Zbulohen fijet, lavanderia ‘bashkon’ koncesionarët e Beqajt

267
Sigal

 

Kompanitë fituese të koncesioneve në Shëndetësi të dhënë nga ish ministri Ilir Beqaj kanë shtrirë lidhjet e tyre për të fituar të tjera koncesione nga qeveria. Tenderi i lavanderisë së spitalit të traumës është fituar nga kompania Sanitary Cleaning. Aksioneret e kësaj kompania kanë fituar më herët koncesionet e laboratoreve dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.Kompani dhe persona të lidhur me koncesionet dhjetëra milionë euro në Shëndetësi kanë vendosur hegjemoninë e tyre edhe në tenderat qindra milionë lekë për lavanderinë e spitaleve.

Kompania ‘Sanitary Cleaning’ ka fituar një kontratë me vlerë 130 milionë lekë të vjetra. Tenderi është vijim i një procedure të zhvilluar në vitin 2020, me fond  2 miliardë lekë të vjetra, për shërbimin e lavanderisë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Njëri prej aksionerëve të kompanisë fituese të tenderit të larjes së çarçafëve është ‘Servizi Italia’. Kjo shoqëri është aksionere edhe tek kompania ‘SaniService’, e cila ka fituar kontratën koncensionare të Sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Koncensionari përfaqësohej nga një emigrant i thjeshtë shqiptar në Itali, Ilir Rrapaj, i cili nënshkroi kontratën me vlerë 80 milionë euro me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Aksioneri tjetër i kompanisë që ka fituar tenderin e lavanderisë në Spitalin e Traumës është shoqëria off-shore me seli në Hollandë, ‘Berinv B.V’. Kompania holandeze është përfshirë si aksionere e ‘Sanitary Cleaning’, nëpërmjet një kontrate shit-blerje, të nënshkruar nga drejtoresha e saj, Tamara Aleksandër Eleonora.

Zonja ka qenë më herët drejtoreshë e një kompanie tjetër off-shore, ‘Ab Laborary Solution’, e cila është pjesë e një koncesioni tjetër në Shëndetësi, atij për Shërbimin e Laboratorëve, me vlerë rreth 120 milionë euro.

Këto të dhëna krijojnë dyshimet se koncesionarët e Ilir Beqaj, sipas ‘syri ‘tashmë janë bashkuar për të përfituar të tjera miliona nga autoritetet shëndetësore shqiptare.