Veprimtaria e sistemit bankar e financiar, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve

816
Sigal

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizuan aktivitetin me temë “Rregullat në lidhje me  mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin bankar”. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, nga të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe nga shoqëritë financiare jobankare.

  1. Besnik Dervishi, në fjalën e tij, vlerësoi përmbushjen e detyrimeve ligjore nga subjektet që e ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor për sigurimin e standardeve të larta dhe garancive të plota për “subjektet” e të dhënave personale. “Sektori bankar është nga më të rëndësishmit për sa i përket grumbullimit, numrit të madh të përpunimeve dhe natyrës sensitive të të dhënave personale. Në dy vitet e fundit janë gati 300 hetime administrative të kryera nga Zyra e Komisionerit, ku përfshihen edhe ato të zhvilluara në “kontrolluesit” bankë apo në institucione të tjera financiare. Duke analizuar mangësitë e konstatuara, përveç vendimmarrjes për çdo rast, kemi dalë me rekomandime unifikuese për sektorin, duke ua bërë me dije vetë kontrolluesve apo edhe Autoritetit rregullator. Këtë gjë e kemi bërë edhe me sektorin bankar dhe ky takim duhet të konsiderohet si një hap në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale” – tha Komisioneri.

Aktivitetin e përshëndeti z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB, i cili theksoi bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit. Ndërsa, tha se organizimi i këtij trajnimi është i domosdoshëm për trajtimin e problematikave në kuadër të legjislacionit kombëtar dhe në optikën e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) në BE.

Znj. Pjerina Gaxha, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, prezantoi për të pranishmit parimet kryesore të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, aktet nënligjore të Komisionerit, si dhe trajtoi raste konkrete nga veprimtaria e Autoritetit në këtë fushë. Në trajnim i ftuar i posaçëm ishte eksperti i njohur ndërkombëtar, z. Italo de Feo, nga zyra ligjore “Partner CMS” në Itali. Në prezantimin e tij u trajtuan ndryshimet dhe risitë e GDPR në krahasim me legjislacionin e mëparshëm evropian (Direktivën 95/46), ku ndër më kryesoret janë: zgjerimi i të drejtave të qytetarëve mbi të dhënat e tyre, veçanërisht, portabiliteti i të dhënave dhe e drejta për t’u harruar; vlerësimi i impaktit të riskut dhe përgjegjshmëria e “kontrolluesit” në procesin e grumbullimit/përpunimit të të dhënave; forcimi i masave tekniko-organizative në garantimin e sigurisë; roli dhe funksionet e “oficerit të mbrojtjes së të dhënave” (DPO) etj.