Abdurrahim Ashiku: Një i mbijetuar mbi dallgët e zeza të 28 marsit’97

305
Sigal

Rrëfimi i Eduart Sulës, që luftoi mes dallgëve të Sibilës së zezë, ku ndodheshin 25 fëmijë nga 3 muajsh në 2 vjeç

Ngjarje që nuk harrohen kurrë

NJË I MBIJETUAR MBI  DALLGËT E ZEZA TË 28 MARSIT ‘97

– Sipas rrëfimit të Eduart Sulës, që i mbetën mes dallgëve të Sibilës së zezë gruaja, djali i vogël, vëllai dhe djali i xhaxhait.

Nga cikli DJEMTË E DIBRËS

 Vendosëm të iknim në Itali me anije, me skaf me çfarë të mundnim edhe për shkak të asaj gjendjeje që u krijua me  krismat, hasmëritë, vrasjet, dhunimet e ndryshme, që shfaqeshin kudo gjatë janarit, shkurtit, marsit. Këtë mënyrë e gjetëm nëpërmjet një anijeje në Vlorë, më 28 mars 1997, bashkë me familjen time

Ulur në një ballkon lokali që zgjatet mbi det, fytyrëndriçuar nga shpata rrezesh dielli në perëndim, në shoqëri të Shpëtimit, Eqremit dhe Eduartit, gjerbim kafenë e ngrohtë servirur nga Lenci. Një çast i bukur meditimi dhe çlodhjeje. Eduart Sula më përmend Ostrenin e Vogël dhe të dy, pa u “marrë leje” të pranishmëve ngjitemi në atë kodër të bukur me shtëpi në dy pode, tipike gollobordase. Zbresim poshtë për të pirë ujë të pastër, gurre, ujë që i jep gjelbërim luginës deri në Tuçep e Lladamericë, madje edhe tej kufirit shtetëror, ujë që jep edhe dritë nëpërmjet hidrocentralit të Tuçepit, takohemi me Fitim Sulën dhe Duro Ibrahimin, skulptorë dhe piktorë të njohur në Dibër…

Anija u përmbyt , kishte 25 fëmijë nga mosha tre muajsh deri në dy vjeç. Notonim me shpresë të ndonjë ndihme. Ishim në Kanalin e Otranto:, sapo kishim kaluar ujërat tona, ishim në ujërat ndërkombëtare.

Dhe ndërsa biseda jonë, tashmë përballë diktofonit, ecte për t’u ndalur në punën dhe biznesin e Eduartit në Saranti, fshatin e bukur piktoresk në bregdetin e krahinës së Thivas të Greqisë, në mes na futet një ngjarje që do të më lindte dhembje e do të mi mbushte sytë me lot. Nuk e kisha jetuar pranë e pranë tragjedinë e 28 marsit 1997. Nuk isha në Shqipëri, isha në një ishull të Greqisë fare pranë Athinës, në Salaminë ku lajmet nga Shqipëria vinin të komentuara nga gazetarë pamorë grekë, që ato ditë të kobshme mbulonin tërë jugun e Shqipërisë, krismat dhe gjëmimet e të gjitha llojeve të armëve, tragjedinë kombëtare shqiptare. Gazetat e pakta shqiptare asokohe ishin të ndaluara të dilnin në tregun e Tiranës e jo më të vinin në Greqi. BBC dhe VOA, të vetmet që kishin zë deri tek ne, ato ditë nuk thanë thuajse asgjë për tragjedinë e 28 marsit…Më vonë do të lexoja për ngjarjen, por në kujtesë gjithçka do të kalonte si një “udhëtim në mjegull”…Kur Eduarti iu fut thellë ngjarjes nuk guxova ta ndërpres. E lashë të flasë i mbushur mes kujtimesh e lotësh. Dhe, ndërsa ai fliste unë herë e dëgjoja e herë fluturoja kujtimesh të dhembshme të marsit 1996, të një viti më parë, të atij marsi që Otrantoja kishte marrë tridhjetë djem dibranë varri i të cilëve u bë deti i zi. I bashkova të dy dhembjet dhe u mbusha në një rrëke lotësh. E përjetova atë ditë. Po i përjetoj edhe sot tek zbardh në letër tregimin e gjallë nga një i mbijetuar i tragjedisë, që ndodhi njëzet vjet të shkuara. Lexuesin do ta ftoja që, nëse e ka detin pranë, të këpusë një lule të freskët e ta hedhë mbi ujë në kujtim të të gjithë atyre, që humbën jetën mes ujërave të zeza të kohës sonë. Dhe në qoftë se nuk e ka detin pranë të ngjitet në një kodër dhe të ulë për disa sekonda kokën në shenjë kujtimi për të gjithë ata që humbën jetën, jo vetëm deteve, por edhe maleve të emigracionit shqiptar në kohëkalimin midis dy shekujve…

*   *   *

 

Më thatë se jeni nga Ostreni i Vogël në malet e bukura të Gollobordës. Ç’farë të kujton Ostreni ?

