6 janar 1882, lindi Fan Noli, figurë poliedrike në kulturën shqiptare

125
Sigal

Përse u kalua në heshtje figura poliedrike e njërit prej burrave më të mençur të shekullit të kaluar. Harresë apo e qëllimshme?! Fan S. Noli, Themelues i Kishës Autoqefale Shqiptare, kryeministri i Qeverisë Demokratike -Antizogiste, përkthyes, diplomat, poet, dramaturg e historian. Si u takua Fan Noli me “Don Kishotin”

Prof. ALFRED UÇI

6 janar 1882, lindi Fan Noli, figurë poliedrike në kulturën shqiptare.Themeluesi i Kishës Autoqefale shqiptare ka qenë përkthyes, politikan, diplomat, poet dramaturg e historian shqiptar

Theofan Stilian Noli lindi, më 6 janar 1882 dhe ishte i dyti nga trembëdhjetë fëmijët e Stilian dhe Maria Nolit, prej të cilëve vetëm gjashtë patën fatin të arrinin moshën e pjekurisë. Prindërit e tij ishin blegtorë shqiptarë. Familja jetonte në Ibrik-Tepe, një vendbanim shqiptar në Turqinë evropiane. I rritur nga gjyshja e tij Sumba, Fan Noli ishte një djalë i dobët dhe delikat. Kur ishte tetë vjeç e çonin në shkollë të futur në një thes, ngaqë s’kishte qejf. Që nga kjo kohë e tutje Fan Noli u zhvillua, lulëzoi dhe ka punuar shumë dhe me dëshirë gjatë viteve të shkollës; atëherë bëri shumë punë në vende të huaja, deri sa u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 1906. Përshtypjet e tij të para për Shtetet e Bashkuara nuk ishin shumë emocionuese, siç edhe mund të pritej. Me të arritur në Jamestown u angazhua në shoqatën e parë shqiptare në Shtetet e Bashkuara, “Malli i Mëmëdheut”. Në vetvete ky ëshë një paralajmërim pozitiv i devocionit politik, që do të tregonte Noli dhe të tjerët për atdheun e tyre, Shqipërinë. Nga fundi i vitit 1906, Noli u gjend në Boston, i cili do të bëhej shtëpia e tij për pjesën më të madhe të jetës. Duke ndihmuar në gjetjen e një shtegu kulturor, patriotët e rinj i hapën rrugën Rilindjes Shqiptare. Me ndihmën e Kishës Ortodokse Ruse, Noli u dorëzua prift, më 8 mars 1908; viti 1912 solli diplomimin e Nolit popullor, i cili ishte përpjekur të ruante pozita shoqërore të lavdërueshme në Harvard. Që nga kjo kohë e më pas Noli kreu disa detyra, që mund të përcaktohen si efekti “top i dëborës”. Ndoqi një sërë shkollash: Konservatoin e Muzikës në New England, mori gradën Ph.D. në Universitetin e Bostonit, studioi aramenishten dhe hebraishten në Harvard. Noli përfaqësoi gjithashtu, Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, Zvicër; mori përsipër postin e Kryeministrit të Shqipërisë; u shenjtërua kryepeshkop në Korçë, Shqipëri më 1912 dhe së fundi, themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Unë e kuptoj që ky është një për vijim i shkurtër historik i Fan S. Nolit, por më duket një fond i mjaftueshëm për të trajtuar Nolin – njeri. Për ata që dëshirojnë diçka më shumë, i këshilloj të lexojnë autobiografinë prej 111 faqesh, e përfshirë në librin “Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë” (Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America) Me zgjedhjet e mbajtura, më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës. Gjatë Lëvizjes së Qershorit 1924 nuk ishte për përmbysjen me forcë që ndodhi; u vendos në krye të saj vetëm si kërkesë e krahut të të rinjve, që shihnin tek ai një njeri me formim perëndimoro-amerikan. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor, e dënoi atë me vdekje në mungesë. Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ardhja e një delegacioni rus me në krye Arkady Krakovetsky shqetësoi kancelaritë perëndimore deri në atë pikë, sa të mbështesnin ardhjen e Zogut me anë të 106-112 oficerëve të ish-Ushtrisë Perandorake Ruse. Sipas mendimit të A. Këlcyrës në “Shkrime për historinë e Shqipërisë” vërehet se lidhjet me Bashkimin Sovjetik ishin munduar ngaherë t’i sendërtonin, por ishte pikërisht kjo lëvizje që duhej të soste. U nda nga jeta më 13 Mars 1965 në SHBA.

