Agron Mema: Heroi që u kthye nga mik në armik i popullit

1351
Sigal

Enver Hoxha kur u arratis klithi nga histeria: Eshtrat e Stavro Kokalit nuk dua të kthehen në Shqipëri

SI U KTHYE NGA MIK NË ARMIK I POPULLIT,  STAVRO KOKALI

Nga Agron MEMA

Që nga 8 nëntori i vitit 1941, apo më saktë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, sistemi politik filloi të “pillte” shumë armiq. Me një histeri të tmerrshme, të pafrena dhe kanibale, u sulën si bisha të tërbuara mbi intelektualët dhe ata që koha dhe populli i quajti “prijës”. Jo vetëm mbi ta , që i vrau, torturoi, burgosi, i la pa varr e pa atdhe duke i damkosur pa faj e pa arsye si “Armik i Popullit”, por edhe të afërmit e pasardhësit e tyre i burgosi, internoi e i la pa shkollim me trajtim të pamëshirshëm. Kjo vetëm si e si të konsolidonin pushtetin e tyre nëpërmjet frikës dhe shantazhit sipas modelit dhe shijeve sllave. Do të vinin vitet e pas 1990-ës të shkrepte rrufeja dhe të binte drita e ndriçimit mbi errësirën gjysmë-shekullore dhe të mësohej e vërteta e jetës dhe veprimtarisë së tyre, me personalitetin e plotë. Në kujtimet e njerëzve bashkëkohës ata vijnë të gjallë e të vërtetë siç ishin, pa vobektësinë dhe terrin që pushteti komunist u mundua të hidhte mbi figurën e tyre.

E vërteta zhytet, por nuk mbytet.

