Agim Laze: Ja cilët ishin inxhinierët dhe drejtuesit e Fierzës. E përkrah Presidentin Meta, se respekton LANÇ

476
Sigal

INTERVISTË/ Flet  shoferi i hidrocentralit  të Fierzës, Agim Laze: E përkrah presidentin Meta se respekton figurat patriotike dhe luftën

-Babain e dinim të vrarë në luftë, kur ai erdhi papritur në shtëpi, ngelëm pa frymë

-Në vitin 1977  Fierza kishte 3 mijë punëtorë

– U habita nga makinat “Centaura” dhe “Perlin” me tonazh mbi 20 ton

– Besnik Bekteshi dhe Ibrahim Hamza ishin dy kuadrot  të Fierzës

-Nuk harroj vizitat e Mehmet Shehut, Adil Çarçanit  dhe Farudin Hoxhës në Fierz

Titull – Rrogat e shoferëve dhe të muratorëve në Fierzë  ishin më të mëdha se të Sekretarëve të Parë

Gazeta Telegraf

Agimi tashmë me një biznes të suksesshëm është një njeri human dhe korrekt. Me origjinë është nga Novani i Skraparit dhe rrjedh nga një familje patriotike, arsimdashëse. Babai tij Bakiu ishte partizan i Luftës Nacionalçlirimtare. Në sistemin monist  ka punuar mbi dy vjet përgjegjës i ofiçinës së automjeteve në hidrocentralin e Fierzës.

-Jemi në situatë Pandemie, por edhe fushatë zgjedhjes, si është për ju kjo situatë dhe, cilën parti mbështesni?

Kjo situatë është më e vështira në jetën time. Jo nga ana ekonomike por nga ana e pandemisë. Një situatë që as e çoja ndërmend. Na kanë ikur shumë të afërm, miq dhe shokë pa e marrë vesh në kohë. U ndamë nga njeri-tjetri. Aq më keq që jemi dhe në situatë fushate për zgjedhjet parlamentare. Duke qenë skraparli unë mbështes  LSI. Kjo dhe për arsye se Presidenti Meta   përkrah luftën nacional-çlirimtare dhe figurat patriotike. Unë kam pasur babanë partizan dhe ndihem krenar për këtë vlerësim.

-Babai ka pasur ndonjë hsitori në luftë që ju ka treguar dhe ju ka lënë mbresë?

Po! Babai ishte ndër të parët me çetën e zonës. Madje në një përpjekje me fashistët  në Dardhë të Beratit u hap lajmi se u vra në përpjekje. Në shtëpi u hapën dyert e mortit, por komanda e çetës partizane, pasi mori vesh të vërtetën e nisi menjëherë për në fshat. Kur babai, Bakiu mbërriti në shtëpi të gjithë shtangën, nuk e besonin. Babai mbetet shembull për mua.

-Me profesion keni qenë shofer. Si ishte ky profesion në atë sistem dhe ku ke punuar me këtë profesion?

Profesioni i shoferit në sistemin komunist ishte i kërkuar. Duhej të kishe biogarfi të mirë të shkoje për shofer. Kërkohej pasi mund të fitoje lekë më shumë se profesionet e tjera. Unë kisha mbaruar kursin e shoferëve 2-vjeçar në atë sistem. Të bëje një kurs për shofer në atë kohë ishte sit ë mbaroje një universitet. Një kërkesë llogarie e madhe, një disiplinë shembullore. Ata që na drejtonin ishin shoferë dhe inxhinierë të shkëlqyer. Ne i dinim pjesët e makinave në majë të gishtave.  Në punën time si shofer veçoj kur shkova në Fierzë në vitet 1975-1977, kur Fierza ishte në kulmin e ndërtimit. Shkova pasi mbarova ushtrinë dhe dëgjova se kishte shumë kërkesa për punë aty. Pra doja të shkoja në Fierzë dhe të ushtroja profesionin e shoferit.

-Si e gjete Fierzën dhe çfarë makine të dhanë?

Kur shkova Fierza ngjante me një qytet gjigand që nuk kishte gjumë. Hera e parë në jetë që shikoje makina pafund, dhe punëtorë pafund. U habita! Në atë kohë Fierza kishte mbi 3 mijë punëtorë. Dukej një qytet i madh dhe gjithmonë i gjallë. Aty nuk kishte kurrë pushim, kurrë! Natën punohej po ashtu si dhe ditën. Kishte një organizim të përsosur, por mbi të gjitha një shoqëri të jashtëzakonshme. Ishte kjo shoqëri që na e bënte të lehtë punën. Zhurma ishte e pranishme kudo. Mbulonim kokën me batanije që të na zinte gjumi. Në dimër ishte shumë ftohtë, acar. Duart na bëheshin thela-thela nga të ftohtit. Por, kur shkova aty në fakt më vunë përgjegjës të ofiçinës nuk më dhanë makinë. Nuk kundërshtova urdhri ishte urdhër.  Por sigurisht ato që më habitën më shumë ishin makinat.

-Pse pikërisht makinat, çfarë të veçantash kishin?  Çfarë të veçanta të tjera kishte Fieza?

