Historia e dyshimtë e mbetjeve që dolën nga porti i Durrësit. Shqipëria mund të përballet me pasoja politike, pasi mbetjet që eksportohen nga Durrësi, dyshohet se u përkasin vendeve të tjera dhe jo kompanisë Kurum. Porti , jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe nga vende të tevropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Eksperti Zef Preçi: sado e hidhur që të jetë për politikanë e biznesmenë të caktuar, duhet hetim pwr mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë
Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të Bazelit, Jim Puckett, deklaroi se Shqipëria mund të përballet me pasoja politike për shkak të eksportit të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai tha se rastet e zbuluara deri më tani, të transportit të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës nga Porti i Durrësit janë vetëm maja e një skandali shumë më të madh. Puckett deklaroi se mbetejt që eksportohen nga Durrësi, dyshohet se u përkasin vendeve të tjera dhe jo kompanisë Kurum.

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.
Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.
Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.
Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit.
“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.
Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e vet dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.
“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’ , po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”
Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje.
Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se:
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.
Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës”.
Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai nuk vjen vetëm nga fabrika e Kurumit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit -EAF.
“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku, që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, -thotë zoti Puckett.
Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’. Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.
Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i.
Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre.
“Një organizatë jo qeveritare ka spekuluar se pse gjurmuesi i anijes tonë Campton ishte fikur. Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”.
Kjo lë të kuptojë se mund të jetë bërë për të shmangur një sulm nga grupi militant jemenas, Houthi që prej nisjes së luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit ka kryer një mori sulmesh mbi anijet transportuese që kanë lundruar afër Jemenit.
Maersk gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se ata vendosën ta transportonin mallin pasi dokumentacioni shoqërues thoshte se ishte i pa rrezikshëm.
“Nëse do të ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar ta transportonte. Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e tij, Maersk ka bashkëpunuar me autoritetet e Singaporit. Anija jonë Campton ka shkarkuar kontejnerët në Singapor dhe tani ato po riatdhesohen për në Shqipëri nga një kompani tjetër”.
Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.
“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumb”,- thotë zoti Puckett.
Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese ”
Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.
Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.
Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.
“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve, apo personave me sëmundje kronike”,- tha zoti Puckett.
Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF).
Kjo zyrë nuk pranoi të komentojë.
“Ne nuk jemi në gjendje të japim detaje në lidhje me rastet që OLAF mund të trajtojë pasi duhen mbrojtur të dhënat e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që do të pasojnë…”, -tha për Zërin e Amerikës zyra për informim e OLAF-it.
Dogana shqiptare megjithatë e konfirmoi për Zërin e Amerikës se ishte OLAF-i ai, i cili e njoftoi Strukturën Antitrafik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për rastin. Kjo zyrë gjithashtu nuk pranoi të komentojë, pasi rasti tani është nën hetim. As kompania gjermane ‘EMS Shipping’ që menaxhon një pjesë të portit të Durrësit, pikërisht pjesën ku bëhet ngarkimi i këtij materiali në kontejnerë, nuk pranoi të bëjë komente.
“Duke qenë se rasti është nën hetim nga autoritetet me të cilat po bashkëpunojmë plotësisht, nuk mund të komentojmë detajet e rastit derisa të përmbyllet”.
Rrjeti i Aksionit të Bazelit thotë se ishin ata, që e njoftuan OLAF-in për rastin.
“Ne i jemi shumë mirënjohës OLAF-it dhe prokurorisë në Shqipëri që po merren me këtë rast, pasi unë kam përshtypjen që kjo është maja e një skandali shumë më të madh”, -thotë Drejtori Ekzekutiv i BAN-it, Jim Puckett.
Pasojat politike, nëse konfirmohet pretendimi i organizatës amerikane, mund të jetë shkelja e Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara, që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Vendet nënshkruese të konventës, një prej të cilave është edhe Shqipëria, nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese tek një vend tjetër, nëse nuk marrin paraprakisht miratimin nga vendi mikpritës.
Qeveria shqiptare i hodhi poshtë gjatë fundjavës akuzat se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara.
Në deklaratën e përbashkët të dy ministrive të qeverisë shqiptare thuhet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurt, pasi është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.
“Unë do të këshilloja që Shqipëria të marrë përgjegjësinë për atë që po ndodh në portin e Durrësit. Dikush duhet të analizojë ato grumbuj që gjenden në port dhe mallin që po kthehet nga Singapori. Por unë e them me 95% siguri se fjala është për hirin EAF, të cilin të gjithë në industrinë metalurgjike e njohin si mbetje helmuese”, thotë për Zërin e Amerikës, Jim Puckett,- Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Baselit.
Zoti Puckett thotë se e kupton që Doganat mund të jenë mashtruar nga eksportuesit, të cilët mund ta kenë deklaruar atë si material të parrezikshëm, por:
“Është shumë e dyshimtë se si mund të ndodhë kjo gjë para syve të tyre. Unë jam i sigurt se kjo është një histori më e madhe, që përfshin shumë eksporte që nuk janë vërejtur më parë dhe që ndoshta e kanë burimin diku në Evropë, apo edhe në vende të tjera. Unë nuk besoj që kjo histori ka marrë fund”.
Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë, ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike se çfarë përmban në të vërtetë malli në kontenierët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri.
Në këtë artikull kontribuan edhe korrespondentët Armand Mero, Ilirian Agolli dhe Raimond Kola./ VOA
SKANDALI I MBETJEVE: KEQ-QEVERISJE-KORRUPSION APO TË DYJA?
Zef Preçi
Nisur nga deklarimet e këtyre ditëve të agjencive perëndimore që zotërojnë informacione të dorës së parë në lidhje me rolin e institucioneve shqiptare në kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të vetat, nga rajoni, apo edhe nga vende të Europës Perëndimore, mendoj se çështja duhet hetuar detyrimisht nga SPAK.
Sipas një dokumenti të publikuar këto ditë në masmedia (shkresa nr. Protokolli 3732, datë 20.04.2022), Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit i ka lëshuar një subjekti privat Akt-Miratimin e Licencës së kategorisë III2.B me objekt të aktivitetit të saj: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”.
Përsa kohë që dokumenti në fjalë nuk është hedhur poshtë nga ministria përgjegjëse, në opinionin publik merret e mirëqenë vlefshmëria e tij, dhe nisur nga aktet ligjore në fuqi të referuara në të, po i jap lirshmërinë vetes të komentoj duke ngritur edhe disa pyetje e pikëpyetje me qëllimin e mirë që t’i kontribuoj debatit publik rreth çështjes nëse kemi të bëjmë me një skandal, që rrjedh nga aktiviteti i paligjshëm (madje në nivel ndërkombëtar), apo është thjesht një problematik marrëdhëniesh midis operatorëve privatë, siç u rrekën ta trajtonin publikisht dy anëtar të kabinetit Rama këtë histori.
Në aspektin metodik, në vijim kam analizuar aktet ligjore duke nxjerrë edhe referencat që kanë të bëjnë me rolin e operatorëve ekonomikë që prodhojnë mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme si dhe të palëve të tjera të përfshira.
Në mënyrë të përgjithshme, nga analiza e kuadrit ligjor në fuqi mund të arrihet edhe në disa përfundime paraprake.
Sipas ligjit Nr. 10448, datë “Për lejet e mjedisit”, ky institucion (Ministria e Mjedisit) duhej të kishte publikuar një raport vjetor për zbatimin e këtij ligji në vitin 2014, dhe prej asaj kohe çdo 3 vjet, dmth të paktën edhe tre raporte të tjera. Kjo çështje mbetet për t’u verifikuar, ndonëse duhet thënë se psh në raportin e gjendjes së mjedisit të vitit 2021 flitet për mbetjet pa i ndarë ato në “të rrezikshme” dhe “të parrezikshme”, por nuk thuhet asnjë fjalë për mbetjet industriale si ato që krijon kompania turke KURUM dhe ndotës të tjerë në këtë sektor.
Sipas të njëjtit ligj, aktiviteti i magazinimit të mbetjeve duke përfshirë zonën portuale dhe stacionet e transferimit të mbetjeve të rrezikshme, janë subjekt licensimi nga organet shtetërore, dmth nuk janë subjekt i veprimtarisë së zakonshme të çdo sipërmarrjeje në vend. Në këtë kuptim, licensimi mendoj se duhej të ishin nënshtruar edhe subjektet prodhuese e depozituese të mbetjeve (si KURUM, etj,), ndërsa për transportin, tingëllon disi paradoksale që licensën e ka lëshuar Ministrja e Mjedisit, ndërkohë që në Ligjin Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në kapitullin për Transportuesit e mbetjeve përcaktohet se “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të mjedisit, të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton rregullat për zbatimin e këtij neni (pika 3). Mbi këtë bazë unë mendoj se Ministrja përgjegjëse për Turizmin dhe Mjedisin ka tejkaluar autoritetin e saj kushtetues duke lëshuar e vetme Akt-miratimin në fjalë. Dmth ka marrë ato atribute ligjore që ligji i përcakton për Këshillin e Ministrave ose të paktën duhej të kishte siguruar dakordësinë e dy antarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Kjo përsa kohë që licensa është lëshuar me objekt: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”, siç shkruhet shprehimisht në të.
Në aktet juridike të përdorura si referenca për lëshimin e licensës në fjalë nga Ministrja e Mjedisit, janë dhënë edhe disa parashikime ligjore për detyrat që ligjëvënësi i ngarkon Këshillit të Ministrave. Të tilla janë:
- Miratimi, me propozimin e ministrit, të katalogut të mbetjeve, duke përfshirë ato të rrezikshme. Nga një vështrim i përciptë në kuadrin ligjor në ëebsite të ndryshme rezulton se kjo detyrë është realizuar.