Takimi i F.Nolit me “Don Kishotin”

Fragment nga libri “Filozofi e donkishotizmit)

Sebepçiu, që i tregoi Servantesit, nga sa dihet, për herë të parë, udhën drejt Shqipërisë ka qenë Fan S. Noli (1882-1965).  Në fatin e një mërgimtari të përjetshëm, që nuk arriti të çmallej mjaft me Atdheun, ai pat gjetur çuditërisht ngushëllim te romani, që rrëfente jo thjesht hallet e zhgënjimet e një Kalorësi të arratisur nga Gadishulli Iberik, të cilin e nisi më 1932 për në cepin tonë të Ballkanit, që të seliste e ringjallte ca shpresa dhe ëndërrime të porsashembura. Aq fort i pat pëlqyer ky roman, sa që vendosi ta shqipërojë dhe me këtë akt vulosi vizën e hyrjes së romanit “Don Kishoti”, të cilin e bëri një kumt për bashkëbisedim me ata që vazhdonin t’i besonin Dhespotit emigrant. Qysh nga SHBA, para se të mbrinte ekzemplari i parë i librit në Shqipëri, Fan Noli iu drejtohej lexuesve shqiptarë me këto fjalë: “Ka nja njëzet a tridhjet kryevepra letrare, të cilat s’duhet të vdesë njeriu para se t’i këndonjë. Një prej këtyre është “Don Kishoti” i shkrimtarit spanjoll, Servantesit. Kemi nisur ta botojmë në “Republikën” që prej dy javësh. Është dhurata  më e lezeçme që mund t’ju bëjmë, këndonjës të dashur. Jemi të sigurt që do ta shijoni. Është e pamundur të mos ju pëlqejë. Këndojeni me vërejtjen që meriton. Duket që nga kaptinat e para çfarë çeshit është. Don Kishoti është një fantazmë, që ka ikur nga muzeu i kohës së mesme dhe po shëtit në Spanjën gjysmë të modernizuar të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Të vjen të qash e të qeshësh me ato që thotë e që bën”.

Autoritetet shtetërore me zor e lanë të hynte dhe u përpoqën ta sakatonin, duke ndaluar “Introduktën”(parathënien), e shkruar nga përkthyesi, ku paraqiste domethënien e këtij romani dhe rëndësinë që do të kish kjo dhuratë për shqiptarët e asaj kohe. Regjimi zogollian pati frikë nga kumti i shqipëruesit, por shërbëtorët e paditur të censurës së tij, nuk u treguan të aftë të kapnin enigmën e vërtetë të romanit dhe do të jenë shkulur së qeshuri me aventurat “e lezeçme” të një të marri të padëmshëm; u mjaftuan të ndalojnë “Introduktën”, që s’ia patën marrë vesh kuptimin. Deri sot nuk e kam shkoqur të vërtetën përse në shtëpinë time pat shpëtuar një kopje e librit, që e kishte “Introduktën” e Nolit, ndonse kurrë nuk rreshtnin bastisjet sidomos të bibliotekës dhe letrave në përgjithësi të familjes sime. Për herë të parë këtë libër e pata lexuar në moshën e adoleshencës dhe mbaj mend mirë se ç’kënaqësi të madhe më dhuroi historia e habitshme e qesharake mbi aventurat zbavitëse të Kalorësit të Mançës e të shqytarit të tij besnik, Sanço Pançës. Qysh nga leximi i parë, “Don Kishoti” më ndihmoi të kuptoja se ç’forcë magjepëse kanë ca libra, që të pushtojnë, të robërojnë dhe të pëcjellin gjithë jetën. Pastaj, kur jeta tregohej dorështërnguar në gëzime dhe sa herë ajo të mashtronte me eufori shpresash të kota, sa herë kam pasë ndier zbrazëti gërryese ose kam qenë pushtuar nga valë trishtimi e hidhërimi, kam zgjatur dorën në raftin e librave të parapëlqyer dhe kam gjetur ngushëllim e kënaqësi të mirëfilltë, duke rilexuar librin mbi aventurat e të famshmit Don Kishot. Edhe tani në ditë gëzimesh, por edhe dramatike, kur njerëzit janë të mbingarkuar me ëndërra të humbura e me shpresa të vrara, që përcillen me pasiguri e shqetësime të shumllojshme para grykës së tunelit të errët të jetës, diku larg, nga fundi i të cilit njerëzit besojnë të takojnë Arkadinë Përrallore, pra, edhe në këtë kohë, që e quajmë, për mirë e për keq, “kohë tranzicioni”, kam nisur qysh nga viti 1995 një varg esesh për romanin e Servantesit, duke qenë fort i bindur se “Don Kishoti” është libër që dialogon edhe me kohën tonë.  Për këtë qëllim zgjodha po atë këndvështrim, që e përdora edhe për  tre librat e tjerë të asaj kohe: “Shekspiri në botën shqiptare”(1996), “Dostojevski në kohën tonë”(1997) dhe “Ferr-Parajsa e Dante Aligierit” (1998). Kërkonja të sqaronja në kushtet e lirisë së mendimit për vete e për lexuesit tre pyetje që i kisha pasur peng: Cili është shkaku themelor estetik, që zenë vend të patundur në historinë e letërsisë botërore, ca libra, që përfshihen në çdo listë me emrat më të paktë të gjenive të fushës së letërsisë? Ku qëndron universaliteti i vlerave dhe i mesazheve të veprave të tilla, që  dialogojnë me shumë shekuj të qytetërimit njerëzor? A na rrëfejnë ndonjë gjë të rëndësishme edhe për historinë e jetën e kombit tonë,  për të sotmen e t’ardhmen tonë? Këto pyetje e ky këndvështrim më nxitën, gjithashtu, të shprehesha edhe për Servantesin e romanin e tij “Don Kishoti”.