Një nga këta prijës është edhe Stavro (Çavo) Kokali nga Aliko e Sarandës. Bir i minoritetit që nuk i pa kurrë me qëllime shoviniste bashkëjetesën në shtetin shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument apo ngjarje të treguar që të vërtetojë të kundërtën. E shikojmë në fotografi e cila gjen publikim për herë të parë në gazetën “TELEGRAF”. Një fotografi sa për mijëra fjalë. I veshur me shije dhe sqimë. Me mustaqe burrërie e fisnikërie. Hipur mbi kalë, privilegj të cilin nuk e kish kushdo këtë luks në atë kohë për të cilën flasim. Tregon qartë gjendjen ekonomiko-shoqërore të kalorësit. Do kishe para dhe miq të shumtë të të mbulonte një luks i tillë. Kjo sot mund të duket qesharake. Qesharake sepse një makinë luksi që përdor Presidenti, kryeministri, ministri, deputeti apo politikani dhe qeveritari, nuk e pengon askush ta ketë edhe një kontrabandist, hajdut, vrasës me pagesë, prostitutë. Nuk është civilizim që nuk u thotë askush gjë se ku i gjete paratë. Apa janë të gjithë njësoj?! Atëhere qenë burra që bënë shtetin dhe punuan për shtetin. Stavro Kokali ishte fisnik. Por ishte dhe prijës. Qe një nga krerët kryesor të Ballit Kombëtar në minoritet, kjo të bën të besosh se nuk kishte se si të kishte ide shoviniste duke qenë kapedan i një partie nacionaliste shqiptare. Nuk mbante armë dhe nuk u përfol kurrë si vrasës, plaçkitës apo vese të shëmtuara të njeriut. Ndaj themi fisnik. Ashtu mbahet mend edhe sot nga bashkëfshatarët dhe më gjerë. Ja si na e tregon Thoma Kallojeri, kryetari i PS-së së bashkisë Finiq dhe një nga intelektualët e zëshëm dhe ekonomistët profesionist e me përvojë të Sarandës: “ Gjyshi im, nga ana e nënës, qe rritur jetim dhe si i tillë qe fukara. Qenë katër fëmijë dhe zija e bukës nga lufta italo-greke më 1940-1941 kish pllakosur kudo me kërcënimin e urisë. Kështu më tregoi gjyshi një ditë para se të ndahej nga kjo jetë. Gjyshi quhej Pavllo Gabi. Para se të ndahej nga jeta na la një amanet. Na thirri me vëllanë tek shtrati dhe na la amanetin: Dëgjoni bijtë e mi. Dua t’u them këtë peng të jetës sime se më erdhi ora të shkoj. Kaq e pata. Mbani mend dhe shikoni mirë se jetën e kemi dhe e keni të gjithë nga Stavro Kokali. Mbajeni mend dhe mos flisni. Ç’kish ndodhur? Filloi të tregonte për ditët e vështira të zisë së bukës, të urisë së madhe ku mund të hante njeriu njerinë. U nis për në fshatin Pal,  vend diku poshtë fshatit Metoq, pak km nga Aliko ku qenë magazinat e miellit dhe drithit të Stavros dhe agallarëve të tjerë. Unë shkova aty vetëm me thes, pa asnjë lekë në xhep. Do t’i lutesha për një tas miell sa të shuanim urinë. Çavua sa më pa, nuk më pyeti sa do dhe ku i ke parat, por jo vetëm që më dha misër, por dhe ma bloi e më nisi në fshat të siguruar. Sa u ktheva në shtëpi gjyshja na bëri bukë. Ne hëngrëm me uri të madhe. Kulaçi i ngrohtë na dehu si alkool dhe nga kjo pas 45 orësh u ngritëm nga gjumi. Aq shumë na kish telendisur trupin uria. Mund t’u duket qesharake sot, po atëhere qe ndihmë e madhe se do kishim vdekur të gjithë nga uria. Çavua qe bukëdhënës, nuk qe armik”. Kjo është një nga historitë e shumta të bamirësisë së Stavro Kokalit i cili nuk qe ballist me armë, por me ideologji. Me kapedanët shqiptarë qe mik dhe ndërhynte të mbroheshin të drejtat e minoritarëve në Shqipëri dhe të mos diskriminoheshin dhe nëpërkëmbeshin. Siç thamë më lart, Stavro Kokali , qe një nga krerët kryesor të Ballit Kombëtar në minoritet, sipas dokumenteve dhe gojëdhënave qe nacionalist, por nuk ka kryer krime se nuk mbajti armë kurrë dhe as shtyu në vëllavrasje të tjerët. Ai lindi në vitin 1895 në Aliko të Vurgut, fshat që mbahet mend për qëndresën antikomuniste dhe me mjaft ngjarje tronditëse për sistemin e kaluar. Pronat e tij, troje, toka bujqësore e kullosore, me mijëra ha, shtrihen nga Aliko, Sarandë e gjithë vijës bregdetare dri në Dukat të Vlorës. Kjo pasuri i kish dhënur titullin “aga”. Gjatë periudhës së mbretërimit të Zogut të Parë u mor me tregti ndërmjet shteteve Itali dhe Greqi, shpinte dhe binte mall nga Shqipëria. Lufta e gjeti përkrah Ballit i përkrahur dhe