Unë jam me origjinë nga Ostreni i Vogël. Jam lindur e rritur në Patos të Fierit. Shpesh herë babai dhe nëna na çonte në Ostren për pushimet e dimrit apo për ato të beharit. Na çonte më shumë për t’u njohur me vendlindjen e babait, një vend i bukur, vend i mirë, sidomos në ato vite, një vend i begatë…

Sa vjeç je ?

– Tridhjetë e gjashtë.

Kur ka ikur familja juaj nga Ostreni?

– Babai im ka ikur në vitin 1955. Ka ikur si murator, zanat i të gjithë gollobordasve. U vendos në Fier, në Patos. I dhanë një shtëpi dhe punonte në ndërtim bashkë me mamanë. Kaluan vitet, në vitin 1966 lindi vëllai i madh, Fiqiriu. Në vitin 1970 linda unë. Ngelëm në ato vite në Patos dhe vazhdojmë edhe sot e kësaj dite në atë vend.

Si vazhdoi jeta juaj nga Patosi e deri në Saranti ?

– Unë mbarova shkollën tetëvjeçare në Patos. Merresha me sport, me futboll me ekipin e të rinjve të Patosit. E doja futbollin. U stërvita fort, me lodhje të mëdha, kapa normat dhe shkova në shkollën e futbollit “Loro Boriçi”. Pesë vjet i kalova në mjeshtërinë sportive. Në të njëjtën kohë vëllait tim, pasi mbaroi shkollën e mesme të naftës në Patos, i doli e drejta për studime të larta në Tiranë dhe mbaroi studimet për inxhinieri nafte. Mbaruam në të njëjtën kohë unë shkollën e mjeshtërisë sportive, kurse ai fakultetin e inxhinierisë së naftës. Mbaruam në vitin 1989.

Erdhi viti 1990-1991. Shqipëria hyri në rrugën e ndryshimeve. Si e përjetuat dhe çfarë rruge morët ?

– Si të gjithë të rinjtë e atyre viteve edhe unë mendoja për diçka më tepër, për liri më tepër. Ideja dhe mendimi më çonte tek emigrimi. Unë, me disa shokë, në shkurt të vitit 1991, morëm rrugën e kurbetit. Katër ditë udhëtuam në këmbë dhe erdhëm në Greqi.

Ku u vendosët fillimisht ?

– Në fillim isha në Athinë. Ndenja tre-katër muaj. Por duke parë se gjithçka ishte e zymtë, nuk mund të përballohej, u shpërngula dhe erdha në periferi të Athinës, në bregdetin e Thivës, në Saranti. U njoha me një grek vendas dhe  fillova punën në lokalin e tij. Duke punuar, duke përvetësuar edhe gjuhën, zakonet, u bëmë pothuajse njerëz të këtij vendi edhe ne.

Sa vjet ndenje këtu ?

– Këtu ndenja nga viti 1991 deri në vitin 1996

Më pas ?

– Më pas u ktheva në Shqipëri. Thashë të krijonim variantet dhe të punonim në Shqipëri, në vendin tonë. Vajtën 5-6 vjet larg, nuk na mbante më kurbeti. Të rinj ishim. Në vitin 1994 u martova. Martesa pati një djalë. U kthyem në Shqipëri për të punuar e jetuar atje…  ( tund kokën mendueshëm dhe sytë ia mbërthen detit, diellit në perëndim )

…Nëntëdhjeteshtata na i prishi të gjitha planet, të gjitha ëndrrat. Filluan trazirat. Humbëm shumë lekë nëpër firma. Jeta u bë shumë e rëndë. Nuk mund të jetonim më prapë aty. Nuk na mbante dot më vendi. Na lindi ideja  të largoheshim, të iknim prapë, bashkë me familjen, me gruan dhe me djalin. Të shpërnguleshim, të iknim diku në një shtet, që mund ta quanim një çikë më evropian, më të lirë. Në Greqi emigrimi ishte më i mbledhur, më i kontrolluar, më i vështirë, kishte racizëm dhe ksenofobi më shumë se sa në vendet e tjera të Evropës. E vendosëm të iknim në Itali edhe për shkak të asaj gjendjeje që u krijua me krismat, hasmëritë, vrasjet, dhunimet e ndryshme, që shfaqeshin kudo gjatë janarit, shkurtit, marsit. Vendosëm të iknim në Itali me anije, me skaf me çfarë të mundnim. Këtë mënyrë e gjetëm nëpërmjet një anijeje në Vlorë, më 28 mars 1997, bashkë me familjen time, me djalin e xhaxhait 17 vjeç, me vëllanë tim Fiqiriun. Ai nuk donte të shpërngulej, donte të më shoqëronte deri në Itali dhe të kthehej prapë, por s’ishte e shkruar të ndodhte ajo…

