580 vjetori i Beslidhjes së Lezhës, 2 mars 1444 -2024

21

Jovan Byzhyti/ Si sot, 580 vjet më parë pikërisht më 2 mars 1444, me ftesën e Skënderbeut, në Kishën e Shën–Kollit në Lezhë, u mbajt Kuvendi i Princërve Arbëror i cili u njoh si Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës. Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftëtarëve të Arbërisë, luftoi 25 vjet për të mbrojtur trojet arbërore nga pushtuesit osmanë, por njëkohësisht u bë barrikadë e pakalueshme, që ky invazion pushtues të mos kalonte Adriatikun për të zhbërë dhe krishterimin europian e idenditetin e shteve përtej detit. Ja aleancat politiko-ushtarake të Skënderbeut me vendet e Europës

(2 mars 1444 – 2024, 580 vjetori)

Sigal

Telegraf.al / Historikisht, Princat e Arbërisë që përfaqësonin krahina e territore të veçanta, kishin jetuar në përçarje e me luftra të brendshme, që e kishin dobësuar shumë shtetin e Arbërit. Skënderbeu me aftësitë e tij, jo vetëm ushtarake, por dhe politike, diti t’i bashkonte në një forcë të vetme, që e ngriti lartë rolin dhe figurën e këtij Kryeprinci dhe të vet shtetit të Arbërit.

Çlirimi i Krujës dhe i viseve të tjera, si pasojë e ushtrisë arbëreshe nën udhëheqjen e Skënderbeut, u prit me një gëzim të madh te populli arbëror. Entusiazmi i lirisë për një kohë të shkurtër, u përhap në tërë Arbërinë. Qëllimi i Skënderbeut ishte shumë më i madh. Ai synonte që të krijonte një lidhje të fortë, ku do të bashkonte të gjithë princat arbëror për të qenë bashkë kundër osmanëve, sepse vetëm të bashkuar arbërit mund të ballafaqoheshin me pushtuesin e një perandorie kaq të madhe.

Për zgjidhjen e detyrës historike të bashkimit të popullit shqiptar dhe të klasës feudale në një front të vetëm anti-osman, Skënderbeu organizoi mbledhjen e një Kuvendi të përgjithshëm kombëtar. Ky Kuvend ka hyrë në histori me emrin “Kuvendi i Lezhës”. Për këtë qëllim, në mënyrë paraprake u zhvilluan një sërë konsultimesh me feudalët shqiptarë dhe krerët e tjerë të vendit për përgatitjen e këtij kuvendi të besëlidhjes dhe largimin e pengesave në rrugën e bashkimit.

Në 2 mars 1444, me ftesën e Skënderbeut, në Kishën e Shën–Kollit në Lezhë, u mbajt Kuvendi i Princërve Arbëror dhe ky kuvend u njoh si, Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës. Në punimet e këtij Kuvendi morën pjesë përfaqësuesit e familjeve më të fuqishme feudale shqiptare. Sundimtarë të principatave feudale ishin të pranishëm në Kuvend, të shoqëruar nga djemtë ose nga nipërit e tyre. Në të morën pjesë dhe feudalë më të vegjël, si dhe krerë të tjerë, të cilët përfaqësonin fshatarësinë e lirë të malësive të Shqipërisë. Midis tyre mund të përmenden princat si, Gjergj Arianiti, Andrea Topia me djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka me disa familjarë, Lek Zaharia, Pjetër Spani me djemtë dhe Lekë Dushmani e tjerë. Pjesëmarrësit në Kuvend u mblodhën nga të gjitha trevat ku flitej gjuha shqipe. Përjashtim bënte vetëm Stefan Çernojeviçi, sundimtar i Zetës (Malit të Zi), që kishte zotërimet e veta pranë liqenit të Shkodrës me një popullsi të madhe shqiptare, por dhe lidhje familjare me Skënderbeun, pasi ishte martuar me njerën nga motrat e tij. (Marin Barleti,“Historia e Skënderbeut”)