Sigurisht makinat pasi flitet për makina speciale. Makinat e saj kohe i sheh rrallë dhe sot.  Ishin dy lloje makinash me tonazh mbi 20 ton, “Centaura” dhe “Perlin”. Vetëm me ato mund të ndërtohej Fierza. Në fillim puna filloi me riportabla kineze deri 4 ton, por ato sa herë kovat e eskavatorit hidhnin gurë përsipër shqyheshin. Ishin dhe “Saurela-t” deri 10 ton. Me ato nuk mund të ndërtohej Fierza, ishte e pamundur. Atëhere qeveria vendosi të blejë këto makina gjigande. Kushtuan sasira të mëdha ari, aq të shtrenjta ishin. Madje firmat ku u blenë u habitën se si u blenë menjëherë një shumë kaq e madhe makinash kaq të rënda, që bliheshin shumë rrallë.  Ato makina dukeshin si male gjigande sa të befasonin me madhështinë e tyre. Kur lëviznin dukeshin si male lëvizës sa makinat e vogla ripotabla kineze dukeshin si lodra. Fierza ishte qytet dhe kishte çdo gjë. Orientimi i partisë ishte që të kishim në çdo drejtim një trajtim të veçantë. Ushqimi ishte i mirë për kohën, por jo duke e krahasuar me kohën e sotme. Pra në mensë e gjeje dhe mishin dhe fasulen apo gjellë të tjera ndryshe nga tregu shqiptar që ishte bosh. Fjetinat nuk ishin luks, por kishin ambient të kënaqshëm për kohën.  Kishte dhe aktivitete, ku shpesh herë vinin estradat e qyteteve, teatrot dhe këngëtarë të ndryshëm. Por mund të them se dimri ishte shumë i ashpër. Në fillim nuk lejoheshin në lokale pijet alkoolik,e por më pas duke parë se sa vështirë ishte të punoje në dimër u lejuan. Në lokale gjeje fërnet, konjak, raki frutash, të cilat ishin të domosdoshme të filloje punë në dimër.

Edhe sot flitet shumë për Fierzën? Si ishin kuadrot e asaj kohe. A ishin të lidhur me punëtorët? Si bashkëpunonin? Kush vinte më shumë nga udhëheqja lart?

Kuadrot e asaj kohe zor se i gjen. Njerëz të rrallë. Të ditur, fisnikë, të lidhur me ne në çdo hap. Mbaj mend se Besnik Bekteshi ishte Drejtor i Përgjithshëm, ndërsa Ibrahim Hamza ka qenë sekretar i Partisë së Fierzës. Ishin të dy burra të mirë, të komunikueshëm, të afruar me njerëzit dhe mund të them se rrinin mes punëtorëve gjithmonë. Edhe ata ashtu si ne aty në kantier e kalonin kohën më të madhe. Pyesnin, kërkonin llogari, zgjidhnin hallet dhe shqetësimet. Kishin një lloj mirësie të veçantë në sjelljen e tyre. Mbaj mend që ka ardhur Mehmet Shehu dhe Adil Çarçani. Kur vinin aty puna gjallërohej më shumë. Rritej mobilizimi. Por unë dua të veçoj vizitat që bënte i madhi i hidrocentraleve Farudin Hoxha. Ai vinte dhe pyeste me detaj për çdo gjë. Kalonte san në një front në frontin tjetër. Jepte udhëzime dhe kërkonte të dinte imtësira. Vinte edhe në dimër edhe në verë. Sa herë vinte tek ofiçina më porositëte të kujdeseshim për automjetet. Pa këto automjete nuk bëhet Fierza më thoshte. Këto kanë kushtuar sa qimet e kokës ndaj duhet të kujdeseni si për veten tuaj. Po nuk qenë në gatishmëri këto makina Fierza bën stop. Fliste thjesht dhe me dashuri. Kishte një zë të veçantë. Kur mora vesh që ndërroi jetë u ndjeva keq. Ky shkrim le të jetë dhe një homazh. Nuk e harroj kurrë fytyrën e tij dhe shqetësimin për punën. Për përgatitjen e tij flitej shumë në Fierzë.  Na thoshte se cilësia e betonit dhe gatishmëria e automjeteve janë çelësi i suksesit në këtë punë të madhe. Fierza është diçka gjigande ndaj dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e madhe na udhëzonte.  Fierzë nuk ka as Ballkani madje mund të ketë një Europa na thoshte. Habitesha me këtë lajm. Ngeleshim të nemitur. Madje me sa kisha dëgjuar ai ishte këmbëngulës që rrogat tona të ishin më të larta nga çdo lloj vepre që ndërtohej. Dhe në fakt ashtu ishin. Rrogat e shoferëve dhe të muratorëve ishin më të mëdha se të Sekretarëve të Parë të Partisë të asaj kohe. Pra shteti e vlerësonte këtë punë të madhe.

Ku shkuat pasi u larguat nga Fierza?

Nga Fierza edhe doja edhe nuk doja të largohesha. U ambientova me të. Të dukej se dhe vetë ishte pjesë e një vepre gjigande. Por me kërkesën e Kryetarit të Tropojës unë shkova shofer me Bajram Nezën Kryetar, Kryetar i Komitetit në Tropojë. Punova rreth 5 vjet pastaj shkova në Skrapar ku mora një makinë të re “Saurrel” ku mora pjesë në ndërtimin e shumë rezervuarëve në rrethin e Skraparit.  Njëherazi në këtë shkrim dua të theksoj se në Tropojë jam ndjerë mirë, jam respektuar më shumë se në zonën time. Gjeta njerëz punëtorë që e respektonin shumë mikun. Nga Tropoja u largova në vitin 1983 dhe shkova në Skrapar.  Deri në vitin 1990 punova si shofer në bonifikim dhe pastaj me përmbysjen e sistemit  u mora me tregti në Çorovodë. Sot kam tre furra buke në Tiranë dhe biznesi më ecën mirë.