Erdhi kjo, anija e zezë siç i thonë dhe na mori. Ishim gjithsej 105 veta në anije. Jemi nisur nga moli i Vlorës drejt Italisë nga ora tre e gjysmë – katër, mbasdite. Pothuajse të gjithë njerëzit ishin me familje, me fëmijë, njerëz që donin t’u largoheshin trazirave, zhurmës së madhe që kishte kapur Shqipërinë në ato ditë…

Duke ecur në det, pas dy orësh na shfaqet një anije e madhe italiane, e cila ishte brenda ujërave shqiptare, mbrapa Sazanit dhe po na shoqëronte. Na bënte sinjale që ne nuk i kuptonim nëse duhet të ndalonim apo jo. Deri në këtë moment ata ishin shumë paqësorë. Po ashtu edhe ne duke ngritur flamurin e bardhë, duke nxjerrë e treguar fëmijët në bord. Në një moment na lë kjo anije dhe shikojmë që drejt nesh po vinte një anije, nga ujërat italiane drejt ujërave tona. Kjo ishte anija ushtarake “Sibila”. Ajo na merr nën patronazh për të na shoqëruar. Kjo na mori në një mënyrë shumë agresive. Na priste rrugën, flisnin në megafon në gjuhën e tyre, italisht. Nuk e di se çfarë flisnin dhe thoshin. Ne, gjithnjë me atë idenë që të shkonim drejt Italisë dhe atje  do t’i nënshtroheshim ligjeve e rregullave që ka ai shtet. Nuk e di se kush e drejtonte anijen tonë, por ne ecnim drejt Italisë duke iu shmangur shpesh herë edhe goditjes së anijes se na dilte përpara duke bërë zik-zake nëpër det….

…Rreth orës shtatë, shtatë pa një çerek, isha jashtë bashkë me gruan dhe disa miq të tjerë në bord. Fëmijët dhe gratë ne i futëm tek dhomat e poshtme të anijes që të jenë ngrohtë. Në këtë moment del një shoku im dhe më thotë “të lutem, më ka zënë deti, futu bashkë me gruan tek dhomat ku rrinë fëmijët dhe gratë dhe më nxirr një çikë gruan jashtë se unë nuk mundem”. Në këtë moment futem bashkë me gruan. Poshtë kisha edhe djalin që flinte gjumë bashkë me djalin e xhaxhait, kurse sipër në kuvertë ishte vëllai. Po zbrisnim shkallët dhe gruaja vajti direkt për të marrë gruan e shokut tim për ta nxjerrë jashtë. Në këtë moment dëgjoj një goditje të fuqishme, një tronditje të madhe. Kthej kokën nga dera për të dalë lart sipër shkallëve…. Punë sekondash… Shikoj një rrymë të madhe uji që na goditi. E kisha kapur gruan prej dore, por rryma ma merr nga dora dhe e përplas brenda në dhomë. Për dy- tre sekonda çdo gjë mbyllet në errësirë, mbytet në ujë…

…Isha kapur pas hekurave të shkallëve. Nuk e shkëputa dorën. Duke mbajtur frymë, duke u munduar, duke dhënë shpirt, si i thonë shqip, u mundova, u përpoqa dhe gjeta derën për të dalë. Kur dal jashtë shikoj se çdo gjë ishte mbytur. U ndodha në sipërfaqe të detit, midis dallgëve të ftohta të dimrit. Shoh se çdo gjë ishte e përpirë nga dallgët. Kishte ngelur një pjesë e anijes akoma në sipërfaqe, e përmbysur, anije që nga çasti në çast shkonte drejt fundosjes. Përmbledh forcat dhe hidhem në not duke bërtitur, duke dëgjuar klithmat tmerruese të njerëzve, thirrjet e emrave të njerëzve të tyre të dashur. Dal në sipërfaqe me mendjen se gruaja, djali, vëllai dhe njerëzit e tjerë mbetën aty brenda. Thërrisja vëllanë pa marrë asnjë përgjigje. E mblodha veten, përmblodha forcat, notova për të kaluar vorbullën e mbytjes së anijes, vorbull, e cila mori me vete shumë njerëz, përveç atyre që ishin brenda dhomave. Duke notuar, kishte shumë dallgë, kishte tetë ballë det, duke notuar, duke hapur njerëzit e mbytur me duar. Shikoja njerëzit e mbytur midis dallgëve dhe njerëzit e gjallë duke klithur e thirrur të dashurit e tyre, gra, vajza, djem të rinj. Ajo anije kishte 25 fëmijë nga mosha tre muajsh deri në dy vjeç. Të gjithë nënat ishin nëna të reja, me fëmijën e parë.