Qyteti i Lezhës në atë periudhë ishte nën sundimin e Venedikut. Thirrja e Kuvendit në qytetin e Lezhës, kishte për qëllim të evitonte çdo keqkuptim midis pjesëmarrësve, lidhur me respektimin e ndereve feudale. Nga ana tjetër siguronte përkrahjen ose të paktën neutralitetin e Venedikut në luftën e madhe shqiptaro-osmane. Për këtë qëllim u ftuan të merrnin pjesë në punimet e Kuvendit dhe Republika e Venedikut, si dhe ajo e Raguzës. Në Kuvend, përfaqësuesi i Venedikut mori pjesë me cilësinë e vëzhguesit, kurse republika e Raguzës refuzoi të merrte pjesë për të mos ndërlikuar marrëdhëniet e saj me Sulltanin e Perandorisë Osmane.

Kuvendi i Lezhës mbas diskutimeve të shumta, mori vendime të rëndësishme, të cilat përcaktuan natyrën politike të këtij Kuvendi. Me gjithë divergjencat e diktuara nga interesat e ngushta, feudalët e mbledhur në Kuvend, u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Ky Kuvend, në vendimet e rëndësishme që mori për fatet e shtetit të Arbërisë, theksoi:

1-Krijimi i një “Besëlidhje Arbërore” me në krye Princin e shquar, Skënderbeun.
2-Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu.

3-Krijimi i një arke financiare të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Lidhja e Lezhës ishte aleancë politiko–ushtarake e princërve arbëror. Kështu Skënderbeu arriti t’i mbledh e t’i bashkojë të gjithë princat arbëror dhe të krijonte një ushtri të rekrutuar me trima shqiptarë, që nuk iu dridhej syri dhe nuk kishin frikë që të përballeshin me osmanët. Lidhja e Lezhës u bë gurthemeli i unitetit dhe ishte baza kryesore e krijimit të shtetit të Skënderbeut. Ai u bë figura kryesore dhe njëherësh, njeriu me të cilin u lidhën shpresat e arbërve .

Shteti osman të gjitha këto veprime i përcillte me vëmendje dhe priste momentin e duhur që t’i sulmonte arbëreshët e Skënderbeut. Në qershor të vitit 1444 osmanët vendosën të sulmojnë Arbërinë. Një ushtri osmane prej 25.000 ushtarësh, depërtoi përmes Luginës së Drinit në krahinën e Dibrës. Skënderbeu ishte një strateg i rrallë dhe i ngriti një grackë osmanëve, sepse i la të depërtojnë në Fushën e ngushtë të Torviollit dhe aty i shpartalloi tërësisht. Pastaj në vitet 1445–1447, thyen edhe disa sulme të ushtrisë osmane. Këto fitore ngritën lart moralin e popullit dhe të ushtrisë shqiptare (arbërore).

Lidhja e Lezhës dhe kryekomandanti i saj, Skënderbeu, gëzonin mbështetjen e pakufishme të popullit. Në këto rrethana lufta mori tiparet e një lufte tipike popullore. Pikërisht, ky faktor i dha mundësi Skënderbeut me ushtrinë e tij, që me mjete njerëzore e ekonomike relativisht të kufizuara, të përballonte sulmet e ushtrisë osmane nga më të fuqishmet e kohës.

Aleanca politiko-ushtarake të Skënderbeut me vendet e Europës.

Periudha historike e Skënderbeut, nga ku nisin dhe rrënjët e historisë së popullit tonë, ka hedhur dritë çdo vit e më shumë me fakte e ngjarje, në kujtime e hulumtime nga historianë e studiues vendas e të huaj, që sjellin fakte e ngjarje nga jeta e aktiviteti i këtij Heroi legjendar, që qëndron në themelet e gjenezës së popullit tonë, vepra e të cilit e ka bërë të njohur shtetin e Arbërisë që në shekullin e XV-të në Ballkan, në Europë, në Azi e përtejë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftëtarëve të Arbërisë, luftoi 25 vjet për të mbajtur të paprekur trojet arbërore nga pushtuesit osmanë, por njëkohësisht u bë barrikadë e pakalueshme, që ky invazion pushtues të mos kalonte Adriatikun për të zhbërë dhe krishterimin europian e idenditetin e shteve përtej detit.