 

Fan.S.Noli ka meritë të trefishtë ndaj lexuesit shqiptar për takimin e parë që organizoi me Servantesin dhe me romanin “Don Kishoti’’. Në kushtet e motit të zgjatur të zbrazëtive të njohjes të lexuesit shqiptar me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, ua bëri të mundur  bashkatdhetarëve të shkolluar kontaktin me kryeveprën e Servantesit, duke ia shtuar kështu listës së përkthimeve që kish hartuar me kujdes për t’i shqipëruar. Kjo zgjedhje, me siguri duhet të ketë pasur kuptim të dyfishtë në kohën, kur Shqipërisë i ishte imponuar përdhunshëm, e ashtuquajtura “Mbretëri”, si një akt vërtet donkishotesk, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk duhet të kishte qenë aspak e thjeshtë dhe aq e vogël kjo dëshirë e përkthyesit, sepse ato kohë kish asish, siç vazhdon të ketë edhe tani, njerëz që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj, të cilën mund ta përdornin për të fituar lavdi e famë, të paktën, sançopançiane, domethënë jo aq shpirtërore se sa materiale, financiare, duke përkthyer e venë në qarkullim romane si “Ura e Psherëtimave” ose, siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ndonjë roman tejet të munguar me përmbajtje të mirëfilltë pornografike, nga ato më të shitëshmit e më fitimprurësit, ndoshta, për t’i dhënë një dorë të munguar shpejtimit të stërzgjatur për t’u përfshirë “kulturalisht” në Bashkimin e adhuruar Europian, që shumëkush e barazon me “Arkadinë” e ëndërruar të Don Kishotit.

Fan Noli nuk e përktheu, por e shqipëroi  një prej veprave më të mëdha e më të vështira të letërsisë botërore dhe na kumtoi një mesazh të vlefshëm për të mësuar edhe lexuesit e  sotëm të njohin e t’i dallojnë midis përkthyesve të kohës sonë, që turren për të fituar pakëz lavdi me dy mënyra: ose duke shtuar apo ndrequr diçka nga vepra të përkthyera më parë, që shpejtojnë t’i ribotojnë për të fituar ose duke i përkthyer vetë për herë të parë po, ama keq, shumë keq,  vepra të shquara me qëllim  që të ngjyejnë  kafshatën e famës së tyre në lëngun e përkthimeve që katranosin me lejë e pa lejë.  Në të tilla raste është më mirë ta braktisësh këtë zanat të vështirë, siç bënte Kalorësi guximtar i famshëm Don Kishoti, kur e kuptonte se s’ish i zoti të përballonte një “ushtëri” të mbrapshtë të armatosur bagëtish. Me këtë nuk duam të themi se çdo kryevepër  e përkthyer një herë, nuk bën të ripërkthehet edhe herë tjetër për më mirë se, fatbardhësisht, tashmë  ekzistojnë mjaft përkthyes të aftë  që nuk kanë për t’u turpëruar, duke u krahasuar me kryemjeshtrat e  njohur të shqipërimeve.