i mbështetur edhe nga kapedanët Thimjo Loli e Andrea Papandreu. Kish ide të theksuara nacionaliste ndaj u rreshtua tek Balli Kombëtar. Nuk besonte tek komunizmi dhe ndikimi sllavo-rus. Megjithëse nuk i përzjeu duart me gjak gjatë luftës, me çlirimin e Shqipërisë iku në Greqi se ndjeu rrezikun nga pushteti i ri komunist pasi nuhaste se lufta vëllavrasëse e nisur që gjatë luftës mes BK dhe PK do të zgjaste gjatë dhe hakmarrja politike do të binte edhe mbi të. Iku dhe mori me vete dy nga shtatë fëmijët e tij. Katër fëmijët e tjerë( përveç të një vajze që nuk u internua) megjithë nënën e tyre që mbetën në Shqipëri, ju nënshtruan burgjeve dhe internimeve komuniste. Duke ndenjur me Spartak Kokalin, nipin e Stavros, i cili po shpërthen një lastar të ri nga rrënja e vjetër e fisit në Aliko, na thotë se përveç internimeve dhe burgosjeve, as shkollë nuk na dhanë, megjithëse mësonim shumë, na trajtuan si ballistë dhe për këtë s’u vinte rëndë t’a thoshin para syve tanë si fëmijë. As sot nuk na i kanë njohur trashëgiminë e pronave. Jemi trajtuar vetëm nga ligji 7501 me tokë bujqësore. As një metër truall dhe kullotë nuk na njohin. Kemi shkuar nëpër arkiva për trojet dhe kullotat, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare. Na thonë gojarisht, si me konfidencë se janë dokumentet, por s’mund t’ua japim. Jemi munduar edhe me mënyrat që funksionojnë në Shqipëri duke “lyer rrotën e qerres”, po përsëri përgjigja është “Jo” e prerë. Një përgjigje që bart edhe frikë nga këta punonjës. Mendoj se ose duan shumë, ose janë tjetërsuar pronat me falsifikime dhe para dhe pas tyre qëndron dikush me forcë të madhe dhe i frikshëm. Në kohën e socializmit, me miratim të partisë dhe kurrë me dëshirën e njerëzve që i kish ndihmuar, në çdo mbledhje fronte Stavri dhe dy shokët e tij cilësoheshin dhe përmendeshin si armiq i popullit. Është dënuar në mungesë me vdekje nga shteti i Enver Hoxhës, aq sa vet Enveri klithi nga histeria se eshtrat e Stavro Kokalit nuk dua të kthehen në Shqipëri. Dhe ky dënim –mallkim i Zeusit komunist shqiptar është dhënë për 10 shqiptarë në gjithë Shqipërinë dhe njëri prej të mallkuarve qe dhe Stavro Kokali. Stavri iku në Greqi. Punoi kasap dhe qe i pari në qytetin ku shkoi që hapi dyqan mishi. Mbante dhe buaj. Kështu rrodhi jeta e tij mes punës deri sa vdiq më 1999-ën në moshë të thyer. Me një jetë të patrazuar si të arratisurit e tjerë që u përfshinë në shumë afera agjenture dhe u kthyen me banda në Shqipëri. Dy djemtë që mori me vete ikën në Amerikë. Nipi i tij , Taku, i cili ikën në gjurmë të geneve tregtare, thotë se familja e tij, sidomos babai u degdis gjithë jetën nëpër kampe pune e përqendrimi si në Korçë, Tiranë, Savër, Sukth, deri sa vdiq më 3 tetor 1999. Edhe Kokalinjt e tjerë u internuan dhe u burgosën. Një kalavar i gjatë vuajtjeje. Taku thotë se bashkëshorten e ka nga fisi Kuqasi i Leskovikut, fis bejlerësh, nga klasa e persekutuar dhe gjyshit të saj nuk i janë gjetur ende eshtrat. Kisha njohje me të që në internim,-na thotë Taku,-po u martuam pas ardhjes së demokracisë. Nuk e harruam si bashkëvuajtës lodhjen , mundimet, sakrificën, të përbashkëtën e fatit, ndonëse na u hapën shtigje të reja, dhe u kurorëzuam.. Sot kam këtë biznes me fuqinë dhe djersën time. Dua të them se kur erdha në fillim të gjithë më penguan, sikur donin të më hanin të gjallë. O Zot, thoshja, akoma s’kanë ndryshuar? Sa shumë doza indokrinimi kanë marrë?!. Dhe kjo ndjehet edhe sot pas 30 vitesh demokraci. Ekziston një pasiguri. Ka shumë pengesa. Kam shumë miq e shokë në shumë vende të botës deri në Amerikë. Kanë dëshirë të madhe të vijnë e të investojnë këtu, por kanë frikë, kanë pasiguri. Dhe këtë e sjell dhe e instalon makutëria, pangopësia e asaj që thamë më lart. Të nderuar lexues, këto janë disa dritëhije që u munduam të sjellim mbi portretin e Stavro Kokalit dhe pasardhësve të tij. Pasi është bërë pak, shumë pak me vetëm një certifikatë nga Qarku i Vlorës: “PERSONALITET I SHQUAR I QARKUT VLORË-Z. STAVRO KOKALI. ME MOTIVACIONIN : MARTIR I MINORITETIT NË LUHTËN PËRDEMOKRACI DHE TË DREJTA SHOQËRORE”