Notonim me shpresë të ndonjë ndihme. Ishim në Kanalin e Otrantos, sapo kishim kaluar ujërat tona, ishim në ujërat ndërkombëtare. Pashë shumë njerëz që notonin, pashë edhe tre djem që ishin kapur në një nga fuçitë që mbajnë anijet. Dallgët e çonin fuçinë në anë të kundërt me anijen që na goditi. Pas çdo dallge shikonim vetëm drita se ishte natë, errësirë. Shikonim dhe u drejtoheshim me not dritave. Ata ishin dritat e anijes që na goditi, e cila pasi na mbyti nuk qëndroi, por iku. Notonim me shpresë se mund të shpëtojmë. Kur po ndienim se forcat po na binin, forcat fizike, shpirtërore, biologjike, po mbaronin të gjitha, në atë moment kthehet anija, pas afro një ore, dhe nxjerr dy varka, nga ato varkat e mëdha të ndihmës së shpejtë. Varkat nuk i dërgon për të mbledhur njerëzit rreth e qark, që thërrisnin e bërtisnin për ndihmë, por i mban të lidhura pas trupit të anijes. Na  thërrisnin “hajdeni këtu”. Si mund të vinte një njeri i mbytur, i shkatërruar fizikisht e moralisht, deri atje? Hidhnin edhe salvaxhente, nga ato shpëtueset. I hidhnin në krahun e kundërt nga shkonte dallga. Ato në vend të afroheshin tek ne largoheshin prej nesh, humbnin në errësirën e detit. I hidhnin vetëm sa për sy e faqe. Kush arriti deri tek varkat ishte me fat… Kur arritëm, ushtarët e asaj anijeje, ata që kryenin detyrimin ushtarak u munduan jashtëzakonisht shumë për të na ndihmuar, për të na ngjitur në anije. Rrëzuan disa rrjeta litarësh që të hipnim sipër në anije, sepse ishte anije fregatë e madhe.

Kur u ngjitem në bordin e anijes, me atë ndjenjën e asaj që ndodhi, fillova të shaja në italisht duke u thënë kriminelë, na vratë fëmijët dhe gratë. Në këtë moment hidhet një që më vonë e mora vesh se ishte kapiteni i anijes dhe na thotë “kriminelë jeni ju dhe jeni të arrestuar”. Në këtë moment, dikush nga marinarët i kundërvihet kapitenit dhe i thotë “ Çfarë kriminelësh janë këta kur në anije gra e fëmijë kishte”? Kapiteni e përzuri me të bërtitura. U mblodhëm dhe  nga koha e gjatë që u ndodhëm në det, në mes dallgëve dhe ujit të ftohtë të marsit më ra të fikët…  Kur erdha në vete mora vesh se na kishin ndarë në dy dhoma duke na dhënë ndihmën e shpejtë. Shpresë kisha se mos vëllai im kishte shpëtuar. Duke  njohur edhe fizikun e tij, të rrahur me punën e me detin, mendoja se do të kishte shpëtuar. Ishte e kotë. E kërkova në dhomën tjetër, se në dhomën ku isha unë ai nuk ishte. Iu shmanga marinarëve që ishin aty dhe shkova tek dhoma tjetër. Edhe në atë dhomë nuk gjeta njeri. Gjeta vetëm atë shokun që m’u lut për të nxjerrë gruan nga dhoma. E pyeta dhe ai më tha “Mos kërko se të gjithë janë poshtë, në det, janë të mbytur”. Atëherë e s’takova trurin. Çdo gjë kishte mbaruar. Prisnim që edhe vetë ne, nga mënyra e të sjellit  dhe trajtimin që na bënte kapiteni bashkë me tre katër të tjerë rreth tij, nuk e di se çfarë ishin oficerë apo nënoficerë të pësonim të njëjtën gjë. Sjellja e tyre ishte e tillë që edhe ne duhet të ekzekutoheshim për të humbur gjurmët e krimit të tyre.