Për kulturën shqiptare përkthimi i “Don Kishotit” ka jo vetëm meritën e  shqipërimit të një kryevepre, që ishte përkthyer në gjithë gjuhët e botës, por ka qenë edhe një kontribut i shquar në begatimin e gjuhës sonë, që dëshmohet e begatë si edhe spanishtja e Servantesit; madje përkthyesit e rinj kanë një model të përsosur  shqipërimi, nga i cili mund të mësojnë mjeshtërinë e vështirë në këtë fushë të kulturës. Lexuesi ynë ka qenë me fat të mbarë, që edhe vëllimi i dytë i “Don Kishotit” meriton lëvdata të mira, i shqipëruar mjeshtërisht nga Petro Zheji. Në dy botimet e fundit,1976 dhe 2006, të “Don Kishotit” është ruajtur varianti fanolian i përkthimit të vëllimit të parë për të mos harruar vlerat e asaj pune të madhe të bërë nga Fan Noli për ta begatuar intelektualisht lexuesin shqiptar. Habitesh se ç’fuqi e madhe është përdorur nga Peshkopi në një kohë, kur mbyllte një varg shtegtimesh tragjike dhe  betejash të humbura, të ngjashme me ato të Don Kishotit, instrumentat e të cilave nuk i  zëvendësoi me armë të hekurta, por me ato libra dritëdhënëse, që i kujtoi Kalorësi i Fytyrës së vrerosur në çastin e fundit të jetës së tij heroike.

Noli ka meritën se në “Introduktën”, parathenien, por edhe në materiale të tjera ka dhënë një interpretim vërtet origjinal të kuptimit të romanit në përgjithësi dhe të kryheronjve të tij, Don Kishotit e Sanço Panços, duke dashur të bëjë një paralelizëm të saktë dhe interesante me problemet e rënda sociale, që ishin grumbulluar në realitetin e atëhershëm të vendit tonë, kur një varg personalitete  të shquar të mendimit e letrave shqipe në vitet ’30 ishin të shqetësuar dhe meditonin për to dhe shprehën pikpamje që janë interesante edhe për kohën tonë. Para botimit të “Introduktës”(Parathënies”)  bashkë me romanin e përkthyer në gazetën “Republika” qysh më 1930 Fan Noli pati botuar artikullin me pyetjen: “Don Kihoti apo Don Kishoti?”; me sa duket, shfaqte shqetësimin e tij për t’ia përshtatur edhe emrat e përveçëm dhe llagapet gjuhës popullore shqipe, duke mos e cënuar kuptimin specifik që kishin në tekstin spanisht, herë si tituj fisnikërie (sojllijsh) e herë emra popullorë të folklorit. Me këtë hap dhe në aspekte të tjera linguistike Fan Noli të habit me përshtatjen e bukur jo vetëm gjuhësore të romanit spanjoll, por edhe me interpretimin origjinal të tekstit spanisht përqasur kontekstit specifik social, historik e kulturor të Shqipërisë së atëhershme. Ky interpretim nxiti qysh në atë kohë mendimin kritiko-letrar e social-politik dhe estetik të personaliteteve për ta bërë objekt diskutimi kuptimin dhe rëndësinë e “Don Kishotit” për vendin tonë.

Fan Noli i përmbahet një të vërtete historike për Spanjën. Por sipas tij, po kështu pakashumë ka qenë gjendja edhe në Shqipërinë e viteve 20-30, kur ruheshin bastione të forta të feudalizmit mesjetar dhe kur po futeshin edhe elementet e kapitalizmit fillestar, domethënë një gjendje midis prapambetjes dhe përparimit.

Dhe pikërisht përmes këtij paralelizmi Fan Noli arrin të shprehë jo vetëm përfytyrimin e tij për fakte historike, por edhe për kuptimin e vlerësimin që do të gjenin kryeheronjtë e romanit të Servantesit në Shqipërinë e atyre kohëve të shtegtimit të tyre të parë; prandaj edhe u drejtohet njëkombasve me rekomandimin që ta mirëpresin Don Kishotin, sepse libri i mençur i Servantesit do t’i ndihmonte për t’u njohur me ca të vërteta të jetës së tyre, që nuk kapen për shkak të përditshmërisë monotone të jetës së rëndomtë:E kini,- u thosh përkthyesi lexuesve,- njëkombas, arnaut të kulluar, me silah e tizga, që me kokën prapavajtëse i bien trimërisht murit modern të çeliktë”. Ka qenë një meritë historike e Fan Nolit, që themeloi me idetë e tij një shkollë të vërtetë të mendimit kritiko-letrar qysh në gjysmën e parë të shek.XX.