andrea kish shkuar tek motra deputete në atë kohë dhe i thotë se sonte do të arratisej. Amanet gruan shtatzanë dhe një fëmijë të lindur. Thuaj Thomait, vëllait të madh që aso kohe qe kuadro në komitetin ekzektuv të rrethit, të më falë për të gjitha, Dhe po atë natë kaloi kufirin për në Greqi. Po mësues Ilia çfarë bëri pas kësaj? Natyrysht u trondit dhe u mërzit. Se megjithëse pushteti politik në Shqipëri kish filluar pikiatën, ende situata qe e pasigurt se ç’farë do të bëhej e në në cilën rrugë do të merrte drejtimi ekonomiko-politk në vend. Në mes të kësaj mërzitjeje prindërore, mësuesi thërret djalin e madh, Thomanë dhe i thotë: “Po munde ik dhe gjeje vëllanë. Nuk ka bërë ndonjë turp. Po kalon mirë aty ku është, t’i çojmë edhe familjen”. Thomai e mbajti amanetin prindëror dhe më 15 mars 1991, kur tanimë drejtimi dhe rruga e Shqipërisë qe e qartë, Thomai pas shumë përpjekjesh e peripecish e gjeti vëllain në Greqi. Sipas porosisë së babait bëri dhe bisedën me të. Pas bisedës kokë më kokë e gjerë e gjatë, vëlla Andrea i tha vëlla Thomait se nuk kthehet më në Shqipëri. E dua Shqipëinë sa s’ka, po nuk kthehem më. Më sillni gruan dhe babain. Kështu u ndanë dy vëllezërit atë ditë të largët të marsit të 1991-shit. Por Andrea sot nuk harron të vijë përvit në Shqipëri e të takojë, festojë, e këndojë me miqtë e tij shqiptar që u rrit. Me hapjen dhe legalizimin e emigracionit, vet mësues Ilia dhe pesë nga shtatë fëmijët, kanë emigruar në Greqi. Por siç nënvizuam më lart që në këtë famije vallëzon arsimi, po nënvizojmë edhe një fakt që bën krenar gjithë shqiptarët. Mësues Ilia ka 16 nipër e mbesa, të gjithë me arsim të lartë dhe tre prej tyre me medalje ari: Arta, Emiljano dhe Foti. Emiljano, si nxënësi më i mirë i gjimnazit Dikofto në Egje, sipas rregullores së shkollës do të ngrinte flamurin në parakalimin e festës kombëtare të Greqisë. Qarqet antishqiptare, si përherë në këto raste, filluan pengesat. Emiljano qe i ligjshëm në mbajtjen e flamurit gjatë parakalimit. Shovinizmi u bë agresiv. Në këtë situatë, mësues Ilia shkoi në rajonin e policisë dhe deklaroi para autoriteteve policore se “… vitet e Perëndisë i kam bërë, madje i kam mbyllur. Nëse i preket një fije floku nipit tim, nuk mbaj përgjegjësi se ç’farë do të ndodhë”. Gjatë ceremonisë policia shoqëroi shqiptarin me flamur, nipin e mësues Ilias. Pavarësisht nga britmat në distancë të shovinistëve grek ekstremistë, nuk ndodhi asnjë incident se edhe shumë shqiptarë në distancë ishin gati për t’u përleshur. Në fund të këtij shkrimi, po shkruaj dhe një histori që m’a tregon djali i madh i mësues Ilias, Thomai: “ Ishim në testim në gjimnazin e Sarandës. Mësuesi më nxorri jashtë. Pse? -i them. Nuk ka test për ty, -m’u përgjigj. Dola jashtë. Kuptova se mësuesi kishte frikë se e zgjidhja testin shpejt dhe ua jepja shokëve si kopje. Për çudi, para portës pashë babain, priste të mbaroja mësimin. Më pyeti me vështrim hetues se pse dola jashtë. I thashë ç’më tha mësuesi. Më çoi tek bar-lulishtja e qytetit dhe më qerasi. Nuk di si u ndjeva në ato çaste kur më qerasi babai. Në një moment më thotë duke më parë në sy: “ Bir. Dua të më bëhesh si Vasil Anagnosti. Nuk e njoh,-i thashë. Lëvizi pak dorën të pushoja. Është një njeri i ndershëm, drejtor i NB –Lukova. Njëherë kur shkoi në Itali, nuk i prishi lekët po i ktheu në shtet, shokët e ekipit i prishën. Ky është njeriu i ndershëm e punëtor. Kështu dua të bëhesh edhe ti”. Këto më tha babai,- thotë Thomai duke shtuar se më pas do t’a njihte mirë e mirë Vasil Anagnostin. Dhe Thoma Kallojeri, djali i madh i mësues Ilias e mbyll këtë bisedë, që mbyll edhe shkrimin, me fjalët: “ Pasi u emërova drejtor i drejtorisë së sigurimeve shoqërore të Sarandës, më telefonoi babai dhe më tha: “Biri im, gjithmonë kam pasur besim tek ti. Por si baba do t’i them edhe dy fjalë mes gëzimit dhe merakut: Shërbeu njerëzve dhe mos prano asnjë dhuratë prej tyre për atë që u takon me ligj”. Ky është mësues Ilia dhe familja e tij arsimdashëse. Një rast i rrallë dhe i veçantë. Ndaj me krenari ai thotë: “Do të rroj gjatë se kam fëmijë të mirë e të mbarë”.