100 vjetët e lavdisë së gjeneralit burrëror, Rrahman Parllaku

661
Sigal

Shpendi Topollaj

Askush, shkrimtar apo historian qoftë, nuk duhet të mendojë se është e lehtë të shkruash për njerëz që me veprën e tyre janë kthyer në legjendë, e ca më shumë kur ata janë gjallë, sikurse ndodh me Heroin e Popullit dhe Nderin e Kombit, gjeneral leitnant Rrahman Parllakun, i cili më 17 Prill të këtij viti mbush plot 100 vjeç. Një Njeri, një Burrë i madh dhe i palëkundur mbeti gjithë jetën e tij të gjatë dhe të mbushur me suksese, peripeci e vuajtje, gjeneral Rrahmani. I mençur, i urtë dhe përherë i qeshur, ai dinte të fitonte lehtësisht zemrat e të tjerëve, t`i frymëzonte ata dhe t`i hidhte në aksione. Jo më kot, shumë shpejt, “gegës” që bënte ëmbëlsira së bashku me babanë dhe vëllanë, iu besua që nga fillimi i Janarit të vitit 1943, drejtimi i njësiteve guerilje të Vlorës dhe më pas u emërua në funksione e detyra nga më të rëndësishmet si zv. Komisar i Brigadës VIII Sulmuese dhe në vazhdim me Bbrigadën III merr pjesë në luftërat për çlirimin e Kosovës.

Duke parë aftësitë, guximin, pjekurinë dhe talentin e tij në organizimin e betejave, në prag të çlirimit të Shqipërisë, emërohet komandant Divizioni dhe qëndron si kuadro drejtuese në ushtri si Drejtor Personeli në ministrinë e Mbrojtjes, Drejtor Politik i saj me gradën e kolonelit, prej nga dërgohet në vitin 1948 me studime në Akademinë Ushtarake “Klement Voroshillov” në Moskë. Deri në vitin 1961 i besohet detyra e zv. ministrit të Mbrojtjes për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë, gjersa në vitet 1961 – 1969 drejton Forcat Ushtarako – Detare si komandant, me gradën e gjeneral leitnantit e më pas komisar i tyre.

Për afro dy vjet, ka qenë komisar i Forcave Ajrore dhe në vitin 1970 kthehet si zv. ministër i Mbrojtjes për Përgatitjen Luftarake dhe pastaj zv. Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, ku qëndroi deri në vitin 1974, kur e ashtuquajtura “Fshesë e hekurt” goditi pa mëshirë dhe preu koka gjeneralësh e kuadrosh të rëndësishëm me akuza nga më absurdet. Çfarë shpifjesh të neveritshme nuk sajuan edhe për Heroin e Popullit, deputetin e shtatë legjislaturave në Kuvendin Popullor dhe anëtarin nga më të vjetrit të Komitetit Qendror të Partisë, Rrahman Parllaku, i shquar për besnikëri e ndershmëri ndaj Atdheut e detyrës së ngarkuar, gjersa e dënuan me 25 vjet burgim, nga të cilat 17 i vuajti në skëterrën e Burrelit, kur e mundonte edhe sëmundja e diabetit.

Nga burgu, gjeneral Rrahmani doli në 17 Mars të vitit 1991. Në rrugën e tij një shekullore, Rrahman Parllaku i dha vendit të tij më shumë nga ç`mori prej tij. Ai, veç sukseseve, provoi shumë vështirësi, pengesa, vuajtje e dhimbje, por megjithatë mbeti i papërkulur në karakter, duke u bërë simboli i vlerave më të larta të shqiptarit, përfaqësuesi më tipik i virtyteve të racës sonë. Rrahman Parllaku, ai njerëzori e gojë ëmbli deri në kufijtë e të pabesueshmes, u kthye për këdo që e njohu, punoi apo dëgjoi në ekrane televizorësh e takime të ndryshme, në një yll të ndritshëm udhërrëfyes drejt mirëkuptimit, vëllazërimit dhe përparimit. Në çdo rrethanë nga kaloi jeta e tij me tallaze, pra edhe kur fati i ktheu krahët dhe e goditi pa mëshirë, asnjëherë nuk predikoi e nxiti hakmarrjen. Gjithmonë dhe, sidomos, prej kohës që drejton me dinjitet e largpamësi OBVL – në, foli me objektivitet e konsideratë të lartë për Luftën Antifashiste të popullit tonë, për trajtimin e drejtë të ngjarjeve të asaj kohe, për domosdoshmërinë e pavarësisë së Kosovës, për nderimin e luftëtarëve të saj, për mirënjohjen ndaj ndihmës së SHBA dhe vendeve evropiane, për bashkimin e trojeve shqiptare etj.

Ne, që kemi qenë vartësit e tij, do ta kujtojmë sa të kemi jetë, me respektin e dashurinë më të madhe këtë komandant e komisar, këtë zv. ministër të Mbrojtjes. Veç të tjerash, ai do të mbahet mend gjatë për kujdesin e tij për oficerët dhe familjet e tyre dhe, sidomos, për vëmendjen që i kushtoi përherë shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, prej nga dolën kuadrot më të mira të ushtrisë. Ja pse me gjithë zemër i urojmë atij, jetë sa më të gjatë dhe mendje të freskët! Dhe i themi të ketë parasysh porosinë e Wallace Stegnerit se: “Po të jetë që të plakesh, duhet të plakesh sa më shumë të mundesh!”