Ashtu si Ballkani edhe Italia në shekujt XIV-të e XV-të ishte e copëtuar politikisht në disa shtete e principata të veçanta si, Venediku, Vatikani, Napoli, Raguza e tjerë. Duke ndjerë rrezikun e këtij invazioni të Perandorisë Osmane, që veç Azisë, synonte territore dhe në Europën Perëndimore e Lindore, këto shtete europiane jo vetëm vlerësonin maksimalisht kontributin ushtarak të Skënderbeut, por ndërmorën dhe aleanca politike të përbashkëta, duke e mbështetur atë edhe financiarisht, si dhe me trupa ushtarake, siç ishte mbretëria e Napolit.

Këto aleanca ishin kryesisht politike, sepse Arbëria një vend i vogël dhe me ushtri me numër të kufizuar në krahasim me taboret osmane, kishte nevojë për mbështetje politike, por dhe financiare. Pushtimet osmane dëmtuan shumë dhe interesat e kishës katolike në Ballkan, ndaj Papët e Romës e shihnin me simpati dhe e inkurajonin Skënderbeun në luftën e tij kundër armikut të përbashkët. Në këtë kuadër, ata i dhanë Skënderbeut dhe titullin e lartë: ”Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”. Po ashtu ishte me shumë interes dhe aleanca me mbretërin e Napolit që me Alfonsin e V-të dhe në vazhdim me djalin e tij Ferdinandi i I-rë. Po ashtu ai kishte lidhje dhe me Janosh Hunaidin e Hungarisë në vitin 1456, ku seicili luftonte në territoret e veta kundër të njejtit armik, ushtrive osmane.

Aleancat dhe politika e bashkimit, i dhanë forcë Skënderbeut dhe si strateg ushtarak, ku ai në të gjitha betejat kundër ushtrisë osmane doli fitimtarë, duke shpalosur talentin e aftësitë e tij të fituara në shkollat ushtarake osmane dhe në betejat e luftrave. Ai me një ushtri të vogël në numër dhe në armatim në krahasim me kundërshtarin, siguroi kudo epërsi luftarake, veçanërisht dy fitoret në dy rrethimet që ushtritë osmane i bënë Krujës, për atë kohë si kryeqëndra e Arbërit. Në rrethimin e parë të Krujës, fitorja historike e Skënderbeut, bëri që të vdes nga hidhërimi edhe Sulltan Murati i II-të që udhëhoqi atë betejë.

Krushqitë e familjes Kastrioti me familjet e dëgjuara feudale.

Familja e Kastriotëve, që shtrihej në territoret veri-lindore të trojeve arbërore, nga një familje fshatare në shekullin e XIV-të, shumë shpejtë u rrit e u shndërrua në një nga Principatat e dëgjuara shqiptare në këto treva. Ardhja e Gjergj Kastriotit në fillimet e shekullit të XV-të dhe roli i tij historik në krye të ushtrisë e të vendit, i dha një prestigj e autoritet fisnik më të lartë Kastriotëve, duke krijuar lidhje të fuqishme brenda e jashtë vendit dhe krushqi me familje të shquara fisnike feudale shqiptare.

Princi Gjon Muzaka, bashkohës me Skënderbeun shkruan në kujtimet e tij:”Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, kishte për grua, Vojsava Tribalda, me të cilën lindën 4 djem dhe 5 vajza, që u lidhën me krushqi me familje të shquara fisnike shqiptare”. Kështu të 5 vajzat e Gjon Kastriotit u futën në familjet fisnike si: Stefan Çernojeviçit me origjinë shqiptare, të Gjon Muzakës, Vladan Aranit Komnenit, tek Balshët dhe tek Muzak Topia.