- Për kontrollin e mbetjeve të rrezikshme, dmth për krijimin, grumbullimin, transportin, magazinimin dhe trajtimin e tyre, kryhen vetëm në kushte që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, në përputhje me këtë ligj. Këto kushte përfshijnë masat që sigurojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar të tyre. Edhe kjo detyrë, është parashikuar në ligj shprehimisht për Këshillin e Ministrave, i cili me propozimin e ministrit, miraton masa përkatëse, duke përfshirë sigurimin e gjurmueshmërisë nga krijimi i mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar të tyre.
- Duke njohur rëndësinë e gjurmueshmërisë, ligjëvënësi ka parashikuar një numër kushtesh, që lidhen me transportin e mbetjeve të rrezikshme, kushte që lidhen me mjetet që përdoren, me plotësimin e kërkesave të akteve ndërkombëtare përkatëse në të cilat vendi ynë është palë apo që i ka transpozuar në legjislacionin e brendshëm, me detyrimin për rregjstrimin paraprakisht për këtë qëllim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, etj.
- Një grup më vete detyrash për Këshillin e Ministrave janë edhe ato që lidhen me etiketimin e mbetjeve të rrezikshme. Kështu ligji parashikon që edhe grumbullimi, transportimi dhe magazinimi në mënyrë të përkohshme të bëhej vetëm kur të ishte mundësuar etiketimi dhe amballazhimi sipas ligjit. Për më tepër përcaktohej detyrimi Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për ambalazhimin dhe etiketimin e tyre.
- Po kështu, sipas ligjit përkatës, Këshilli i i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme, detyrimin për ruajtjen e dokumentacionit, depozitimin çdo tre muaj të informacionit mbi mbetjet e rrezikshme në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, etj.
- Ndalimi i importeve dhe kalimeve tranzit të mbetjeve përbën një çështje tjetër të parashikuar në legjislacionin shqiptar (Neni 48 i ligjit Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve) jo vetëm për qëllime asgjësimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për qëllime ruajtjeje.
- Kalimi transit i mbetjeve jo të rrezikshme, apo të mbetjeve inerte përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi është i mundshëm vetëm me autorizim të ministrit. E njëjta gjë parashikohet në ligj edhe për eksportin e mbetjve, dmth lejohet vetëm me autorizim të lëshuar nga ministri përgjegjës për mjedisin. Është interesante të theksohet që sipas ligjit, ky autorizim (dokument i ndryshëm nga licensa që po analizojmë) është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në një vit dhe duhet të përmbajë të dhëna si lloji dhe sasia e mbetjes për të cilën lëshohet; standardet që lidhen me ambalazhimin e etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre; kërkesat për monitorimin dhe raportimin e transfertave të mbetjeve. Edhe kjo detyrë parashikohet në ligj si detyrim i Këshillit te Ministrave, me propozimin e ministrit.
- Një grup tjetër parashikimesh ligjore lidhen me statistikat e mbetjeve, duke ngarkuar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për mbajtjen dhe përditësimin e statistikave për krijimin, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve; detyrimin që Ministria e Mjedisit të përgatitë dhe publikojë çdo 3 vjet një raport për statistikat e mbetjeve, si dhe detyrimin që Këshilli i Ministrave të përcaktojë rregullat për statistikat e mbetjeve në vend.
E tani të kthehemi tek skandali ndërkombëtar i mbetjeve në Portin e Durrësit.
Pa marrr përsipër një trajtim shterues e në detaje rreth shkallës së përmbushjes së detyrimeve ligjore të qeverisë dhe të ministrisë përgjegjëse për mjedisin, i listova detyrat kryesore të tyre më sipër për të ardhur në përfundimin se përpara se të jetë një çështje e kompanive private, korruptuese apo të korruptuara qofshin ato, ky skandal është një çështje e mirëfilltë e moszbatimit të kuadrit ligjor në fuqi me të gjitha pasojat juridike, shëndetësore, ambjentale, financiare, ndoshta edhe politike, e mbi të gjitha në dëm të jetës që ka shkaktuar. Si e tillë ajo është çështje e qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për mjedisin të cilët duhet të marrin edhe përgjegjësitë përkatëse përballë Kushtetutës dhe ligjit.
Ndërkaq, nisur nga deklarimet e këtyre ditëve të agjencive perëndimore, që zotërojnë informacione të dorës së parë në lidhje me rolin e institucioneve shqiptare në kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të vetat, nga rajoni apo edhe nga vende të Europës Perëndimore, mendoj se çështja duhet hetuar detyrimisht nga SPAK. Kurse përpjekjet për relativizimin e sforcuar të kësaj çështjeje duke e parë të lidhur thjesht me koncesionarin e huaj në Portin e Durrësit, vetëm me kompaninë turke KURUM, apo edhe me operatorë të tjerë ekonomikë e duke lënë jashtë hetimit vendim-marrjen dhe ligjë-zbatimin nga institucionet shtetërore, nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës, sado e hidhur që të jetë për politikanë e biznesmenë të caktuar, e mbi të gjitha mbrojtjes së shëndetit dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë.