Ndërsa njeri nga djemtë, Reposhi, ishte fetar dhe u mbyll murg në manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë Athos të Greqisë. Kjo e dhënë, referohet sipas studiuesit Sh.Nimani, të cilit i referohet dhe historiani Moikom Zeqo, në studimin “Mes Leokontit dhe Krishtit”, viti 2000. Po ashtu këtë fakt e vërteton dhe studiuesi sllav V. Petroviç, të cilit i referohet historiani Kristo Frashëri, në studimin e hershëm për epokën e Skënderbeut, “Aktet e Hilandarit”, viti 1989, ku midis të tjerave thekson se, “Varri i Reposhit ndodhet brenda katedrales në murin verior të narteksit të atij manastiri, i pikturuar me subjekte kishëtare”. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se atje ka shkuar dhe i ati, Gjoni, ku ka blerë dhe një sipërfaqe toke që quhet “Pirgu i Shëngjergjit”. Në varrin e Reposhit atje lexohet, “Princ Ilir”.

Sipas arkivave të këtij manastiri, aty përveç murgut, Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që në epitaf mban emrin, “Duka i Ilirisë”, prehet dhe i ati, Gjon Kastrioti, i cili në fund të jetës, u bë dhe ai murg dhe mori emrin, Joakim. Në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë Athos, ekzistojnë dhe dy kodik, ku flitet për prona të atij manastiri dhe të familjes Kastrioti.

Ndërsa djali i fundit i familjes Kastrioti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, lidhi krushqi me familjen e dëgjuar princërore të Aranitëve. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dy familjeve nga pozitat që kishin. Si mblesë, Gjergj Kastrioti, dërgoi Gjin Muzakën, kunatin e Arianitit. Martesat në familjet fisnike lidheshin me aleanca dhe marrdhënie të varësisë së shumëfishtë. Në këto martesa të fisnikëve feudalë, nuk kishte rëndësi mosha, intelekti, apo paraqitja e jashtme e çiftit. Gjergj Kastrioti ato kohë ishte 46 vjeç, ndërsa Donika Arianiti 23 vjeçe. Funksioni i parë i lidhjes ishte ai politik, që do forconte pozitat e familjeve mes krushqive. Pra, martesa ishte më shumë politike, ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.

Donika ishte njera nga 8 vajzat e Gjergj Arianitit me gruan e parë, Marie Muzakën, siç shkruan shkrimtari dhe studiuesi i ynë, Dhimitër Shuteriqi në studimin e tij për “Arianitët”, viti 1989. Po ashtu sipas historianit Marin Barleti, ajo ishte ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare shqiptare të shekullit të XV-të. Ajo i përkiste një ndër familjeve më të fuqishme dhe më fisnike, siç ishte Gjergj Arianiti, ndër më të shquarit e feudalëve shqiptarë. Periudha historike e Skënderbeut, nga ku nisin dhe rrënjët e historisë së popullit tonë, ka hedhur dritë çdo vit e më shumë me fakte e ngjarje, në kujtime e hulumtime nga historianë e studiues vendas e të huaj, që sjellin fakte e ngjarje nga jeta e aktiviteti i këtij Heroi legjendar, që qëndron në themelet e gjenezës së popullit tonë, vepra e të cilit e ka bërë të njohur shtetin e Arbërisë që në shekullin e XV-të në Ballkan, në Europë, në Azi e përtej.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftëtarëve të Arbërisë, luftoi 25 vjet për të mbajtur të paprekur trojet arbërore nga pushtuesit osmanë, por njëkohësisht u bë barrikadë e pakalueshme, që ky invazion pushtues të mos kalonte Adriatikun për të zhbërë dhe krishterimin europian e idenditetin e shteve përtej detit.